24 ore lajme: Bukuresht: NATO-ja i jep fund takimit me presidentin rus Putin Bukuresht: NATO-ja i jep fund takimit me presidentin rus Putin ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 04 April, 2008 05:28:00 Udhëheqësit e NATO-s i dhanë fund takimit të tyre të nivelit të lartë në Bukuresht me Presidentin rus Vladimir Putin, një ditë pasi mbështetën planet amerikane për dislokimin e një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Europën qendrore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer tha sot se bisedimet u zhvilluan në frymë pozitive por nuk njoftoi për ndonjë arritje të rëndësishme. Zoti Putin tha më pas se është i kënaqur me bisedimet por vuri në dukje disa probleme, si kundërshtimin e Rusisë ndaj planeve amerikane për instalimin në Europë të një sistemi për mbrojtjen nga raketat dhe vazhdimin e zgjerimit të NATO-s. Po sot, udhëheqësit e NATO u takuan me presidentin ukrainas Viktor Yushchenko për të diskutuar mbi perspektivën e anëtarësimit të vendit të tij në NATO në të ardhmen. Dje, udhëheqësit e NATO-s deklaruan se Ukraina dhe Gjeorgjia ende nuk janë gati për të filluar procesin e anëtarësimit por theksuan se të dyja këto republika ish sovjetike janë padyshim në rrugën drejt hyrjes në Aleancë. Zoti Yushchenko e quajti këtë një ngjarje historike për vendin dhe popullin e tij. Sot, Presidenti Bush do të takohet në Zagreb me udhëheqësit kroatë si dhe me ata shqiptarë, me rastin e ftesës që NATO-ja i bëri Kroacisë dhe Shqipërisë për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Të dielën, zoti Putin do të presë Presidentin Bush në vendpushimin e Detit të Zi, Soçi, për bisedime që pritet të përqendrohen te sistemi antiraketë. Sot, NATO-ja dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje tranziti, e cila lejon kalimin përmes territorit të Rusisë të dërgesave që nuk përmbajnë armë vdekjeprurëse për forcat e Aleancës në Afganistan.