Faqja e Pare | Analiza | Rexhep Meidani | Në kujtesë të 13%-it!

Në kujtesë të 13%-it!

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Gerdec 2008

Korrupsioni politik

Në një konceptim të gjerë, korrupsioni politik është ai kur zyrtarë shfrytëzojnë postin apo pushtetin, kompetencat dhe detyrat e tyre për përfitime private, ekonomike apo politike. Në Shqipëri kulmin e tij ky lloj korrupsioni e arriti me veprimtarinë tragjike në Gërdec. Nga ana tjetër, veprime ilegale të kryera nga persona apo kompani të ndryshme, pa përfshirje të zyrave shtetërore apo të qeveritarëve të tyre, nuk mund të klasifikohet si korrupsion politik. Po ashtu, dhe keqpërdorimi i fuqisë qeverisëse për qëllime të tjera, si represioni mbi kundërshtarët politikë, brutaliteti i organeve të rendit ndaj qytetarëve, kryesisht i policisë, si p.sh. në rastin e ngjarjeve të fundit në Gjirokastër, nuk mund të konsiderohet korrupsion politik edhe pse, padyshim, është një arbitraritet e abuzim politik i nivelit të lartë, përkundrejt standardeve ligjore-demokratike.

Korrupsioni politik është një kërcënim për çdo qeveri. Aq më tepër që format e tij janë nga më të ndryshmet. Ato shfaqen në trajtën "naive" të dhuratave të konsiderueshme apo si "shitje" planesh zhvillimi (që mund të rrisin në mënyrë të paimagjinueshme, p.sh., çmimin e tokës për një kohë shumë të shkurtër), si ryshfete apo mitmarrje, si pazarllëk e zhvatje, si nepotizëm apo miqësi të sëmura familjare e jo familjare, si "patronazh" apo emërim civil me bazë partiake, si shpërdorim e përvetësim fondesh publike, si manipulim e vjedhje vote, si trysni tatimore mbi median e pavarur apo kompani private me orientim të ndryshëm politik të drejtuesve të tyre etj. Por, korrupsioni politik mund të shfaqet dhe në nivelin legjislativ, në hartimin e ligjeve apo procedurave favorizuese me qëllim përfitimin financiar apo politik, apo të atyre që mishërojnë një goditje politike. Në njëfarë mase të gjitha këto shfaqje diku me doza të qarta, diku me doza të fshehta, janë të pranishme, madje të shtuara edhe në qeverisjen e sotme. Dëshmi më e plotë për këtë është sondazhi i fundit, i financuar nga USAID, për rritje të perceptimit të korrupsionit me afro 13% ndaj një viti më parë.

Përgjithësisht, edhe pse korrupsioni mund të mundësojë, lehtësojë e favorizojë veprimtari kriminale, si trafikimi i drogës, pastrimi i parave apo trafikime të tjera, përfshirë atë të armëve apo të qenieve njerëzore, ai nuk kufizohet vetëm në këto aktivitete kriminale. I ngritur në sistem, shteti i ngritur mbi korrupsionin politik, krahas emërtimeve si "shtet i kapur", mund të quhet dhe kleptokraci, që e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë "shtet i drejtuar nga hajdutë"...

Efekte negative në politikë, administratë dhe institucione.

Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e madhe për zhvillimin e çdo vendi. Në fushën politike ai minon përmbajtjen e shtetit të së drejtës dhe të qeverisjes së mirë, duke deformuar shumë nga proceset e institucionet demokratike, përfshirë dhe procesin zgjedhor apo institucionit e votës së lirë dhe të ndershme. Bile, korrupsioni në zgjedhje apo në ndërtimin e trupave legjislativë (si kuvendi, këshillat e bashkive dhe të komunave), të prodhuara prej tij, kanë prirjen për të reduktuar në maksimum llogari-dhënien, duke shformuar keqas vetë përfaqësimin e popullit në politikë-bërje dhe vendimmarrje. Edhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë komprometon vetë ligjin dhe zbatimin korrekt të tij. Ai e zbeh thellë besimin e qytetarit ndaj institucioneve të drejtësisë. Kurse korrupsioni në administratën publike dëmton rëndë cilësinë e shërbimeve apo krijon ngarkesë shtesë financiare në kurriz të qytetarëve.

Në përgjithësi, korrupsioni gërryen kapacitetet institucionale të qeverisjes, vetë legjitimitetin e saj; i zhvendos dhe pakëson burimet financiare në përdorim, humbet besimin (pse jo dhe tolerancën) e qytetarit ndaj zyrës së shtetit. Mjafton të ndjekësh opinionet e shfaqura prej tij për të kuptuar ku jemi, apo, më saktë, sa larg jemi deklaratave të pakuptimta për besueshmëri të tij ndaj qeverisjes apo drejtimit të saj!

Por korrupsioni minon, mbi të gjitha, zhvillimin e ekonomik, duke prodhuar deformime serioze dhe mungesë efektiviteti. Mjaft shpesh, ai rrit kostot e veprimtarive private nëpërmjet pagesave nën duar, dhe në të njëjtën kohë pakëson dhe derdhjet e tyre në arkën e shtetit. Rrjedhojë e një infektimi të tillë është cenimi i vetë konkurrencës së lirë, pra dhe mbajtja në treg e firmave joefektive, zhvillimi i tenderimeve të parregullta apo prokurimeve "politike" etj. Në mënyrë të veçantë, korrupsioni gjeneron shformime të thella ekonomike-financiare në sektorin publik, duke zhvendosur investimet publike drejt projekteve kapitale, me potencial të lartë abuzimi e mitmarrjeje, apo duke e rritur në mënyrë artificiale, jo realiste, ndërlikimin teknik të tyre. Rasti i projektit të rrugës së Kukësit është një shembull i tillë, sado që synohet që çrregullimet tepër serioze aty synohen të mbulohen me "patriotizëm" dhe "amerikanizëm". Po ashtu, ky korrupsion mund të shfaqet në shitjen "me sy mbyllur" të pronës shtetërore apo në përdorimin pa kontroll të mirëfilltë të fondeve rezervë, në abuzimin me fondet apo ndihmat nga jashtë, në mospërfilljen e problemeve mjedisore, në uljen e cilësisë së shërbimeve apo rritjen e çmimeve të tyre, në shtimin e shpenzimeve qeveritare të llojeve nga më të ndryshmet (përfshirë dhe Crans Montanën shqiptare), në dobësimin e mbrojtjes sociale dhe mosrespektimin e rregullave teknike të punës, deri duke lejuar punësimin e fëmijëve (si në rastin e Gërdecit), në mospërfilljen apo vonesën e procedurave dhe akteve ligjore të miratuara nga qeveri të mëparshme (si në rastin e Telekomit) etj. Pa harruar, që në një sistem politik të korruptuar, dhe iniciativat apo strukturat e antikorrupsionit nuk janë imune ndaj vetë korrupsionit. Nuk mungojnë rastet, në vitet e fundit, kur vetë ato struktura apo zyrtarë të tyre janë përfshirë në korrupsion.

Disa kushte të favorshme për korrupsion.

Që të provohet korrupsioni në "zonën" politike nuk është gjë e lehtë, bile shpesh tepër e vështirë. Me këtë shpjegohet pse vendin e procedimeve politike e penale, jo rrallë e zënë zëra, që qarkullojnë e pranohen me lehtësi nga njerëzit për politikanë të caktuar të konsideruar të korruptuar. Problemi bëhet akoma më serioz kur gishti i tyre drejtohet për nga individë në majat e larta të shtetit apo familjarët e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur dhe gjatë fushatave elektorale apo përzgjedhjeve të ndryshme, sidomos kur tentohet të blihet vota, të deformohet rezultati!

Një nga "miqtë" më të ngushtë të korrupsionit qeveritar-administrativ është opaktësia, deficiti në informim apo, më thjesht, mungesa e transparencës. Sidomos kur bëhet fjalë për projekte të ndryshme, ku shfrytëzohen fonde të mëdha publike. Bile, në përfaqësimin e popullit, kjo mungesë transparence apo ky mashtrim politik-financiar, fillon që në fushatat e shtrenjta elektorale, që tejkalojnë me dhjetëra herë fondet zyrtare apo të deklaruara. Një ndikim negativ ka dhe cilësia e dobët e rekrutimit politik, mungesa e profesionalizmit dhe efektiviteti i dobët i strukturave të drejtimit, mbyllja e syve apo moskryerja e kontrolleve dhe e auditimeve të rregullta, lënia mënjanë e "proceseve të matjes" së treguesve të korrupsionit për zëra të ndryshëm, që kontribuojnë në korrupsionin politik, apo dhe pretendimi për luftë individuale apo "nga sipër" kundër tij. Edhe një qëndrim i gjatë në një pozicion ku qarkullohet paraja, mallrat e shërbimet mund të favorizojë korrupsionin. Një kusht i favorshëm është dhe pagesa e ulët e zyrtarëve, përfshi dhe nivelet e ndryshme të procedimit e gjykimit, të prokurorëve e gjykatësve.

Burime të korrupsionit janë dhe skemat e ndryshme, më tepër propagandistike sesa reale, për mbështetje financiare ndaj kërkesave apo grupeve të veçanta, p.sh. mbulimi i pjesshëm i çmimit të naftës për sektorin e peshkimit, për punimin e tokës etj., apo kompensimi i rritjes së energjisë elektrike për familjet e varfra etj. Edhe aty, krahas preferencës partiake, vihen re jo pak abuzime.

Elementë të tjerë me ndikim negativ, d.m.th. dhe favorizues ndaj dukurisë së korrupsionit janë mungesa e kontrollit të rreptë mbi qeverinë dhe e llogari-dhënies në Kuvend apo në institucione të tjera si p.sh. ajo e inspektimit të ardhurave dhe pasurisë. Në shumicën e rasteve, në kuvend, vetëm realizohet një "teatër" ekonomik-financiar që mbyllet me forcë kartoni, sesa një debat pozitiv, real e certifikues. Nuk mund të lihen mënjanë dhe dobësitë e theksuara në lëvizjen sindikaliste, heshtja apo konformizmi i strukturave të drejtësisë etj. Por, nuk mbetet prapa, në mjaft raste, sidomos në planin ekonomik, dobësia e shfaqur në media (edhe nën trysni tatimore!) apo mungesa e një opinioni të fortë publik, e OJF-ve me autoritet që të monitorojnë qeverisjen në nivel qendror apo vendor. Favorizues për korrupsionin është dhe të kuptuarit e ligjit dhe zbatimi i dobët i tij, pa lënë mënjanë këtu kulturën e mangët ligjore-financiare në nivelin e qytetarit dhe të administratës, pavarësinë e dobët deri varësinë e konsiderueshme të sistemit juridik përkundrejt politikës, në radhë të parë asaj qeverisëse.

Mjaft pozitiv në reduktimin e aberracioneve qeveritare mund të ishte zhvillimi i referendumeve për çështje të rëndësishme, si p.sh organizimi i referendumit vendor për ndërtimin e TEC-it në Vlorë, për rritjen e çmimeve të disa shërbimeve, që po shkojnë drejt një gjendjeje kolapsi etj. Masa vepruese kundër korrupsionit politik është dhe ulja e kontaktit të zyrtarit me personin apo biznesin e interesuar, p.sh., nëpërmjet pagesave elektronike, shkëmbimeve në internet për plotësimin dhe dërgimin e formularëve apo të informacionit të kërkuar, sidomos për taksat e tatimet, për tenderime të ndryshme, futja e kasave, minimizimi i mëtejshëm i "cash"-it në ekonomi etj. Ajo që është arritur deri tani është ende pak, bile shumë pak. Dhe, për më tepër, ajo është një pasqyrim i ndryshimeve kohore dhe i proceseve integruese, i trysnive të institucioneve ndërkombëtare të mbikëqyrjes sesa shprehje të ndonjë vullnet politik. Edhe pse mund të pretendohet apo të propagandohet me orë e ditë një gjë e tillë, rasti i Gërdecit, si heshtje e mbyllje sysh e shumë dikastereve dhe e institucioneve të tjera dëshmon pikërisht mungesën e këtij vullneti politik.

Në luftën kundër korrupsionit duhet të merret parasysh dhe struktura jonë shoqërore apo kushtet tona sociale. Kështu, p.sh., një strukturë me qendërzim tek familja apo klani, një rekrutim me bazë nepotizmin, e favorizon korrupsionin. Në vitet e fundit, në sytë e qytetarëve është afishuar dhe përforcuar tamam një gjë e tillë. Aq më problematik bëhet një deformim i tillë nepotik-partiak kur në një pjesë të shoqërisë, marifeti, gënjeshtra dhe e dredhura, qejfi apo hedonizmi me para të tjerëve apo të zyrës së shtetit, jo vetëm konsiderohen si të pranueshme, por dhe "lexohen" e imitohen, deri shpallen si zotësi, aftësi e "zgjuarsi". Një sjellje e tillë favorizohet dhe nga mangësitë në edukim, nga mungesa e njohurive ligjore-financiare të funksionimit të shtetit apo të ekonomisë së tregut etj. Nga ana tjetër, tronditja e mjaft vlerave morale gjatë tranzicionit, diferencimet "astronomike" në shtresime, apo përmbysja dhe rindërtimi i plotë i tyre, i ka lënë në këtë periudhë shumë grupime shoqërore relativisht të infektuar në pikëpamje të integritetit personal, sinqeritetit, konceptimit të punës së ndershme, fjalës së përgjegjshme etj., në prani të të cilave shpërhapja apo shtrirja e korrupsionit politik do të bëhej mjaft e vështirë.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Nentore, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30
Vlereso artikullin
0