24 ore lajme: Një mision i mundur Një mision i mundur ================================================================================ Rexhep Meidani on 21 June, 2008 01:20:00 Këto ditë u përurua botimi i një antologjie nga Evropa Juglindore (EJL) të titulluar “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë”, e përmbledhur nga Richard Swartz. Ky është botimi shqip, por krahas atij gjermanisht, kjo antologji është botuar në të gjitha gjuhët e autorëve të përfshirë aty. Në përzgjedhjen e tij Swartz ka përfshirë 21 autorë nga hapësira e Shqipërisë, ish-Jugosllavisë dhe Bullgarisë. Sipas radhitjes së tij në libër, këta janë: David Albahari (l.1948), Vladimir Arsenijeviç (l.1965), Bora Cosiç (l.1932), Beqë Cufaj, Dimitri Dinev (l.1968), Slavenka Drakuliç (l.1949), Aleksandar Hemon (l.1964), Drago Jançar (l.1948), Miljenko Jergoviç (l.1966), Ismail Kadare (l.1936), Fatos Kongoli (l.1944), Marusha Kreze (l.1947), Charkes Simiç (l.1938), Biljana Srbljanoviç (l. 1970), Sasha Stanishiç (l.1978), Luan Starova (l.1942), Laslo Vegel (l.1941), Nenad Veliçkoviç (l.1962), Dragan Velikiç (l.1953), Irena Vrkljan (l.1930), Vladimir Zarev (l.1947), por dhe vetë autori i përmbledhjes Richard Swartz (l.1945). Duke e gjykuar këtë ndërmarrje si një iniciativë tepër pozitive njohjeje, kontakti e shkëmbimi kulturash e njerëzish, madje dhe tepër të “guximshme” (edhe pse pa një “fund” kohor), dëshiroj të shpreh disa gjykime thjesht personale mbi këtë botim. Natyrisht, duke mbetur në disa mendime përgjithësuese sepse analiza më e “shkrifët” e një numri kaq të madh autorësh bëhet pothuajse e pamundur. *** Pothuajse të gjitha vendet e EJL e nisën shekullin e 20-të në rrethana mjaft të ndryshme. Disa ishin shtete vasale, të tjera konsideroheshin si republika apo mbretëri të brishta, kurse midis tyre dhe nga ato me një histori të gjatë, deri të ndërthurur me mite krenarie e sovraniteti. Pas Luftës së Dytë Botërore në vendet e EJL (me përjashtim të Greqisë dhe Turqisë) u instalua një regjim komunist. Varietet e shoqërive para lufte, pasqyroheshin dhe në diversitetin komunist të pas luftës. Me rënien e Murit të Berlinit, Ballkani filloi ndryshimin e tij. Përsëri variante- diku anarki gati luftë civile, diku luftë etnike dhe diku pranim me shpejtësi në NATO dhe BE. Por, marrë në tërësi, brenda një shekulli popujt e EJL kanë përjetuar tri ose më shumë përmbysje të mëdha. Dhe kjo duhet të kihet parasysh dhe në analizën politike, sociale apo kulturore të kësaj hapësire. Sepse, p.sh., kur amerikanët u zgjuan në 1 janar 1900, ata jetonin në një demokraci presidenciale, në një shoqëri që udhëhiqesh nga kushtetuta dhe institucione politike të qëndrueshme, me një rritje mirëqenie nëpërmjet një ekonomie kapitaliste vibruese. Gjatë një shekulli, SHBA-së i duhej të përplasej me shumë sfida, por përsëri amerikani më 1 janar 1945 apo më 1 janar 2000 u zgjua përsëri në një demokraci presidenciale, të udhëhequr nga kushtetuta dhe institucione politike të qëndrueshme... E përmenda këtë krahasim për të theksuar një ndryshim thelbësor. Sepse, të paktën, tri përmbysje të mëdha brenda një shekulli duhen mbajtur patjetër parasysh në “leximin” e një hapësire gjeopolitike. Aq më tepër që përmbysjet e mëdha në një drejtim pozitiv emancipues apo negative frenues lenë gjurmët e tyre dhe në periudhat e mëvonshme, për të mirë apo për të keq. Jo vetëm e thjesht se përmbysen sisteme politike, por edhe pse përmbysen deri vlera kohore të konsideruara si morale, kulturore, etike-estetike, etj. Dhe bashkë me to edhe “kastat” përfaqësuese apo dhe shtresimet intelektuale-sociale. Parë në këtë plan, në gjykimin tim, përzgjedhja kohore e 21 autorëve të përfshirë në librin e përgatitur nga Richard Swartz, më duket e drejtë. Duket sikur kemi një shtrirje të vazhduar në kohë, por në të vërtetë, po të ndërtohej një kurbë Gausi me datëlindjet e tyre, do të konstatoheshin përafërsisht tre maksimume apo “kambana”: njëra që i takon gjeneratës së lindur para Luftës së Dytë Botërore, tjetra gjatë luftës dhe 1-2 dy dekadat pas mbarimit të saj, dhe së fundi periudha e pas viteve 60-të. Edhe nëse nuk është tamam kështu, ky “triplet” zgjedhjeve (i rastit apo i menduar) më duket jo vetëm i drejtë, por dhe i pëlqyeshëm. Kjo edhe për faktin se “kambanën” e fundit unë e lidh, në një mënyrë apo tjetrën, dhe me lëvizjet studentore të vitit 1968-të, të pasqyruara dhe në Ballkan, (p.sh. ngjarjet në Prishtinë po në atë vit), të cilat shkaktuan në Evropë, një tronditje jo të vogël zhvilluese, emancipuese e liberalizuese. Pse jo dhe rrezatim kudo në botë! Natyrisht, në lidhje me përzgjedhjen e Swartz-it të emrave konkretë, secili mund të ketë mendjen dhe vendimmarrjen e tij. Prandaj dhe nuk do të kishte kuptim ndonjë hatërmbetje. Edhe kur mund të mos jesh dakord, mbështetur qoftë në kritere me prirje sociale-politike, qoftë dhe në vlerësime të “pastra” estetike-artistike! Sepse, në fund të fundit, çdo përzgjedhje, krahas anës objektive, ka dhe aspektin e vet subjektiv. Aq më problematike, aq më e vështirë bëhet kjo në këtë hapësirë ballkanike, në secilën nga tri “kambanat” kohore të mësipërme, duke pasur parasysh deri mosbesimin midis elitave apo faktin që kontaktet kanë qenë përgjithësisht të vështira, njohja e ndërsjellë tepër e pakët. Bile, në hapësirën ballkanike janë prodhuar, prej një shekulli, shumë më tepër përplasje, konflikte e gjakderdhje se sa kanë qenë mundësitë reale për “tretjen e tyre”... *** Me të drejtë Swartz, në pasthëniet e tij, duke bërë një paralelizëm figurativ mjaft të këndshëm mbi historinë për përgatitjen e “dollmatës ballkanike”, sintetizon dhe dy idetë themelore në këtë përzgjedhje. Së pari, konceptin jetësor, i cili qëndron mbi simbolet dhe mitet e “sajuara”, deri konfrontuese, dhe kjo ndeshet bukur në pohimin e tij: “Ajo që gjen rrugën për në gojë ka premise dukshëm më të mira për t’u ruajtur se diçka prej bronzi a mermeri, që thjesht mbështetet mbi një piedestal” (f.355) . Dhe së dyti, se ku mund të çojnë të tilla “ndërtime” kohore, si kundërvënie ndaj çdo trashëgimie të përbashkët, në një hapësirë me ndërthurje kaq të mëdha etnike e fetare. Ja çfarë shkruan ai pak më poshtë: “Ajo që është e përbashkët – pothuaj identike- mund të ndahet fare lehtë, kur e lejojnë rrethanat. Kjo nuk është diçka e re, por përtej botës së gatimit dhe të recetave përkatëse, ajo shpesh ka pasoja shkatërrimtare. Pikërisht ky këndvështrim qëndron në themel të kësaj përzgjedhjeje”.(f.357). Pra, e thënë ndryshe, me këtë botim, ai ka synuar dhe një mision politik. Pa dyshim nën këndvështrimin e tij Sidoqoftë, duke e përjetuar edhe personalisht këtë mision nuk gjej arsye të mjaftueshme për mos përfshirjen në libër të autorëve nga Rumania dhe Greqia. Madje, më ka bërë prej kohësh shumë përshtypje fakti që koncepti deri diku “amerikan” i EJL, dominues në Samitin e Sarajevës, të pas luftës së Kosovës, është zëvendësuar gradualisht me konceptin deri diku “evropian” të Ballkanit Perëndimor. Kjo edhe, në përputhje dhe me projeksionet apo ecurinë e proceseve integruese të pritshme, që si i tillë, përjashtonte “gjeografikisht” Greqinë! Ndërsa, në libër, hapësira gjeografike e “mbuluar” me letërsi, siç e preka në fillim, është ish Jugosllavia Federative, Bullgaria dhe Shqipëria, që si koncept gjeopolitikështë ndeshur vetëm pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitet ‘50-të, në një pjesë të udhëheqësisë politike të kohës. Një problem tjetër është se një pjesë e mirë e autorëve të zgjedhur, pavarësisht që në ndonjë moment kohe apo problem konkret mund dhe të kenë tejkaluar kufijtë “neutralë” të patriotizmit, prej kohësh është larguar nga kjo hapësirë, dhe kështu, në një mënyrë apo tjetrën, mund të shprehin apo pasqyrojnë dhe pozicionime disi më të ndryshme nga ai më i drejtpërdrejti, në një kontekst konkret hapësinor-kohor. Por, ndoshta, këtu qëndron dhe merita në përzgjedhjen e Swartz-it, bile dhe vlera rrezatuese-përfshirëse e kësaj përmbledhje, që në njëfarë mënyre nënkuptohet dhe nga titulli në shqip “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë”, apo më mirë në botimin në gjermanisht: “Der andere nebean”. *** Duke lexuar librin më ka bërë mjaft përshtypje dhe thënia e Ivo Andriçit, e përzgjedhur nga Swartz: “Kur dëgjoj dikë që në mënyrë fare të përgjithshme (bardhë e zi) jep gjykime për vende a popuj, nuk mendoj për asnjë çast të vetëm nëse këto gjykime janë të sakta apo të gabuara, pasi me të vërtetë kjo nuk ia vlen, por pyes veten se cila është aftësia mendore dhe cili është morali i atij që jep të tilla gjykime”. Dhe me të vërtetë, në këtë thënie mishërohet dhe një shqetësim mbi këndvështrimin e jashtëm për këtë zonë të Evropës, këndvështrim që shumë shpesh është dhe i paragjykuar, në ndryshim me“tolerancën” e domosdoshme në pasqyrim të padrejtësive historike. Por këtu, jo pak, është ndikuar edhe nga brenda. Ndasitë e divergjencat, përplasje e luftërat, aq të egra e të shpeshta në Evropën e dikurshme, kanë vazhduar përjetimin e tyre, dekadat e fundit vetëm në këtë pjesë të saj. Prandaj, dhe ajo që është ende e prekshme në rajon është përjashtimi, repulsioni i fortë, më shumë se politik, ai kulturor, gjuhësor e fetar. Kjo edhe pse po kuptohet gjithnjë e më mirë që, në dekadat e fundit, jetojmë një periudhë globalizimi intensiv, ku shfaqen prirje të qartë homogjenizmi njerëzor, që nuk mund të lerë mënjanë dhe fushën e artit e të kulturës. Në këtë kuptim, në “perandorinë” e sotme dhe të nesërme të telekomunikimit dhe të shkëmbimit të informacionit, pluralizmi gjuhësor dhe diversiteti i kulturave marrin një vlerë të veçantë, posaçërisht në pasurimin e gjuhëve dhe zhvillimin e kulturave kombëtare, në përpjekje për të shmangur homogjenizimin e individit dhe të veprimtarisë së tij. Kjo vlen sidomos për vendet dhe popujt e përmasave të rajonit të Ballkanit, pa përjashtim, qoftë ky shqiptar, serb, kroat, slloven, malazez, boshnjak, maqedonas, bullgar, grek apo rumun, etj. Vetëm në përmasa të tilla, nuk mund të “rezistohet”, të bashkuar, duke bashkëjetuar e shkëmbyer me njëri-tjetrin, mund të ruhet dhe të reduktohet në maksimum, pikërisht, kjo prirje negative që shoqëron vetë këtë proces globalizimi, të domosdoshëm dhe të pashmangshëm. Është, pra, bashkëpunimi e komunikimi i gjithanshëm, i lirë e parimor, pa paragjykime e prapagjykime, midis njerëzve e popujve të lirë; shkëmbimi dhe ballafaqimi përfshirës (jo përjashtues) i kulturave në përgjithësi, duke respektuar parimet e çmuara të pluralizmit gjuhësor dhe diversitetin kulturor, të ruajtjes së traditave dhe zakoneve, që e çojnë përpara, e emancipojnë individin dhe paralelisht me të dhe shoqëritë tona. Në këtë rrafsh konceptimi, ku spikasin individualiteti dhe përbashkimi, polifonia e gjuhëve dhe njësimi në secilën prej tyre, e veçanta dhe e përgjithshmja, diferencimi e “thesarizimi”, kjo përmbledhje e ka realizuar qëllimin e saj, jo vetëm duke hedhur një urë të autorëve drejt njëri-tjetrit, por dhe lexuesve të tyre. Pra, edhe duke afruar njerëzit e kësaj hapësire. Dhe, njëkohësisht, duke hapur rrugën për iniciativa të tjera të ngjashme. Jo vetëm e patjetër nga fusha e letërsisë! Prandaj, dhe si iniciativë pioniere, ajo vlen të përgëzohet dhe të mbështetet me botime e veprimtari të tjera në shërbim të këtij misioni afrimi e lidhjeje të ndërsjellë! Dhe ky mision është plotësisht i mundur, sidomos i mbështetur nga elitat intelektuale.