Japrak
Ishte një garë simbolike, një garë mes individëve që nuk ka të bëjë me të ardhmen e zgjedhjeve të ardhshme". Kështu ka reaguar PS, me gojën e Valentina Leskajt, për humbjen e pësuar të dielën në Komunën e Kasharit. Të kujtohet as më shumë dhe as më pak dhelpra dhe rrushtë e La Fontenit: Kur arrij ta kap është i ëmbël por kur nuk e arrij dot është i papjekur dhe s‘bën. Kështu edhe për zgjedhjet. Nëse fitohen janë një meritë e partisë dhe tregues i fitores së ardhshme, nëse jo, atëherë janë zgjedhje "simbolike", thjesht "një garë mes individësh" që nuk ka të bëjë fare as me PS e as me zgjedhjet e ardhshme. Por ka dhe një logjikë tjetër: Kur nuk fitohet dot një garë simbolike pse duhet të besohet në fitoren e një beteje zgjedhore jo simbolike?
Deklarata e djeshme e PS nuk është gjuha e përgjegjshme e një lidershipi që di të nxjerrë konkluzione nga disfatat, për t‘u riparuar dhe për të arritur më pas fitoren. Është fakt se u bë ca kohë që e majta, pavarësisht rënies së mbështetjes për qeverinë "Berisha", ka pësuar një zinxhir humbjesh në njësi të vogla si Shijak, Mokër, Paskuqan, Tiranë dhe tani së fundi, në Kashar. Janë vërtet humbje në njësi të vogla vendore, por të marra së bashku shpalosin një rezultante që duhet ta bëjë të majtën të alarmohet. Por a ekziston e majta në Shqipëri? Ky është edhe problemi. Ka vetëm parti të majta, ka PS, LSI, PSD, PDS, por nuk ka një të majtë të bashkuar. Dhe këtë përçarje, që e nxit dhe inkurajon me sa të mundë, po e shfrytëzon me efektivitet të lartë në dobi të zgjatjes së sundimit të tij, Sali Berisha, ky Cezar që po punon ethshëm për të mbytur demokracinë në Shqipëri.
***
E majta nuk i fiton dot e ndarë zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. E ndarë, e majta jo vetëm që solli në pushtet Sali Berishën, por edhe do t‘i mundësojë të qëndrojë në pushtet edhe pas 2009 në një mandat të ri. Ndoshta edhe më shumë. Se kush është në gjendje të parathotë plojën shfarosëse që autoritarizmi berishist do ushtronte gjatë një mandati të III, mbi sistemin e institucioneve që e përjetësojnë demokracinë? Edhe në mbarim të këtij mandati, plagët e rrënojat e sistemit janë të frikshme. Të gjitha institucionet thuajse kanë rënë në duart e klanit politik të Kryeministrit, vazhdon një fushatë e egër për të mbajtur nën kontroll gjyqësorin, për të bllokuar hetimin e korrupsionit dhe krimeve të pushtetit, institucionet që duhet të mbrojnë të drejtat qytetare nuk po mund të bëjnë dot asgjë përpara përndjekjes, me presione dhe largime nga puna, të atyre që nuk i binden pushtetit. Dhe mbi të gjitha, institucioni më i rëndësishëm i demokracisë, kurajoja qytetare është rrafshuar dhe mbi gërmadhat e saj, shpërthejnë shkurret e frikës të ushqyera nga rrënjët e varfërisë.
Opozita e majtë duhet të mendojë për të gjitha këto dhe duhet të kuptojë, më në fund, se përballë ka një kundërshtar të egër jo vetëm të saj, jo vetëm të interesave të çdo partie të majtë dhe lideri të majtë, por edhe të demokracisë dhe lirisë. Ka përballë një kundërshtar që, në mungesë të një drejtësie të pavarur që duhet të ndëshkonte korrupsionin, merr forcë nga korrupsioni dhe trafiqet qeveritare, një Ante të së keqes që sa herë bie, merr forcë nga padituria dhe injoranca e turmave. Lidershipi i majtë duhet të kuptojë pas Kasharit, se përballë ka një pushtet që edhe aty ku nuk do të mund ta vjedhë dot votën, do ta korruptojë, do ta blejë tashmë i pasuruar me miliardat e korrupsionit dhe trafiqeve. Do të përdorë miliardat e Gërdecit për të blerë votat e Gërdecit. E majta ka përballë një pushtetar që do përpiqet ta skllavërojë votën e lirë duke shpërndarë, tamam si një Cezar i vërtetë, tokë (legalizimet) dhe bukë (lloj-lloj lëmoshash) sepse ka për aleate varfërinë masive që nuk e ka kuruar, por e ka thelluar me qeverisjen e tij në këto tre vjet.
Berisha është një kundërshtar që ia ka ndjerë lezetin grabitjes së votës. Prandaj nuk do të heqë dorë kollaj nga kjo armë e dashur e Partisë që gatuhet në bodrumet e Ministrisë së Brendshme. Edhe pse sot po flitet për kartat e identitetit, fakti që ato nuk u prodhuan, siç edhe u premtua botërisht nga Berisha, që për zgjedhjet e vitit 2007, nuk përbën një rastësi. Vonesa ekstreme në prodhimin e kartave është një shans që Berisha ia rezervon skemave gjithnjë e më të perfeksionuara të vjedhjes së votës. Të gjitha këto duhet ta bëjnë lidershipin e majtë të kuptojë se fitorja mbi Berishën dhe klanin e tij me pushtet, duhet të jetë aq e thellë sa ta mposhtë atë bashkë me të gjitha votat e blera e të vjedhura. Disfata e Berishës duhet të jetë aq e thellë sa ai të mos mund ta mbushë dot gropën e humbjes me vota të vjedhura apo të blera.
***
Por bashkimi i së majtës nuk mund të arrihet pa restaurimin e marrëdhënieve mes PS dhe LSI. Vështirësia qëndron në faktin se tashmë mes këtyre dy partive ngrihen muret e disa çështjeve parimore. Një nga ato është qëndrimi ndaj ndryshimeve të Kushtetutës, të realizuara më 21 prill nga bashkimi i votave të PS me mazhorancën e Berishës. Gjykojmë se kjo votë ka qenë rrjedhojë e rënies së lidershipit të PS, në kurthin e tensionit politik të prodhuar për shumë vjet nga vetë Berisha. Por është shumë e gabuar që një demokraci foshnjore si kjo e Shqipërisë, t‘i zgjidhë problemet e saj me formula autoritariste të pëlqyeshme edhe për Berishën, duke iu larguar demokracisë në emër të stabilitetit. Kur demokracia ka probleme, ilaçi i saj i vetëm është edhe më shumë demokraci. Ky është leksioni që vjen nga Perëndimi, paçka se disa kryediplomatë në Tiranë, përflasin të kundërtën. Lidershipi i PS duhet të dijë të bëjë politikë dhe të ngushëllojë rivendikimet e drejta të LSI, PSD, PDS por edhe të shoqërisë civile, si dhe të ca partive të tjera jo të majta, lidhur me çështjen kardinale për demokracinë, atë të amendimeve kushtetuese.
Ndërkaq është e rëndësishme që kjo divergjencë të mos e mbajë të majtën të ndarë para kërcënimit berishist. Humbja në zgjedhjet e 2009 edhe për shkak të një përçarjeje me rrënjë edhe tek amendimet e Kushtetutës, do të qe shumë e dëmshme edhe për kauzën e mbrojtësve të Kushtetutës. Sepse me Berishën në pushtet pas zgjedhjeve të 2009, ndryshimet kushtetuese do të maksimalizoheshin në dobi të autoritarizmit, do të ishin një armë e tmerrshme në duart e Berishës kundër demokracisë. Prandaj lideshipi i PS dhe Edi Rama në radhë të parë, ndërsa zhvillon dialog me Shqipërinë, duhet të dijë ta mbajë hapur dialogun edhe me të gjithë ata faktorë dhe aktorë që e kanë mbështetur për vite me radhë dhe që vetëm bashkimi me ta, i ka mundësuar të prekë fitoren. Për sa i takon aleancave, është gabim të jesh kategorik në politikë duke thënë kurrë. Nuk duhet harruar se përçarja është armë e Cezarëve. Dhe sa kohë nuk ke qëllim të bëhesh Cezar kur të vish në pushtet, nuk ke asnjë shkak të sillesh si Cezar nëse nuk je në pushtet. Sepse nëse kur je në opozitë sillesh si Cezar, duke mbjellë (qoftë edhe pa dashje) përçarje, avantazhi do të kalojë jo te ty, por te Cezari pra, tek Ai burri që është në pushtet. Domethënë, te Berisha.
***
Ka dhe probleme të tjera, si ai për reformën zgjedhore, që shqetësojnë dhe ndajnë të majtën. Është krejtësisht e gabuar që PS të synojë të rritet brenda së majtës duke gjymtuar, me anë të një sistemi të imponuar tiranikisht nga bashkimi me PD, aleatët e vet të majtë. PS mund të synojë të rritet me ritme më të shpejta se partitë e tjera të majta, ashtu sikundër një gjë të tillë mund ta aspirojë edhe LSI apo çdo parti tjetër. Kjo është meritokratike. Por është e gabuar dhe disfatsjellëse, të synosh hegjemoninë duke cunguar aleatin tënd. Duke u sjellë si Prokrust një ditë PS dhe Edi Rama do ta shihnin veten në shtratin e Prokrustit dhe mbi kokë, Berishën me hanxhar në dorë duke ia lakmuar gjymtyrët e gjata. Përçarja nga e cila e majta po lëngon prej kaq vitesh mund të shmangej nëse të frustruar nga pasojat e hidhura të saj, jo vetëm liderët por edhe partitë që duhet të ushtrojnë presion mbi liderët, të kuptonin thellë nevojën urdhërore të bashkimit.
Ky do të qe një hap i parë. Më pas do të duhej që marrëdhëniet mes partive dhe lidershipeve të ngriheshin në nivel koalicioni mbi bazën e një meritokracie proporcionale. Që do të thotë, për merita të njëjta, shpërblime të njëjta. Ose me fjalë të tjera, secilit hakun. Kjo filozofi e shpërblimit të barabartë të meritës duhet të pasqyrohet edhe në Kodin Zgjedhor, i cili duhet të mundësojë atë që është edhe thelbi i proporcionalit, përfaqësim të barabartë të partive për vota të barabarta. Partia Socialiste nuk mund të lejojë që Kodi Zgjedhor të cenojë interesat e aleatëve të vet. Rama nuk duhet të kopjojë Berishën, sepse nevojat nuk i kanë të njëjta. Ramës i duhen sa më shumë aleatë ndërsa Berisha ka vetëm shërbëtorë. Berisha nuk humbet asgjë nëse ndahet me një shërbëtor sepse mijëra të tjerë ngrihen të zënë vendin e tij. Kjo nuk do t‘i ndodhë Ramës nëse humbet një aleat.
Përballë janë dy botë, bota e lirisë dhe bota e nënshtrimit. E majta ka një strukturë që rrezikon fraktura për shkak të vërtetësisë (genuinitetit) të partive dhe lidershipeve që militojnë në gjirin e saj, ndërsa e "djathta" berishiste ka një strukturë që po homogjenizohet gjithnjë e më shumë nga nënshtrimi, po bëhet në thelb moniste. Por a duhet të lejojë e majta që diversiteti i saj i brendshëm, pluraliteti dhe pluripartizmi i saj, që liria e saj të punojë kundër lirisë, të punojë në dobi të autoritarizmit duke u shndërruar në përçarje? Asnjë nevojë për "stabilitet" nuk justifikon projekte që e majta të krasisë pluralizmin e vet, florën, të pakësojë ngjyrat e veta, të gjymtojë atë situatë të mrekullueshme lirie ku, sikundër thoshte Medisoni, ambicia korrekton ambicien, lideri-liderin, partia-partinë.
***
Në kohën e diktaturës qarkullonte një barsoletë. Dy djem kishin zakon të shanin një polic të bezdisshëm duke i vënë, s‘dihet pse, nofkën "japrak". Polici i duroi ca kohë por një ditë i plasi në qeli. Kur më në fund djemtë dolën nga burgu, ishin vërtet të frikësuar. Por gjithsesi, nuk rrinin dot pa u ngacmuar me policin. Sa herë ky kalonte aty pari, njëri nga djemtë bërtiste: Oriz, oriz! Gjethe rrushi, gjethe rrushi - ia priste tjetri. Polici krenar vetmëvete për frikën që ju kish kallur, gafurrej: m‘shtille, m‘shtille po ta majti! Ashtu sikundër djemtë kishin frikë të shqiptonin fjalën japrak ashtu edhe e majta, PS dhe LSI kanë frikë të bashkohen. Por nuk ka rrugë tjetër. Që të fitojë opozita duhet të mësojë të gatuajë "japrak"-un e bashkimit.
Është kaq e thjeshtë. Për këtë duhet që PS dhe LSI, Meta dhe Rama, të ngrihen mbi frikërat që ngjizin përçarjen. Ambicia e ligjshme politike nuk duhet t‘i verë strekëmbëshin një ambicieje po aq të ligjshme që mund t‘i shërbejë kundër rrezikut të përbashkët. Ndryshe Berisha do të ngopet me orizin e njërit ndërkohë që maskon hallatet e korrupsionit me gjethen e tjetrit. Dhe mund të vijë një kohë kur edhe do skërmitet: Bashkohuni po ja u mbajti!
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | ||||
| 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
| 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 |
| 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 |
| 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj