24 ore lajme: Qeverisja qe vret Qeverisja qe vret ================================================================================ Andrea Stefani on 17 March, 2008 02:55:00 Përse Shqipëria bie nga zia në zi, nga kobi në kob, nga tragjedia në tragjedi? Është natyra e padrejtë me të, apo mos Zoti që hakmerret kushedi se për çfarë kundër shqiptarëve? Nuk është asnjëra dhe as tjetra. Duket se rrënja e tragjedive të Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Sepse ata, asnjëherë nuk kanë ditur të vënë para përgjegjësisë qeveritë, kryeministrat, ministrat për gabimet fatale që ata bëjnë në majën e shtetit. Dhe kur një popull nuk shfaqet i vendosur të ndëshkojë qeverisjet që prodhojnë katastrofa për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre, atëherë betonon në pushtet papërgjegjshmërinë, krijon precedentin e rrezikshëm të mbajtjes në pushtet të kryeministrave dhe ministrave që nuk përgjigjen për asgjë, të qeveritarëve që fajin për katastrofat e gjejnë gjithnjë jashtë vetes, te të tjerët, te natyra, te thatësira, te varkat madje (kjo është më e tmerrshmja!) deri te vetë viktimat. Sepse të thuash, që katastrofa e Gërdecit mund të ketë qenë "edhe pasojë e një gabimi njerëzor", është gjëja më çnjerëzore. Nuk ka akt më të ulët, më antihuman dhe të përbuzshëm sesa kur një pushtetar, për të shpëtuar kolltukun e tij, nis e fajëson viktimat. E vërteta është tragjikisht tjetër dhe ulëret me përmasat e vetë katastrofës, me dhimbjen e të vrarëve, të humburve dhe vuajtjet e të plagosurve. Ajo flet me gjuhën e rrënojave. Është tmerrësisht evidente se shpërthimi i llahtarshëm që dy ditë më parë mori jetë njerëzish, mban damkën e një qeverisjeje të papërgjegjshme. Të përpiqesh ta mbulosh këtë është baras me një papërgjegjshmëri të dytë, është gati një krim kundër qytetarëve. Politikisht, një kob i përmasave të tilla nuk mund të mos jetë përgjegjësi direkte e qeverisë dhe në radhë të parë, e Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Sepse vala goditëse që rrafshoi fshatra e shtëpi, duke shkaktuar të vrarë dhe qindra viktima të pafajshme, nuk është thjesht vala goditëse e barutit. Është vala goditëse e papërgjegjshmërisë. *** Vetëm pak orë pasi në afërsi të kryeqytetit ndodhi një shpërthim kolosal me pamjen e një kërpudhe atomike, gjëja më e pritshme ishte dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes dhe e Kryeministrit. E gjithë Shqipëria u trondit nga vala goditëse dhe më pas, edhe nga pasojat tragjike të saj. Por jo kolltuku i Berishës dhe i ministrit të tij Mediu. Në përpjekje për të mbrojtur veten, Berisha deklaroi se shpërthime të tilla kanë ndodhur edhe në vende të zhvilluara. Është një orvatje djallëzore për të fshehur përgjegjësinë për humbjen e jetëve, plagosjen e qindra vetëve, rrënimin e qindra shtëpive apo bizneseve. Edhe në momente të tilla tragjike, ku vuajtja dhe sprova njerëzore kap majat, mendja e Berishës mbetet e fiksuar te pushteti. Dhe nuk mund të jetë e vërtetë që të tilla kobe ndodhin edhe në vende të zhvilluara. Të paktën jo me pasoja të tilla fatale për jetët e qytetarëve. Sepse është e pabesueshme që në ndonjë shtet të zhvilluar (pra atje ku qeveria vërtet qeveris), të neglizhohen rregullat teknike në këtë farë feje, sa çmontimi i një sasie kolosale predhash, të bëhet buzë një fshati. Edhe manuali më i thjeshtë i xhenios duhet ta ndalojë një gjë të tillë. Po ku kanë kohë qeveritarët e sotëm vanitozë dhe të korruptuar, që të merren me manuale? Veç jemi futur pa dashje në anën teknike të tragjedisë së Gërdecit, në anën teknike të përgjegjësisë. Është detyrë e prokurorisë të hetojë në këtë rrafsh për të parë sesi punohej në atë fabrikë, sa të trajnuar qenë punëtorët (thuhet se ka pasur deri edhe fëmijë të punësuar), sa të pajisur me mjete mbrojtëse dhe si zbatoheshin rregullat e sigurisë. Por mbi këtë përgjegjësi teknike, ka një përgjegjësi edhe më të madhe. Është përgjegjësia politike që nuk mund t‘i delegohet askujt. As ndonjë drejtori, as ndonjë oficeri, as ndonjë shefi reparti dhe as ndonjë punëtori fatkeq. Ashtu sikundër një Kryeministër apo ministër, merr mbi vete lavde për arritje dhe suksese që në shumicën e rasteve nuk i gatuan me duart e veta, ashtu duhet të ndodhë edhe me katastrofat. Ky është qari dhe qederi i pushtetit. Por kur një pushtet arrin të rrëmbejë vetëm duartrokitjet dhe lavdinë e gjërave, dhe të flakë nga vetja përgjegjësinë për katastrofat, atëherë ai shndërrohet në një përbindësh, në një Leviatan që nuk shmang, por bëhet premisë katastrofash. Dhe në Shqipëri po ndodh pikërisht kjo. Ka një luftë të egër për të rrëmbyer poste qeveritare, duke shpërfillur faktin se për një shtet të varfër si Shqipëria, të jesh vërtet qeveritar, është një sfidë dhe një përgjegjësi e pazakontë. Nëse shihet si burim pasurimi dhe privilegjesh dhe jo sakrificë e përkushtimin ndaj jetës së njerëzve, kjo qeverisje nuk mund të mos bëhet burim katastrofash e tragjedish. I tillë është edhe rasti në fjalë. Sepse Gërdeci nuk u godit nga ndonjë cunam apo tërmet, pra nga një forcë e pakontrollueshme natyrore. Ferri që e përpiu me flakët e veta është një faj i qeverisë, rrjedhojë e papërgjegjshmërisë dhe me ç‘po del, edhe e korruptimit të saj. Sepse asnjë qeveri e përgjegjshme, që mendon për jetët e njerëzve, nuk do të lejonte që çmontimi i municioneve të bëhej pranë shtëpive. Në mënyrën më skandaloze të mundshme, kjo qeveri ka toleruar që mijëra banorë, foshnjat, fëmijët, pleqtë, të jetojnë, të gdhihen e të ngrysen mbi një vullkan. Deri ditën kur ai shpërtheu. E para gjë që do të bënte çdo qeveri e përgjegjshme, që ka për detyrë kryesore të vigjilojë mbi jetët e qytetarëve, do të ishte ose largimi i municioneve në zona pa njerëz (dhe atje të bëhej çmontimi) ose të largonte banorët nga zona ku ndodhej fabrika. Dhe këto janë vendime qeverisëse, vendime politike që merren lart, në ministri dhe Kryeministri. Mjerisht ato nuk u morën (hetimi duhet të tregojë se përse, për injorancë apo korrupsion?) dhe prandaj përgjegjësia e kësaj paaftësie qeverisëse me pasoja fatale për qytetarët, nuk kërkon shumë koment. Është faji në vendimmarrjen e qeverisë (lejimi i çmontimit të predhave në Gërdec) që i paraprin çdo gabimi njerëzor më pas. Por gabimi i mundshëm njerëzor ditën e shpërthimit, nuk mund të shërbejë si alibi për vendimmarrjen e gabuar apo verbërinë fatale të ministrit të Mbrojtjes dhe Kryeministrit. Një publik që toleron një papërgjegjshmëri të tillë qeverisëse do të thotë që është i papërgjegjshëm për fatet e tij, të fëmijëve, pleqve, prindërve. Është njësoj si të tolerosh si gabim njerëzor faktin që dikush vendos çmendurisht zjarrin pranë barutit në një depo municioni. Praktikisht, për shkak të një injorance dhe papërgjegjshmërie të një natyre të tillë, vdiqën shumë persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Është fatale, por mund të kishin qenë edhe më shumë. Viktimat u pakësuan edhe si rrjedhojë e një përpjekjeje mbinjerëzore të punonjësve të shëndetësisë, që u shfaq si i vetmi sektor që ju përgjigj në nivelin e duhur emergjencës. Por kur gjykojmë mbi përgjegjësinë e qeverisë nuk mund të mos pyesim: Po sikur të kishin qenë më shumë viktima, po sikur të jenë nesër më shumë? Dhe s‘duhet harruar se ikën jo pak jetë njerëzish. Është blasfemi kundër njeriut, është antihumanizëm të thuash se "për fat ishin vetëm pak të vdekur". Vetëm etja për pushtet apo fanatizmi ndaj pushtetit, mund të shfaqë një avokati të tillë cinike madje, gati kriminale, që i sheh jetët si në numra apo statistikë. Në demokraci, jeta e asnjë qeverie nuk ka vlerën e një jete njerëzore. Edhe një qytetar të humbë jetën në një katastrofë të tillë, qeveria duhet të ndihet e humbur, e dështuar në misionin e saj. Ndaj humanizmi i përgjegjshëm qytetar e gjykon fajin e qeverisë me dhimbjen dhe zemërimin e atyre që humbën njerëzit, me dhimbjen e atyre që u gjymtuan për jetë. Duhet të hysh në zemrën e tyre, në honin e lemerisë dhe detin e lotëve të tyre, për të kuptuar sesa e madhe dhe e pafalshme është përgjegjësia e kësaj qeverie në katastrofën e sapo ndodhur. *** Është çnjerëzore ta fshehësh këtë përgjegjësi në emër të qëllimeve të larta kombëtare, sikundër është futja e Shqipërisë në NATO. Integrimi nuk bëhet duke toleruar papërgjegjshmërinë. As NATO vetë nuk e dëshiron një gjë të tillë. Shqipëria mund të integrohet në NATO edhe me një Kryeministër apo edhe një ministër tjetër të Mbrojtjes. Logjika duhet të jetë e ftohtë, e drejtë, por e pamëshirshme me abuzimin. Ajo këmbëngul: qeveritarë që nuk mbrojnë dot jetën e qytetarëve të tyre, nuk mbrojnë dot interesat kombëtare. Përkundrazi, ata do t‘i keqpërdorin këto interesa, për të bërë alibinë e fajësisë së pushtetit për katastrofat. Ndaj është koha që për interes kombëtar e publik, shqiptarët dhe opozita politike duhet t‘u japin fund qeverisjeve që nuk përgjigjen për asnjë faj dhe tragjedi që e gatuajnë me injorancën, korrupsionin, arrogancën, padrejtësinë dhe duart e tyre të pista. Në këtë kuptim, ngritja dje nga Ilir Meta e gishtit të përgjegjësisë mbi Kryeministrin Berisha është plotësisht e justifikuar. Po të hedhim një vështrim pas, mund të themi se tragjedia e piramidave në vitit ‘97 do të ish shmangur nëse qeveria do të kish ndërhyrë në kohë për të ndaluar huamarrjen. Akoma më afër, tragjedia e Farkës nuk do të kish ndodhur nëse qeveria do të kontrollonte me imtësi dhe rregullonte (si në çdo shtet normal) transportin në ujëra e liqene. Dhe së fundi, shpërthimi në Gërdec nuk do të ndodhte, nëse qeveria do të kish marrë me kohë vendimet e duhura. Është fatalisht kaq thjesht dhe prandaj kaq fatalisht e pafalshme. Mos duhet të pranojmë se qeveria nuk ka kohë dhe as mjete e para të merret me të gjitha? Vërtet një qeveri mund të mos merret me gjithçka, por nuk i lejohet të mos merret me atë që është parësore për çdo qeveri, me mbrojtjen e jetës dhe pronës së njerëzve. Sepse këto janë dy nga qëllimet kryesore se përse emërohet nga publiku një qeveri. Detyra e Kryeministrit dhe e qeverisë nuk është të nxjerrë mësime nga katastrofa (kjo është detyrë e qeverisë apo Kryeministrit që duhet ta zëvendësojë Kryeministrin apo qeverinë e katastrofës) por të parandalojë katastrofat, jo të qajnë mbi varre të hapura por parandalojë hapjen e varreve. Kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes nuk e bënë një gjë të tillë, prandaj duhet të përgjigjen politikisht, duke dhënë dorëheqjen. Ndërsa publiku duhet të mësojë nga Migjeni, nga më njerëzori i poetëve shqiptarë që thuajse një shekull më parë, akuzonte shoqërinë dhe qeverisjen për ngrirjen e një fëmije mes dëborës dhe acarit, akuzonte bukurinë që vret. Atëherë si mund të mos akuzosh sot një papërgjegjshmëri me pasoja fatale për jetët e njerëzve, si mund të mos akuzosh me zemërim njerëzor një qeverisje që vret?