Faqja e Pare | Analiza | Martin Leka | Një President normal në politikën anormale

Një President normal në politikën anormale

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Rasti i Presidentit Bamir  Topi përbën një fenomen interesant, jo vetëm për nga profili i tij politik e mbështetja publike e popullore, mënyra e ngjitjes së karrierës politike gjer në detyrën më të lartë të Kreut të Shtetit, skema e zgjedhjes, etj., etj., por sidomos për nga mënyra se si ai e ka ushtruar pushtetin e tij që nga zgjedhja e tij para më shumë se një viti. Në mënyrë të veçantë, por që është në korelacion me këto që thamë, precedent përbën fakti se si politika (maxhoranca e mbështetur nga opozita e PS-së) është përpjekur (jo pa sukses) të pengojë me sa mundet punën e institucionit të Presidentit të Republikës.
Pengesat në punën e institucionit të Presidentit të Republikës e kanë zanafillën, për absurditet, nga maxhoranca e djathtë. Duke parë mungesën e ndjeshmërisë politike, me shpresë se Presidenti nuk do të ngrihet dot në nivelin e simbolit kushtetues dhe do të mbetej një president partiak, rivalët dhe njëkohësisht bashkëpunëtorët e dikurshëm të Topit sa nga zilia, smira, mungesa e protagonizmit të tyre e të tjera sëmundje të politikës, filluan lojërat politike duke bllokuar me sa mundin iniciativat ligjore e kushtetuese të Kreut të Shtetit.
Për fatin e keq të demokracisë, në këtë lojë aspak të ndershme e amorale politike, maxhoranca arriti të gllabërojë edhe një pjesë të rëndësishme të opozitës, PS-në. Akti i amendamenteve kushtetuese të 21 prillit, një ndër të cilat mundëson zgjedhjen në Parlament të Presidentit me shumicë të thjeshtë votash, ishte “atentati” i parë kushtetues “konsensual”. Nuk u desh shumë kohë për të vërtetuar në praktikë pasojat e këtyre ndryshimeve dhe ndjeshmërinë e tyre institucionale e demokratike.
Anulimi i 5 dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ishte një tjetër rast për t’u vlerësuar e analizuar në këtë kontekst. Me arsye nga më absurdet, por që në thelb ishin vetëm politike dhe një përpjekje për të ushtruar “karshillëk” ndaj Kreut të Shtetit, maxhoranca e djathtë rrëzoi të pesë dekretet. Eshtë komentuar gjatë mbi këtë dukuri, ku si shembull anormal është marrë pikërisht rrëzimi i kandidaturës së gjykatësit të Strasburgut, Kristaq Traja. Pikërisht në kohën kur Presidenti do të dekretonte kandidaturat e reja pas rrëzimit në Parlament të pesë dekreteve të para, ndoshta nga frika se mos Presidenti do të ripropozonte përsëri kandidaturat e para apo një, apo disa prej tyre, Parlamenti nuk vonoi të bënte ndryshimet ligjore të cilat i kufizonin Presidentit këtë të drejtë, pra, të drejtën e ripropozimit të emrave të parë. Në gjithë këtë ngutje për të bërë këto ndryshime, binte në sy nxitimi deri në rrëmujë i Kryetares së Parlamentit Topalli dhe Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Beja. Në këtë rregullore, ndër të tjera, Parlamentit, përkatësisht Komisionit të Ligjeve, i jepej e drejta të verifikonte për hesap të vet të gjitha kandidaturat e dekretuara të Presidentit.
Po të analizohet thellë e me qetësi, këtu kemi të bëjmë me një degradim fatal të demokracisë, me një shpërdorim të institucioneve dhe të të drejtës.
E para, ka të bëjë me kualitetin profesional. Sa më shumë Parlamenti të rrëzojë dekretet e Presidentit, aq më pak kualitative do të jenë përzgjedhjet e mëpasme. (Si shembull etalon, për të vërtetuar këtë tezë na duhet të marrim përsëri gjykatësin e Strasburgut).
E dyta, ka të bëjë me kualitetin e informacionit. Për shkak të detyrës, Presidenti ka gjithë hapësirën e nevojshme dhe pa pengesa të marrë informacion gjer në detaje, mundësi që nuk mund ta ketë institucion tjetër përveç tij.
Nisur nga sa thamë më lart, duket qartë se në përpjekje për të “dobësuar” Presidentin e Republikës, iniciativat parlamentare po dobësojnë institucionet. Nga ana tjetër, më i qetë në veprimet e tij duket pikërisht presidenti, i cili gjer tani nuk ka mundur të bie “pre” e lojërave politike. Nëse do të kishim një president me staturën politike të disa prej krerëve të maxhorancës së sotme, kokëfortë, të paarsyeshëm e të pabindur, atëherë politika dhe institucionet do të degradonin gjer në pasoja të paparashikueshme. 
Për të ilustruar po marrim një shembull të freskët.
Në skrivaninë e zotit Topi, tashmë ndodhet edhe një shkresë që pret firmën e tij, pa të cilën zoti Beja nuk mund të bëhet ministër. Ndjeshmëria dhe përqasjet politike të Presidentit nuk të lënë kohë për hezitim se Ai, do ta firmosë dekretin për zotin Beja, edhe pse ky i fundit, i shtyrë apo i përdorur nga zonja Topalli, ka qenë shumë aktiv në nismat bllokuese për Presidentin.
A mos Zoti Bamir Topi duhet të fillojë pikërisht procesin e verifikimit?! Presidenti ka të drejtën, legjitimitetin dhe gjithë aksesin e nevojshëm për të bërë verifikimin e kandidaturave që i propozohen, pasi informacionin e verifikimit, Ai e merr pikërisht nga institucione që i dekreton. Interesante në fakt është edhe CV-ja e zotit Beja. Pas mbarimit të studimeve në UT, Filologji, emërohet direkt në Tiranë. Nga viti 1971-1982, ai punon redaktor në ATSH. Jo “kushdo” mund të punonte në një post të tillë propagandistik të PPSH-së në atë kohë, në vitet e “revolucionit kulturor kinez shqiptar”, apo jo?! Apo më pas redaktor në revistën “Iliria” apo bashkëpunëtor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë e pedagog në Universitetin e Tiranës?! Zoti Beja ka qenë edhe përkthyes i grupeve që vinin nga jashtë. Po kush i caktonte përkthyesit dhe çfarë detyrash kishin?!
Këto ndoshta duhet t’i kishte patur parasysh edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, kur i entuziazmuar nga pathosi i shfrenuar i Topallit kërkonte që të verifikonte kandidaturat e Presidentit…

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0