“Shqiptari e mban fjalënâ€. Po Menduh Thaçi?
Para disa muajsh, kur mediat shqiptare ishin fokusuar në një pjesë të rëndësishme të programeve të tyre në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, kemi parë disa prej politikanëve atje të na servirin opinionet, programet, idetë e tyre për zhvillimet atje. Sigurisht, zgjedhjet në një vend fqinj kanë rëndësi, sepse në bazë të tyre mund të shihen prirjet për zhvillimet e ardhshme politike. Kurse në rastin konkret, në Maqedoni, zgjedhjet, plus kësaj që sapo thamë, kanë një tjetër specifikë, për shkakun se atje konkurronin dy parti të rëndësishme shqiptare, çka e bënte fushatën mjaft intriguese.
Shumë prej politikanëve me përvojë, por dhe opinionistëve e intelektualëve me emër, janë shprehur se për kushtet në të cilat ndodhet komuniteti shqiptar atje, konkurrimi dhe përfaqësimi duhet të ishte kompatibël.
Por përkundër kësaj, sa për shkak të politikës ballkanike, sa për shkak të politikës periferike, sa për shkak të politikës egoiste e karrieriste, partitë shqiptare, edhe pse në fokusin e përgjithshëm të vizioneve e programeve nuk kishin ndryshime thelbësore, nuk arritën dot të mos shkonin të ndara e të përçara në zgjedhje. Kështu, në zgjedhje hynë me objektiva të qarta pushteti partia në pushtet e Menduh Thaçit dhe partia në opozitë e Ali Ahmetit.
Përpara zhvillimit të zgjedhjeve, në një prej televizioneve më të shikueshëm në vend, jo vetëm njëherë, kemi mundur të shohim Menduh Thaçin, liderin e PDSH-së në Maqedoni, parti në pushtet asokohe. Me tone herë patetike e herë folklorike, me një besim prej të verbëri dhe me një sarkazëm prej sfide ndaj kundërshtarit të tij politik (shqiptar) Ali Ahmeti, ky njeri me pamje “firmato”, nuk kishte pikë dyshimi se partia e tij do të dilte e para ndër partitë shqiptare konkurruese dhe do të ishte sërish në pushtet. Megjithatë, pyetjes së insistuar të një kolegut tonë se nëse partia e tij - pra PDSH me kryetar Thaçin - do t’i humbiste zgjedhjet, pra do të dilte e dyta, a do të jepte dorëheqjen, pa ekuivok, ai u përgjigj se do ta bënte një gjë të tillë dhe në qeverisje duhet të ishte partia e parë shqiptare. Madje, me xhentilesë, por me besim në të kundërtën, zoti Thaçi pranoi atëherë se… “ne duhet t’i lëmë vendin brezave të politikanëve të rinj”…, “se në demokraci ka rregulla…” etj., etj.
Siç dihet, zgjedhjet në Maqedoni u zhvilluan dhe partia e parë shqiptare në këto zgjedhje doli partia e zotit Ahmeti. Përpos akuzave për një fushatë jo etike dhe të dhunshme të partisë së zotit Thaçi, ky dhe kjo parti i humbën zgjedhjet.
E gjithë kjo ngjarje që duket se është inkoherente, m’u kujtua para dy-tre ditësh, kur në një kronikë televizive, duket zoti Thaçi (Menduh) duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi politik me një prej partive opozitare në Kosovë, partinë e zotit Haradinaj. (Për ironi, Thaçi nënshkroi marrëveshje me një prej luftëtarëve e liderëve kosovarë, shembulli i të cilit me dorëheqjen nga Kryeministër i Kosovës dhe dorëzimin e tij vullnetar për në Gjyqin e Hagës, i dha një leksion të madh demokracie jo vetëm politikës shqiptare).
Gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte kjo: të ftoja kolegun tonë - në studion e të cilit foli atëherë Thaçi - ta riftonte sërish këtë lider orator të na tregonte se pse nuk e mbajti fjalën? Pse nuk e dha dorëheqjen?
Por, edhe publikisht, kushdo ka të drejtë ta pyesë zotin Thaçi për këtë dhe ky e ka për detyrë të na japë përgjigje. Por jo të na thotë se “zgjedhjet u manipuluan, se na i vodhën” e broçkulla të tilla që i dëgjojmë nga politikanë mbarëshqiptarë prej rreth dy dekadash…
Ky rast apo ky shembull, tregon se sa pa vlerë dhe sa sipërfaqësore janë oratoria, fjalori, shfaqja dhe protagonizmi okult krahasuar me atë çka fshehin në brendësinë e karakterit prej politikani disa liderët tanë.
Shembuj të tillë na zhgënjejnë pafund, sidomos kur na përmendin historinë e vjetër, gjer tek legjendat “mumifikuese” të traditës së mirë shqiptare, epika e disa prej të cilave për virtytet tona shkon gjer në makabritet, si “për fjalën, shqiptari ther djalin”?!?!?!
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | ||||
| 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
| 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 |
| 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 |
| 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj