Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Kosova e pavarur, Rruga eficiente

Kosova e pavarur, Rruga eficiente

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font

Shpallja e pavarësisë së Kosovës u dha fund edhe atyre pak anktheve për investimin kolosal të rrugës “Durrës-Morinë” (Rruga). Rruga tashmë është e sigurt, edhe për skeptikun më të madh: ajo është një investim fitimprurës, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Tani duhet të përqendrohemi edhe në “vogëlimat”, që t’i paraprihet me kohë fillimit të funksionimit të plotë të Rrugës, sapo të përfundojë, në vitin 2009. Këto vogëlima lidhen me rajonin e Durrësit. Shumë nga ne shqiptarët, sidomos ata me eksperiencë jete, nga ata që “janë djegur nga qulli, dhe i fryjnë kosit”, rrinim me një frikë të fshehur thellë në zemër, se mos Kosova nuk arrin të marrë pavarësinë, por mjaftohet me ndonjë sofizëm të shteteve të mëdhenj, e atëherë Rruga do të ishte një investim i dështuar. Menjëherë shumë optimistë do të hidhen e do të thonë: “për çfarë sofizmash, e keni fjalën?!”. E kemi fjalën për sofizma tip: “të rrijë Kosova krejt autonome, nën një Serbi demokratike, evropiane; autonomi të garantuar nga Evropa, nga Rusia demokratike etj.” Nejse, shyqyr i zotit që nuk u realizuan “sofizmat”, dhe Kosova është e pavarur, në saj të luftës së popullit të saj; në saj të luftës së të bijve të Amerikës (SHBA) dhe të shumë vendeve të NATO-s, që shkatërruan makinën ushtarake e shtetërore të Serbisë së Millosheviçit; në saj të ndihmës së Bashkimit Evropian; në saj edhe të ndihmës së Shqipërisë. Tani shteti shqiptar duhet të studiojë me imtësi të gjithë problemet anësore teknike, që lidhen me Rrugën: ato për të cilat mjaftojnë fonde relativisht të vogla për t’i zgjidhur. Fluksi kryesor (rrjedha kryesore e transportit) i kësaj rruge, mbase 80% e tij, destinohet të vazhdojë nëpërmjet portit të Durrësit për në Evropë, dhe edhe për në Plazhin e Durrësit—20% është pjesa që shpërndahet në brendësi të Shqipërisë. Prandaj duhet që urgjentisht të fillojë puna për përditësimin e “shkarkimit” të Rrugës në rajonin e Durrësit. E kemi merakun tek eliminimi i bottle necks (pikave të ngushta) të krijuara në kalimin nga Rruga, në disa përbërëse që përfshihen në rajonin e Durrësit. Këto përbërëse po i përmbledhim në katër: Porti, Qyteti i Durrësit, zonat rreth Durrësit me magazinat që privatët po i ndërtojnë me intensitet (Magazinat), si dhe Plazhi i Durrësit (jo vetëm si vend pushimesh verore, por edhe si një vend hotelerie e restorantesh, baresh etj., për të gjithë vitin: nga Rruga në det, ka një ndërprerje, e njerëzit duhet të pushojnë dhe strehohen për një kohë). Rajoni i Durrësit me katër përbërëset e tij (Porti, Qyteti, Magazinat dhe Plazhi) duhet të futet urgjentisht në një plan përshtatjeje. Ky plan duhet të përpilohet dhe të zbatohet në një bashkëpunim të ngushtë në mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale të Durrësit. Nga interesimi që kemi bërë, rezulton se nuk ka një plan kompleks që të bashkërendojë të gjitha gjërat, pavarësisht se ka filluar puna në objekte te veçanta. Kjo gjë na merakos se mos duke u marrë me kryesoret, po harrohen “vogëlsirat” që mund të bëhen shkak për ta zvogëluar shumë efikasitetin e Rrugës. I takon kryeministrit Sali Berisha që personalisht të kryesojë përpilimin e këtij plani, ku kryesore është konsensusi ndër institucional. Kryeministri duhet të ketë në krah si partner, kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Ne vijim po analizojmë pesë çështje që i kemi përzgjedhur si më kryesoret nga ato “vogëlimat”.

1—Çdo gjë duhet privatizuar në Port, që të realizohet rritja e domosdoshme e efikasitetit të Portit. Mbase mund të mbahet ca kohë privat vetëm Autoriteti Portual, por si një nyje vetëm koordinuese, e jo ky përbindëshi aktual, që ka “620” punonjës, nga të cilët “20 punojnë e 600 rrinë kot e marrin rroga nga më të lartat e Shqipërisë”. Autoriteti Portual, duhet të reduktohet në pak zyra, me nja 20 apo 30 punonjës e kaq: pa asnjë veprimtari ekonomike (as vinxha, as ofiçina, as gjë nga aktivitetet ekonomike portuale, ato i bëjnë më mirë privatët).

2—Mbikalimi tek Ura e Dajlanit në Durrës, duhet të bëhet i plotë, duke eliminuar sidomos dy rrethrrotullimet, që bëhen shpesh një shkak i ngadalësimit të trafikut. Ky mbikalim duhet të sigurojë “pa rotonda” (rrethrrotullime), lidhjet e anasjellta në mes Rrugës (pjesa e autostradës Tiranë-Durrës), Qytetit, Portit, Magazinave dhe Plazhit.

3—Rruga e re që lidh Urën e Dajlanit, me hyrjen e portit tek Banka Kombëtare. Kjo rrugë do të ecë buzë portit. Ajo ka kohë që futet në plan-idetë e qytetit, por ka mbetur pa u realizuar, si rezultat i konflikteve burokratike në mes institucioneve të ndryshme. Mbase do të duhet t’i “merren portit” disa metra nga “territori i tij”, mbase do të duhet të prishet ndonjë investim privat (natyrisht duke u zhdëmtuar pronarët), por këto vendime duhen marrë shpejt, pa i zvarritur.

4—Rruga që kalon në mes “Kënetës” (është në ndërtim) dhe që lidh mbikalimin e parë të autostradës (atë tek “Oxhaku i Gomës”), me Unazën e qytetit, duke kaluar nëpërmes “Kënetës” (zona e re e banuar nga “informalët”), duhet të plotësohet me të gjitha. Duhet të bëhet e tillë, që të thithë një pjesë sa më të madhe të fluksit për në Qytet, duke lehtësuar mbikalimin e Urës së Dajlanit. Këtu do te përmendnim edhe pjesën e Unazës së qytetit, që lidhet nga rruga e “Kënetës” tek “Rrota e Qerres”: gropat aty po arrijnë thellësinë 1 metër.

5—Unaza e Plazhit (nga Oxhaku i Gomës deri në Plepa), zgjeruar. Kjo unazë lehtëson ngarkesën e mbikalimit tek mbikalimi tek Ura e Dajlanit. Por unaza duhet të plotësohet edhe me rrugët dytësore dhe me infrastrukturën përkatëse të të gjithë zonës, nga kjo unazë deri tek rruga e gjerë që kalon mes për mes Plazhit. Ky përmirësim infrastrukture bëhet domosdoshmëri për të mbështetur turizmin e vogël familjar që preferohet shumë nga kosovarët (llogariten me dhjetëra mijëra vetë në vit).

Natyrisht edhe pala kosovare duhet të marrë masat e saj, në territorin e saj, sepse fluksi i Rrugës është në të dy kahet, Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas. Por ka edhe shumë biznese nga Shqipëria, që janë bërë gati për në Kosovë, ku shohin mundësi investimesh të leverdishme. Përveç bizneseve, edhe shumë specialistë nga Shqipëria, që kanë njohuri në fusha të ndryshme, shohin një mundësi për t’u punësuar në Kosovë. Njeriu mesatar (përveç rasteve të veçanta të patriotëve idealistë e vetëflijues) reagon i shtyrë nga leverdia e përfitimit material (“80%” e shtytjes), edhe i shtyrë nga patriotizmi (“20%” e shtytjes)—po flasim duke imituar disi Francis Fokuyamën, filozofin e famshëm amerikan, e duke hequr dorë nga hipokrizitë tip “biznesi i Shqipërisë do ta ndihmojë Kosovën pa asnjë interes”!

Jemi në atmosferën e festës dhe të gëzimi kombëtar për pavarësinë e Kosovës, prandaj në këtë shkrim i kemi “qethur” kritikat!

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0