Greva, kundër diktaturës së shumicës
Përfunduan mbi 7 ditë greve të jo kujtdo por e disa deputetëve të kuvendit, e disa ish-kryeministrave e ministrave. Reagimi i shumicave, i PD dhe kompani, si dhe i PS dhe kompani, ishte dhe është mjeran: “shumica ka gjithnjë të drejtë”. Mjerane ishte dhe bashkimi me qëndrimin e shumicave tona, edhe e një eurodeputeteje. E pra, demokracia nuk është “shumica ka gjithnjë të drejtë”, por është shteti i së drejtës, është garantimi i lirive, qofshin dhe i atyre që janë të pakicave.
* * *
Ne kemi infeksion komunist, shumica e shqiptarëve.
Jemi mësuar ta shohim demokracinë vetëm në rezultatin e votimit. Për shumë nga ne mjafton të jetë siguruar numërimi pa vjedhje i votave, dhe është arritur çdo gjë. E pra nuk është kështu, pavarësisht se numërimi i drejtë i votave është domosdoshmëri: demokracia nuk është vetëm numërim i votave, në demokraci nuk vendos vetëm shumica. Demokracia moderne, demokracia liberale, është kryesisht garantimi i lirive, është shteti i së drejtës. Nuk lejohet në një shtet demokratik bashkëkohor, që shumica të vendosë çdo gjë: edhe kundër lirive, edhe kundër ndarjes së pushteteve, edhe kundër shumë gjërave të vendosura tashmë në çdo vend demokratik.
Nuk lejohet që shumica të vendosë që t’u hiqen të drejtat shqiptarëve, qoftë dhe kur kjo shumicë arrin të ketë votat edhe për të ndryshuar kushtetutën, edhe për të ndryshuar ligjet, edhe kur duket se formalisht çdo gjë është bërë sipas rregullit që shumica ka të drejtë.
Nuk ka vend në këtë shkrim për të shtruar bazat teorike të këtij fakti, që shumica nuk ka të drejtë t’i heqë të drejta pakicës. Kjo sepse do të na duhej të hynim në hollësi të shkencave politike. Prandaj po i drejtohemi vërtetimit duke u nisur nga veprime praktike të idhujve të
demokracisë moderne, por edhe të shkelësve mizorë të saj, që me këto shembuj, lexuesit të kuptojnë se duhet të bëjnë sforcon përkatëse për të dalë nga kurthi, “shumica ka gjithnjë të drejtë”, apo nga thënia e diktatorit të shumicës, kryeministrit tonë, që ai “negocion vetëm me
partinë kundërshtare të madhe”. Vaj me det! E ku e tha pa, në shtëpinë e demokracisë evropiane, në Bruksel. E pra demokracia nuk është aq e thjeshtë sa e paraqet ai, kryeministri ynë.
* * *
Obama, që në fjalimin e parë si president i zgjedhur, tha: Amerika është shteti i të gjithëve [...] i zezakëve [...] i latinoamerikanëve [...] i homoseksualëve. Nëse Obama nuk do të ishte garantues i të drejtave të shtetit demokratik, por do të arsyetonte me shumica, ai nuk duhet të deklaronte sa më sipër. E kemi fjalën që nëse në Amerikë do të votohej “për homoseksualët”, mbase 99% e amerikanëve do të votonin se homoseksualizmi nuk u pëlqen fare. Por ja që në atë vend kampion të demokracisë, edhe atyre pakicave, siç janë homoseksualët, duhet t’u garantohen liritë, të drejtat. Pra Obama iu kundërvu principit “shumica ka gjithnjë të drejtë”. Tek ne, në zgjedhjet e vitit 2005, PD dhe PS me kompanitë e tyre morën veçse 81 % të votave të shqiptarëve që votuan. Ata që nuk votuan për këto shumica, e që janë rreth 19 % , janë
shumë më tepër se homoseksualët në Amerikë. E këtu tek ne, këto shqiptarë duam t’i mbysim, t’ua heqim të drejtën bazë, të drejtën për të pasur mendimin e tyre të ndryshëm, apo së paku kontrollin e tyre mbi numërimin e votave!
* * *
Hitleri (nazistët) dhe Stalini (komunistët), sa për të konkretizuar me dy shembuj, patën arritur një kohë të kenë përkrahje në popujt që qeverisnin. Votimi, edhe i lirë të ishte, kishte periudha që vërtetë do t’i nxirrte fitues në votime, pra shumica të qarta të atyre kriminelëve. Por kjo nuk do të thotë fare, që vendimet e atyre shumicave gjermane, për të zhdukur 6 milionë çifutë ishin të drejta. Kjo nuk do të thotë fare, që vendimet e atyre shumicave sovjetike, për të internuar me miliona fshatarë, për të pushkatuar me mijëra oficerë, por të vdekur urie me miliona, të gjitha këto të ishin të drejta. Këto ishin produkte të shteteve diktatoriale: shpesh diktatura të shumicës. Duket se eurodeputetja Doris Pack, ka ndonjë infeksion nazist në konceptet e saja, derisa rreshtohet apriori kundër grevës së deputetëve shqiptarë.
Po ndalojmë edhe pak tek eurodeputetja Doris Pack. Mendoni sikur në Gjermani, do të ngriheshin shumicat gjermane, të përbërë nga dy partitë e mëdha CDU+CSU (Christlich Demokratische Union und Christlich-Soziale Union) dhe SPD (Sozialdemokratische Partei Deutschlands), dhe t’u hiqnin të drejtat e kontrollit mbi votat, por edhe të pasjes së deputetëve (siç po ndodh praktikisht tek ne), një partie “të vogël” gjermane, p.sh FDP (Freie Demokratische Partei) apo Të gjelbërve (Grüne). (Mos harroni: greva në Shqipëri nuk është vetëm për një komisioner, por për heqjen e të drejtave partive të vogla.) Me siguri reagimi gjerman do të ishte shumë herë më e fuqishme se greva e “10 deputetëve” tanë: mbase gjermanët do t’u drejtoheshin përsëri barrikadave. E pra, në zgjedhjet e fundit të 2005 në Gjermani (Bundestagswahl), këto parti kishin marrë pothuaj aq vota sa LSI tek ne, FDP vetëm 9,8 %, kurse Të Gjelbërit vetëm 8,1 %. Nuk ia vlen ta zgjasim këtu me sofizmat që guxon e thotë eurodeputetja për Shqipërinë: le të guxojë e t’i thotë në Gjermani! Urojmë që znj. Pack të jetë në pakicë në Gjermani, për sa i përket boshllëqeve të saj në konceptet e lirisë dhe demokracisë.
* * *
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Në kafenetë tona, në vend që të merremi me sharjen e grevistëve, duke u bërë thashetheme me të qena e të paqena, bëjmë mirë t’i vëmë gishtin kokës e të themi: ata na dhanë qartë fare alarmin e shkeljeve të rënda të demokracisë në Shqipëri, shkelje që po bëhen, tash disa muaj, nga një koalicion totalitar i shumicave. Nuk është problemi thjesht tek komisioni i kontrollit të votimeve, por tek shkelja e të drejtave, që fillon më herët, që me shkeljen e tyre me ndryshimet e kushtetutës, me diktatin, apo më mirë të themi me diktaturën e shumicave. Jo, kësaj radhe shumica nuk ka të drejtë: ajo duhet t’i nënshtrohet garantimit (sigurimit) të të drejtave të të gjithëve, edhe të pakicave.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj