Hapje sysh në kërkim të zgjidhjeve antikrizë!
Po të ndjekësh me kujdes kursin aktual të krizës financiare-bankare vihet re një thyerje në pjesën realiste të çdo krahu politik (të djathtë dhe të majtë), përfshirë dhe një prirje proporcionale, orientuese e rregulluese, për nga shtetëzimi apo nacionalizimi. Pikërisht, kur kjo prirje e tillë konsiderohej praktikisht e kapërcyer. Në fakt, për të shmangur "tronditjen" aktuale, shumë nga liderët kryesorë po synojnë "riformatimin" e sistemit rregullator ekonomik; disa në kuadër të kapitalizmit, tregtisë së lirë dhe tregut të hapur, kundër proteksionizmit, mbyllshmërisë dhe kolektivizmit, kurse të tjerë kërkojnë ndryshime shumë më thelbësore…
Situata ishte krejt ndryshe kur përplaseshin dy blloqe politike, ekonomike dhe ushtarake, në një konkurrencë shumë të gjatë dhe me zigzaget e veta. Dhe, në përfundim, ekonomia e tregut dhe sistemi politik demokratik (pluralist) manifestoi triumfin e tij të vërtetë, duke propaganduar dhe përbërësen e mirëqenies sociale. Por ndryshe është puna sot. Ruajtja apo kapërcimi i tabuve të krijuara mund të sjellë ose jo rifreskimin, modifikimin apo ndryshimin e duhur. Aq më tepër, nuk ka pse të përjashtohet deri "falimentimi" brenda konfiguracionit aktual ekonomik-politik; dhe jo thjesht e vetëm mënjanimi i shformimeve "toksike" brenda sistemit financiar-bankar!...
Në këtë kuadër, ekziston pra dhe mendimi se, brenda krizës aktuale, janë manifestuar, në një rrjedhje kohore, abuzime nga më të ndryshmet. Të tilla janë p.sh., ato të pasqyruara brenda sistemit imobilier apo "real estate". Parë në një evolucion kohor, për mjaft specialistë nuk ka arsye, p.sh., që një apartament të kushtojë sot me miliona euro, tej kostove reale apo vetë tregut normal imobilier. Thënë ndryshe, mbështetur në binomin kërkesë-ofertë, diferencat (d.m.th. edhe fitimet) kalojnë, me disa dhjetëra herë, vlerat e tyre normale mesatare. Dhe, për më tepër, duke abuzuar dhe në vetë skemën e kreditimit. Kjo dhe për shumë mallra e shërbime të ndryshme, të perceptuara të gabuara në kuadër të skemës së sotme. Një mundësi është çmontimi apo prishja në origjinë e kësaj skeme, kurse një mundësi tjetër është ruajtja e këtyre tregjeve të sotme, me ngritje çmimesh, mallrash e shërbimesh, duke tejkaluar problemet e likuiditeteve apo shtetëzim-privatizimet, nëpërmjet ndërhyrjeve qeveritare apo bankave më të fuqishme. Pra, njëra mundësi është ngritja e një teorie dhe praktike të re, bazuar mbi falimentin e vërtetë të sistemit ekonomik (pra dhe rivendosja për nga poshtë e një sistemi të ri të pagesave dhe çmimeve), kurse mundësia tjetër është ajo që po tenton të konservojë sistemin politik-ekonomik, nëpërmjet rregullimeve procedurale e kontrolluese, krahas rritjes së vazhdueshme të të gjitha çmimeve...
***
Sipas presidentit Bush, shumë shpejt do të arrihet të kapërcehet kriza financiare globale dhe ekonomitë më kryesore do të rikthehen në "rrugën e tyre të rritjes dhe vitalitetit". Për të takimi i Uashingtonit është një projeksion i parë ndaj reformimit financiar, bazuar mbi një transparencë më të madhe dhe një rregullim më të mirë të tregjeve, kompanive kryesore e produkteve financiare. Por, ndryshe nga disa udhëheqës të tjerë ai është kundër rishpikjes së sistemit, duke besuar në zgjidhjen e shumë problemeve mbi parimet themelore të lirisë së tregut. Në funksion të kësaj ideje do të rezultonte p.sh., ngritja e një sistemi paralajmërimi, përfshirë dhe kolegjin e mbikëqyrjes së institucioneve më të mëdha financiare në botë...
Sidoqoftë, në takimin e Uashingtonit, pavarësisht konvergjencës ndaj planit të veprimit për reformimin e sistemit financiar dhe premtimit të një ndërveprimi të përbashkët në procesin e restaurimit të rritjes globale, divergjencat janë ende të konsiderueshme. Megjithatë, në deklaratën përfundimtare të këtij samiti (të 20 vendeve më të rëndësishme, që përfaqësojnë praktikisht 85% të energjisë botërore) theksohen masat fiskale për mbështetjen e ekonomikeve kombëtare, krahas përcaktimit të zonave më të rëndësishme për ristudim, benda 31 marsit 2009. Ndër to më të rëndësishme janë masat rregulluese për tregjet financiare, fuqizimi i transparencës sidomos ndaj tregjeve të derivuara, reformimi i praktikave kompensuese etj. Sipas kryeministrit britanik Braun (Gordon Brown) këto masa mund të lehtësojnë shqetësimet e ndeshura, dhe mbi të gjitha mund të garantojnë të ardhurat e qytetarëve dhe sigurinë e tyre për strehim e punësim. Po ashtu, ato do të mundësojnë rregullime të politikave fiskale, të shoqëruara me ulje taksash, zvogëlim të shpenzimeve publike dhe shtim të buxheteve që favorizojnë konsumatorin. Po aq i rëndësishëm është dhe vendimi mbi rolin dhe fuqizimin e autoritetit ndërkombëtar të institucioneve financiare, si FMN, BB apo ngritjes së strukturave të reja mbikëqyrëse...
***
Për vitin 2008, çmimin Nobel në ekonomi e mori ekonomisti amerikan Paul Krugman. Në njëfarë mënyre, ky çmim "lexohej" dhe si një sfidë ndaj vendimmarrjes ekonomike-politike shoqëruese të periudhës së fundit. Kur ky ekonomist u pyet këto ditë për angazhimin dhe qartësinë e kryeministrit britanik Braun, sidomos për kontributin e tij në procesin e "shpëtimit" të sistemit financiar ndërkombëtar, ai ndërmjet të tjerave e konsideroi këtë çështje akoma të parakohshme, jo tërësisht të maturuar. Sidoqoftë, sipas tij, politika, më së fundi, po e krijon dhe e ndërton vizionin e duhur, pikërisht të asaj që duhet bërë në kohën e sotme. Sipas Krugmanin, "për fat të mirë për ekonominë botërore, Brauni dhe qeveria e tij po tregojnë prova të qarta të një kuptimi dhe orientimi të drejtë. Ata po dëshmojnë dhe rrugën e daljes prej kësaj krize"... Në fakt, kthesa e fortë politike e Braunit dhe e qeverisë së tij erdhi nga prezantimi i planit britanik të 8 tetorit 2008, mbi rrugën konkrete të shpëtimit të bankave, të ndryshme nga rruga fillestare amerikane për mbulimin e kredive të këqija. Kjo rrugë e propozuar prej Baunit u pranua nga shumë vende të BE-së. Në fakt, rikapitalizimet masive, "inxheksioni" i likuiditeteve, garancitë ndërbankare prodhuan disa masa sigurie dhe qetësimi. Të njëjtën siguri manifestoi "fleshi" Braun dhe në Samitin Europian të 15-16 tetorit, pse jo dhe në Samitin e Uashingtonit. Dhe me të drejtë, ky lloj "fleshi" po tregon se "koha nuk është më as për ideologji të kapërcyera, as për dogma konvencionale"...
***
Këtë duhet ta kuptojë dhe politika shqiptare. Aq më tepër për t'iu kundërvënë prerazi dhe "përrallës" shqiptare të "boom"-it apo tejrritjes ekonomike! Kjo dhe kur e gjithë bota po tendoset, kërkon zgjidhje dhe rifunksionim! Sepse, nga mënyra se si do të projektohet kjo e ardhme do të varet dhe vetë ajo. Akoma më problematike mund të rezultojnë: rëniet e pritshme reale në rang botëror apo zgjatjet e rrezikshme të recensionit ekonomik, vonesat në nivelin e jetesës, të shërbimit shëndetësor e edukativ, problemet e mprehta mjedisore etj. Dhe padyshim, kur të gjtha këto probleme po bëhen të dhimbshme kudo në botë, aq më të pashmangshme rezultojnë ato në kushtet tona! Pa harruar që në Europë, në planin ekonomik, vendi ynë radhitet si një nga vendet e fundit të kontinentit. Atëherë, si mund të shpjegohet apo të propagandohet euforia qeveritare "alla shqiptare" e ditëve tonaë Po fakti që gjurmët e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të krizës globale janë shtrirë këmbëkryq brenda nesh! Po risqet në shtrirje dhe depërtim të tyre, aq më tepër në planifikim e realizim të buxhetit të ardhshëm! Prandaj, më mirë të konsiderohen dhe të praktikohen ato që këmbëngul Brauni, sesa të hidhen "flluska qeveritare sapuni" nëpër ekrane apo të besohen "çudira këshilltarësh", tërësisht të pabesueshëm!...
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj