24 ore lajme: Shoqata e Ndertuesve: Punimet ne Gerdec do t'i bejme pa fitim Shoqata e Ndertuesve: Punimet ne Gerdec do t'i bejme pa fitim ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 22 March, 2008 05:05:00 Në një dalje të saj publike gjatë ditës së djeshme, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka deklaruar se është e gatshme që të ndërtojë në kohën më të shkurtër të mundshme shtëpitë e shkatërruara të fshatit Gërdec, duke punuar pa fitim në këto ndërtime. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Shkëlqim Bumçi ka bërë të ditur se, “Bordi Drejtues në mbledhjen e datës 19.03.2008 vendosi që anëtarët e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, duke u solidarizuar plotësisht me të dëmtuarit e katastrofës, të marrin përsipër të riparojnë në kohën më të shkurtër 300 banesa të cilat kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të rënda, brenda një periudhe 1-2 mujore, në varësi të shkallës së dëmtimit. Çdo firmë anëtare e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë e Degës Tiranë, Durrës, Kavajë, do të marrë përsipër riparimin e një objekti vetëm me vlerën e punimeve pa fitim”. Sipas ndërtuesve, në rast se qeveria do të pranojë propozimin, me një marrëveshje me grupin e emergjencës do përcaktojë modalitetet e marrjes në dorëzim të objekteve nga ndërtuesit dhe dorëzimin e punimeve të përfunduara. Nga ana tjetër, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i ka bërë thirrje të gjitha firmave që prodhojnë dhe tregtojnë materiale ndërtimi, në shenjë solidariteti me të dëmtuarit e Gërdecit, të ulin çmimet 5-10% për lëndë druri, hekur, çimento, tulla, tjegulla, dyer, dritare, pllaka, etj.