24 ore lajme: ERE: ja pse e rritem cmimin e energjise elektrike! ERE: ja pse e rritem cmimin e energjise elektrike! ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 03 March, 2008 08:30:00 Kryetari i Bordit të Komisionerëve të ERE-s, Bujar Nepravishta i është përgjigjur në këtë mënyrë interesimit të Avokatit të Popullit, lidhur me vendosjen e çmimeve të reja të energjisë elektrike. Duke argumentuar vendimin e marrë në mesin e muajt shkurt nga ky bord, për rishikimin e çmimeve të energjisë elektrike, Nepravishta thekson në letrën dërguar Dobjanit se "ERE në përcaktimin e çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike për vitin 2008 parashikon të mbulojë ato shpenzime me të cilat realizohen nevojat financiare për një furnizim pa ndërprerje gjatë këtij viti dhe jo të mbuloj edhe deficitet financiare që mund të jenë krijuar në veprimtarinë e KESH-it në vitet e mëparshme. Sikurse e kemi theksuar këto nevoja duhet të mbulohen nëpërmjet fondit të balancimit ose me kredi dhe të rekuperohen gradualisht", thuhet në letrën e Nepravishës. Një tjetër kriter i marrë në konsideratë nga Enti Rregullator i Energjisë është edhe ai i tarifës për energji elektrike me dy blloqe. Sipas vlerësimeve të bëra sasia mesatare mujore e energjisë elektrike e harxhuar nga konsumatorët familjarë për vitin 2007 rezulton për çdo familje, duke përjashtuar humbjet jo teknike vjedhjet, me 197 këh/muaj, kurse duke marrë parasysh edhe humbjet jo teknike rezulton 274 këh/muaj. ERE gjykoi se çmimi i energjisë elektrike i nevojës së parë (për ndriçim, për audiovizion, për ruajtjen e ushqimeve me ftohje, për larjen e teshave, për hekurosje) për konsumatorët familjarë me konsum mujor deri ne 300 këh të mbetet i pandryshuar d.m.th., 7 lekë/këh, kurse çmimi i energjisë elektrike, për ata që është quajtur çmimi i energjisë elektrike për komfort (për gatim, për ngrohjen e banesës), të jetë në mënyrë të ndjeshme më i lartë se çmimi ekzistues. "Duke zbatuar një parim të tillë, 655.979 familjeve të cilat kanë një konsum mujor deri në 300 këh, nga 858.774 familje gjithsej, ose 76.4% të të gjitha familjeve shqiptare çmimi i energjisë elektrike u mbetet i pandryshuar", thekson më tej Nepravishta. Në të njëjtën kohë Enti Rregullator i Energjisë i ka rekomanduar qeverisë që të aplikojë lehtësira fiskale dhe iniciativa të tjera të cilat të ndikojnë që lëndët alternative energjetike të bëhen sa më tërheqëse ndaj energjisë elektrike.