24 ore lajme: Putinizmi qe vjen nga "Spanja" Putinizmi qe vjen nga "Spanja" ================================================================================ Andrea Stefani on 14 March, 2008 06:33:00 Para disa kohësh, në Rusinë e Putinit, u bë një reformë zgjedhore e shoqëruar me rritjen e pragut për të hyrë në Parlament. Në zgjedhjet e fundit parlamentare u panë edhe pasojat e saj. Në Parlament hynë vetëm katër parti nga të cilat, tre të linjës putiniste dhe e katërta, e vijës komuniste. Partitë liberale mbetën jashtë dhe puna ka arritur në atë farë feje, sa jo vetëm liberalët në Rusi, por edhe krejt në Perëndim, po vajtojnë atë që po e cilësojnë si fundin e demokracisë reale në Rusi. Një përqasje e tillë putiniste po kërcënon pluralizmin në Shqipëri, tani që dy partitë e mëdha PS dhe PD, po përpiqen të imponojnë një reformë sipas sistemit spanjoll që krasit partitë e vogla. Pluralizmi është në rrezik dhe një operacion i tillë gjymtues, nuk mund të përligjet me faktin që partitë e vogla janë shfaqur shumë zhgënjyese apo shumë të padenja për misionin e tyre. Shqetëson edhe fakti që së fundi, zëra shumë të emancipuar të medias, sikundër Mustafa Nano, kanë prirje të mbështesin një reformë që shton shanset e autoritarizmit të të mëdhenjve të politikës, në kurriz të të vegjëlve. Por nëse kryhej një reformë e tillë, do të ishte me shumë pasoja negative. Sepse nuk duhet harruar që, sikundër theksonte vetë Mustafai në një intervistë dhënë para pak kohësh "International Herald Tribune", "ndodhemi në një situatë të rrezikshme kur Berisha kontrollon gjithçka". *** E respektoj shumë kolegun Nano, por më shumë dua të vërtetën. Prandaj do t‘i kundërvihem kritikës që ai bën ndaj pikëpamjes që edhe unë mbështes, sepse së pari, kjo më jep dorë të mbroj këtë pikëpamje dhe së dyti, çmoj shumë peshën që ka fjala e Mustafa Nanos në formësimin e opinioneve. Këto dhe asnjë lloj zemërate ndaj lirisë së kritikës më nxitin të shpreh bindjen e kundërt se krasitja e partive të vogla, edhe pse shumica mjaft parazite dhe të padenja, nuk do të përmirësojë asgjë në cilësinë e qeverisjes. Në të kundërtën, një reformë zgjedhore sipas sistemit spanjoll (që është propozuar nga PS dhe ka marrë bekimin e PD) e maskuar me dëshirën për "stabilitet", do të çojë ujë në mullirin e vjetër të autoritarizmit duke rrezikuar seriozisht demokracinë. Dhe le të ndalemi fillimisht te teza e "stabilitetit". Të gjithë ata që po orvaten të provojnë se "fshirja nga faqja e dheut" e të vegjëlve jo vetëm nuk përbën ndonjë qamet, shfaqen jo pak kundërthënës. Edhe Mustafa Nano. Në fund të artikullit "Keqardhje e kotë për fatin e partive të vogla", ai pohon në thelb se një sistem elektoral mundet, në mënyrë të qëllimshme, të deformojë peshën parlamentare të një partie duke mos e përputhur proporcionalisht me peshën e saj elektorale. Pra mund ta rrisë ose mund ta ulë këtë peshë. Nënvizohet se gjithë kjo bëhet (edhe në Perëndim) "në funksion të krijimit të një mazhorance e në funksion të stabilitetit të një qeverisjeje". Por ndërkaq, harrohet se në këtë rast, reforma nuk do të ishte proporcionale (ashtu sikundër shpallet publikisht) por disproporcionale. Harrohet gjithashtu, se i zbatuar në Perëndim, ky disproporcionalitet mund të shfaqet dobiprurës, sepse u jep më shumë fuqi partive të mëdha, me tradita demokratike të rrënjosura thellë në natyrën e tyre dhe mbi të gjitha, me një publik që vigjilon mbi këto tradita e vlera demokratike. Harrohet se në Shqipëri është një situatë krejt tjetër dhe se prandaj disproporcionaliteti, rrezikon të forcojë ca të mëdhenj si PD dhe PS, që sa herë kanë qenë në pushtet, kanë braktisur principet e demokracisë dhe janë prirur nga autoritarizmi dhe arroganca. Është provuar me Berishën, me Nanon, ndërsa me Ramën pritet të shihet nëse do të ndodhë apo jo. Ndërkaq, ndërsa theksohet fuqizimi i të mëdhenjve dhe krasitja e të vegjëlve për hir të stabilitetit, harrohet se të vegjlit me servilizmin e tyre nuk kanë qenë asnjëherë problem për qeveritë. Këtë e pohon edhe vetë Mustafai kur po në të njëjtin artikull (veç në fillim të tij), shkruan se "Partitë e vogla nuk kanë qenë në asnjë rrethanë ferra nëpër këmbët e partive të mëdha; përkundrazi, me të ardhur në pushtet si pjesë e koalicioneve fituese, kryetarët e partive të vogla...kanë qenë të bindur e të nënshtruar ndaj kryetarëve të partive të mëdha më keq sesa një militant province". Atëherë ku është këtu nevoja e stabilitetit qeverisës kur servilët nuk dinë të destabilizojnë? Madje, përkundrazi, na duket se kemi nevojë për destabilitet (në sensin e mos heshtjes ndaj prapësive të qeverisjeve) të iniciuar edhe nga të vegjlit, në mënyrë që të mëdhenjtë të mos abuzojnë me qeverisjet. Na duhet pikërisht destabiliteti demokratik dhe pluralist i qeverisjeve të mbrapshta që mjerisht nuk ka ndodhur (dhe këtë e pohon po vetë Mustafai) dhe jo stabiliteti i qeverisjeve monolite dhe arrogante i betonuar me servilizmin e të vegjëlve, që ka ndodhur sot edhe mot. Shkurt, nevoja e stabilitetit është e trilluar dhe jo një nevojë reale e të mëdhenjve. *** E megjithatë të mëdhenjtë e kanë një nevojë. Por çfarë i shqetëson ata, dhe pse kërkojnë shfarosjen e servilëve të tyre të veckël? Mos vallë se duan të shëndoshin pluralizmin? Por a mund ta bëjnë një gjë të tillë (aq më tepër ekskluzivisht) pikërisht ata që janë shkaktarët kryesorë të ndotjes me konfliktualitet dhe autoritarizëm të pluralizmit në Shqipëri? Duket se nevoja reale e reformës spanjolle që propozohet qëndron në dobësimin e të mëdhenjve. Rënia e kultit të Nanos (jo Mustafait, por Fatosit) po pasohet nga rënia e kultit të Berishës. Qeverisja e sotme e ka të vështirë t‘i kontrollojë të vegjlit e koalicionit qeverisës që ndonëse në formë latente, kanë shfaqur kohë pas kohe, mosrakordime me pozicionin e Kryeministrit. S‘ka dyshim që të vegjlit e qeverisë janë motivuar më së shumti nga interesa të ngushta dhe jo nga e mira publike, por ama pikërisht kjo përplasje interesash, ja ka bërë të pamundur Berishës një vendimmarrje absolute dhe qeverisje monolite si herën e parë. Eshtë kjo nostalgji e Berishës për unitetin absolut të qeverisjes rreth tij, një nga nevojat që në mos e ka nxjerrë në dritë, e ka bërë të pranueshëm për të sistemin spanjoll që mëton të kërrejë "maskarenjtë e vegjël të politikës". Jo rastësisht zëra mediatikë pranë Berishës, janë përpjekur të argumentojnë sikur korrupsioni në qeverinë "Berisha", është vetëm korrupsion i ministrave aleatë dhe jo i ministrave të PD pra, korrupsion i partive të vogla që u dashkan hequr qafe. Dihet që korrupsioni nuk është produkt vetëm i partive të vogla në qeverisje, por mbi të gjitha, rrjedhojë e mosfunksionimit të sistemit të institucioneve dhe pushteteve që në mënyrë të pavarur nga politika dhe pushtetet e saj, duhet të kontrollojnë pastërtinë e zyrtarëve, qeveritarëve dhe të ndëshkojnë dhunimin e ligjit prej tyre. Ndërkaq, e majta (PS dhe Rama) duket se qysh sot, lakmojnë të garantojnë me anë të imponimit të sistemit spanjoll, një unitet monolit të qeverisjes së nesërme. Aq më e fortë është kjo dëshirë kur përballë tyre qëndron LSI, e cila nëse nuk skartohet dot, të paktën duhet të krasitet në mënyrë që të mos ketë mundësi (e vetme ose edhe me aleatë të tjerë të vegjël), të destabilizojë një qeverisje të ardhshme të PS. E gjithë kjo duket jo si pastrim i arenës politike nga e keqja, por si një spastrim i truallit politik prej partive të vogla, një çuarje e pluralizmit politik në limitet e veta më të rrezikshme. Dhe përpara se të ndiqet një shteg i tillë me shumë të panjohura, Edi Rama duhet të shpjegojë se përse ai e sheh të pamundur një qeverisje konsensuale me të vegjlit e së majtës dhe në radhë të parë me atë që publikisht e quan "miku im Meta". Në të kundërtën, nëse është i bindur se PS fiton zgjedhjet e 2009 dhe mund të qeverisë e vetme, është pa kuptim që bëhet iniciator i një sistemi zgjedhor që duke shfarosë të vegjlit, ka të ngjarë të forcojë më shumë "doktor rrumpallën". Në fakt, "Doktori" mbetet shumë konsekuent në qëndrimin e tij të fiksuar ndaj pushtetit, ndërsa është Rama që po e bën rrumpallë qëndrimin e tij ndaj "Doktorit". Duket se Berisha virusin e "rrumpallës" ia ka kaluar Ramës që, duke bërë rrumpallë të sotmen me të nesërmen, po e sheh veten që sot gabimisht në pushtet. Por gjithsesi a kanë të drejtë të mëdhenjtë të spastrojnë të vegjlit? Vetë Mustafai dhe të tjerë të kësaj teze, e pranojnë se të mëdhenjtë janë po aq të këqij sa të vegjlit. Ne do të shtonim se janë edhe më të këqij pikërisht se janë më të mëdhenj pra (ceteris paribus) janë një e keqe më e madhe. Jo thotë Mustafa Nano, të vegjlit meritojnë të zhduken, sepse nuk kanë mbështetje në popull, ndërsa të mëdhenjtë kanë legjitimitet, sepse kanë mbështetje në popull. Pyesim: Kush është e keqe më e madhe, ajo që gëzon besimin e popullit apo ajo që nuk gëzon besimin e tij? Vërtet një e keqe mund të legjitimohet për shkak të robërisë së iluzioneve që mbërthejnë popullatat (nazizmi, komunizmi kanë pasur një mbështetje të tillë masive) por ky legjitimitet i themeluar mbi iluzionet nuk e bën të keqen të mirë. Madje, kjo dukuri është kanceri i pluralizmit shqiptar, mbështetja masive e liderëve dhe partive nga popullata dhe komunitete me mendje të mbyllur dhe të paafta për të qëmtuar as të mirën e vërtetë publike dhe as atë të rreme. Te kjo paaftësi masive ushqehet prej 18 vjetësh aftësia e liderëve të paaftë si Berisha, për t‘u rikthyer në pushtet edhe pasi i kanë shkaktuar shtetit kobe. *** E megjithatë, sado e pazhvilluar të jetë një popullsi lidhur me demokracinë, kësaj të fundit nuk i mbetet mjet tjetër veçse t‘u drejtohet njerëzve, votës së tyre. Nëse duhet të rrojnë apo të shfarosen të mëdhenj e të vegjël, këtë duhet ta vendosë tregu i lirë politik dhe vota e njerëzve. Janë votuesit që duhet të vendosin se kush duhet të rrojë e kush duhet të vdesë nga partitë. Por për këtë na duhet një sistem që ta çlirojë votën nga dhuna, mashtrimet, grabitjet e partive dhe fanatikëve të tyre. Na duhet një sistem vërtet proporcional që t‘i japë çdo partie hakun. Çdo rregullim tjetër i projektuar njëanshmërisht nga të mëdhenjtë, do të jetë një ndërhyrje e dhunshme në tregun e lirë politik dhe me pasoja për pluralizmin dhe demokracinë. Tamam si në Rusi, ku vërtet sot ka stabilitet, por demokracia është e dyshimtë. Ndërkaq, të qenurit parti e madhe nuk të jep legjitimitet të reformosh sistemin pa konsensusin e partive të vogla dhe pra, në kurriz të partive të vogla. Ato mund të jenë të këqija, por mund të ndodhë që, pikërisht në ndjekje të interesave të tyre qoftë edhe meskine, egoizmave të tyre, të pengojnë të keqen e madhe të bëhet edhe më e madhe. Edhe në tregun politik vepron dora e padukshme si në tregun ekonomik ku bukëpjekësi prodhon bukë, pra bën një të mirë publike, duke mos pasur në mendje të mirën publike, por vetëm interesin e tij. Dhe është ndonjëherë logjike që keqja e madhe të luftohet me një të keqe më të vogël, por një naivitet (në rastin më të mirë) që e keqja më e vogël të luftohet me një të keqe më të madhe. Por ka edhe një argument më shumë: fakti që ende ekzistojnë parti të vogla (edhe pse zhgënjyese) është një shenjë lirie, një shpresë se ekziston mjedisi i përshtatshëm për lindjen e partive të tjera të mira. Prandaj në mbyllje të këtij shkrimi që shpreh keqardhje dhe alarm për mundësinë e zhdukjes së partive të vogla, nuk mund të mos përdorim një pasazh që vetë Mustafa Nano rreshton në fund të artikullit të tij "Keqardhje e kotë për fatin e partive të vogla": "Varianti spanjoll i sistemit zgjedhor me një numër të madh rajonesh (mbi 10), jo vetëm penalizon partitë e vogla që veprojnë sot në terren, por nuk lejon në të ardhshmen lindjen e ekzistencën e partive të reja të vogla, të cilat, krejt ndryshe nga partitë ekzistuese, mund të shfaqen me një motivim të ri idealist, vizionar, perëndimor". Pas kësaj mund vetëm të shtojmë: Ja pse na vjen keq për partitë e vogla.