Faqja e Pare | Analiza | Rexhep Meidani | Sinjale te qarta

Sinjale te qarta

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Duke lexuar shtypin e përditshëm të datës 19 qershor 2008, një përshtypje mjaft të veçantë më la intervista e ambasadorit amerikan Withers, dhënë gazetës “Panorama”. Ishte jo vetëm një trajtim problematik për situatën aktuale, por dhe një paralajmërim më se kuptimplotë për “lojën politike”, në të cilën është futur me kokëfortësi shumica aktuale. Por jo vetëm e thjesht këto ditë!...
* * *
Nëpërmjet rreshtave dhe konsekuencës së mendimit, në mënyrë të natyrshme, ndesh të shpalosur disa shqetësime, që janë ndeshur edhe më parë, në media apo deklarimet publike e politike. Por, që përgjithësisht kanë rënë në vesh të shurdhër. Pra, jo vetëm në perceptimin e brendshëm, por dhe në atë të jashtëm, po tejkalohen me arrogancë limite të palejueshme, tej “durimit” demokratik. Dhe për këtë mbajmë përgjithësi të gjithë, jo vetëm e thjesht shumica politike, por dhe pakica opozitare. Sepse jo pak gjëra po ecin keq, madje shumë keq!
   Por dhe në një parashikim optimist, nuk mund të ndodhte ndryshe, përderisa prej 2-3 vitesh diku me “hile” e diku në “fshehtësi”, diku me arrogancë e diku me kokëfortësi, është shfaqur e lexuar e njëjta prirje për të nënshtruar, për të komanduar me mjete jodemokratike, dhe aq më keq procesi i përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme. Madje, me ndryshimet e fundit kushtetuese edhe opozita e bë pre e kësaj “gllabëritjeje”. Por, ndërsa më parë gjendej njëfarë “justifikimi” i brendshëm dhe i jashtëm me luftën e “shenjtë” kundër korrupsionit, pas ngjarjes së Gërdecit dhe “lojës së fortë” për fshehjen e saj, iu hoqën petat dhe këtij “lakrori”...
* * *
Kundër prirjeve të këtij lloji, për ta hedhur fajin e krimit të Gërdecit në “koka turku’ të tjera, ambasadori Withers ka dalë hapur disa herë. Ai edhe në këtë intervistë e ripohon këtë qëndrim, madje dënon dhe manovrat apo ndërhyrjet politike për këtë çështje. Nuk mund të kuptohet ndryshe ajo që deklaron: “Kam bërë dhe më parë thirrje që hetimi të jetë i plotë, i paanshëm dhe i pandikuar nga ndërhyrjet politike. Sot e ripërsëris këtë thirrje. Është e rëndësishme, që për të ndihmuar viktimat e Gërdecit, të gjendet e vërteta dhe të mos ketë përpjekje për të manovruar apo ndërhyrë në një hetim të lirë dhe të paanshëm... Por të jeni të sigurt që, ndërsa ne këshillojmë qeverinë shqiptare që të kryejë një hetim mbi prova dhe vetëm mbi to dhe që të procedojnë këdo dhe kudo ku këto prova të çojnë, ne po bëjmë të njëjtën gjë”....
Por ambasadori sheh po aq qartë dhe luftën që po zhvillohet për të marrë dhe “kalanë e fundit” - Gjykatën e Lartë. Kështu, p.sh., në lidhje me rrëzimin e fundit në Kuvend të kandidaturave të propozuara nga Presidenti për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ai thekson: “Për të qenë i sinqertë, e kam të pamundur të besoj se asnjë nga kandidatët e propozuar nuk u konsiderua i kualifikuar. Tek ata  kombinoheshin eksperienca, arsimimi, aftësitë, përgatitja dhe trajnimi. Siç e përmendët dhe ju njëri prej tyre ishte për nëntë vjet gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”...
   Dhe realisht jo vetëm ai, por dhe shumë politikanë, juristë, deri qytetarë të thjeshtë nuk arrijnë ta kuptojnë “aventurën” e fundit parlamentare, që, për më tepër, me përgatitjen paraprake disa javore, me deklarimet absurde për miratime raportesh etj., ishte një “autogol” i vërtetë politik! Pra, dhe kthim tek logjika antidemokratike apo mënyra e vjetër, e dikurshme e të bërit politikë.
 * * *
   Ndryshe nuk mund të shpjegohet këshillimi-paralajmërim: “Para bërjes së ftesës Shqipëria dhe vendet e tjera kanë punuar për të kompletuar reformat. Tani me ftesën pritet që Shqipëria t’i ndjekë, t’i përmbushë kriteret me standardet më të larta. Nuk është më e mundur për Shqipërinë ose çdo vend tjetër që është ftuar në NATO që ta marrë shtruar, ta marrë për të mirëqenë se ratifikimi do të ndodhë dhe të kthehet në mënyrën e vjetër të të bërit të gjërave”.
Por edhe duke parë vonesat e pafalshme në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme, shqetësimi e porosia e tij është po aq e qartë: “Përgatitja e Kodit të ri Elektoral të bëhet pa vonesë, menjëherë dhe në mënyrë të përshpejtuar. Është shumë e rëndësishme që proceset e regjistrit të gjendjes civile dhe të kartave të identiteti të përfundohen, të jenë gati kur të bëhet votimi i ardhshëm, verën që vjen. I bëjmë thirrje palëve të përfshira që të ndërgjegjësohen, se koha kalon”.
Pas tre vjetësh sorollatjesh të pajustifikuara, kur energji të “çuditshme” janë adresuar e shpenzuar për të pushtuar jo vetëm institucione kushtetuese të pavarura, por dhe institucione shkencore si Akademia e Shkencave, apo Federata e Futbollit, a nuk ka të drejtë ai që të japë një këshillë të tillë, si një mik i shqiptarëve, si përfaqësuesi i shtetit që ka qenë gjithmonë pranë shqiptarëve? Pa dyshim shumë të drejtë! Madje, pse jo edhe për të dyshuar për këtë vonesë, që nuk mund të justifikohet dot. Veçse e projektuar më parë, me qëllime krejt të qarta! Pse jo dhe për të rrëmbyer atë që dëshirohet në çastin e fundit. Tamam siç është vepruar në mjaft raste në seancat parlamentare të fund-dhjetorit apo fund-korrikut...
* * *
   Duke përmbledhur edhe në këtë rast vlen fjala e urtë: “Të shohë ai që ka sy, të dëgjojë ai që ka veshë”. Sepse ndryshe mund të jetë vonë, shumë vonë.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Gushte, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31
Vlereso artikullin
0