Greva e Metës si lojë politike
Që Ilir Meta dhe deputetët e tjerë përreth tij nuk janë futur në grevë urie për “shenjtërinë e votës”, këtë e kupton edhe shqiptari më i pasofistikuar. Në qoftë se Meta do e kish patur kaq merak shenjtërinë e votës, nuk do kish pranuar të bëhej Kryeministër në vitin 2001, kur votat e vetëm një zone - të famshmes zonë të Dushkut - futën në Kuvend plot 10 deputetë të majtë. Gjithashtu, edhe shqiptari më i pasofistikuar e kupton se pse s’po shohim masa të mëdha protestuesish në mbështetje të grevës së urisë të iniciuar nga Meta.
Pasi kemi thënë sa më lart, vlen të analizohet greva e urisë së Metës ashtu siç është në të vërtetë - si lojë politike. Mbetja jashtë komisioneve zgjedhore të disa niveleve, sigurisht përbën një rrezik politik për Ilir Metën. Një gjë të ngjashme ai e provoi një herë në kurriz, në vitin 2005, kur mori rreth 10% të votave në shkallë vendi dhe iu numëruan vetëm 8%.
Për të evituar përsëritjen e një situate të tillë, ai provoi të gjitha mjetet e presionit ndaj dy partive të mëdha, dhe pasi nuk pati rezultat, iu fut grevës së urisë. Kuptohet që ky është tani mjeti i fundit në dorë të tij, i cili, edhe pse nuk mund të ndikojë shumë në opinionin e brendshëm publik, ka ndikim në opinionin e jashtëm. Dhe historia e 18 viteve të fundit ka treguar se trysnia e partnerëve ndërkombëtarë ka luajtur gjithnjë një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e nyjeve shqiptare, në dukje të pazgjidhshme.
Nëse qoftë se Berisha në pamje të jashtme duket sikur po tregohet intrasigjent ndaj kërkesave të Metës, në fakt, ai do donte që përfaqsuesit e LSI-së të futeshin në komisionet zgjedhore. Ata praktikisht do të shërbenin si një votë më tepër kundër PS-së në rastet kur në komisione do të duhet të votohet për ankesat që ajo mund të paraqesë.
Pse mund të ndodhë kështu? Strategjia e Metës, aktualisht është shumë e ngjashme me atë që ndoqi para zgjedhjeve të 2005-s. Ai punoi që Fatos Nano të humbiste zgjedhjet, pavarësisht se partia e tij arriti të bëhej vetëm një parti minore parlamentare, duke sjellë kështu dorëheqjen eparalajmëruar të Nanos nga kreu i PS-së.
Në të njëjtën mënyrë duket se tani Meta do punojë që Edi Rama t’i humbasë zgjedhjet, e në këtë mënyrë, edhe ai të bëjë si Nano largimin e paralajmëruar nga kreu i PS-së, duke i hapur kështu Metës rrugën për t’u rikthyer në PS me kartën e udhëheqësit të fortë, i cili do të mundë eventualisht Berishën.
Kuptohet që këto llogari politike të Metës e Berishës është në gjendje t’i deshifrojë edhe Edi Rama. Dhe kuptohet që ai nuk do që ato të realizohen. Mbetet të shihet çfarë do të ndodhë kur trysnia e partnerëve ndërkombëtarë të arrijë një pikë kritike.
Në qoftë se formula e përbërjes së komisioneve do të ndryshojë vetëm nga pikëpamja numerike, pra në qoftë se ato do të mbeten me përbërje politike, PS-ja mund të insistojë që futja e përfaqësuesve të LSI-së në komisione, të balancohet me përfaqësues të ndonjë grupi të afërt politikisht. Shembull? Përfaqsuesit e G-99-s.
Një zgjidhje tjetër mund të jetë ndryshimi rrënjësor i formulës së përbërjes së komisioneve. Për shembull, mund të kalohet në përbërje teknike të komisioneve, duke u dhënë kontroll partive politike vetëm në kundërshtimin e atyre kandidaturave që ato i konsiderojnë si përkrahës të hapur të kundërshtarëve.
Me pak fjalë, pavarësisht sesi do mbyllet loja politike që Meta po luan në Kuvend, një gjë është e sigurtë: PS-ja nuk do të lejojë që në komisionet zgjedhore të ketë shumicë antarësh që do të jenë të prirur të numërojnë apo votojnë kundër saj. Dhe çfarë mund të fitojë vetë Meta nga kjo lojë? Ndoshta një numërim më të saktë të votave të tij, që gjithsesi, ashtu si edhe vetë Meta e di, mbeten aq sa janë: të pakta.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj