24 ore lajme: Rama: Refuzojme P/Ligjin per Procedurat Tatimore, pushtet i pakontrolluar organeve tatimore Rama: Refuzojme P/Ligjin per Procedurat Tatimore, pushtet i pakontrolluar organeve tatimore ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 19 May, 2008 09:37:00 Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë shpreh të gjithë shqetësimin dhe refuzimin tonë për Projektligjin e Procedurave Tatimore, të cilin qeveria këkon ta vulosë sot në parlament pas një procesi tërësisht jodemokratik. Duke ndarë, thuajse të njëjtat, shqetësime me komunitetin e biznesit lidhur me këtë projektligj të konceptuar mbrapsht, unë i kërkoj kryeministrit që, në rradhë të parë, të mos shkelë detyrimin ligjor të transparencës e të konsultimit me këtë komunitet. Eshtë e papranueshme që procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë të mos diskutohen gjerësisht, në rradhë të parë me sipërmarrësit shqiptarë, të cilët janë përjashtuar tërësisht nga konsultimi i këtij projektligji, i cili krijon një barrë të re mbytëse mbi ta dhe një tjetër arsye për përkeqësimin e klimës së rënduar të biznesit në Shqipëri. Eshtë i papranueshëm pushteti i pakufizuar e i pakontrolluar që marrin organet tatimore me këtë projekligj që i bie ndesh lirive të njeriut dhe vetëm do të rrisë e madje përligjë abuzivizmin tradicionalisht të dëmshëm të këtyre organeve për klimën e biznesit në Shqipëri. Eshtë e papranueshme që përmes kësaj nisme kryekëput të gabuar të qeverisë të lejohet ndërhyrja e administratës tatimore në marrëdhëniet mes kompanive të ndryshme, duke kërkuar që detyrimet e papaguara të një subjekti të mund të merren edhe tek kompanitë e tjera me të cilat ky subjekt ka marrëdhënie. Eshtë e papranueshme që cdo detyrim të ngarkuar, qoftë edhe padrejtësisht, sipërmarrësit të detyrohen prej këtij projektligji ogurzi për frymëmarrjen e biznesit në Shqipëri, ta paguajnë vetëm me para në dorë, pavarësisht se kanë hapur proces gjyqësor. Eshtë i papranueshme sesi ky projektligj me frymëzim antikapitalist e deformon përgjegjësinë e administratorëve të biznesit përmes mveshjes së përgjegjësisë së një detyrimi deri tek administratori, të cilit, edhe pa qenë pronar i kompanisë, mund t'i sekuestrohet pasuria familjare për të larë borxhin e kompanisë që administron si menaxher i punësuar. Eshtë i papranueshëm sekuestrimi nga zyra e tatimeve pa një procedure gjyqesore që lejon prapësimin për cmimin, sikundër e bën të mundur projektligji i rrezikshëm që kryeministri kërkon të miratojë pa llogaritur pasojat e rënda që shtohen për komunitetin e biznesit. I cili, edhe pse ka fituar para pak ditësh një të drejtë kushtetuese, e rigjen veten të dhunuar antikushtetueshmërisht nga një kryeministër që jo vetëm s'ka gjasë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për gjobat, po sic shkruhet qartë në këtë projektligj kërkon t'i kthejë zyrat e tatimeve në zyra me atributet e organeve policore apo gjyqësore, duke i detyruar sipërmarrësit të paraqiten si të dyshuar para tyre. E gjithë kjo është e papranueshme dhe unë i kërkoj kryeministrit dhe qeverisë të mos e miratojnë një projektligj të tillë duke e thelluar krizën e marrëdhënieve mes shtetit e sipërmarrësve në Shqipëri dhe duke e përkeqësuar edhe më tutje klimën e biznesit në vendin tonë, e cila sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare është aspak normale. Le ta diskutojmë këtë projekt me komunitetin e biznesit, sepse është një detyrim ligjor e jo një bujari e qeverisë që të mos kthejë në ligje nisma të padiskutuara me sipërmmarrësit dhe le të gjejmë rrugën e arsyes në këtë fushë ku arsyeja e forcës ka bërë shumë dëme e mund të bëjë edhe më shumë në rast se projektligji për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë kalon sic është përgatitur nga shkruesit e verbër të qeverisë.