Qeveritarët e Hebibit
Ditë më parë, kur ne këtu në Shqipëri (me të drejtë) dhe partitë shqiptare në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (pa kurrfarë të drejte e përgjegjësie) "zienim" nga një vendim i qeverisë së vendit fqinj për vendosjen e një regjimi të shtrënguar vizash me Shqipërinë, zëvendëskryeministri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, zoti Ali Hyseni, në një deklaratë të bërë publike, fajësonte diplomacinë shqiptare, posaçërisht Ministrinë e Jashtme shqiptare, e cila, sipas tij, nuk kishte kundërshtuar sa duhet këtë vendim…?! Por i rikthehemi kësaj teme për shumë arsye, të cilat të çojnë tek një arsye e vetme ...ndër më të paarsyeshmet: zotni Ali Hyseni është zëvendëskryeministër vetëm se është shqiptar i një partie në koalicion qeverisës; po aq sa nuk është zëvendëskryeministër vetëm për këtë arsye: se është shqiptar! Sepse, në një rast jashtë kësaj logjike, një zëvendëskryeministër ose numri dy i qeverisë, me një deklaratë të tillë në publik, do të konsiderohej ose injorant, ose maksimalisht i paaftë! Eshtë absurditet i madh të kuptohet apo dhe të perceptohet se si një qeveritar kritikon një qeveri tjetër, në rastin konkret palën që dëmtohet, pse ajo nuk reagon për vendimin që merr qeveria e vet?! E doni më shqip? Eshtë pak a shumë kështu: Unë vendos t'i gjuaj dikujt me grusht dhe e kritikoj të dëmtuarin pse nuk reagon ndaj meje?!... A mund të ketë absurd më të madh?
Në fakt, i gjithë "produkti" rezultoi një "furtunë në gotë". Sepse siç është bërë e ditur, qeveritë e dy vendeve do të firmosin së shpejti liberalizimin e plotë të lëvizjes mes dy shteteve gjatë vizitës së kryeministrit Gruevski në Tiranë këtë muaj. I gjithë debati mediatik e publik, rezultoi në një shqetësim të ligjshëm të qytetarëve shqiptarë në të dy anët e kufirit. Por, për fat të keq, tregoi edhe përçarjen e madhe që ekziston mes partive shqiptare në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Kjo ndarje e madhe mes këtyre partive ka arsyet e veta dhe nuk është objekt i analizës sonë tani, por gjithsesi, shija që mbeti tek ne ishte mjaft e hidhur. Askush në Shqipëri, besoj nuk mund ta kapërdijë këtë "armiqësi" mes shqiptarëve atje, kur dihet se ndaj tyre shteti sllav assesi nuk ka qenë shumë dashamirës. Madje, nëse i referohemi historisë së afërt, të ashtuquajturës "Marrëveshje e Ohrit", rezulton se qeveria e ish-Maqedonisë nuk i është përmbajtur asaj. Shqiptarët në ish-Maqedoni, politikanët atje, duhet të ndërgjegjësohen ditë për ditë se nuk mund të bëhen "fasadë" demokratike e një shteti që pretendon të anëtarësohet në familjen evropiane. Shqiptarët më shumë se kurrkush e dinë se kur zihen dy vetë, përfiton i treti. Dhe në fakt kështu po ndodh. Maqedonasit po përfitojnë. Sepse gjithçka rreth luftës së "regjimit të ri të vizave" rezultoi vetëm një zënkë mes partive shqiptare të Thaçit në qeverisje dhe Ahmetit në opozitë.
Ndërkohë që partitë e Thaçit dhe Ahmetit zihen për protagonizëm politik, për vende në qeveri, Televizioni Kombëtar "Top-Channel" na ka rrëfyer pamje tronditëse nga fshati Brodec i Malësisë së Tetovës, banuar nga shqiptarë. Një i ri shqiptar me emrin Hebib, duket i lidhur, i ënjtur i tëri, i masakruar, i lënduar, i përçudnuar nga policia maqedonase në zyrat e kësaj të fundit. Një pamje e vështirë për koment…
Nuk di nëse këtë pamje e kanë parë liderët politikë shqiptarë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë?! E kam fjalën për ata që zihen me njëri-tjetrin, Thaçin e Ahmetin. Apo nuk di nëse këtë pamje e ka parë numri dy i qeverisë atje, Ali Hyseni?! (Nuk e di nëse pas kësaj pamjeje të Hebibit, ky Hyseni është përsëri zëvendëskryeministër(!!!) Sepse i bie të jetë qeveritar i Hebibit, apo jo?!.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj