Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Zgjedhjet: listat të hapura!

Zgjedhjet: listat të hapura!

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font

Zgjedhjet: listat të hapura! [Gazeta Shqiptare, 5.3. 2008] “U bë gjaku deri në gju” duke u grindur për listat e hapura apo të mbyllura: po ndahen koalicionet e partive. Partitë e mëdha janë për të mbyllurat, kurse të voglat për të hapurat. Bile dhe një përfaqësues i lartë i një institucioni ndërkombëtar, ndërhyri në diskutimin e brendshëm shqiptar, duke mbajtur anën e partive të mëdha. Në këtë shkrim, ne do të përpiqemi t’ju mbushim mendjen se listat e hapura janë më të përshtatshme për shoqërinë shqiptare aktuale.

TERMINOLOGJI

 1-Listat e hapura. (“Open lists”, në shqip, një emërtim më i përshtatshëm do të kishte qenë “listat e parenditura”). Në sistemet zgjedhore proporcionale, janë listat e kandidatëve për deputetë, të shpallura që në fillim të zgjedhjeve, me personat e parenditur përfundimisht. Nga këto lista merren deputetët që do të shkojnë në Kuvend, por jo sipas renditjes fillestare të kandidatëve për deputetë, por sipas votave që do të ketë marrë secili deputet. P.sh., nëse PS ka fituar 45 deputetë, nga lista e parenditur do të shkojnë deputet 45 personat që kanë marrë më shumë vota sesa të tjerët, pra pavarësisht sesi ka qenë renditja fillestare e listës. Që të mund të funksionojnë listat e hapura, duhet që zgjedhësit, në një farë mënyre, të votojnë edhe për kandidatin për deputet, jo vetëm për partinë: pra zgjedhësi influencon se kush del deputet. Sistemi që kemi, proporcional i personalizuar, jep rezultatet e një liste të hapur: edhe zgjedhësi e ka në dorë, në një farë mase, se kush do të bëhet deputet. Shembuj të vendeve që përdorin variante të listave të hapura janë: Italia para vitit 2005, Belgjika, Danimarka, Holanda, Finlanda, Suedia, Irlanda, Brazili, Turqia, Kanadaja.

2-Listat e mbyllura. (“Closed lists”, në shqip, një emërtim më i përshtatshëm do të kishte qenë: “listat e fiksuara”). Në sistemet zgjedhore proporcionale, janë listat e kandidatëve për deputetë të shpallura që në fillim të zgjedhjeve, me personat e renditur përfundimisht, pra këto lista janë të fiksuara, nuk ndryshohen më. Nga këto lista merren deputetët që do të shkojnë në Kuvend, sipas renditjes fillestare. P.sh., nëse PS ka fituar 45 deputetë, bëhen deputetë 45 personat e parë të listës. Me këto lista, zgjedhësit nuk kanë asnjë lloj influence se kush del deputet. Shembuj të vendeve që përdorin lista të mbyllura janë: Kosova, Italia pas vitit 2005, Izraeli, Spanja, senati në Argjentinë. 3—Mund të eliminojnë megadushkun, të gjithë sistemet, si me lista të hapura, si me të mbyllura, si me sistemin proporcional të personalizuar (ky që kemi), mjafton që vota për kandidatin të jetë dhe për partinë.

SISTEMI QË PARAPËLQEJMË

 Parapëlqejmë sistemin proporcional të personalizuar, me lista të hapura, këtë që kemi, por me disa modifikime. Modifikimi i parë është për eliminimin e megadushkut: vota për kandidatin për deputet, të jetë dhe për partinë e kandidatit. Modifikimi i dytë është teknik: zonat nga 100 të bëhen në 50 (të bashkohen ekzistueset, dy nga dy) dhe deputetët e listës të bëhen nga 40 në 50. Pra Kuvendi bëhet me 100 deputetë gjithsej, nga 140 që është sot; 50 deputetë do të dalin direkt nga zonat, dhe 50 do të merren nga listat.

PËRSE LISTA TË HAPURA (TË PARENDITURA)

Jemi për lista të hapura (apo me jo më shumë se 2-3 persona të fiksuar), sepse këto lista sjellin në Kuvend edhe nga ata deputetë që i do më shumë zgjedhësi, sepse i ka votuar më shumë. Listat e hapura e personalizojnë (individualizojnë) fushatën zgjedhore, duke e intensifikuar atë. Ky personalizim godet burokratizimin e partive, aparatçikët e tyre (goditet partitokracia). Për t’u bërë deputet, nuk mjafton ta kesh mirë vetëm me kryetarin e partisë (apo me forumet e partisë, kur ato funksionojnë), por duhet ta kesh mirë edhe me zgjedhësit. Shqipëria, tash 65 vjet ka vuajtur nga kulti i individit, nga kryetarët e “partisë”, diktatorë, apo autokratë, dhe jo nga disa deputetë, që nuk iu bindkan kryetarëve. Enver Hoxha ishte vrasësi i Lirisë, dhe jo “deputetët që ai i pushkatoi, që në fillimin e regjimit të tij”. Një personalizim i zgjedhjeve na largon nga diktaturat individuale, nga kolektivja anonime (e paemërt), që shqiptari tashmë e urren shumë, e që shqiptarit i ka sjellë sa e sa të këqija. Listat e mbyllura do ta kthenin fushatën e zgjedhjeve tona, në një fushatë “kooperativash bujqësore të komunizmit”. Është ky personalizim i jetës politike, për të cilin kemi nevojë ne, shqiptarët, më shumë sesa kanë shumë vende të tjera. Kjo sepse ne kemi edhe mendësi shumë individualiste dhe jemi më të lidhur me familjen e shokët, e më pak me idetë. Nuk dobësohet qeverisja, përkundrazi, kur ka debate të brendshme, dhe jo bindje prej “yes-men-ësh” (njerëzish që thonë vetëm, po, apo lepe-peqe). Ku ta gjesh të kesh një sistem zgjedhor që u heq fuqinë kryetarëve tanë. Partitë e vogla janë më të interesuara për një fushatë zgjedhore intensive, siç e bën personalizimi i saj, sepse janë më ngushtë, sepse iu duhet të kalojnë pragun e hyrjes në Kuvend (2,5%, apo 3 deputetë), dhe sepse nuk kanë aparate partiake aq të fuqishme sa dy partitë e mëdha. Partitë e vogla, që arrijnë të jenë në Kuvend pa megadushk, janë të nevojshme për demokracinë. Një nga ndërkombëtarët që monitoron Shqipërinë, foli kundër listave të hapura. Ai duket e ka merakun ta bëjë më lehtë raportin e tij, monitorimin e tij, prandaj insistoi tek listat e mbyllura: ato lehtësojnë raportet e ndjekjet e votimeve. Por për shqiptarët nuk është kjo kryesorja, puna e atij zyrtarit, e nuk është edhe për miqtë e huaj të Shqipërisë. Kështu, edhe vendet anglo-saksone (Amerika, Anglia etj.) kanë sisteme shumë të personalizuar (deri sisteme mazhoritare), ku individi është në qendër të sistemit, dhe jo anonimati partiak, që sjellin listat e mbyllura. Analistë dhe politikanët tanë që kritikojnë listat e hapura, shprehin mosbesimin e tyre tek vota e zgjedhësve. Ata thonë se “gangsterë”, apo “injorantë”, apo “maskarenj”, mund të arrijnë të marrin vota më shumë se figurat “e pastra”, “të ditura”, “të ndershme” etj., që vetëm PARTIA (kryetari) ditka t’i përzgjedhë, dhe jo populli (zgjedhësit). E dhimbshme të jetë kështu, sepse i bie që ne qenkemi një popull “gangster”, “injorant”, apo “maskara”, deri sa votuakemi për këta lloj njerëzish. Duhet të pranojmë se vërtetë ka pasur sjellje skandaloze të disa kandidatëve për deputet, por sidoqoftë, kjo nuk mjafton për të kaluar në ekstrem: “sepse të dhemb koka, u dashka prerë koka”, apo “sepse bëhet edhe kontrabandë me skafet, u dashkan të hiqen skafet”?! Nga ana tjetër, këta përkrahës të listave të hapura, nuk kuptohet sepse kanë besim se partitë tona të mëdha, janë imune (të mbrojtura) nga futja e “gangsterëve etj.” në listat e tyre të mbyllura?! Mbase janë viktima të idesë së vjetër: “ç’do populli bën partia, ç’thotë partia bën populli”. Ne mendojmë ndryshe: ne mendojmë se në total, në fund të ditës, “të mirët” do të marrin vota më shumë. Por edhe po qe se ndodh e kundërta, që marrin më shumë vota “të këqijtë”, atëherë kjo është demokracia: fiton ai që merr shumicën e votave, dhe jo ai që e cakton elita, qofshin edhe elitat e partisë sonë të mirë, asaj “të dashurës”. Nuk jemi dakord as me aludimet e disa analistëve, që thonë se të këqijtë (nuk po i përsërisim më përcaktorët e mësipërm) në Kuvendin aktual, janë disa nga deputetët e partive jo të mëdha. Ne themi se është më e mundshme e kundërta, se pikërisht tek partitë e mëdha, mund të kemi disa “maskarenj me damkë”: nuk ka maskarenj më të mëdhenj, sesa ata që organizojnë vjedhjen e votës! Për ne është më maskara ai që vjedh votat, sesa ai që bën kontrabandë etj. E kuptojmë sepse mund të jenë kundra listave të hapura, Sali Berisha dhe Fatos Nano, kjo sepse dimë mendësitë e tyre diktatoriale. Nuk kuptojmë akoma sepse Edi Rama është kundra listave të hapura, kjo sepse nuk përshtatet një qëndrim i tillë, me deklaratat e tija të “politikës së re”, të “kalimit në bazë”, të personalizimit të jetës së partisë me “një person një votë” etj. Nejse, mbase e shpjegon qartë ndonjë ditë! Gjithsesi, kësaj here dy të mëdhenjtë do të duhet të lëshojnë, sepse mjaftojnë 28 deputetë, që vendimi për sistemin zgjedhor, lista të hapura apo të mbyllura, të kalohet në referendum (të votohet në popull, dhe jo në Kuvend): partitë e vogla i kanë 28 deputetë, aq sa mjaftojnë për ta bërë realitet këtë kalim!

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0