Vote e lire apo arratisje nga liria?
Shpesh është më e lehtë t‘ia vesh shqelmin më të voglit, por nuk është po aq shpesh edhe demokratike. Shqetësimi lind nga një orvatje e fundit e dy partive të mëdha, PD-PS, për të goditur me anë të "reformës" zgjedhore partitë më të vogla. Dhe nuk është aspak një shqetësim për të shpëtuar disa ngatërrestarë, pazarxhinj apo parazitë të vegjël të politikës. Është një ankth për begatinë e pluralizmit politik me të cilin mbetet e lidhur ngushtësisht ardhmëria e demokracisë në Shqipëri
***
Duket se themeli psikologjik, apo "morali" që u ka mundësuar të mëdhenjve të politikës të ndërmarrin një agresion shfarosës ndaj të vegjëlve, është lodhja e një mase të gjerë të opinionit nga pasojat e një lufte politike të egër, që ka për autorë kryesorë të mëdhenjtë e politikës vetë. Ironike sa të duash, por ja që është kështu. Pasi mbollën dëshpërimin, të mëdhenjtë e politikës duket se po përgatiten të vjelin frytet e tij politike. Nuk është i pari rast që popullsi të dala nga diktaturat shfaqin simptoma të lodhjes nga liria, nga rrëmuja e një demokracie apo pluralizmi foshnjor dhe për rrjedhojë vihen në kërkim të mekanizmave që do t‘i ndihmonin të arratiseshin prej lirisë, prej pluralizmit. E një natyre të tillë është, në thelb, edhe mbështetja që po gëzon sot në opinion reforma zgjedhore sipas modelit spanjoll që, në formën që është propozuar, nuk mund të mos çojë në skartimin e shumë partive të vogla. Por nuk po shikohet se si pa kuptuar në shënjestër është vënë pluralizmi, flora dhe në daçi edhe fauna e politikës. Befas, për jo pak opinione, janë pikërisht partitë e vogla që shfaqen si fajtore për gjithë të këqijat dhe akoma më shumë për mungesën e stabilitetit të vendit. Dhe për shpëtim propozohet zgjidhja më adhamudhjane e mundshme: t‘i kërrejmë të vegjlit! Po kërkohet reformimi i sistemit zgjedhor në një mënyrë që nuk mund të mos çojë në zhdukjen e një numri të madh partish të vogla. Por drejt çfarë stabiliteti na shtyn kjo reformë, që në thelbin e saj nuk është veç mohimi i të drejtës për të ekzistuar i shumë partive, një dënim i tyre me asfiksim, pra me vdekje? Dhe çfarë lirie mund të presësh nga një stabilitet që kërkon të themelohet mbi kadavrat e të vegjëlve, praktikisht mbi gjymtimin e pluralizmit? Të lodhura nga kapriçiot e pluralizmit (dhe këtu futen edhe pisllëqet e të vegjëlve) opinionet janë të lira ta mbështesin edhe shfarosjen e të vegjëlve. Por ama, nuk duhet harruar se ata popuj që tolerojnë "ekzekutimin" e partive politike, duhet të përgatiten më tej për ekzekutimin e lirisë së tyre, që nuk mund të mos pasojë si një rrjedhim i pamëshirshëm logjik, i një stabiliteti me liri të ngushtuar. Është provuar në vende të tjera më parë, por edhe në Shqipëri. Çrrënjosja e lirisë ka nisur me shfarosjen e partive, me krasitjen dhe deri asgjësimin e pluralizmit. Dhe gjithnjë (ashtu siç po tentohet edhe sot), masakra të tilla të qeta janë bërë në emër të stabilitetit qeverisës. Një shfarosje e tillë alarmante dhe në masë e të vegjëlve të politikës pritet të jetë rezultati më i shpejtë i atij që nga dy të mëdhenjtë, PD dhe PS, po paraqitet si versioni spanjoll i sistemit zgjedhor. Publiku i gjerë shqiptar nuk e ka fare idenë e sistemit zgjedhor spanjoll. Por nëse vërtet zbatohet kështu si po propozohet, pritet që ai të veprojë mbi partitë e vogla si gripi i tmerrshëm spanjoll që publiku shqiptar ja ka idenë. Dhe fatkeqësisht, me këtë berihaj të verbër kundër pluralizmit, është bashkuar edhe prezenca e OSBE në Tiranë. Edhe ajo shfaqet më shumë e shqetësuar për stabilitetin, kur në fakt duhet të shqetësohet më shumë për pluralizmin. Stabiliteti është i lakmueshëm, por vetëm si nënprodukt i lirisë. Të krasitësh në emër të stabilitetit pluralizmin (që është një formë thelbësore e lirisë politike), është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme. Sepse nëse një liri gjithnjë e më e shëndetshme të çon se s‘bën te stabiliteti, jo gjithmonë stabiliteti çon te liria.
***
Lodhja dhe dëshpërimi i shumë opinioneve nga prapësitë dhe akraballëqet e të vegjëlve është fakt. Por kjo nuk duhet të shtyjë në veprime të dëshpëruara. Zgjidhja nuk është t‘i shfarosësh të vegjlit duke forcuar edhe më shumë monopolin e të mëdhenjve në politikë. Kjo do të thotë të zhdukësh një të keqe më të vogël, duke forcuar një të keqe më të madhe. Sepse askush nuk mund të mohojë që e keqja më e madhe, demokracisë shqiptare i ka ardhur nga të mëdhenjtë. I ka ardhur nga PD në kohën e Berishës së I-rë dhe të II-të, i ka ardhur nga PS në kohën e Nanos së I-rë, II-të apo të IV-të. Të vegjlit kanë qenë padyshim garniturë e këtyre të këqijave të shkaktuara nga të mëdhenjtë. Ndaj të ecësh drejt stabilitetit, duke krasitur pluralizmin, jo vetëm nuk kuron gjë, por në kushtet e Shqipërisë bëhet mjaft e rrezikshme për demokracinë. Këtu nuk hyn fare në punë shembulli i SHBA, ku vërtet ka vetëm dy parti kryesore, por që janë parti të lidhura tradicionalisht dhe shpirtërisht ndaj demokracisë. Demokracia, dedikimi ndaj saj, i mban gjallë ato dy parti, është trualli dhe rrënja e tyre e përbashkët. Ndërkaq, në Shqipëri, lidershipet e dy partive të mëdha, PS dhe PD, e kanë provuar sesa lehtë braktisin vlerat e demokracisë për interesa pushteti. Por e keqja nuk qëndron vetëm te mendësia tiranike që prevalon në politikën shqiptare. E keqja bëhet edhe më e thellë nga fakti që në Shqipëri ende shumica e njerëzve mbeten të lidhur me partitë mbi baza pasionesh dhe jo arsyeje, mbi interesa ekskluzivisht private dhe në jo pak raste korruptive, në antagonizëm me interesin publik. Mendja e mbyllur, tradita patriarkale e besës së dhënë liderit apo partisë, bën që shumë njerëz të mos kenë mundësi të peshojnë alternativat e reja që ofron tregu politik, të mos kenë aftësi të zgjedhin, që praktikisht do të thotë të mos kenë aftësinë të jenë të lirë. Kështu, partitë e mëdha të politikës mbeten të mëdha jo për shkak të ndonjë aftësie të veçantë menaxhuese të situatave, jo për shkak të sukseseve (gjendja e mjeruar e Shqipërisë e dëshmon këtë), por për faktin se ato ishin të parat, kur pas rënies së komunizmit elektorati shqiptar u nda thuajse 50 me 50 për qind në dy parti. Dhe kur ende nuk ekziston një shtresë e mesme shoqërore aq e madhe, aq aktive dhe aq e lirë të përqafojë, duke i falur sukses elektoral edhe një të reje të brishtë (që do të thotë një shtresë e pajisur edhe me guximin që të tradhtojë një të vjetër tradicionale), do të ishte regresive të shtoje vështirësitë e mbijetesës së filizave politikë. Do të qe e rrezikshme të kositësh pluralizmin në një shoqëri fillestare ku ende shkalla e lirisë është në përpjesëtim me rritjen e larmisë së diversitetit politik.
***
Shqetësim tjetër është sinkroni i forcës më të madhe opozitare PS me PD, për të zbatuar sistemin spanjoll në një formë që nuk e zhduk "Dushkun", por vetëm e zbaton të përmbysur. Nëse me "Dushkun" e djeshëm shqiptar shumë vota kaluan nga të mëdhenjtë te të vegjlit, me "Dushkun" e sotëm spanjoll që propozohet, votat pritet të kalojnë nga të vegjlit te të mëdhenjtë. Në të dyja rastet deformohet logjika e sistemit proporcional që secila parti të marrë atë që i takon, pra aq vende në Parlament sa i takon në proporcion me votat e marra nga zgjedhësit. Përsëri një pjesë e votave nuk shkon aty ku e adresojnë zgjedhësit. Por mbi të gjitha, kjo dukuri do të binte ndesh me strategjinë e PS si forcë kryesore opozitare që ka përballë një pushtet autoritarist. Sepse është absurde që në një kohë kur PS i ka shpallur rezistencë autoritarizmit agresiv të pushtetit të PD, befas të bjerë dakord për një sistem zgjedhor që nuk mund të mos fuqizojë edhe më shumë partinë që vazhdon me këmbëngulje të punojë për kapjen e të gjitha pushteteve të shtetit. Dikush mund të thotë se PS e ka mendjen te pushteti i saj i nesërm dhe prandaj po përpiqet që kur t‘i vijë koha, të mund të qeverisë më e qetë. Por a nuk është pak si shpejt dhe e papeshuar mirë të kujdesesh për stabilitetin e qeverisjes së nesërme, duke harruar objektivin politik pa realizmin e të cilit opozita nuk mund të ngjitet në pushtet? Rrëzimi në zgjedhjet e ardhshme të 2009, me votë të bashkuar të opozitës, i një pushteti autoritarist, mbetet objektiv kryesor i saj. Por ky objektiv nuk mund të mos rrezikohet duke adaptuar një sistem zgjedhor që, duke i bërë të vegjlit më të vegjël, i bën të mëdhenjtë edhe më të mëdhenj, pra edhe PD. Dhe kush e di, ndoshta PD mund të rritet aq shumë, sa të qëndrojë përsëri në pushtet. Ose mund të rritet aq sa edhe po nuk qëndroi dot në pushtet, të jetë mjaft e fuqishme në opozitë, sa të prodhojë aq destabilitet sa "t‘ia ngrijë buzëqeshjen" qeverisë së ardhshme. E kur pasi të kemi qethur pluralizmin (domethënë në kushtet tona lirinë) nuk do ta arrijmë as destabilitetin, çfarë mund të pritet? Mund të pritet që qeveria, në rrethanat e një pluralizmi më të pakët (aq më tepër po të mbetet Berisha në pushtet), të instalojë "stabilitetin". Cila do të qe fytyra e këtij stabiliteti? Vështroni me kujdes që të kuptoni! Nuk është rastësi që Berisha hesht për gjithçka po ndodh. Dhe dihet se ai që hesht, pranon. Dhe 17 vjet pluralizëm kanë provuar se politikani Berisha nuk pranon kurrë diçka që bie ndesh me gjakimin e tij të fiksuar për pushtet të përjetshëm. Duket se lidershipi i PS po harron se me kë ka të bëjë. Nuk duam të themi se ka një pazar mes dy të mëdhenjve, por fakti që nuk ka ende transparencë dhe gjithëpërfshirje të aktorëve politikë (sikundër e nënkuptoi dje edhe Presidenti Topi), na bën të dyshojmë për një prapaskenë të dy të mëdhenjve. Prandaj shqetësohemi dhe detyrohemi të rikujtojmë një sentencë që politikani Preç Zogaj e ka formuluar në kohën kur qe ende i lirë të ishte i zgjuar: "Pazaret e prapaskenave me Berishën janë dramatike për ata që i bëjnë"
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj