24 ore lajme: Spas INSTAT: Rritja ekonomike, 9.9% Spas INSTAT: Rritja ekonomike, 9.9% ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 18 December, 2008 10:17:00 Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2008 ka prekur nivelin e 9.9%, falë zhvillimeve pozitive në disa sektorë si telekomunikacioni apo ndërtimi. INSTAT-i, pas një pune të gjatë, ka prezantuar dje produktin e ri, "Prodhimi i Brendshëm Bruto, Tremujor". Sipas drejtoreshës Ines Nurja, të dhënat e paraqitura në raport janë tregues të rëndësishëm ekonomikë, të cilat përdoren nga shumë vende të zhvilluara për të matur tendencat e ecurisë së PBB në nivel tremujor, me qëllim bërjen më efikase të politikave makroekonomike në një vend. "Këto të dhëna, kam besimin e plotë që do t‘i shërbejnë më së miri përdoruesve të kualifikuar si Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë apo organeve të tjera vendimmarrëse dhe njëkohësisht do të bëhen objekt i diskutimeve mbi tendencat ekonomike të vendit tonë edhe në qarqet akademike, studentore e më gjerë", u shpreh Nurja. INSTAT-i shumë shpejt do të organizojë një konferencë më të gjerë, ku do të paraqesë materiale studimore të cilat do të shfrytëzojnë të dhënat e anketave ekonomike dhe sociale të realizuar gjatë vitit 2007-2008.