Faqja e Pare | Analiza | Martin Leka | Zinxhiri dhe greva që kërkon zgjidhje

Zinxhiri dhe greva që kërkon zgjidhje

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Pallati ne Gjirokaster

Ka plot të çara në këtë vend. E “harruam” Gërdecin, pavarësisht tragjedisë njerëzore e përmasave të saj gati katastrofike, ani pse nuk lëmë ditë pa e zënë në gojë, madje disa herë në ditë! E zë në gojë gjithë ditën opozita, mediat, shoqata veprimtarësh e njerëz në biseda spontane. E përmendi pak ditë më parë edhe vetë kryeministri, duke e konsideruar një pakujdesi njerëzore dhe duke u dhënë shtysë organeve të drejtësisë për një hetim të gjithanshëm… Në fakt, Gërdeci nuk ishte ndonjë “e çarë e vogël”, por ishte një zgafellë e madhe korrupsioni, prej të cilës duhej dhe duhet të nxjerrë mësim të mjaftueshëm jo vetëm politika, qeveria… Por, një dreq e di se pse dhe nga se na vjen ky ves i keq që ne shqiptarët “harrojmë” shpejt?!... Jemi bërë si ata fëmijët e vegjël, ende në formim trunor, të cilët 100 herë në ditë kërkojnë falje e 100 gabime përsërisin. E megjithatë, fëmijët duken më të mirë se politikanët, pasi të paktën, falje kërkojnë. Kurse këta, rrallë e bëjnë atë që bëjnë fëmijët… E “harruam” edhe korrupsionin, pavarësisht se për të flasin çdo ditë e dhjetëra herë në ditë si maxhoranca, si opozita, si mediat, si qytetarët… Edhe korrupsioni është nga ato të çarat e mëdha, si shpellë malore, të cilët nëse i gjen hyrjen, zor se i gjen daljen! Kështu ndodh dhe me paratë e qytetarëve, me fondet publike e jopublike; dimë ku hyjnë, po nuk dimë nga shkojnë e ku shkojnë… Se ç’më kujtohet një nga ato postulatet e thëna për korrupsionin, të cilin e quajnë “vaj lubrifikant” i kapitalizmit?! Por, që Shqipëria të ishte kaq e pasur me këtë lloj “lubrifikanti” dhe se sa shumë e konsumonin shtetarët tanë këtë lloj produkti të zi, zor se ia kishte marrë rradakja njeriu… Madje më keq akoma, ky lloj “asortimenti” është i çuditshëm, gati magjik: e konsumon ti dhe i bën keq tjetrit…
Tani, të numërosh “të çarat” e të çaluarat në këtë vend, është e kotë, sepse edhe po të duash ti numërosh, nuk mundesh. Nuk e themi këtë për ta bërë “zi e më zi” situatën, por për të mundur sadopak të paralajmërojmë dikë që mundet dhe që ka mundësi të mbyllë sa më shumë nga ato të çara, aty ku punon e shërben, në mënyrë që të mos u shkaktojë dhimbje e fatkeqësi të tjerëve… Ja për shembull. Ra pallati në Gjirokastër? Po! U vranë tre veta? Po! Mbetën të pastrehë nja tridhjetë të tjerë? Po! Humbën gjithçka materiale, madje edhe historinë e tyre? Po! E gjitha kjo pra, ndodhi vetëm e vetëm pasi ata që e kishin për detyrë, nuk mundën dot të shihnin një të çarë të mureve të pallatit dhe të tokës, edhe pse u thanë se ku ishte. E keni parë një kronikë të para dy vjetëve të TV-Klan-it? Kishte pikërisht për objekt këtë bllok pallatesh, ku shprehej shqetësimi i rrëshqitjes së tokës dhe rreziku për banorët. Ishte pikë për pikë paralajmërimi i asaj që ndodhi me shembjen e pallatit. Po pse se panë e pse se ndaluan këtë tragjedi? Sepse korrupsioni dhe etja për para nuk njeh kufi në makutërinë e zyrtarëve. Ky shembull, tragjedia e Gërdecit apo të tjera trafikime, të cilat shpesh kanë përfunduar në tragjedi njerëzore, e tregon qartë këtë.  Doni të tjerë shembuj? Mjaftoi tragjedia e Gjirokastrës dhe përditë, mediat tregojnë të tjera të çara pallatesh e rrezik shembjesh. Kronikat në Vlorë, në Poliçan, në Tiranë, paralajmërimet e specialistëve për pasiguri në zonat e ndërtimit të pallateve në Lezhë e Shkodër, tregojnë se sa të pasigurt e të pambrojtur ndjehemi… Po greva e urisë? Edhe ajo është në një lloj kuptimi një tjetër e “çartallosur” e politikës shqiptare. Të gjithë flasin edhe për grevën, ca thonë e ca nuk thonë gjë. Flasin politikanë e gazetarë, vendas e ndërkombëtarë… Presidenti i Republikës, përtej postit të lartë e rolit që luan, duket se ka prekur thelbin e çështjes: “Mungesën e kulturës së dialogut politik”. Kryeministri është unikal në qëndrimin e vet, kur thotë pak a shumë se ata, pra grevistët, duhet të drejtohen te kryetari i PS-së?!  Greva e deputetëve, jo thjesht për faktin se në të është një personazh politik si Ilir Meta, ish-kryeministri socialist dhe një politikan protagonist në politikë që prej fillimeve të demokracisë e bashkë me të 10 deputetë, përbën në vetvete një rast unikal. I cili, duhet zgjidhur jo thjesht për sensibilitetin që krijon tek kushdo një protestë e tillë ekstreme, por për të kuptuar e rivendosur një standard kaq të nevojshëm në demokraci: kulturën e dialogut e negociatave, sado të vështira të duken në pamje të parë.
* * *
Për të gjitha “të çarat” e mureve të pallateve dhe mureve të politikës, sigurisht që ka përgjegjës.  Vetë kryeministri tha para dy ditësh se “duhet të zbërthejmë zinxhirin e përgjegjësive”. Si thënie, është vërtet e admirueshme. Por problemi është gjetkë. Si Kryeministri, të gjithë paraardhësit e tij kështu kanë premtuar. Ndërsa gjendja vazhdon të jetë po kjo që shohim.  Ç’ju mbetet të bëjnë qytetarët, kur ata që e kanë për detyrë nuk e zbërthejnë zinxhirin e përgjegjësive?!... Duhet të reagojnë. Të reagojnë, ose të zbërthejnë edhe ata zinxhirin… e ta bëjnë sa herë t’u vijë…

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Janar, 2009 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0