Demokratura†dhe forcimi fatal i Berishës
Edhe “topall” nga mendja të jesh, e kupton se kjo që po ndodh me demo-kracinë tonë, fare mirë mund të quhet: Demokraci e gjymtuar; Demokraci e ... përçudnuar; Demokraturë; Prag totalitarizmi! Këto janë vetëm disa përcaktime në percepsionin që jep për këdo rrëzimi në Parlament i pesë dekreteve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Zanafilla e gjithçkaje që po ndodh në deformimin e demokracisë ka shkak, pasojë dhe aktorë (autorë). Dhe gjithçka e ka burimin në marrëveshjen PS-PD, alias Rama-Berisha.
* * *
Autorët tashmë dihen. Sali Berisha dhe Edi Rama, të cilët nën emrin e konsensusit të madh, bënë ndryshimet kushtetuese - të kontestuara dukshëm tashmë - pa kurrfarë konsultimi, pa kurrfarë sensi dhe në një kohë rekord, kohë të cilën do ta kishin zili edhe ligje si ai për mbarështimin e jonxhës apo rritjen e midhjeve?!... Nëse për Berishën dhe maxhorancën ndryshime të tilla ishin të justifikueshme, ajo që nuk dihet dhe që ende duket e paarsyetueshme është fakti se pse Rama dhe lidershipi socialist iu bashkuan një aksioni të tillë politik pa sens. Mister mbetet ende kompleksi që e ka munduar kaq shumë liderin socialist t’i japë Berishës jo vetëm “arrën”, por edhe “çekiçin” për ta thyer atë(!)...
* * *
Shkaku dihet. Ndryshimet e fundit kushtetuese i kanë dhënë fuqi apo mbifuqi kryeministrit të vendit, duke e kthyer praktikisht demokracinë parlamentare në demokraci kryeministrore. Rrëzimi i dekreteve të Presidentit në Kuvend tregoi qartë se sa pak respekt për institucionet ka maxhoranca dhe se sa pak respekt për paktet apo marrëveshjet ka Berisha. Kjo vërtetoi se Berisha e përdori lidershipin e PS-së si një “karrem” për reforma dhe më pas… “rrofshin reformat”! Maxhoranca dhe Berisha vepron kështu dhe do të vazhdojë të diktojë dëshirat dhe ambiciet e veta politike për sa kohë ajo politikisht e publikisht ka marrë mbështetjen konsensuale të deputetëve socialistë dhe të kryetarit të saj Rama. Këta dhe ky i fundit tashmë s’kanë se kujt t’i “qahen”. Ata vetëm do të duhet të “qajnë” për shumë kohë votimin e ashpër e naiv të 21 prillit, ku i dhanë kundërshtarit në ditën më të keqe politike, mbijetesën. Këta dhe ky, në vend të të bërit politikë, u shndërruan në “jezuitë”, duke i kthyer faqen tjetër atij që gjithë ditën i qahen se i gjuan me shpulla…
* * *
Rrjedhojat e kësaj që po ndodh po i shohim, sepse ato përditësohen në ndjeshmërinë qytetare. A nuk e shikojmë të gjithë se si është paralizuar një institucion kaq i rëndësishëm e jetik për drejtësinë siç është Gjykata e Lartë? A nuk e shikojmë çdo ditë se si maxhoranca topalle ndjehet e vetëkënaqur në shtysën e saj autoritare e antidemokratike? Janë rrëzuar pesë kandidatura nga më seriozet në fushën e drejtësisë. Maxhoranca topalle është treguar kaq naive, sa në përpjekje për të futur në “hulli” Presidentin e Republikës e për ta bërë atë pjesë të lojës së pandershme politike a bashkëpunëtor në veprimet antidemokratike siç bëri me Ramën apo për ta “demaskuar” tek qytetarët, i ka rritur atij jo vetëm bonuset politike, por edhe popullaritetin. Sepse jo vetëm një qytetar normal, por edhe naiv 24 karat të jesh, e kupton se sa anormale është të rrëzosh një kandidaturë që për 9 vjet ka qenë gjykatës në Gjykatën e Strasburgut apo vetëm një komunist i regjur mund të rrëzojë një kandidaturë që jo vetëm plotëson cilësitë profesionale, por mbështetet publikisht edhe nga ish-të përndjekurit politikë.
Tashmë duhet të presim nëse Rama dhe socialistët do të pushojnë “lotët e krokodilit” për antidemokracinë e Berishës; duhet të presim nëse do të kenë kurajon t’u kërkojnë falje shqiptarëve për ndryshimet kushtetuese pa u konsultuar me ta apo edhe me ish-aleatët e tyre Meta, Ceka, Milo etj.
Nuk është vonë për t’u kërkuar qytetarëve ndjesë për gabimet politike.
Vetëm frikacakët nuk kërkojnë ndjesë!
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj