Faqja e Pare | Analiza | Rexhep Meidani | Reformat si "perpetuum mobile"

Reformat si "perpetuum mobile"

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font

Pohim me gojën e vet.


Këto ditë nga goja e kryeministrit u dëgjua një nga pohimet më të çuditshme, por ndoshta dhe më të "sinqertat" për kryerjen e reformave, duke i parëato "si perpetuum mobile"! Natyrisht në një përkthim "mot à mot" kjo do të thotë lëvizje e përjetshme. Megjithatë ky term, duke iu larguar kuptimit fillestar, i referohet zakonisht një pajisje apo një sistemi që prodhon më shumë energji sesa merr. Por një pajisje apo sistem i tillë po të ekzistonte (gjë që është tërësisht e pamundur) do të dhunonte ligjin më fundamental të natyrës- atë të ruajtjes së energjisë, që pohon se energjia as mund të krijohet, as mund të shkatërrohet. Në fakt, mekanizma "perpetuum mobile" janë projektuar e ndërtuar në shekuj, madje nga të "çmendur" më të rrallë vazhdohet deri në ditët tona. Por ato thjesht nuk funksionojnë, sepse nuk kanë sesi të funksionojnë! Pikërisht, për këtë arsye, më 1775, Akademia Franceze e Shkencave, bëri deklaratën e publike që ajo "nuk do të pranonte më propozime që kishin të bënin me një perpetuum mobile". Ndoshta ia vlen që këtë dokument la lexojnë dhe partizanët e mbetur të saj në qeverinë shqiptare…


Me këtë përdorim tashmë të mirë-pranuar, pohimi për "reforma si perpetuum mobile" flet më mirë se çdo gjë tjetër. Madje dhe duke e vetë-demaskuar në thelb atë lloj reformimi (më saktë pseudo-reformimi), të pretenduar si tepër të suksesshëm në këto dy-tri vitet e fundit. Pse jo, flet dhe për brendinë e "bujshme" të asaj mendësie reforme që "bluhet" edhe në këto ditë me viktimat e radhës! Abuzimi i paskrupullt, vetë krimi shtetëror në Gërdec, përpjekjet për shuarjen dhe harrimin e tij, e kulmon më mirë këtë mendësi, madje flet shumë qartë se për çfarë "perpetuum mobile" na bëhet fjalë!...


Akumulimi i pushtetit dhe abuzimi me të.


Slogani politik i ditës, për veshin e lodhur të qytetarit, është fjala reformë dhe vetëm reformë. Dhe ndërkohë që hidhet kjo "dorashkë duelesh politike" apo "betejash" më të gjëra, xhepi i tij shfryhet dita-ditës dhe jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Aq më keq, por harrohet që nën emrin e reformave, sidomos të ashtuquajturave reforma antikorrupsion (lexoni: thjesht pastrim politik), shumë specialistë të aftë janë larguar nga të gjitha nivelet e administratës apo të institucioneve kryesore. Vendin e tyre në shumicë e kanë zënë të paaftët, militantët apo familjarë. Madje, po me këtë slogan, të gjitha pushtetet janë grumbulluar dhe vazhdojnë të grumbullohen në një dorë të vetme, duke cenuar rëndë dy mekanizmat bazë: atë të ndarjes së pushteteve dhe atë të kontrollit e balancimit. Por me ngjarjen e Gërdecit mësojmë, për çudinë më të madhe, që ky abuzim politik përqendrues dhe realitet antidemokratik, apo e gjitha kjo dëshirë e stërmadhe dhe lodhje e tejskajshme, e gjitha kjo betejë politike e përditshme pushtetore e pushtuese, na qenka thjesht fasadë, sepse dhe vetë i pari, i plotfuqishmi në qeverisjen dhe parlamentin e kartonëve, nuk na kontrolloka asgjë, bile na qenka fare i paditur për atë që ka në dorë apo për detyrën që ushtron. I kanë lidhur sytë dhe i kanë mbyllur veshët. Po cili e ka mundësuar një gjë të tillë!...


Të paktën kjo ide, për të hedhur lumin, hidhet dhe lexohet në deklarimet e ethshme, më vonë të lustruara ose përgënjeshtruara për Gërdecin, edhe pse për veprimtarinë aty, siç po rezulton nga media, ky zotëri ka qenë plotësisht i informuar, madje shumë kohë më parë, zyrtarisht e familjarisht!


Pseudo-reforma antikorrupsion.


Do të kishin vazhduar të na zhurmonin lloj suksesesh, festash e çudirash antikoorruptive. Por Gërdeci në fakt i hoqi petat lakrorit, apo i hoqi kallajin tavës qeveritare. Madje e përmbysi atë nga forma e mysët (gjoja antikorruptive) në atë të lugët (realisht korruptive)! Është Gërdeci, që është modeli i kësaj qeverisje, modeli i reformimit të kryer prej saj. Gërdeci flet për masivitetin e punës në të zezë, për shkelje të ligjeve kombëtare e ndërkombëtare në lidhje me punësimin e fëmijëve, për shfrytëzimin primitiv të punës së njerëzve hallexhinj, për abuzim e korrupsion të lartë zyrtar, për shfrytëzim të hartimit legjislacionit në nivelin e ligjit, të akteve ligjore apo të aktit normativ në funksion të tyre, deri në pashpirtësinë e fshehjes së krimit etj. Pra, dhe për një kapje të plotë të shtetit nga maja e deri poshtë, për ndërtim klanesh e strukturash të trembura e servile, që humbin misionin dhe forcën e reagimit. Dhe jo vetëm kaq! Por dhe në fshehjen e pasojave afatgjata (pas këtij abuzimi kriminal), sidomos të atyre që lidhen me ndotjen mjedisore e më veçanërisht të ujërave nëntokësore…Sado të shpresojmë për ndonjë "perpetuum mobile", pa masa serioze dhe një ndjekje serioze të kësaj situate mjedisore, kjo ndotje mund të provokojë shqetësime serioze në vitet e ardhshme, në një hapësirë shumë më të gjerë. Gërdeci, pra, është dëshmia më e gjallë. Sidoqoftë, nuk është vetëm Gërdeci . Po të ulesh me njerëzit e thjeshtë, e ndjen se ata dinë gjithçka. Madje, gishtin e drejtojnë atje ku duhet…


Reformat ekonomike dhe rritja galopante e çmimeve.


Suksesi më i madh, këto 2-3 vite, na pretendohet në ekonomi. Përrallat për vitin 2007 si "viti më i mirë ekonomik i historisë së Shqipërisë", kur më shumë se gjysmë viti përjetuam krizën më të rëndë energjetike, janë ende të freskëta. Mesa duket bëhej fjalë për paratë e fituara nga Gërdeci, para aksidentit!...

Por rritja ekonomike nuk e miraton aspak këtë pretendim suksesesh. Nuk është puna tek vlera që imponohet e deklarohet (qoftë dhe me mirëkuptimin e bekimin e përfaqësueses vendore të FMN-së!), por me atë që ndeshet në realitet. Nga ana tjetër, rritja galopante e çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, jo vetëm sot, por dhe shumë muaj më parë, flet për një situatë inflacioniste, që mund të bëhet akoma më kërcënuese për jetesën e qytetarëve, bile dhe më pak e kontrollueshme. Dhe ndërkohë që këto çmime mallrash rriten dita-ditës, kompensimi i pagave dhe i pensioneve është lënë për më vonë. Kështu, ka humbur muajt e fundit dhe ajo pak gjë e shtuar, e propaganduar me aq pompë. Pra, është prekur në mënyrë tepër shqetësuese standardi i jetesës së familjeve shqiptare, me të ardhura modeste deri mesatare. Ndoshta, edhe ato mendohet tëtrajtohen nga Perpetuum Mobilisti si perpetuum mobile! Po aq mosbesues, deri i bllokuar, ndjehet dhe biznesi shqiptar. Për më tepër ai po shihet, dhe aty-këtu edhe të trajtohet, si armik, gati njëlloj si në të kaluarën komuniste…


Edhe reforma në shkencë e parë si "perpetuum mobile".


U fol dhe çfarë nuk u fol për një reformë të madhe shkencore, madje dhe për luftë kundër "sovjetizmit" (natyrisht, me metoda sovjetike!), për prurje të reja perëndimore (me metoda komuniste-lindore!), për ngritje të figurës dhe trajtim të shkencëtarëve të zotë., etj, etj. Por çfarë vihet re aktualisht? Krejt e kundërta. Mjafton vetëm një vështrim i shpejtë dhe kuptohet lehtë se ç' kërdi po bën emërimi në shkencë. Pretendohet gjoja një reformë antisovjetike që synohet të realizohet me sovjetikë të radhës, që respekt për shkencën e shkencëtarët zor se kanë.Bëhet fjalë për drejtim të ri, dhe vendoset një mendje afro 85 vjeçare, e shoqëruar apo e "markuar" nga një komisar politik që, siç flasin kolegët apo shokët e tij të kursit, mund ta kalonte lehtësisht dhe një nxënës mesatar shkolle, për njohjen e përgatitjen e vet. Por, kjo nuk është asgjë para situatës tepër absurde, në të cilën ndodhen shumë kërkues e shkencëtarë, të vjetër dhe të rinj, këto muaj të fundit. Po të lexohen shkresat e qarkulluara, dhe sidomos datat e urdhrave përkundrejt komunikimeve, është për "Fiks Fare". Sidoqoftë,ata kanë 3 muaj pa marrë rrogë. Sorollaten nga një derë në tjetrën dhe nuk e dinë a janë në punë apo nuk janë. Mundet që një pikësynim të jetë: mërzitja dhe largimi pa zhurmë, qoftë dhe jashtë vendit! Ndoshta, dhe një humbje apo "brain drain" tjetër potencial! Por, ama, tepër të fyer e dinë se po jetojnë në një shtet, që po kryen pseudo-reforma, thjesht militante e kaotike, nën një qeverisje rrumpallë me funksionim, organizim e drejtim rrumpallë…


Prandaj, nuk është çudi që, në shumë aspekte nga kjo lloj qeverisje, ata mund të shihen si "perpetuum mobile" në punë dhe në jetë!...

Zogu i zi apo kalaja e zezë!


Për mbikalimin tek Zogu i Zi u thanë shumë gjëra, nga më të habitshmet. Dolën për të komentuar këtë ndërtim të ditur dhe të paditur, specialistë dhe jo specialistë, militantë e analistë, politikanë e njerëz të thjeshtë. Dhe në fund ai u hodh në erë, bashkë me të dhe ajo shumë disa milionëshe e taksapaguesve të kryeqytetit. U fitua dhe gjyqi me padi të bërë nga Bashkia e Tiranës, por për paratë e humbura të qytetarëve si taksapagues nuk është dëgjuar më ndonjë gjë e re. Mesa duket nuk do të ketë dhe në këtë rast ndonjë dëmshpërblim individual. Por a ka apo nuk ka përgjegjësi financiare ose penale, për këtë rast absurd, ndonjë njeri konkret? Apo mjafton shkarkimi i një drejtori policie ndërtimore dhe gjithçka lihet në harresë? Po përgjegjësi morale dhe politike a ka në nivelet e sipërme? Padyshim që po. Bile të gjithë e kujtojnë mirë "komandantin", pra atë që e mbështeti dhe e vazhdoi me po atë kokëfortësi absurde e tipike, zhurmën dhe luftën përkatëse shkatërrimtare. Ushtarët politikë e specialistët ishin sa për fillim, servilët si gjithmonë të bashkëngjitur në rrugë e sipër!...


Por le ta lemë këtu këtë histori të turpshme, në morinë e absurditeteve të rrumpallës shqiptare, dhe të hidhemi në një projekt të ngjashëm diku më tutje. Ndryshe nga ajo që pritej të ndërtohej në një zonë urbane (apo me perspektivë të plotë urbane) pra një kalim mbi kolona si në "bajpasin" e Portit apo të Plepave, aty shohim sot një kala të pakuptimtë, një farë "kodre" me mbushje artificiale. Ndoshta, është tentuar të shpaloset "ideja e Skënderbeut" dhe e kalasë së tij!...

Jo vetëm nga ana estetike kjo vepër nuk të ngjall ndonjë shije pozitive, bile përkundrazi, por nga ana mjedisore ka mjaft mundësi të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e ndotjes së mjedisit, në sajë dhe të bllokimit të qarkullimit të vetë ajrit midis dy anëve të saj. Por ky gjykim mund të jetë dhe subjektiv. Prandaj, nuk mund të mos shtrohet pyetja normale: ku janë tani urbanistët, specialistët, analistët apo politikanët? Të paktën ata që u morën aq shumë me projektin e parë! Dhe në fund të fundit: A është kjo zgjedhje e zgjidhje për mungesë parash, fondesh. Apo kanë dominuar arsye po financiare, po parash, por tashmë të lidhura me fitimin më të mirë? Apo mos vallë dhe aty shfrytëzohen pa pagesë kodrat për marrje shtufe, si kamionët e ushtrisë që transportonin predha në Gërdec? Po të jetë kështu, duket se sa mirë po zbatohet në terrenin konkret qeverisës ideja e perpetuum mobile-s, edhe pse e hedhur njëherë e mirë poshtë, që prej mbi dy shekujsh...

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0