24 ore lajme: Ndryshohen masat e gjobave për biznesin, shtohen rastet e vendosjes së gjobave në ligjin e ri Ndryshohen masat e gjobave për biznesin, shtohen rastet e vendosjes së gjobave në ligjin e ri ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 06 March, 2008 05:52:00 Sipas këtij projektligji parashikohet që të eliminohet Komisioni i Apelimit në Ministrinë e Financave dhe njëkohësisht hiqet afati aktual prej 30 ditësh për ankesa, në favor të një afati kohor më të arsyeshëm prej 1 viti. Këto ndryshime janë bërë pas kërkesës së bërë nga ana e FMN për reduktimin e kostove të konflikteve Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme ligjin e ri “Për Procedurat Tatimore”, draft tashmë i ndryshuar disa herë radhazi, duke e vendosur biznesin përballë vështirësive të implementimit të tij. Në ligjin e ri që pritet të kalojë së shpejti në parlament, një nga pjesët më të rëndësishme që kanë pësuar ndryshim janë sanksionet e vendosura ndaj biznesit. Në draftin shpjegues të këtij projekti deklarohet se qeveria ka rishikuar në tërësi sistemin e gjobave në vend, duke përfshirë të gjitha gjobat që administrata tatimore mund të vendosë ndaj sipërmarrjes edhe në ligje të tjerë. Ministria e Financave ka bërë të ditur se sistemi aktual i gjobave ka penalizuar shumë herë sipërmarrjen, pasi masa e tyre në raste të njëjta ka qenë e ndryshme, duke sjellë pabarazi në gjykim. Gjobat e pabarabarta, sipas Financave, kanë dëmtuar sistemin në vend që të forcojnë zbatimin e vullnetshëm të ligjit nga ana e tatimpaguesve. Gjobat e reja Nëse një biznes operon në treg, pa u regjistrua pranë tatimeve, apo detyrimit për përditësimin e të dhënave, dënohet me gjobë të barabartë me 25.000 lekë për çdo shkelje, ndërsa tatimpaguesi i cili nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë të barabartë me 10.000 lekë për çdo deklarate tatimore të padorëzuar. Kërkesat për vendosje të një sistemi të ri gjobash ka ardhur si domosdoshmëri, sipas Ministrisë së Financave, pasi rreth 75 për qind e gjobave të vendosura nga ana e administratës tatimore janë kundërshtuar nga sipërmarrja. Në këtë draft parashikohet që në rastet kur tatimpaguesi nuk arrin që brenda afatit të parashikuar në këtë ligj, për pagesë, të paguajë shumën e detyrimit tatimor, kontributit, detyrohet të paguajë një gjobë të barabartë me 5 % të shumës së detyrimit, të papaguar për secilin muaj apo pjesë të muajit, gjatë të cilit pagesa nuk është kryer. Në asnjë rast shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10.000 lekë dhe më e madhe se 25 % të detyrimit të parapaguar. Në projekt bëhet e ditur se shuma e papaguar e detyrimit tatimor ose kërkese të pasaktë rimbursimi është diferenca ndërmjet detyrimit tatimor që duhet paguar, ose shumës së saktë të rimbursimit, dhe shumës së tatimit të paguar apo rimbursimit të marrë në datën e caktuar. Të njëjtat penalitete zbatohen edhe në rastet kur dorëzohet një deklaratë tatimore e pasaktë apo kërkese e pasaktë për rimbursim. Këto vepra dënohen me një gjobë të barabartë me 5 % të shumës së detyrimit të papaguar apo rimbursimit të kërkuar më tepër, për secilin muaj apo pjesë muaji, derisa shuma e detyrimit të paguhet plotësisht. Në asnjë rast shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10.000 lekë dhe më e madhe se 25 % të detyrimit të papaguar. Evazioni fiskal Fshehja e detyrimeve tatimore, nëpërmjet dorëzimit të dokumenteve false, deklaratave të pavërteta apo informacioneve joreale, konsiderimi i të cilave çon në përllogaritjen e pasaktë të shumës së tatimit, taksës apo kontributit, përbën evazion fiskal dhe dënohet me gjobë të barabartë me 100% të diferencës së shumës së përllogaritur, nga ajo që duhet të ishte llogaritur në fakt. Ky është edhe përkufizimi që ligji i bën kësaj shkeljeje, duke e cilësuar atë si nga më të rëndat në këtë draft. Ndërsa, për sa i përket shkeljeve në mbajtjen e dokumentacionit, ligji parashikon se “tatimpaguesi që nuk arrin të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin tatimor të kërkuar sipas këtij ligji, detyrohet të paguajë një gjobë të barabartë me 10.000 për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si biznes i vogël dhe në rastet kur është klasifikuar si lloj tjetër biznesi duhet të paguajë gjobë të barabartë me 50.000 lekë për çdo shkelje. Mosdeklarimi i punonjësve Në ligj parashikohet që punëdhënësi i cili nuk ka deklaruar çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë të barabartë me 10.000 – 20.000 lekë për çdo shkelje. Ndërsa, për sa i përket transaksioneve që kalojnë vlerën 300 mijë lekë, detyrohet që të paguajë një gjobë 10% për çdo transaksion. Gjobat ekstra Në rastet e mashtrimit apo thënë ndryshe evazion fiskal, gjobat në këtë ligj kapin edhe vlerat maksimale, duke qenë 100 për qind e shumës së detyrimit tatimor. Një gjobë në masën 100 për qind, sipas këtij ligji, vendoset edhe në dënimet për agjentët e mbajtjes së tatimit, në burim të cilët nuk mbledhin tatimin në burim, ose kur ata nuk mbajnë saktë dokumentacionin e duhur për mallrat e transportit. Metodat alternative Kur tatimpaguesi nuk përmbush detyrimet tatimore, ky ligj parashikon që nga ana e administratës tatimore të ndërmerren vlerësime alternative. Këto vlerësime realizohen kur tatimpaguesi nuk përmbush detyrimet e tij tatimore, kryesisht transaksione me persona të lidhur, jo mbi bazën e parimit të vlerës së tregut, ose përfshihet në transaksione që kanë si qëllim pakësimin dhe shmangien e vlerësimit tatimor. Sipas këtij projekti, njihet e drejta e administratës tatimore për të bërë një vlerësim tatimor, brenda 6 viteve nga dita e përfundimit të afatit të dorëzimit të deklaratës. Bllokimi i pasurisë dhe llogarive bankare, si dhe biznesit në rastet e mospagesës së detyrimit Detyrimet, mbledhja me forcë pas 30 ditësh Nëse tatimpaguesi nuk ankimon apo paguan detyrimet, pas 30 ditësh fillon mbledhja e tyre me forcë Në këtë draft parashikohen edhe të gjitha rastet kur një sipërmarrës nuk paguan detyrimet e tij pas njohjes së tyre nga ana e administratës tatimore. Procedura e mbledhjes së detyrimeve me forcë fillon pasi biznesi nuk ka paguar detyrimet në një periudhë prej 30 ditësh dhe njëkohësisht ai nuk ka ankimuar këto vendime. Me anë të këtij projekti, Ministria e Financave bën të ditur se do të realizohet që të bllokohet shitja apo transferimi i pasurive në palët e treta për të shmangur pagesën e detyrimeve. Tatimpaguesi ka të drejtë të ankimoje vendimin për masën e sigurimit të detyrimit tatimor, të papaguar tek drejtori i drejtorisë rajonale tatimore, apo i njësive të ngjashme me to, dhe të kërkojë çlirimin nga sigurimi, vetëm kur ky i fundit është ekzekutuar në mënyrë të parregullt. Ankimi bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga momenti i marrjes në dijeni për këtë parregullsi. Nëse tatimpaguesi nuk paguan në datën e caktuar detyrimin e tij tatimor në përputhje mekëtë ligj, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e nevojshme për të përmbushur detyrimin e tij tatimor. Në këtë projekt sqarohet se masa e sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar mund të jetë barrë siguruese ose barrë hipotekare, sipas rastit. Vendimi për të vendosur një barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekare mbi pasurinë e tatimpaguesit bëhet me shkrim nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore, apo i njësive të ngjashme me to ose titullarit të zyrës tatimore të qeverisjes vendore. Para vendosjes së një barre siguruese ose barrës hipotekare mbi pasurinë e tatimpaguesit, ky i fundit duhet të njoftohet me shkrim për vendosjen e sigurimit dhe njoftimi duhet të përfshijë gjithë informacionin lidhur me to. Administrata tatimore mund të sekuestrojë pasurinë sipas detyrimit, vetëm pas vendosjes së masës së sigurisë mbi pasurinë, në përputhje me këtë ligj dhe vetëm 30 ditë kalendarike pas datës kur urdhri i sekuestrimit është marre, ose konsiderohet të jetë marrë nga tatimpaguesi, në formën e parashikuar nga neni 94 i këtij ligji. Nëse administrata tatimore konstaton se mbledhja e tatimit është në rrezik, mund të dërgojë njoftim dhe kërkesë për pagesën e menjëhershme të këtij tatimi dhe, në qoftë se detyrimi tatimor nuk paguhet plotësisht, administrata tatimore ka kompetencë të bëjë sekuestrimin pavarësisht nga afatet e parashikuara në këtë nen.