Një "mësim" për t'u kuptuar
Një skandal i madh me përmbajtje seksuale shpërtheu të hënën, në median njujorkeze. Bëhej fjalë për një baba të 3 vajzave relativisht të rritura, për një burrë në moshë 48-vjeçare, që kishte shpenzuar një natë para Shën Valentinit disa mijëra dollarë në shoqërinë e një vajze të thirrur me telefon nga një rrjet ndërkombëtar prostitucioni, në një nga hotelet e Uashingtonit. Shumë shpejt, gjithçka u zhbirua dhe në shënjestër si klienti nr. 9 i këtij klubi VIP (Emperor's Club) u vu vetë guvernatori i Nju Jorkut, Spicer (Eliot Spitzer). Dy ditë më vonë, të mërkurën, ai dha dorëheqjen nga detyra. Ky ishte dhe akti i tij i fundit publik. Pra, sipas të gjitha gjasave, ai i dha fund edhe karrierës politike të një ylli në ngritje. Bile, pas fitores së bujshme me mbi 69% të votave, në fund të vitit 2006 për guvernator të Nju Jorkut, ishte krijuar bindja se pas stazhit në këtë pozicion, atij do t'i hapej dera për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë. Siç pohonte dhe babai i tij, një multimilioner i suksesshëm, ai do të bëhej dhe presidenti i parë çifut i SHBA-së.
Më shumë se periudha 14 mujore si guvernator i Nju Jorkut (të karakterizuar nga iniciativa të kundërshtuara prej legjislativit apo nga përplasje të ashpra me udhëheqësin e shumicës republikane, Bruno (Joseph Bruno)), ai vlerësohej shumë nga qytetarët për veprimtarinë e tij si prokuror i përgjithshëm. Aty ai u shqua si një njeri i paepshëm ndaj krimit, si luftëtar abraziv ndaj abuzimit dhe informalitetit, si hero i duarve të pastra në luftën kundër korrupsionit qeveritar, për çrrënjosjen e tij. Sidomos agresiviteti i tij në përndjekjen e krimit financiar u veçua në atë të"kollareve dhe jakave të bardha", prandaj dhe provokoi kundërshtimin e zemërimine një numri të madh biznesmenësh të mëdhenj, përfshi dhe Brunon. Për këto arsye ai u pagëzua dhe "sherifi i Wall Street-it" apo "kryqtari i vitit". Por, më së fundi, lëvizjet bankare të kohëve të fundit, edhe pse në shuma të vogla disa mijëra dollarësh, krijuan dhe dyshimet për të dhe nga kjo nisi vëzhgimi dhe investigimi...
***
Presioni i medias nga njëra anë dhe ai politik (republikan) nga ana tjetër e detyroi atë të japë dorëheqjen brenda disa ditëve pas plasjes së skandalit. Duke dhënë dorëheqjen ai, midis të tjerash, nënvizoi: "Gjatë gjithë jetës time publike, unë kam këmbëngulur, besoj në mënyrë korrekte, që njerëzit pavarësisht pozicionit të tyre apo pushtetit konkret të marrin të gjitha përgjegjësitë për sjelljen e tyre. Unë nuk mund të kërkoj më pak për veten time, përkundrazi". Dhe më tej, në lidhje me dorëzimin e detyrës, tha: "Unë nuk mund t'ia lejoj vetes që dështimi im privat të dëmtojë punën publike për të tjerët." Por, ai në asnjë rast nuk u mbrojt apo nuk u justifikua me punën e madhe të bërë, me rezultatet e larta të arritura më parë si prokuror shteti...
***
Natyrshëm, gjithsecili mund të bëjë analizën e tij pasi të njihet me "bujën" mediatike, që shkaktoi ky lajm këto ditë në median amerikane dhe ndërkombëtare, me variantet e trajtimit publik diku realist, diku tabloid, apo dhe me reagimin politik, për një rast të tillë. Por, po aq e rëndësishme është që të bëhet edhe analiza e krahasimi me terrenin shqiptar.
Nuk mund të thuhet se në "historinë" tonë shqiptare nuk kemi ndeshur apo nuk ndeshim edhe sot situata, ndoshta, jo plotësisht të tilla, por megjithatë tepër problematike në rrafshin moral dhe rrezatimin e tyre shoqëror. Sidomos për njeriun publik-politik.
Qarkullojnë nëpër kafe lloj-lloj thashethemesh, disa realisht thashetheme, disa të tjera më shumë se të vërteta. Në disa prej tyre burimi është vetë politika, në të tjera mjaft gazetarë janë të pranishëm, madje nuk janë të pakët edhe diskutantët më të "zjarrtë" nga radhët e tyre. Por çdo gjë mbyllet aty, me trajtimin humoristik në hollet e hoteleve apo tavolinat e kafeneve. Mungon si investigimi zyrtar apo reagimi politik, ashtu dhe investigimi mediatik. Gati-gati maksimumi i gjithçkaje publike të këtij lloji mbyllet në emisionin "Fiks Fare", gjë që shpjegon dhe interesin e madh që ngjall ky program. Por dhe aty, përgjithësisht zbritet në shtresime më të ulëta. Ndërkohë, që në tavolina "kapen" e debatohen dhe nivele shumë të larta. Jo vetëm për afera korruptive apo favorizime ekonomike-financiare, por dhe për çështje më të brendshme, për abuzime më intime, pak a shumë private...
Ndërkohë që nga ngjarja e mësipërme njujorkeze dhe reagimet e shpejta, mjaft të forta mediatike-publike, ajo që mësohet është se njeriu publik duhet të jetë dhe realisht publik. Veprimtaria private e tij lidhet në një mënyrë apo tjetrën me veprimtarinë publike. Abuzimi privat, tejkalimi i moralit apo të "drejtës" shoqërore është në rastin e tij dhe një abuzim publik. Dhe për këtë duhet të paguajë çmimin përkatës, në radhë të parë atë politik...
Leksioni tjetër po aq i madh vlen për median. Ajo duhet të zhvillojë fuqishëm në gjirin e saj gazetarinë investigative e kurajoze. Nuk është keq që është zhvilluar jo pak analiza politike, por ajo, në kushtet e sotme, është ende shumë pak, deri diku dhe më komodja, madje më pak e rrezikshmja në krahasim me gazetarinë investigative. Kjo e fundit vlen të mbështetet, të paguhet shtrenjtë dhe të ndihmohet nëpërmjet bashkëpunimit e komunikimit. Sepse nëpërmjet saj mund të nxitet dhe të realizohet vetë "pastrimi" shoqëror e politik. Përndryshe, ne do të vazhdojmë bisedat e qeta të kafeneve, apo do të mbyllim edhe më tepër sytë e veshët. Madje, pse jo, dhe do të vlerësojmë, nderojmë e "dekorojmë" edhe ata për të cilët gazetaria investigative mund të bënte namin, me radioskopinë e "lakuriqësinë e saj!..
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj