Ende rreth Holokaustit
Populli izraelit dhe komuniteti i hebrenjve nderojnë veten, kur mblidhen për të shprehur mirënjohjen për veprën modeste por me vlerë historike të mikpritjes shqiptare: strehimin e hebrenjve, mbajtjen e tyre fshehur për t’i mbrojtur nga gjuetia çnjerëzore naziste, dhënien e ndihmës së gjithanshme, që nga miqësia deri tek vendi rreth sofrës familjare. Këtë vepër të bukur asnjë nuk e mohon dot. Asnjë nga këto bëma nuk ish e vështirë për njerëz që një prirje të tillë e kanë patur dikur një nga virtytet më të përmendura. Ata e kanë bërë këtë bujarisht edhe më parë, për grekët, armenët, italianët dhe për këdo, që e ka patur të nevojshme ndihmën e tyre. Zoti Xhozef Jakoel, në librin me kujtime “Hebrenjtë në Shqipëri” e shpjegon këtë tipar të shqiptarëve duke cituar Kanunin e Lek Dukagjinit, në të thënmen e lashtë “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe Mikut”. Nuk besoj të jetë e tërë merita e Dukagjinit në edukimin e këtij virtyti tek shqiptarët, por kam mendimin se popujt e vuajtur i gjenden pranë njëri-tjetrit më shumë sesa i gjenden popujt, që nuk kanë patur ngërçe të mëdha në historitë e tyre shekullore. Them se shqiptarët janë të gjendur ashtu, nga mëshira instinktive, nga natyrshmëria e të gjykuarit pa mbifaktorë turbullues, siç mund të jenë urdhëresat shtetërore, apo udhëzimet e rrepta që ndalojnë ndihmën ndaj individëve, grupeve, apo klasave të caktuara.
***
Mua më duket se shkrimi i Fatos Lubonjës tek “Korrieri” i para ca ditëve, ishte një vëzhgim mjaft i mprehtë. Ishte një kritikë e ashpër dhe unë do ta nënshkruaja atë, pavarësish nga reagimet që flitet se paska shkaktuar. Fatos Lubonja, sipas mendimit tim, është nga të paktët subjekte vërtet të pavarur që gjenden në opinionin publik shqiptar. Uroj të jenë të pa faktuara pjesëmarrjet e shqiptarëve në gjenocidin armen, por edhe atje do ta besoja Lubonjën pa mëdyshje. Se kam përpara syve, të dukshme dhe të pakundërshtueshme, pjesëmarrjen e shqiptarëve në gjenocidin shqiptar! E nuk do të thotë aspak që figura e shëmtuar ndërkombëtare, na qenka më e papranueshme se figura e shëmtuar në rrafshin kombëtar. Imazhi i egërsisë nuk dallon aspak
Lubonja bën mirë që ridikulizon atmosferën festive, për të cilën qarqet e politikës shqiptare bëjnë kujdes që fishekzjarrët të ngrihen aq lart, sa të duken edhe përkëtej Oqeanit. Ai me të drejtë tallet me gjuhën e fryrë, folklorike plot ditirambe, për virtytet që u atribuohen shqiptarëve në grup e që mundësojnë që të mbajë kokën lart çdo lloj horri në truallin arbëror. Ata që janë kundër Lubonjës, kërkojnë me ngulm që ai popullin ta marrë toptan dhe shkumëzojnë kur ai ndërmerr “guximin antipatriotik” ta ndajë grurin nga egjëri, ta seleksionojë popullin, në njerëz të ndriçuar dhe injorantë, në të civilizuar dhe të pagdhendur, në të çartur dhe të zhburrëruar, në myslimanë dhe të krishterë, në idealistë dhe të babëzitur, në mendimtarë të lirë e në të zënë peng nga dogmat. Ngulmi i tyre vjen i trashëguar. Dhe jo vetëm nga Enver Hoxha, që demagogjikisht fliste me veneracion për popullin, paçka se tre të katërtat e tij, po t’i kërkohej t’i specifikonte, i numëronte për armiq. Mënyra se si e mbrojnë ata tërë këtë popull, u jep kënaqësinë e të dukurit patriotë të thekur. Dhe me kaq mbyllet loja. Te këta lloj njerëzish kanë një ndikim të pa filtruar edhe plot shkrimtarë, të cilët popullin e japin gjithnjë në unitet dhe flasin për të si për një personazh të vetëm, që merr vendime referendumesh, që nuk janë zhvilluar kurrë. “Populli ynë e ndjeu” shkruajnë ata. Ose, “shqiptarët iu përgjigjën drejt asaj që po ndodhte në skenën europiane“. Ose, “populli ynë ka shije estetike të hollë”. Dhe këtu e kanë fjalën edhe për shijen e Fan Nolit, edhe për atë të Ramo Lopçarit! Kjo mënyrë joselektive e ve popullin në podium nderi dhe dëshmon patriotizëm katërmbëdhjetë karatësh, pa një pa dy! Tani ka hequr dorë, por tingëllonte më konstruktiv Ismail Kadareja, dikur, në fund të viteve ‘80, kur në parathënien për Migjenin i skanonte realisht bashkëkombësit e tij, që shfaqeshin sypatrembur në konfliktet me njëri-tjetrin dhe servilë e respekt-mëdhenj në dhunën që u vinte nga shteti.
***
Saga e hebrenjve e meriton të nderohet institucionalisht në Shqipëri. Rënia dhe përngritja e tyre është një libër mësimi për shqiptarët, që aq shumë kanë vuajtur gjenocidin, spastrimin etnik, përndjekjet, plaçkitjet dhe shpronësimet, sikurse ndodhi në Kosovë për dekada të tëra në shekullin që shkoi e që kulmuan me mynxyrat e llahtarshme të muajve të parë të vitit 1999. Pa le pastaj të përmendim çamët, që një gjenocid më i egër se ai nazist, paçka se jo në shifrat e hebrenjve, gati i shoi fare. Dëbimi masiv nga trojet, pronat dhe shtëpitë e tyre dhe sidomos shurdhëria e gjithanshme që vihet re sot ndaj dënimit dhe ndreqjes së padrejtësisë ndaj çamëve, e bën edhe këtu përvojën e hebrenjve më të çmuar se kurrë. Edhe vetë shqiptarët e Shqipërisë kanë se ç‘të mësojnë tani, kur pas një vëllavrasjeje gjysmë shekullore dhe një përvoje të hidhur me një mal gabimesh në vendosjen e demokracisë, i shohim të marrin rrugët e botës e të trokasin në porta greke, italiane e deri australiane, ku nuk njohin fare Dukagjinin e nuk e dinë hiç, se ç‘ka thënë ai për mikpritjen.
Por edhe ne duhet të falënderojmë atë fat që i solli hebrenjtë të trokasin në portat tona! Shumë shqiptarë, që kanë pasur miq hebrenj, ruajnë kujtime te bukura prej tyre. Shembujt që sot u jepen fëmijëve, që të mësojnë qysh të rriten të fortë, qysh t’i kapërcejnë vështirësitë, si dhe ku ta gjejnë frymëzimin për punën, qysh ta kenë parasysh se me studime këmbëngulëse arrihen të gjitha sukseset, janë marrë më së shumti nga hebrenjtë, të cilët prindërit shqiptarë patën rast t’i njohin në jetën e tyre anekënd Shqipërisë. Kështu mysafirët, që në nevojë rendën e gjetën strehë tek ne, na e kanë shpërblyer me tepri, pritjen që iu dha atyre në vatrat tona, ndihmë që ata, lumturisht, nuk e harrojnë.
Ata janë të hapur e nga ata ne duhet të mësojmë akoma mbi mënyrën se si i zhvillojnë aleancat, se si bashkohen e si përkrahin njëri-tjetrin në shtetin e tyre e sidomos në diasporë. Kultura e tyre e biznesit, është më e larta dhe më e pasura.
***
E sidomos ne duhet të mësojmë nga individët dhe organizatat e hebrenjve se si janë përpjekur e po përpiqen që ta bëjnë holokaustin, pjesë të ndërgjegjes së vrarë të njerëzimit botëror. Kjo do të na ndihmonte që edhe ne të gjenim hapësirë e të pasqyronim holokaustin tonë. Si nuk u pa e mundur, vallë, që kalvari i çamëve të marrë jetë në teatër, apo në një nga filmat tanë? Është çështje me ndjeshmëri të lartë?! Zemërohen perënditë në Olimp?! Flas për çamët, që kanë më pak mundësira se kosovarët, të cilët megjithatë kanë bërë e bëjnë shumë për përjetësimin në veprat artistike të holokaustit të tyre. Më tej, si do t’ia gjejmë anën që shteti paskomunist të merret seriozisht me holokaustin shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi?
Dhe në këtë pikë bashkohem tërësisht me zemërimin e të persekutuarit Lubonja. Ai revoltohet me shmangien e gjyqit të komunizmit dhe qepjen e kësaj teme në bisht të holokaustit të hebrenjve. Është e pranuar botërisht se praktika kriminale e komunizmit ishte më shkatërrimtare dhe më gjenocidale në Shqipëri, se në vende të tjera. Mund të flitet mjaft për masakrimin në Tivar, për gjyqet e shtresave intelektuale e nacionaliste, për kampet shfarosëse pranë kënetave, për gratë e huaja që u martuan me shqiptarë dhe më pas u trajtuan çnjerëzisht nga shteti diktatorial. Plagët tona kanë shumë për të thënë. Por në mëmëdheun tonë të dashur, keqardhja për ata që e pësuan është sipërfaqësore dhe hipokrite. Ende, kryehetuesit gjakatarë, komandantët e kampeve dhe burgjeve shqiptare, kanë mjete dhe forca që ta pengojnë atë gjykim, sado që ta kërkojë Këshilli i Europës! Familjarët e diktatorit Hoxha, ca muaj më parë, deklaruan se po marrin masa që 100-vjetori i Hoxhës të përkujtohet me madhështi anekënd Shqipërisë, gjë që përbën një provokacion të poshtër e që dëshmon se në Shqipëri, o është e përsosur demokracia, o vazhdon të jetë e përsosur diktatura! Qeveritë tona, kryesisht të mbushura me pasardhës të drejtpërdrejtë nga hierarkia komuniste, nuk duan ta bëjnë e nuk do ta bëjnë gjyqin e mizorive komuniste. Në favor të pasqyrimit të krimeve enveriane, ndihet tek-tuk ndonjë zë, por ata janë zëra sporadikë dhe aspak të vendosur. Nga njerëzit me peshë në botën publike shqiptare janë pak, - për të mos thënë mjerisht tepër-tepër të rrallë - që të jenë të interesuar seriozisht për këtë.
Hebrenjtë kanë financuar e mbështetur fuqishëm kryevepra kinematografike, nga të cilat në kujtesë të lexuesit, unë do të sjell prej tyre vetëm dy nga më të freskëtat: “Jeta është e bukur”- një gjetje madhështore për mbrojtjen e fëmijës nga egërsia e përfytyrimit dhe “Listat e Shindlerit” mbi një oficer SS, Shindlerin, me ndjenja njerëzore, që rrezikoi veten për të shpëtuar qindra e qindra çifutë nga furrat e djegies.
Nisur nga ky subjekti i fundit, dua të pyes, përse nuk i kërkojmë, t’i gjejmë e t’i bëjmë të njohur Shindlerët tanë, që mbrojtën shqiptarë gjatë kalvarit komunist? Mirënjohja për ta do të ishte gjithaq e lavdërueshme. A ka të tillë? Duhet të ketë, po ku janë? Duke gjetur ata e duke zbuluar bëmat e tyre, do të ishte një rrugë tjetër si ajo që merret në të kundërt të rruzullit, për të shkuar tek e njëjta pikë, tek holokausti vetë. Në rastin e ferrit stalinist, ama, duhet ta themi, masa e familjeve shqiptare u tregua më pak bujare e mëshirëmadhe se me çifutët. Përse? Çfarë ndodhi me këto virtyte shekullore që përmend Jakoeli në librin e tij?! Sepse zonja Topalli, nga lartësia e Parlamentit nuk e thotë - dhe as Lubonja në shkrimin e tij nuk e thotë, - se shteti “kolaboracionist” shqiptar ka një meritë të pamohuar për mbrojtjen e çifutëve atje. Zonja Topalli është e djathtë sa s’bëhet më, por deri aty sa të zërë në gojë emrat e Mustafa Krujës dhe të Mehdi Frashërit, ajo nuk arrin! Ajo nuk e thotë që administrata “kuislinge” e inkurajonte mbrojtjen e mysafirëve të përndjekur dhe u lëshoi atyre dokumente me emra false shqiptarësh. Se ndryshe, kur dhe si e qysh, pas Dyzetekatrës, humbën virtytet e edukuara nga Dukagjinët? Nuk kishin kaluar veç dy vjet nga shembulli i bukur shqiptar i fshehjes se hebrenjve, që evidencojnë me mirënjohje organizatat e tyre nëpër botë. Si avulluan, humbën dhe u zhdukën ato virtyte, që pas hebrenjve nevojiteshin për të ndihmuar edhe gratë dhe fëmijët e pafajshëm të shqiptarëve kundërshtarë të komunistëve?! Si kështu?! U harrua kodi dukagjinas brenda dy vjetëve?! Apo, këto virtyte shfaqen më shumë sapo rreziku duket më pak?! Apo, ndofta, frika nga nazistët ishte shumë më e pakët se ajo nga qentë e ndërsyer të luftës klasore enveriane? Paskan qenë, pra, më mizorë besnikët e Enverit, se vetë hitlerianët?! Pa shiko se ç’na del, po t’ia zhdredhësh fillin temës!
Kjo temë në atdheun tonë të dashur, nuk hapet. E sidomos nuk zgjerohet. Ajo, tek ne, zihet në gojë vetëm për demagogji!
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (4 vendosur):
Gjitashtu dikush duhet te jape shifra edhe per peshen ekonomike dhe politike qe kishin cifutet ( nese ka patur cifute) ne Shqiperine e asaj kohe. Cfare ata zoteronin, a kishin ata ndikim ne jeten ekonomike shqiptare, a kishin ata pasuri te rendesishme te cilat duhet te sekuestroheshin nga nazistet.
Pastaj edhe deshira e madhe per te glorifikuar bashkepunetoret e nazisteve ne Shqiperi sic ishte Mustafa Merlika, eshte paksa e cudistshem: Nuk mund te jesh me te dy krahet sado ta shtremberosh historine: ose je ne krahun e cifuteve ose je ne krahun e hitlerianeve. Me te dy nuk mund te qendrosh Nuk mund te japash simpati edhe pe rhitlerianet dhe per cifutet!
Në emër të ministrit : Gjon Çoba
Në vazhdim zoti Sh.Sinani sjell si shëmbull origjinal përkthimin e tekstit të nxjerrë nga vëllimi me titull “La politica dell’Italia in Albania†me autor Francesco Jacomonin, ku Mëkëmbësi i Mbretit të Italisë në Shqipëri dëshmon se si kryeministri Mustafa Kruja i ishte drejtuar Jacomonit duke kërkuar ndihmë për t’u shpëtuar jetën qindra hebrenjëve që gjëndeshin në Kosovë dhe për ekstradimin e të cilëve në Gjermani Komanda Gjermane i kishte paraqitur kryeministrit Mustafa Kruja një listë të detajuar. Kështu Jacomoni, me vullnetin e plotë për t’a mbështetur kërkesën e Mustafa Krujës, nuk i drejtohet për të kërkuar miratim Romës zyrtare, por privatisht informoi Drejtorin e Përgjithshëm të “Çeshtjeve Sekreteâ€, ministrin fuqiplotë Vidau, që ishte njeri me zemër të gjerë. Menjëherë kryeministri organizoi transferimin e hebrenjëve nga Kosova në Shqipëri e kështu, mbas disa ditëve, kryeministri Kruja i u përgjig konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se mbas verifikimeve rezultoi se informacioni që kishte dhënë komanda gjermane nuk ishte i saktë. Në vazhdim Shqipëria u bë strehë e një pjese të madhe hebrenjsh që u paisën me dokumenta të rregullta shqiptare me urdhërin e vetë kryeministrit Mustafa Kruja....
Krerët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit nuk e patën të lehtë t‘u mbushnin mendjen autoriteteve naziste për të marrë vendimin e themelimit të Divizionit SS "Skanderbeg". Führer-i vetë s‘kishte fare bindje, Himmler dyshonte akoma më shumë, Neubacher nuk shpreh kurrfarë entuziazmi, por, më në fund, vendimi u mor. Divizioni do të mbante emrin e heroit kombëtar të shqiptarëve, "Skanderbeg", sipas shqiptimit perëndimor; do të kishte uniformën dhe shenjat e veta të përveçme dhe do të shënjohej me numrin 21, si formacion malor (alpin). Ai do të armatosej, vishej e ushqehej nga të njëjtat burime si gjithë ushtria naziste, si dhe do të stërvitej e komandohej nga oficerë nazistë gjermanë.
Sikurse ishte në stilin e propagandës demagogjike naziste, Reich-ut iu premtua se divizioni do të mund të mobilizonte 120 mijë deri në 150 mijë vullnetarë. Por vetë autoritetet naziste nuk e besonin këtë fantazi. Në një telegram të datës 5 maj 1944 të H. Neubacher, Bedri Pejani, premtues i kësaj shkalle mobilizimi, cilësohet "njeri jonormal". Këto shifra ishin demografikisht të pamundura. Në fakt, gjatë më pak se nëntë muajve që prej fillimit të rekrutimit, deri në shpërndarjen tërësore (nëntor 1944), u paraqitën 11389 veta, nga të cilët të paktën gjysma nuk u pranuan në shërbim, për shkak të mosplotësimit të kushteve të gjendjes shëndetësore. Rekrutimi vazhdoi për një kohë të gjatë. Në shtator (1944) divizioni kishte 6491 vullnetarë. Një pjesë e mirë e tyre ishin vullnetarë në kuptimin e plotë të fjalës, domethënë, pasi kishin marrë armatimin dhe pajimet, qëndronin në shtëpi, në pritje të komandës për të marrë pjesë në ndonjë operacion lokal. Vetë komanda naziste njofton për dezertime të përditshme. Njëmijë vullnetarë shqiptarë dezertuan qysh në ditën e parë të thirrjes nën armë, duke u larguar nga kishin ardhur sapo morën armatimet. Herman Neubacher, ish-legat i Reich-ut në Beograd, në kujtimet e veta i përshkruan vullnetarët shqiptarë të këtij divizioni si një gabim të tmerrshëm, sepse, sikurse shkruan ai me cinizëm racor, "këta nuk njohin kurrfarë disipline, janë regjistruar sa për të marrë armën, për të cilën kanë një adhurim të veçantë dhe pastaj ia mbathin për në shtëpitë e tyre; madje dhe këpucët e pajimet i hedhin shkurreve, sepse janë mësuar të ecin me opinga". Deri në fund të shtatorit (1944) statistikisht kishin dezertuar 3425 vullnetarë shqiptarë dhe kishin mbetur vetëm 3994 rekrutë të gatshëm, edhe këta jo të gjithë nën armë.
Divizioni SS "Skanderbeg" dhe pjesëmarrja e tij në krime, sidomos në krime ndaj hebrejve, është një prej çështjeve më të pushtetshme në studimet historiografike sot, sidomos në shkencën serbe. Jashtë çdo dyshimi, nuk mund të ketë shpëtim historik dhe amnisti morale për çfarëdo lloj kolaboracionizmi, veçmas për kolaboracionizmin në formën e rreshtimit në repartet elitë të ushtrisë naziste. Por në këtë trajtesë shtrohet përjashtimisht çështja: A mori pjesë ky divizion në ushtrimin e dhunës racore ndaj hebrejve, duke arrestuar 281 hebrej, siç shënjohet në "Raportin përfundimtar për krijimin dhe gjendjen në Divizionin 21 SS Skanderbeg", 2 tetor 1944, një dokument i cilësuar "tepër sekret"; që mban nënshkrimin e komandantit August Shmithaber ("SS Oferführer"), me nr. prot. 175/44; apo siç shkruan në kujtimet e veta Hermann Neubacher dhe siç rikonfirmohet pastaj në mënyrë të përsëritur nga B. Fischer, N. Malcolm dhe të tjerë? A ishin SS-ët e këtij divizioni ata që shoqëruan 510, 540, 551 apo dhe më shumë hebrej nga Prishtina në kampin e Sajmiste-s, afër Beogradit, i vetmi kamp nazist shfarosjeje në Ballkan, për t‘i përcjellë më tej në kampin famëkeq Bergen-Belsen, ku arritën të mbijetojnë vetëm 40 për qind e tyre (C. K. Savich, por edhe B. Fischer e Jean-Moïse Braitberg).
Studiuesi izraelit Ariel Scheib, duke iu referuar të dhënave të besueshme me burim "World Jewish Congress", "Encyclopaedia Judaica" dhe botimin monografik "Kosovo and the Holocaust: Falsifying History", me të drejtë vëren në krye se afro 100 burra hebrej bashkë me familjet e tyre qysh në vitin 1941-1942 erdhën nga Prishtina dhe u vendosën në Berat: "About 100 Jewish men and their families from Pristina prison were taken to Berat". Në fakt, në kohën kur Kosova u pushtua nga ushtria naziste, në territoret e saj kishte kryesisht hebreo-jugosllavë, që kishin marrë rrugën drejt Shqipërisë së vjetër për t‘i ikur rrezikut nazist, por nuk ia kishin arritur ende qëllimit. Për tërheqjen e "jahudive" nga Kosova patën bashkëpunuar në rrugë shkresore qeveria e vendit në Tiranë dhe prefektët në terren. Sipas listave që ruhen në arkivat shtetërore, janë 94 kryefamiljarë bashkë me familjet dhe 87 individë hebrej të ardhur nga Kosova e të vendosur në Berat.
Kur u themelua divizioni SS "Skanderbeg" (një datë e saktë themelimi nuk ekziston dhe vetë ky fakt flet shumë), në ish-Jugosllavinë mbretërore ekzistonin tashmë pesë divizione të tjera elitë me vullnetarë: Divizioni "Princ Eugen", Divizioni "Vrazia", Divizioni "Tigar" ("Tigrat"), Divizioni "Blu" dhe Divizioni "Hanxhar". Në ish-Jugosllavi vepronin, veç një lëvizjeje të fuqishme antifashiste dhe këtyre pesë divizioneve të rekrutuara, edhe dhjetëra çeta vullnetarësh ustashë, çetnikë, ballistë, të cilët qëndronin të armatosur duke llogaritur ç‘do të ndodhte një ditë më pas, kur lufta të kishte marrë fund, domethënë si do t‘i lanin hesapet me njëri-tjetrin deri në krijimin e një Jugosllavie tjetër. Duket se brenda këtij teatri tejet të ndërlikuar lindi dhe vullneti për ngritjen e Divizionit SS "Skanderbeg". Qysh në maj të vitit 1944 H. Neubacher vëren se qëllimi i shqiptarëve nismëtarë për themelimin e këtij divizioni është "për të mposhtur serbët e malazezët" (telegram i datës 5 maj 1944).
Nëse do t‘i zëmë besë akt-padisë së prokurorit dhe dëshmisë mbrojtëse të Bedri Pejanit para gjyqit special të vitit 1946, që e dënoi me pushkatim pikërisht si propozues dhe përkrahës të idesë së krijimit të këtij divizioni, SS-ët shqiptarë nuk rezulton të kenë kryer ndonjë krim ndaj "jahudive". Por është e vërtetë që ata kanë vepruar nën komandën naziste kundër shqiptarëve dhe, në një rast të vetëm, kundër malazezëve, gjatë operacionit "Draufgenger" (korrik-gusht 1944). SS-ët shqiptarë, përveçse përçmoheshin prej oficerëve të Reich-ut dhe nga vetë legati Neubacher, i cili i quan shprehimisht "primitivë" dhe i krahasonte me mllef me "zezakët që s‘kanë mbathur kurrë këpucë më këmbë", siç dëshmohet prej burimesh bindëse të shumëfarshme, u lanë dhe pa armatim të mjaftueshëm, pa veshje e ushqime, madje edhe pa ilaçe, sepse mendimi i komandës ishte që "këta nuk dinë disiplinë e urdhra" dhe "janë vullnetarë vetëm sa të marrin armën". Neubacher, një dekadë pas mbarimit të luftës, në kujtimet e veta, botuar me titullin "Sonder-auftrag südost 1940-1945: bericht eines fliegenden diplomaten" - "Misioni im special në Juglindje - raport i një ambasadori shëtitës", shprehet me të njëjtën epërsi naziste racore ndaj tyre, duke i quajtur "qenie me sjellje egërsirash", përkundër "sjelljeve të larta" të trupave elitë naziste. Ai pohon shprehimisht se për shqiptarët nuk mjafton për t‘i mbajtur nën disiplinë një oficer nazist për çdo 20 ushtarë.
Themeluesi i divizionit Bedri Pejani, në mos në të gjitha pohimet, të paktën në disa prej tyre është i besueshëm. Ai thotë se e nxiti krijimin e këtij divizioni që shqiptarët të armatoseshin dhe të mos i zinte çasti i keq, fundi i luftës, një fund që mund të vinte me të papritura të mëdha, me duart lart. Rreshtimet kontraverse në frontin e luftës në ish-Jugosllavi parathonin se mund të niste një konflikt ndëretnik pas lufte. Vërtetohen plotësisht pohimet e tij se, në të vërtetë, aq vullnetarë sa u rreshtuan në Divizionin SS "Skanderbeg", nuk ndryshuan gjë në raportet e rreshtimit të shqiptarëve të Kosovës, sepse numri i arritur i vullnetarëve nuk i kalonte 4 mijë shqiptarët e kthyer prej kampeve naziste të punës e të përqendrimit, ku gjendeshin ndërkaq për shkaqe të ndryshme dhe pjesëmarrja në këtë divizion u jepej si një mundësi e vetme për të dalë në liri, plus rreth 2 mijë të tjerë, që kishin qenë të mobilizuar më parë në divizionin "Hanxhar" në Bosnje. Në telegramin e datës 10 maj 1944 drejtuar Reisführer-it SS në Berlin nga komanda naziste lokale thuhet se "robërit shqiptarë të luftës arritën" dhe se "një pjesë e madhe e tyre është e gatshme të inkuadrohet në Divizionin "Skanderbeg". Kthimi i shqiptarëve të internuar e burgosur në Gjermani për këtë qëllim qe kërkuar vetëm tri javë më parë, me letrën e datës 15 prill 1944, në të cilën, duke iu referuar marrëveshjes për krijimin e Divizionit SS "Skanderbeg", kërkohet që të përfshihen në këtë kategori edhe shqiptarët që gjenden në Dachau. Pjesa tjetër, mbi shifrën 6 mijë, thjesht mori armën dhe u kthye në shtëpi. Në të vërtetë, marrëveshja për themelimin e divizionit SS "Skanderbeg", ndërsa jepte garanci agjitative për një mobilizim të përgjithshëm, me rregullat që vendosi e pengonte një gjë të tillë: familja shqiptare, që kishte më pak se tre djem, nuk kishte detyrim të jepte vullnetarë për luftë; familja shqiptare, që kishte më shumë se tre djem, por një pjesëtar i saj gjendej në shërbim civil a ushtarak në administratën e vendit, gjithashtu përjashtohej nga detyrimi për mobilizim. Fakti që në marrëveshje qe parashikuar se mund të thirreshin për rekrutim vetëm brezat 18-24 vjeç provon se premtimi për një armatë naziste dhjetëra e qindramijëshe në Kosovë ishte matematikisht një mashtrim demagogjik.
Në statutin e Divizionit SS "Skanderbeg" ishte ndaluar rreptësisht zotimi i forcave të tij në veprime ushtarake jashtë hapësirës së Shqipërisë së kohës së luftës, atje ku nuk kishte shqiptarë. Ekzistojnë urdhrat dhe komandat që i janë dhënë këtij divizioni, hartat e veprimeve ushtarake, raportet në fund të operacioneve. Përveç rastit të përfshirjes së tij në një operacion në Mal të Zi, ku ka kryer krime të pafalshme edhe prej ligjeve të luftës, nuk del në asnjë dëshmi që SS-ët shqiptarë të kenë dalë jashtë territorit të Kosovës. Në të kundërtën, pohohet që ka pasur një tërheqje të tyre nga kufiri verior drejt jugut, duke iu referuar qytetit të Mitrovicës, për shkak të miratimit prej komandës naziste të një statusi të posaçëm të këtij qyteti me rajonin përreth.
Në një shumicë studimesh të periudhës prej vitit 1990 e këndej, Divizioni SS "Skanderbeg" është bërë përgjegjës për ushtrim gjenocidi ndaj hebrejve të Kosovës. Janë përmendur gjithfarë shifrash. Pjesa më e madhe e studiuesve i referohen një shifre që përmban urdhri i datës 13 korrik 1944, në të cilin thuhet se nga ky divizion "are arrested 510 Jews, komunisten, helper of partisans ("bandenhelpfer"), and persons suspicious in political respect". Ky urdhër është disponuar nga arkivat ushtarake amerikane prej datës 31 janar 1947, ku ruhet në origjinal dhe i përkthyer anglisht. "Memorial Museum of Holocuast" pati mirësinë t‘i shërbejë të nënshkruarit një kopje të këtij dokumenti.
Nuk është për t‘u çuditur që kjo shifër, e cila shprehimisht njofton për një përbërje heterogjene të të arrestuarve dhe jo vetëm për hebrej, aq më pak për shoqërim të tyre në kampin e përqendrimit të Sajmiste-s (në mos edhe deri në Bergen-Belsen), në një shumicë studimesh (C. K. Savich, Braitberg, Steinberg) është interpretuar si një pjesëmarrje e drejtpërdrejtë e SS-ëve shqiptarë në Shoah. Mirëpo të dhënat që përmban raporti i muajit nëntor 1944, evokuar nga Neubacher në mesin e viteve 1950 në kujtimet e veta, për arrestimin e 281 hebrejve, nuk pajtohen kalendarikisht, sepse legati nazist thotë që kjo ndodhi para përfshirjes së Divizionit SS "Skanderbeg" në operacionin "Draufengener" në Mal të Zi (prej Rozhajës e më në thellësi), domethënë në maj të vitit 1944, kur ende nuk kish marrë fund kompaktësimi i atyre vullnetarëve që u pranuan për rekrutë. Vetë Neubacher i ka raportuar Berlinit më 30 qershor 1944 se janë forcat SS-e dhe jo autoritetet e qeverisjes vendëse ato që po mundohen të bëjnë rekrutimin e shqiptarëve në Divizionin SS "Skanderbeg", çka vë tërësisht në dyshim vullnetarizmin pronazist të atyre që u rreshtuan në tërësi në këtë formacion. Në anën tjetër, asnjëri burim nuk shënjon se cilët qenë këta hebrej që u arrestuan dhe në cilin kamp apo burg u ndaluan. Në Kosovë ekzistonte kampi i Prishtinës, nga i cili, megjithëse nuk ishte kamp vdekjeje apo kamp shfarosjeje masive, u morën e u masakruan brenda një nate 104 veprimtarë antifashistë shqiptarë, për të krijuar një mjedis të frikshëm për popullatën, por asnjëri prej tyre nuk ishte hebre. Kjo shifër, që vërtitet nëpër studime, pa u vënë në dyshim, nuk shoqërohet me asnjë listë, gjë kjo që e bën informacionin shumë të pasigurt, duke e ditur që komanda naziste listat e hebrejve i kërkonte me të njëjtën rreptësi sa edhe floririn. Sipas të dhënave të "Maison de la Conférence de Wannsee", Divizioni SS "Skanderbeg" arrestoi 281 hebrej në Prishtinë në muajin prill (1944), mirëpo në muajin prill ky divizion ende nuk quhej i formuar dhe nuk kishte hyrë në veprime të komanduara. I njëjti burim e vendos shoqërimin e 510 hebrejve (pa përmendur se sa ishin hebrej brenda kësaj shifre) në muajin maj, kur urdhri i komandës për të kryer këtë detyrë mban datën 13 korrik. Edhe sipas të dhënave të "The Simon Wiesenthal Center", 510 hebrejt që përfunduan në Bergen-Belsen u arrestuan nga Divizioni SS "Skanderbeg" në muajin prill, kur rekrutët e këtij formacioni nuk ishin rreshtuar ende nën armë. Ndërkaq, provohet katërcipërisht se gjatë gjithë muajit korrik Divizioni SS "Skanderbeg" vepronte bashkë me trupat naziste në Mal të Zi dhe nuk kishte si të gjendej në të njëjtën kohë edhe në rrugën Prishtinë-Sajmiste (Beograd). Kjo është koha kur dëshmohen të parët urdhra komandues për veprime luftarake drejtuar këtij divizioni. Të gjitha këto mbulime detajesh, fshehje të pjesshme të vërtetash dhe sidomos mospërputhjet kalendarike, janë shenja të qarta se synimi i këtyre studiuesve nuk është për të dëshmuar se cili ka qenë fati i hebrejve në Kosovë, por për t‘i përfshirë doemos shqiptarët në ushtrim të holokaustit (Shoah). Manipulimi arrin deri në atë shkallë sa të përdoren si foto ilustruese për shkrime me tentime shkencore për Divizionin SS "Skanderbeg" imazhe ku shihet qartë shënjimi i brendashkruar i studios: "balisti" (ballistë) apo "artiggiani" (zejtarë).
Shifra prej 510 hebrejsh të deportuar nga Divizioni SS "Skanderbeg" (disa studiues përmendin 540 hebrej, të tjerë 551, 610, ka dhe prej atyre që ngulmojnë se janë një mijë), provohet përfundimisht si e manipuluar në dy rrugë: përmes interpretimit me vërtetësi të dokumentit të kohës dhe përmes krahasimit të të dhënave të këtij dokumenti me të vetmet lista personash të shoqëruar nga Divizioni SS "Skanderbeg" që ruhen në arkivat e Shqipërisë. Vetë dokumenti njofton se jo të gjithë të shoqëruarit ishin hebrej, sepse pjesa më e madhe e tyre qenë komunistë, partizanë, antifashistë, banditë dhe të dyshuar politikisht, sipas përshkrimit të komandës naziste. Por, megjithatë, sa prej tyre ishin hebrej? Dhe a i shoqëroi Divizioni SS "Skanderbeg" ata deri në kampin e Saimiste-s? Studiuesja franceze Claire Lavoine, duke u mbështetur në listat emërore që implikojnë këtë divizion në shoqërim të burgosurish, ka saktësuar përfundimisht: "Regarding the deportations perpetrated in Pristina by the "Skanderbeg" SS division, other elements providing from the Albanian State Archives, seem to establish that among the around 530 prisoners deported from Kosovo to Bergen Belsen, more than 90 pro cent of the prisoners were in fact composed of "communists", "partisans", "political opponents", "others", "hooligans" and "criminals" (cf. Waffen SS Skanderbeg division: "Transportliste", Transport der Kommunisten und Partisanen and "Gefangenentransport ins Reich"). Këto të dhëna mbështeten në listat emërore të personave të shoqëruar, që ruhen në AQSH, fondi 153, dosja 172, fl. 10-38. Nëse "jo më pak se 90 për qind" e këtyre të deportuarve ishin të arrestuar jo si hebrej, por si kundërshtarë të nazistëve, atëherë del se numri i hebrejve që qenë pjesë e një veprimi nazist të kryer nga Divizioni SS "Skanderbeg" ishte afro 50. Në fakt, duke statistikuar një për një të dhënat e listave zyrtare, ku në shtyllën e fundme djathtas shënjohet arsyeja e deportimit, hebrej, gjysmë-hebrej dhe të martuar me hebrej janë vetëm 34. B. Fischer ka përllogaritur se 40 për qind e të internuarve në Bergen Belsen kanë arritur të mbijetojnë, që do të thotë se 14 prej tyre kanë arritur të dalin gjallë që andej. Pa dyshim, qoftë dhe një hebre të jetë përcjellë prej SS-ve shqiptarë drejt kampeve të shfarosjes, mbetet një përgjegjësi historike e pashlyeshme e atyre djemve shqiptarë që u bashkuan me Divizionin SS "Skanderbeg" dhe morën pjesë në shoqërimin e të burgosurve. Nëse numri i hebrejve "officially welcomed in Albania from 1933 till 1944, based in the lists authentified by dr. Altskan from ‘The Holocaust Memorial and Museum‘", sikurse ka përllogaritur znj. Claire Lavoine duke u mbështetur vetëm në listat e hebrejve me identitet të shpallur, të dhënat që lidhen me të vërtetën shqiptare për shpëtimin e hebrejve gjatë luftës antifashiste duhen revizionuar në tërësi, qysh prej atyre që raportohen në "Atlas of Holocaust" të Sir Martin Gilbert, deri te studimet e kohëve të sotme, duke përfshirë ato të autorëve vendës. Kjo nuk mund të bëhet më duke ricikluar numra dhe shifra të thata. Emra, jo numra, kjo e bën dijen të vërtetë e të shëndetshme dhe përjashton çdo qëllim dytësor të autorëve të studimeve. T‘i shndërrosh jetët njerëzore në numra, qoftë duke i rritur të viktimizuarit për qëllime demaskuese ndaj tjetrit, qoftë duke i shtuar të shpëtuarit për t‘i bërë nder vetes, mbështetur vetëm në numra, pa listat emërore, është diçka për t‘u refuzuar nga pikëpamja etike dhe njerëzore. Nëse do të ndiqej ky parim i dijes, që njerëzit nuk janë numra dhe të vërtetën e bëjnë listat me emrat e përveçëm të njerëzve, atëherë shumica e shifrave të bartura prej Konferencës së Wansee-së (1942), raportit zyrtar për veprimtarinë e Divizionit SS "Skanderbeg" (tetor 1944), kujtimeve të H. Neubacher (vitet 1950), "Atlas of Holocaust" të Sir Martin Gilbert (1962), deri te shkrimet e Savich me të tjerë, detyrimisht do të saktësoheshin dhe e vërteta do të çlirohej nga shtrembërimet për shkaqe dytësore, shumica e të cilëve vijnë që nga Lufta e Dytë Botërore
Prefektura e Tiranës
Nr. 167/2. i regj.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
Komisariati i Policisë - Tiranë
Nr. 053/i regj.
Lënda: Mbi 6 çifutë t‘arrestuem nga Gjermania në bashkëpunim me organet e kësaj zyre.
Përgjigje e shkresës Nr. 167/1 res. dt.10.V.1944.
Prefekturës së shtetit
Për njoftim: Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë
Në gjegje të sipërmes, kemi nderin t‘ju lajmërojmë, se çifutët t‘arrestuem me datë 16 prill të këtij viti, nga ana e policisë gjermane, të shoqëruem, janë dërgue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) në drejtim të padijtun.
Në hetimet t‘imta të zhvillueme nga kjo komisieri, na rezulton si vijon:
1. Çifuti Sallomon Salltiel, i të vdekurve Isak e Matilda, lindun me 1915 në Shkup, banues në Shkup, nënshtetas ish-Jugosllavisë, ka ardhun në Shqipëri më datë 10 fruer 1943 tinzanisht, tue kalue kufinin bullgaro-shqiptar në Ferizaj abuzivisht, mbasi nuk ishte i pajisun me pasaportë të rregullt ose ndonji tjetër dokument udhëtimi. Në Ferizaj, i mshefun, ka qëndrue dy muaj, por nga autoritetet e vendit është diktue dhe asht kapë e internue në Kavajë, ku ka qëndrue deri në kapitullimin e Italisë. Nënprefekti i Kavajës z. Mehmet Gani (Qani) me datë 17.12.1943, me nr. extra i ka lëshue nji letër identiteti me emën false: Sali Isa Saltiel! Kjo letër identiteti e përmban dhe fotografinë e Sallomonit, si dhe vulën zyrtare të nënprefekturës në fjalë. Përveç kësaj, bashkia e Tiranës, zyra e shëndetësisë, më datë 12.VI.1943, me nr. 2021 i ka lëshue nji letër identiteti, po n‘emën fallso: Sali Isa Saltiel, këtu në Tiranë. Sallomoni është marrë me tregtina të vogla, përveç kësaj është marrë edhe me shitjen e të hollave në monedha italiane (lireta). Në vijën politike nuk ka qenë e mundun të konsatatohet ndonji gja, megjithqë Sollomoni asht‘ i dyshimtë.
2. Samiko Salltiel, i të vdekunve Isak dhe Matilda, lindun në 1920 në Shkup, banues në Shkup, i racës ebreike, nënshtetas ish-Jugosllavisë, ka ardhun në Shqipni abuzivisht më datë 5 mars 1943, po n‘atë mënyrë si i pari. Asht vlla i të parit - Sollomonit. Edhe ky posedon nji letër identiteti n‘emën: Sami Isa Saltiel, si i lindun dhe banues në Ferizaj të Kosovës. Letër identiteti i asht lëshue nga nënprefekti i Kavajës më datë 17.12.1943, me nr. ekstra edhe përmban fotografinë e tij, si dhe vulën zyrtare të nënprefekturës. Samikjo këtu në Tiranë nuk është marrë me ndonji punë, por ka qenë ndihmës i Sallomonit. Në vijën politike, në ngarkim të tij nuk ka qenë e mundun të konstatohet ndonji gja, por ësht‘ i rrezikshëm.
3. Jakov Gatenjo, i të vdekurve Mois dhe Jafa, lindun më 1921 në Shkup, banues në Shkup, i racës hebraike, nënshtetas i ish-Jugosllavisë, ka hyrë në Shqipëri abuzivisht si dy të parët, më datë 5.3.1943. Edhe këtij nënprefekti i Kavajës i nalt-përmendun i ka lëshue nji letër identiteti më datë 17.12.1943, me nr. ekstra n‘emën: Jak Gatenji, si i lindun dhe banues në Ferizaj të Kosovës. Edhe kjo letër identiteti e përmban fotografinë e tij me vulën zyrtare. Këtu në Tiranë është marrë me ndonji punë, por ka qenë ndihmësi i Sollomonit Salltiel në tregtin e tij të dyshimtë. Edhe në ngarkim të tij nuk ka qenë e mundun të konsatohet ndonji gja në vijën politike.
Drejtor Policisë Qendrës
Vendosni komentin tuaj