Reforma, liri apo sundim mbi gjykatat?
Në vend që ta forcojë pavarësinë e gjyqësorit duket sikur "reforma në drejtësi" po ecën në drejtimin e kundërt, po forcon sundimin e qeverisë mbi pushtetin gjyqësor. Të paktën, kështu rezulton nga kundërshtimet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë po i bën projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor". Por a mund të pranohet që rrjedhojë e një prej akteve më të rëndësishme të reformës në drejtësi (siç vlerësohet projektligji në fjalë), të jetë shtimi i vartësisë së pushtetit gjyqësor nga ai ekzekutiv? A nuk do të ishte një zhvillim i tillë krejt në kundërshtim jo vetëm me parimin demokratik të ndarjes së pushteteve, por edhe me shpresat për integrim të Shqipërisë në NATO dhe BE?
***
Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ka shfaqur rezerva duke kritikuar shumë aspekte të një projektligji për gjyqësorin që pritet të kalojë shumë shpejt në Kuvend. Kjo duket fare qartë në një material të paraqitur prej KLD në komisionin parlamentar që po merret me atë që në publik njihet si "reforma në drejtësi". Dhe një nga nenet më të kritikuara të ligjit që po debatohet, është ai që bën fjalë mbi të drejtën e propozimit për të emëruar kryetarët e gjykatave. Krejt në kundërshtim me frymën e shpallur të reformës në drejtësi, që duhet të tentojë një pavarësi më të madhe të pushtetit gjyqësor nga qeveria, projekti ia kalon këtë të drejtë, ministrit të Drejtësisë. Ky është një "reformim" edhe i ligjit ekzistues mbi gjyqësorin (pra një hap prapa krahasuar me të) që ja njeh këtë të drejtë KLD. Dhe ky i fundit shprehet me të drejtë i shqetësuar, por edhe i habitur, se përse ligjvënësit ndërsa pretendojnë më shumë liri për gjyqësorin pakësojnë atributet e KLD, që është qeveria e gjyqësorit, duke shtuar atributet e qeverisë lidhur me emërimet e kryetarëve të gjykatave.
Por nuk është aspak e habitshme që një reformim i tillë i kompetencave në dëm të KLD, të mbrohet nga deputeti i shumicës, Aldo Bumçi. Sepse transferimi i të drejtës për të propozuar emrat e kryetarëve të gjykatave nga KLD te ministri i Drejtësisë, në fakt ishte projektuar në kohën kur vetë Bumçi ishte ministër i Drejtësisë dhe po vinte në jetë direktivat e Kryeministrit të tij për kapjen e gjyqësorit. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ka qenë opozita, dhe pikërisht Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që e ka kundërshtuar publikisht dhe kur sapo kish nisur të qarkullonte, idenë propozimit të kryetarëve të gjykatave nga ana ministrit i drejtësisë dhe jo nga KLD. Por është habi e madhe të shohësh se një ide e tillë, me sa duket e ngjizur në momentet kur autoritarizmi i qeverisë së PD ishte në ngjitje, të propagandohet sot si një ndër arritjet e një reforme kundërautoritariste që premton t‘i ofrojë pushtetit gjyqësor më shumë liri dhe pavarësi! Nëse deputeti Bumçi ndien ndoshta edhe dhimbje "paternaliste" për ta ndryshuar një nen që vetë e ka krijuar, është fare i pakuptueshëm qëndrimi tolerues i opozitës lidhur me këtë çështje. Deklarimet e deputetit Fatmir Xhafa, përfaqësues i opozitës në komisionin e reformës, se projektligji është përmirësuar kënaqshëm, por jo ende sa duhet, janë të pakuptimta.
Sepse nëse përmirësimet nuk përfshijnë çështje thelbësore si kjo lidhur me emërimin e kryetarëve të gjykatave, na duket i përligjur alarmi i KLD se "projektligji nuk përmirëson thuajse asgjë". Dhe nëse konsensusi pozitë-opozitë për reformën në drejtësi, bëhet në kurriz të pavarësisë së gjyqësorit, shtohen dyshimet se të njëjtat ambicie për të kontrolluar gjyqësorin që shfaq sot pushteti i PD, të njëjtat ambicie fsheh brenda vetes edhe pushteti i ardhshëm i PS. Ose të paktën segmente të tij, që e kanë shijuar në të kaluarën "të mirat" që i vijnë një pushteti të korruptuar, nga sundimi prej tij i gjyqësorit. Në këtë mënyrë shtohen dyshimet se "konsensusi" i famshëm, i arritur mes pozitës dhe opozitës, është ai i që synon jo ta çlirojë, por ta mbajë pushtetin e drejtësisë edhe në vitet që vijnë, nën tutelat e qeverive që shkojnë e vijnë. Por reforma në drejtësi duhet të ketë parasysh gjëra krejt të tjera nga interesat e ngushta të pushteteve kalimtare. Ajo duhet të ketë për busull interesin e shtetit demokratik që nuk duhet sakrifikuar për interesa as të pushtetit të sotëm dhe as atij të nesërm.
Ndaj reforma në drejtësi nuk duhet projektuar me mendësi autoritariste pushtetarësh apo ish-pushtetarësh. Reforma në drejtësi duhet hartuar me mentalitetin e deputetit si përfaqësues i popullit që është i sublimuar nga detyrat e pushtetarit që mund të ketë pasur në të kaluarën ose aspiron të ketë në të ardhmen. Natyrisht edhe me mendësinë e gjyqtarit që kërkon më shumë liri dhe pavarësi nga qeveria pa të cilat, nuk mund të ketë drejtësi, por vetëm despotizëm. Prandaj dhe KLD dhe shoqatat e gjyqtarëve duhet të dëgjohen më shumë nga legjislatorët. Vetëm me mendësi të tilla reforma në drejtësi do të mbajë parasysh interesat e shoqërisë dhe demokracisë dhe nuk do të sakrifikojë për interesat e pushtetit politik, interesat e pushtetit të drejtësisë dhe të shtetit.
***
Këmbëngulja e qeverisë për të shtuar kompetencat e saj në emërimin e kryetarëve të gjykatave, skicon rrjedhoja të rrezikshme autoritariste që në faqet e projektligjit për gjyqësorin. Sipas këtij projekti, pushteti ekzekutiv (konkretisht Ministria e Drejtësisë) do të ketë në dorë shumë mjete për të ushtruar presion mbi gjyqtarët pra, për t‘i shkaktuar padrejtësi pushtetit të drejtësisë. Sepse e drejta e ministrit të Drejtësisë për të propozuar kryetarët e gjykatave, shoqërohet edhe me të drejtën e këtyre të fundit, për të propozuar marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve. Ndaj KLD me të drejtë vëren se një gjë e tillë "mund të krijojë raporte vartësie midis ministrit që ka iniciativën propozuese për kryetarin e gjykatës dhe këtij të fundit në përdorimin e të drejtës për propozim disiplinor ndaj gjyqtarëve".
Frika se pas "reformës" gjyqësori do të jetë akoma më shumë nën trysninë e qeverisë, shtohet kur sheh se projektligji nuk parashikon në mënyrë të detajuar ato që i konsideron "shkelje disiplinore". Kështu këto "shkelje" mund të shërbenin si burim arbitrariteti nga ana e një kryetari gjykate "të bekuar" në detyrë nga ministri i Drejtësisë. Rrjedhimisht, nuk do të ishte aspak çudi që një gjyqtar që ka dhënë një vendim të pakëndshëm për qeverinë, apo dikë në qeveri, të ndëshkohej më vonë me lloj-lloj yçklash për "shkelje të disiplinës". Dhe ne e kemi parë se sa të aftë janë pushtetet në Shqipëri, për të përzënë nga puna, "në emër të disiplinës dhe ligjit", njerëz që nuk i pëlqejnë apo nuk i shërbejnë. Që reforma në drejtësi t‘i japë më shumë pavarësi gjyqësorit duhet që nenet e projektligjit për gjyqësorin, të pastrohen nga grackat autoritariste të pleksura me to, ndryshe do të jetë vetë reforma në drejtësi që ashtu sikundër ngre alarmin KLD: "...rrezikon të cenojë parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor". Dhe atëherë ligji për gjyqësorin do të arrinte vërtet, sikundër u shpreh me entuziazëm pak ditë më parë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, një "standard të paparë" në Evropë.
Andrea Stefani
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj