A mund të ketë “zgjidhje†me të shurdhër?
Javën e parë, shurdhi mblodhi më shumë se 100,000 dollarë. I ndodhur përpara kësaj shume, vendosi ta mbajë atë për vete dhe i fshehu paratë në një vend të sigurt. Bosët e mafias, duke konstatuar vonesën në derdhje, dërguan “grupin e aksionit” në ndjekje të mbledhësit të ri. E kapën atë dhe e çuan tek një “ndërmjetës” apo të ashtuquajtur “përkthyes”. Një nga mafiozët e i tha ndërmjetësit: “Pyete se ku i ka paratë”. Dhe ky i fundit, me anë të shenjave të duhura, ia bëri këtë pyetje. Por i shurdhri po me shenja u përgjigj: “Nuk e di për çfarë po flisni”. Të njëjtën përgjigje përkthyesi ua transmetoi mafiozëve. Por, pa pritur sekondën, një nga mafiozët, që dukej dhe si kryetar i atij grupi, nxori pistoletën dhe, duke ia futur në vesh mbledhësit të shurdhër, ulëriti: “Pyete dhe njëherë!”. Përkthyesi përsëriti shenjat për të sintetizuar edhe njëherë pyetjen e parë. Kësaj radhe, tepër i trembur, i shurdhëri e tregoi menjëherë vendin e fshehjes. Por përkthyesit i ndritën sytë nga ajo përgjigje. Me qetësi u kthye nga gangsterët dhe u tha atyre: “Ai po përsërit të njëjtën përgjigje, dhe nuk beson se mund të nxirrni ndonjë përfitim po ta shkrepni armën...”.
***
Kjo ishte historia që dëgjova këto ditë. Më bëri mjaft përshtypje, sidomos në kontekstin e kësaj tragjedie të madhe njerëzore që po përjetojmë, me një burim krejtësisht të qartë: papërgjegjshmërinë, lehtësinë e arrogancën dhe njëkohësisht “teatrin” e njeriu, që fatkeqësisht nuk e kupton apo bën sikur nuk po e kupton implikimin e përgjegjësinë e tij sa të madhe, po aq dhe të drejtpërdrejtë. Madje, përgjegjësitë e të tjerëve (duke pasur parasysh stilin e përqendrimit absolut të pushtetit dhe të kalimit të gjithçka-je nëpër duart e tija, të urdhrit të padiskutueshëm dhe të këmbënguljes kokëfortë) sado tepër të mëdha qofshin ato, kanë vetëm një origjinë: përgjegjësinë e protagonistit kryesore!
Akoma më problematike bëhet situata nëse letrat publike (apo mesazhet elektronike) drejtuar Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme apo disa senatorëve e kongresmenëve amerikanë, nga shqiptaro-amerikani Geri Kokalari të kenë jo saktësinë e plotë (të pretenduar apo të dokumentuar), por qoftë dhe vetëm një përqindje të vogël vërtetësie. Ata po qarkullojnë nëpër të gjitha adresat tona elektronike dhe po na krijojnë një “makth” të vërtetë! Një makth të vërtetë për një prirje drejt një fshehje të vërtetë!...
***
Këto ditë, disa të njohur, duke besuar në analizën time të situatave politike-sociale, kërkuan të dinin dhe opinionin tim për një dorëheqje eventuale të kryeministrit, pas tragjedisë së Gërdecit, që, pavarësisht ndonjë prirje servile, në asnjë rast dhe për asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet natyrore, por e gatuar nga një absurditet, paaftësi e papërgjegjshmëri shtetërore e “klasës së lartë”.
Përgjigja ime, duke pasur parasysh historinë dhe aktualitetin, ishte tepër e thjeshtë: “Nuk besoj”. Madje, shtova, se brenda 7-10 ditëve, ai, normalisht, do të fillojë të kërcënojë në kuvend apo në dalje të ndryshme publike. Apo do të synojë të hapë një çështje tjetër, të krijojë një debat tjetër, për ta larguar apo “tërhequr” sa më shpejt politikën e median nga tragjedia e madhe në të gjithë bashkësinë e Vorës. Dhe, mbi të gjitha, nga hulumtimi mediatik e investigimi serioz i kësaj afere, që sipas shumë të dhënave, të hedhura në median elektronike dhe të shkruar, po rezulton dhe me një ngjyrosje të rëndë korruptive, deri kriminale, të nivelit të lartë, gati-gati të paparë apo të pa guxuar më parë. Dhe aty ai është më shumë se “vulnerabël”...
Por mesa shihet, gabova në parashikim vetëm me 2-5 ditë. Ndoshta, nga padurimi, lodhja apo “lëshimi i nervave” ndaj të vërtetave të përditshme apo intervistave të drejtpërdrejta mjaft demaskuese të qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi, kërcënimi i parë ndaj medias, sa i stërholluar po aq dhe i rrezikshëm, ndodhi të mërkurën, në mbledhjen e qeverisë. Ishte aq i papritur ky lloj kërcënimi, me gjithë sofistikimin e tij “linguistik”, sa edhe i urti dhe i ekuilibruari Babaramo shpërtheu fuqishëm, i fyer në pikëpamje profesionale, i mbërthyer e i “rrëmbyer” si nga përgjegjësia etike gazetareske, po ashtu dhe nga emocione tepër të forta!...
Por unë nuk besoj që gjithçka do të mbyllet me kaq. Kërcënimi politik apo trysnia me mjete të tjera, përfshi dhe ato financiare, mund dhe të rriten ndjeshëm, po qe se vetë klasa politike, e sidomos opozita, dhe mbi të gjitha, institucionet përgjegjëse të investigimit apo të kërkimit të llogarisë pranojnë “shurdhërinë”, sorollatjen e stërzgjatjen kohore, punimin në boshllëk apo kalimin e hetimit në “kalendat greke”...
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj