Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Reforma, sipas kursit “6-mujorësh të drejtësisë”

Reforma, sipas kursit “6-mujorësh të drejtësisë”

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Nga ndonjë person prej atyre që po diskutojnë reformimin e drejtësisë shqiptare, po dëgjojmë akoma gjithfarë anatemimesh rudimentare komuniste, kundër kursit 6-mujor për juristë “te Plepat”, që u pat zhvilluar nga viti 1993. E pra duhet të mësojnë nga ai kurs, e të parët specialistët e PS-së, të cilët po mëtojnë se po rinovohen, dhe nuk kanë mbetur më në qerren e Fatos Nanos dhe të trashëgimisë komuniste.
Ai kurs i përshpejtuar, ishte një domosdoshmëri për reformën e kohës, për të shkatërruar kështjellën enveriste të “drejtësisë popullore”, të asaj drejtësie injorante dhe tejet të korruptuar, politikisht dhe materialisht, që përveçse kishte dërguar në vdekje dhe në burgime, me mijëra të pafajshëm, me porosi të diktatorit, vazhdonte të pengonte shtetin e ri demokratik, në përpjekjet e tij për vendosjen e lirisë dhe demokracisë në vend: ky ishte problemi kryesor atëherë.
Sot, reformimi i drejtësisë duhet të bëhet sipas principit të “kursit 6-mujor”: të identifikohet problemi kryesor, dhe të përqendrohet goditja kundër tij, pa u hallakatur me problemet anësore. Problemi kryesor i drejtësisë sot, është korrupsioni i tejskajshëm, material, por edhe politik. Reforma duhet të përqendrohet në shkatërrimin dhe parandalimin e korrupsionit.
Unë jam i pari që kam hedhur idenë e organizimit të atij kursi, që në vitin 1992, dhe kam lobuar me insistim për të (jam munduar t’u mbush mendjen të tjerëve, përfshirë dhe presidentin e kohës, z. Berisha), deri në momentin që u realizua kursi. Nuk jam fare i penduar, përkundrazi.
Përse dhe si, kursi 6 mujor i drejtësisë
Që në vitin 1992, problemi kryesor ishte korrupsioni politik dhe ekonomik i juristëve, i lidhur ky me prejardhjen komuniste të pothuaj të gjithë juristëve të kohës. Ky problem u adresua me kursin “6-mujor” në vitin 1993: u futën në sistemin e drejtësisë një masë relativisht e madhe njerëzish, të cilët nuk ishin të infektuar nga të qenit për vite me radhë “juristë të komunizmit”. Duhet thënë se nuk ishim duke ecur në “shtigje të pashkelura”: bëmë një gjë që e kishin bërë edhe të tjerë në vende të tjera, dhe më të përparuara se ne.
Duke qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i rendit publik, gjatë vitit 1992 puna më lidhte me juristët, si me ata brenda policisë, si dhe me ata nga prokuroria, si dhe nga gjykatat. E gjithë puna e policisë për goditjen e krimit (përdorimi i armëve pa leje, vjedhjet, prishjet e rendit publik, banditizmi—këto ishin veprat penale të asaj kohe), bëhej shpesh zero, nga prokurorët dhe gjykatësit, të cilët i lëshonin fajtorët.
Juristët që mbushnin institucionet e shtetit demokratik, kishin bërë një “marrëveshje të heshtur” në keqpërdorimin e asaj që pruri demokracia, “pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga pushtetet e tjera, ekzekutiv dhe ligjvënës, si dhe nga politika”. U krijua një kështjellë kompakte me juristë komunistë që nga njëra anë, korruptoheshin nga kriminelët duke marrë ryshfete për lirimin e tyre, duke u fshehur pas sofizmave “ligjore” pa fund, duke penguar zbatimin e drejtësisë, të ligjit. Nga ana tjetër, por gjithnjë në të keqen, pengonin çdo veprim ligjor të organeve të shtetit të ri demokratik, duke marrë në mbrojtje gjoja ligjore, çdo njeri që goditesh nga shteti për korrupsion, politik dhe material.
Duhet thënë se këta juristët e 1993-shit, një shumicë e tyre, ishin injorantë, jo vetëm në përgatitjen kulturore të përgjithshme, por edhe në profesionin e tyre. Ata nuk njihnin as jurisprudencën me ligjet e kohës së komunizmit, dhe jo më atë të pas marsit të 1991, me ligjet e Kuvendit pluralist. Një shumicë e tyre vinin nga “kurse partie”, nga “kurse për kuadrot”, nga shkolla “me korrespondencë”, bile kishte nga ata, që kishin filluar punën si juristë, duke qenë analfabetë. Me kohë, dosjet e tyre ishin mbushur me “diploma juridiku”, që ishin marrë me mik, me telefonata sekretarësh partie, tek pedagogët e universitetit—ku guxonin pedagogët e komunizmit, t’ia prishin partisë, le që dhe nuk donin t’ia prishnin! Shtoi të gjithë kësaj, që edhe vetë jurisprudenca komuniste, si “shkencë”, kishte shmangie të rrezikshme nga ajo e vendeve të lira demokratike.
Nga ana e moralit politik, një shumicë e juristëve të komunizmit, ishin përtokë. Nuk kishin pasur kohë të shkëputeshin nga mendësitë komuniste: ishin ata që vetëm para pak kohe, në komunizëm, “çdo të hënë” mblidheshin tek sekretari i parë (komunist) i rrethit, ku merrnin udhëzime (praktikisht urdhra), sesi duhet të dënonin njerëzit gjatë javës. Ishin ata, që në rastin më të mirë, bënin sikur nuk kuptonin se dosjet e sigurimit, mbi bazën e të cilave dënonin viktimat e tyre, ishin të falsifikuara, të mbushura me dëshmitarë të rremë.
Nga ana e moralit “material, apo ekonomik”, ishin shumë më të degjeneruar sesa të sotmit. Atëherë korrupsioni material nuk bëhej me para, siç bëhet sot, sepse atëherë nuk kishte para. Korrupsioni bëhej me shkëmbime nderesh. Juristi, prokurori apo gjykatësi i komunizmit, rregullonte gruan në punë të pamerituar, dërgonte fëmijët në shkollime të pamerituara, rregullonte shtëpinë me punë zanatçinjsh dhe materialesh të papaguara, merrte autorizim televizori pa radhë, e të tjera të tilla të pafund, që përbënin “të mirat” materiale të kohës.
Shqipëria e vitit 1993, nuk mund të priste sa të mbaronin shkollën juristët e rinj. Kështu që rruga më e shpejtë ishte të shkolloheshin shpejt, njerëz me eksperiencë jete, dhe me kulturë universitare, pavarësisht se nuk ishte në fushën e jurisprudencës. Këtyre specialistëve të lartë jo juristë, u duheshin dhënë njohuritë bazë juridike, sa për të kaluar nivelin e juristëve të komunizmit, gjë që kryhej me një kurs vetëm prej 6 muajsh—mjaftonte kaq për të arritur nivelin e juristëve që kishim, me “diplomat e tyre të komunizmit”.
Në kurs do të hynin vetëm persona që kishin mbaruar një degë të universitetit. Nëse kërkesat për kurs do të ishin shumë të mëdha, përzgjedhja do të bëhej duke preferuar ata që kishin notat më të mira në diplomat e tyre universitare, dhe ata që ishin më të rinj në moshë. (Vetëm për ata që kishin dalë nga burgu dhe internimi politik, mjaftonte të kishin mbaruar shkollën e mesme.). Të gjithë këta, me kohë do të bënin kualifikime të mëtejshme në jurisprudencë, që tashmë bëhej zanati i tyre i ri i jetës.
Influenca e juristëve të këtij kursi qe shumë e madhe. Ardhja e tyre, bëri dhe një edukim me demokracinë, me qasjet dhe idetë jokomuniste, edhe të juristëve që gjetën, atyre të komunizmit: shumë juristë të vjetër, u kthyen nga e reja, jo pa kontributin e “juristëve 6-mujorë”. Natyrisht që ka pasur edhe thyerje të kritereve të pranimit në kurs etj., po ku ka gjë që bëhet pa defekte në Shqipërinë tonë të dashur.
Problemi kryesor sot
Problemi kryesor sot është po korrupsioni, po ai materiali (ekonomiku), kurse ai politiku nuk ka më ngjyrë përkatësie politike, por atë thjesht të degjenerimit moral: juristët bëjnë si ju thotë partia në fuqi. Prokurorët dhe gjykatësit e sotëm, shumica e tyre, marrin urdhra nga politika në ushtrimin e detyrave të tyre. Ata marrin para nga krimi dhe palët në konflikte civile, për të keqpërdorur drejtësinë, në favor të interesave të tyre materiale—fiton kush paguan ryshfet, dhe jo kush ka të drejtë. Goditja duhet dhënë pikërisht për zhdukjen e kësaj situate.
Nuk është se juristëve tanë ju mungon shkollimi, prandaj është naivitet, ose keqdashje, që reforma jonë në drejtësi të merret në radhë të parë, me “kualifikimin profesional”, me “magjistraturat” etj. Jo, kualifikimi profesional duhet të ecë në mënyrë standarde, si kudo në botë, dhe mos të marrë kohë nga puna e shpejtë që duhet bërë për reformën në drejtësi.
Sa për të cytur debatin, si dhe për konkretizim të sa shtruam më lart, në vijim po shtrojmë 5 propozime.
1— Duhet të gjenden metodat që puna e prokurorëve dhe gjykatësve të kontrollohet, dhe jo vetëm nga vetë sistemi i drejtësisë, por edhe nga dy pushtetet e tjera, ai i Kuvendit dhe i Qeverisë. Të aplikohet principi kushtetues “checks and balances” (“kufizime dhe baraspesha”), që në shqipen e thjeshtë do të thotë “beso dhe kontrollo”. Natyrisht duke zbatuar ligjin, dhe pa cenuar rëndë principin e “pavarësisë së pushteteve”. Duhet gjetur një e mesme e artë për Shqipërinë aktuale. Kjo do të rriste zbatimin e ligjit nga juristët.
2—Të rishqyrtohet mundësia e futjes së jurisë në sistemin gjyqësor, sistem që e kanë amerikanët dhe shumë vende të tjera. Ky sistem bën që gjykatësi të mund ta japë vendimin, vetëm nëse gjatë hetimit gjyqësor, juria është bindur për fajësinë e të pandehurit. Juria janë një grup qytetarësh të thjeshtë (pa qenë e thënë të jenë juristë). Kjo do të vështirësonte dhënien e ryshfetit: janë disa vetë, juria, që vendosin, dhe jo më një apo dy gjykatës.
3—Të rishqyrtohet mundësia e futjes së sistemit të zgjedhjes së gjykatësve nga populli. Ky sistem është në Amerikë, dhe edhe në disa vende të botës (nuk flitet për zgjedhjet në komunizëm, që ishin një farsë, se në fakt zgjedhjet i bënte partia). Zgjedhja e gjykatësve nga populli, bën që të dobësohen ndërhyrjet politike në caktimin e tyre.
4—Të hiqen kërkesat për eksperiencë shumë të gjatë në punë si jurist, për t’u zgjedhur apo emëruar në poste të ndryshme të sistemit. Tani ka kërkesa edhe për deri “15 vjet eksperiencë pune si jurist”, për t’u bërë anëtar, apo kryetar apo shef, këtu apo aty. Kërkesa maksimale duhet të bëhet jo më shumë se 8 vjet, për vitin 2008, dhe pastaj çdo vit pasues mund të rritet me nga një vit (p.sh. në 2010 kërkesa maksimale të bëhet 10 vjet), duke arritur tek “standardet botërore” për vjetërsinë në profesion, pas nja 7 vjetësh. Kështu do të siguronim që nuk përjashtohen “jokomunistët” nga karriera: po quajmë jokomunistë ata që arritën të bëhen juristë 8 vitet e para të demokracisë (1992-2000).
5—Asnjë person në poste në nivel prokuror rrethi e lart, apo kryetar gjykate rrethi (qarku) e lart, të mos mund të qëndrojë më gjatë se 5 vjet, dhe mos të ketë të drejtë rizgjedhjeje apo riemërimi. Ky rregull duhet të mbahet së paku për 10 vjetët që vijnë. Kështu do të detyrohej një riciklim figurash, gjë që është shumë e nevojshme në periudhën që kalojmë.
Shpresojmë të kemi sensibilizuar që juristët dhe deputetët të diskutojnë më në detaje.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30
Vlereso artikullin
5.00