Faqja e Pare | Biznesi | Pensionet drejt privatizimit

Pensionet drejt privatizimit

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Pensioniste

Pas legalizimeve mund të quhet një nga reformat më të vështira dhe delikate, por njëkohësisht e domosdoshme për ekonominë shqiptare. Skema e pensioneve prej disa vitesh nuk po funksionon duke marrë nga buxheti i shtetit çdo vit shuma të jashtëzakonshme. Qeveria njoftoi se që nga dita e hënë do të fillojnë diskutimet me opozitën për skemën e re të pensioneve, e cila pritet të ndryshojë rrënjësisht nga skema ekzistuese. Burime të sigurta nga Ministria e Financave bënë të ditur për "Shqip" se synimi është që skema e pensioneve të privatizohet. Kjo do të thotë administrimi i pensioneve të shqiptarëve t‘i lihet në dorë një shoqërie private që mund të jetë një bankë, një shoqëri sigurimesh apo një grup financiar i fuqishëm. Për rrjedhojë, shteti do të hiqte përfundimisht dorë nga 70 milionë dollarë subvencione që jep në vit për të mbajtur në këmbë një skemë që konsiderohet si e falimentuar dhe po kështu do të hiqte dorë edhe nga mbledhja e kontributeve. Ky është projekti që qeveria parashikohet të dërgojë për diskutim sot gjatë diskutimeve të zgjatur me ekspertët e opozitës, por edhe ata të institucioneve ndërkombëtare. Gazeta "Shqip" ka mësuar se synimi i qeverisë është që shtetit t‘i lihen pensionet e ashtuquajtura të vogla, sipas paralajmërimeve të bëra në publik nga drejtuesit e financave ato nën 10 mijë lekë. Ndërsa pjesa tjetër do t‘u jepet privatëve, të cilët do të garantonin miradministrimin e skemës, por edhe nxjerrjen e saj me fitim.

Rekomandim i BB

Ky është një test i fortë për qeverinë shqiptare. Për pjesën dërrmuese të shumë se 535 mijë pensionistë skema e pensioneve do të ndryshojë thuajse plotësisht. Qeveria duket se është lodhur nga mbledhja e kontributeve dhe financimi i përvitshëm i shumave gjigante për pensionet. Raporti kontribuues-përfitues mbetet në nivelet më të ulëta në rajon, kjo për shkak dhe informalitetit të lartë në tregun e punës. Kjo ka shqetësuar edhe institucionet financiare ndërkombëtare, kryesisht Bankën Botërore. BB ka bërë një sërë studimesh dhe madje ka hartuar edhe një raport ku jep disa sisteme dhe skema pensionesh, të cilat do të bënin të mundur përballimin e deficitit të bilancit publik, që në të ardhmen mund të krijojë probleme jo të vogla për vendin. Në fakt, Banka Botërore mbështet në afatgjatë më shumë idenë e krijimit të një raporti të ri mes kontributeve dhe përfitimeve sesa kufizimin e pensionit të përgjithshëm. Por ka gjasa që qeveria të zgjedhë skemën më të lehtë për të. Atë që do t‘i hiqte asaj përfundimisht barrën për të mbledhur kontributet, por kjo ka dhe një anë tjetër medalje. Shtresat me të ardhura të ulëta që nuk kanë mundësi të përballojnë pagesën e kontributeve vullnetare te privatët do të ishin të detyruar të mbeteshin nën thundrën e pensionit minimal të sistemit shtetëror. Nëse ky projekt do të miratohet, atëherë Shqipëria do të bëhej nga vendet e pakta ku skema e pensioneve kalon te privatët.

Ngërçi

Ngërçi i pensioneve po mban peng dhe një sërë reformash të rëndësishme, në fushën fiskale. Njëra prej tyre është dhe ajo e kontributeve. Aktualisht, kontributet për sigurimet shoqërore janë në masën 31.2 për qind, nga të cilat 20 për qind i paguan punëdhënësi dhe 11.2 për qind punëmarrësi. Në programin fiskal afatmesëm qeveria që u takon viteve 2009-2011 ka parashikuar një barazim të masës së kontributeve mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Burimet e mësipërme bëjnë të ditur se kontributi i biznesit do të ulet në masën 10 për qind njëlloj me punëmarrësit çka do të plotësonte përfundimisht kuadrin e taksës së sheshtë, por që kjo të ndodh duhet më parë të realizohet reforma e pensioneve.

Konsensusi

Por reforma e pensioneve është një reformë mjaft delikate, pasi skema e re që do miratohet duhet të jetë afatgjatë. Që kjo të ndodhë kërkohet një konsensus i gjerë politik. Të hënën pritet që për këtë të zhvillohet edhe raundi i parë i negociatave. Edhe opozita ka paraqitur në publik qëndrimin se është për një konsensus politik mbi bazën e të cilit do të përcaktohej skema e re e pensioneve. Gjithë procesi i negociatave do të zhvillohet nën monitorimin e rreptë të Bankës Botërore.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0