24 ore lajme: Tituj gazetash dhe jo vetëm aqë Tituj gazetash dhe jo vetëm aqë ================================================================================ Pellumb Kulla on 25 February, 2008 07:37:00 Mrekullohem kur i hedh një sy pasqyrës së shtypit shqiptar në internet dhe ve re se gazetapregatitësit dhe gazetakollofitësit, aty, në Shqipëri, jetojnë në një harmoni të përkryer. Më duhet të zbuloj se kam patur më shumë ambicje për lëndë skenike, se sa shqetësim publik, atë ditë që nisa të heq mënjanë titujt interesantë dhe të mundohesha të zbuloja shtysën dhe tërheqjen që ata paraqesin. Pra u bënë më shumë se pesë vjet që endem nëpër pasqyrë dhe veçoj nga një titull në shënimet e mia. E mira do të ishte që të kisha shënuar edhe emrin e gazetës, datën, autorin e lajmit goditës dhe faqen e saktë ku ishte vendosur. Por në këtë rast materiali do të dilte shumë i krekosur si një dokument për gjyq dhe kësisoj, më i mërzitshëm se sa mund të mendohet. Nuk ka nevojë që të më kërkohet vërtetësia: ju menjëherë do të pranoni se edhe vetë i keni gjetur këta tituj nëpër leximet e shfletimet tuaja. Ja, po rreshtoj disa prej titujve të veçuar: "Tenton të helmohet. Helmi ish i skaduar". Kjo tregon që, lavdi Zotit, përdoruesi nuk ka vdekur. Bile, nuk kish sepse të bëhej lajm me këtë ngjarje. Se është njësoj si të thuash "Ai fjeti deri në mëngjes dhe pa u zgjuar fjeti deri në drekë!" Unë mund ta kem veçuar këtë titull, ngaqë atë ditë gazetat nuk kanë patur asnje vetvrasje, vetëtherje, apo vetëvarje dhe ato deshin të paktën të tregonin se për t'u degdisur në botën tjetër, përpjekje të sinqerta jane bërë. Një titull tjetër mjaft interesant: "E ngrenë mbi supe që të bërtasë "Nano ik", i heqin nga xhepi 20 mijë euro"! Në gazetë nuk thuhej kush, nga ata që e ngritën mbi supe, i vodhi eurot, të majtët apo të djathtët? Pra, nuk kuptohej nëse hajduti ish me ata që thoshin "Nano ik", apo me ata që thoshin "Nano rri"?! "Mishi i prishur i dërgon tërë dasmorët në spital. Dhëndri në koma" Ky ish titull tepër ftues për ata që shesin arkivola me shumicë, se kandidatët për arkivolë paskan qenë me dhjetra. "Ju rrëfej si i kam ndezur cigaren Enver Hoxhës". Ja një titull me kriminelë. Duket thjesht si titull memorialistik, nga ato kujtimet e kuzhinjerve, kamarjerëve, shoferëve dhe bahçevanëve mbi Qoftëlargun e vdekur, shënime që gazetat tona janë gati t'i paguajnë me flori. Por në të vërtetë edhe ky titull është për kronikën e zezë, (që atëhere nuk botohej kurrë). Në ato ditë të ndezjes së cigares, Enver Hoxha pushkatoi katër komunistë të vjetër, nga rrethi i ngushtë i shokëve të tij. "Vriten për një lëmë. Në atë lëmë varrosen të dy". Duket që ka qenë ndonjë truall, që këshilli i fshatit e kish caktuar për varrezë. "Bëhet tapë me vjehrrin dhe përdhunon vjehrrën". Pastaj: "Gruaja dhe dashnori varrosin të gjallë burrin e kurrorës". Këto nuk kanë nevojë për komentet e mia me hollësira, se unë ruhem nga pornot. "E vrau me thikën e bukës". Vrasja del në plan të dytë. Në të parin është mjeti, mjeti, me të cilin u krye ajo. Gazeta këtu ka synuar të ndihmonte familjat e varfëra, ato që nuk blejnë dot as helm as armë. "Grushta në parlament". Titull banal dhe i zakonshëm nga jeta e Kuvendit të Përfaqësuesve të Popullit.. Me sa duket e kam veçuar, me idenë, se aty marrin udhën të tëra vrasjet. "Pronarët e vjetër ndeshen me pronarët e rinj" Kuptohet që këtë nuk e kam nxjerrë nga ndonjë gazetë sportive dhe ndeshja për të cilën flitet në titull, nuk ishte në fushën e futbollit. Ky titull, i vetëm, i thatë, flet për mijëra vrasje. Me sopatë e me kazmë. Me helm e pa helm. Me thikën e bukës dhe me gjembin e plehut!… Mua më tërheqin jashtë mase titujt që parathonë vrasje me bollëk, si këta më poshtë: "Kapet i kërkuari, por arratisen nga burgu tre të kapur më parë" dhe një tjetër me arratisje: "Arratiset nga burgu i Londrës, ngjallet tmerri në Milano". Ja dhe ca tituj pa komente, nga këta që kam mbledhur lart e poshtë: "Biznesmeni turk: qysh e korruptova ministrin shqiptar". "Maska vret vëllanë. Nuk e njohu, se dhe ai ish me maskë". "Deh të vjehrrin dhe i përdhunon të shoqen". Ky i fundit nuk është lajm i përsëritur më lart, pra, nuk është lajthitje nga ana ime! Jo,jo! Ky është dhëndër tjetër, me vjehërr tjetër, në një vend tjetër dhe ka ndodhur pesë muaj më vonë! Lexuesit nuk duhet të tronditen, se të themi të drejtën, është një episod më pak dramatik se i pari. Titulli tani nuk shënon "përdhunon vjehrrën", por "të shoqen e vjehrrit" gjë që tregon se femra e përdhunuar nuk ishte mamaja e gruas së tij. Është një grua tjetër, që vjehrri do ta ketë marrë pas vdekjes së vjehrrës së përdhunuesit. Sado ngjarje e rëndë, prapë ka hapësirë për të buzëqeshur. Por ne, duke i marrë të dy lajmet së bashku, duhet të tronditemi thellë, se përse ngjasin këto fenomene me dhëndurë të rinj, që joshen pas gjahut të moshuar. Vërtet ka femra të reja të larguara nga vendi për aventura semaforiale, por kaqë shumë qënkan ato?!!! Edhe ç’është më e rëndësishmja, kur kjo bëhet kaq e shpeshtë, mendoj se po u panë duke pirë një dhëndër me të vjehrrin, duhen dërguar njerëz të fshehin gjëkundi vjehrrën!Ja, pra, së paku, një rezultat i dobishëm nga vëzhgimet e mia mbi titujt e gazetave në atdhe!