Ate qe Athina e arriti para 25 shekujve
Fenomeni i Dushkut ka qenë kryefjala e kritikave të komunitetit ndërkombëtar ndaj sistemit zgjedhor shqiptar pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Madje, kritikat e komunitetit ndërkombëtar ndaj Dushkut filluan që pa u zhvilluar akoma .... ato zgjedhje. Për shembull, përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë në atë kohë, Pavel Vacek, bëri thirrje që partitë shqiptare të mos e përdornin atë skemë në zgjedhje. Ndërsa në një intervistë dhënë “Abanian Daily News” më 27 maj 2005, ambasadori holandez në Tiranë, Sweder van Voorst tot Voorst, thoshte se, “në dallim me atë që pritej, sistemi aktual zgjedhor nuk krijon një lidhje koherente mes votuesit dhe kandidatit”. Për këtë arsye ai shprehte shpresën se Parlamenti i ri do mundësonte një proces zgjedhor të ri më transparent me votuesit, më të lirë, dhe me sa më pak mashtrime e manipulime. Dhe modeli që ai sugjeronte ishte një sistem proporcional, i cili do të reflektonte më mirë dëshirat e elektoratit shqiptar.
I bezdisur nga partiçkat pa elektorat, të cilat Berisha i bëri parti parlamentare falë votave të mbështetësve të tij, si dhe i shtrënguar nga komuniteti ndërkombëtar, i cili është më kërkues se kurrë ndaj ish-presidentit autoritarian, ai është kandisur ta pranojë ndryshimin kushtetues që do të sanksiononte një sistem të ri zgjedhor. Dhe në të njëjtën varkë duket se ndodhet edhe Edi Rama, udhëheqësi i partisë më të madhe të opozitës. Por pyetja tani është se çfarë sistemi do adoptohet.
Një mundësi është sistemi maxhoritar, i cili aktualisht mbështet vetëm nga Nikollë Lesi. Ky sistem është padiskutim më përfaqësuesi, por është i përshtatshëm për vende me parti të mirëfillta elektorale. Në këto vende, dikush që përqafon programin e një partie të caktuar kandidon në bazë të votave të marra në zgjedhje paraprake nga anëtarët apo elektorati i partisë në zonën e tij, dhe jo në bazë të preferencave të udhëheqjes. Në këtë mënyrë, në qoftë se ky kandidat fiton ndaj kandidatit të partisë tjetër dhe shkon në Parlament, e ka aq pavarësi nga bosët e partisë së vet sa të vërë interesat e zgjedhësve të tij para interesave politike të bosëve.
Përveç ekzistencës së partive me strukturë të mirëfilltë elektorale, një kusht tjetër i domosdoshëm për suksesin e sistemit maxhoritar është pamundësia e kandidatëve për të blerë votat apo njerëzit që i administrojnë ato. Kjo sepse tundimi për të bërë gjëra të tilla është shumë më i madh kur gara zhvillohet ndërmjet dy-tre kandidatëve se sa midis listave partiake.
Kuptohet që Shqipëria është shumë larg të qenit gati për një sistem të tillë. Kjo sepse mundësia e manipulimeve është e lartë dhe sepse elektorati i secilës parti nuk ka as më të voglin rol në përzgjedhjen e kandidateve; madje në shumë raste, elektorati nuk i njeh paraprakisht kandidatët që konkurrojnë.
Janë ndoshta këto arsyet që e kanë shtyrë ODIHR-in që, ashtu si dikur ambasadori holandez, të sugjerojë një sistem proporcional, i cili mund të jetë kombëtar ose rajonal. Nga këto dy sisteme, sistemi proporcional rajonal duket më i përshtatshmi sepse, nga njëra anë, krijon mundësinë që pak a shumë çdo zgjedhës ta ndjejë veten të përfaqësuar në shkallë qarku (gjë që nuk e bën sistemi proporcional kombëtar), ndërsa nga ana tjetër, minimizon tundimin që kandidatët kanë për të blerë vota në sistemet me garim individual.
Në qoftë se adoptohet sistemi proporcional rajonal, do krijohet mundësia që nga qarqe ku aktualisht dominojnë plotësisht të majtët (si p.sh. qarku i Vlorës), të dalin rreth 40% deputetë të djathtë, ndërsa nga prefektura ku dominojnë plotësisht të djathtët (si p.sh. prefektura e Shkodrës), të dalin rreth 40% deputetë të majtë. Gjithashtu do krijohet mundësia që të zhduken nga skena parlamentare parti fantazma që vegjetojnë aktualisht vetëm falë kothereve që japin partitë e mëdha, dhe të hyjnë në të parti që kanë realisht mbështetje elektorale, si PD, PS e LSI. Si rrjedhim, Parlamenti që do dilte nga një sistem i tillë do realizonte objektivin kryesor të të gjitha sistemeve zgjedhorë që prej lindjes së demokracisë në Athinën e lashtë - që zgjedhësit ta ndjejnë veten sa më të përfaqësuar në qeverisje.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj