Gjirokastrat, për të mbytur Gërdecin
Gjëmë e madhe ngjau në Gjirokastër: u vranë tre vetë nga rrëzimi i një ndërtese: jemi
pranë dhimbjes së familjarëve të tyre, sa veç se dalim tepër, por do të donim të shkonim në Gjirokastër e t’i ngushëllonim. Por jo siç shkoi kryeministri: për të mbytur Gërdecin: shyqyr që i erdh rasti të hapë një fushatë të tërë gjoja kundër krimit në ndërtim, por në fakt për të shkrirë fajin e tij për Gërdecin në detin e krimit të ndërtimit.
“Gjirokastrat” në këtë shkrim do të përdoret si simbol i krimit shtetëror në fushën e
ndërtimit dhe urbanistikës. Këtu fajtorët janë me dhjetëra mijëra.
Kurse “Gërdecët” është simbol i krimeve të qeverisjes shqiptare. Këtu fajtorët janë një
grusht qeveritarësh.
Të mbysësh prokurorinë dhe opinionin shqiptar me gjetjen e fajtorëve të Gjirokastrave,
do të thotë të shpëtosh këta të Gërdecëve. Me Gjirokastrat qeveria thjesht po bën diversion që të ndërsejë shqiptarët drejt të pamundurës, që të harrohet Gërdeci, dhe edhe Gërdecët.
* * *
Nuk kapen dot të gjithë fajtorët e Gjirokastrave, sepse janë shumë. Këtu në Shqipëri, ka 10 vjet që po bëhet një masakër urbanistike, që është në themel të krimit të Gjirokastrave. Këtu ndërtohet cip përmbi cip, mu në mes të Tiranës, apo të Durrësit, apo të Plazhit Durrës, apo dhe karshi zyrës së kryeministrit, dhe nuk ka çarë kokën njeri.
E pra ka qenë shumë e lehtë të ndalohen Gjirokastrat, sidomos pas vitit 1998, kur u
aprovua ligji i urbanistikës me rregulloren e saj, ku ishin e janë aq taksative kërkesat, sa nuk ka nevojë për specialist fare, për të gjetur shkeljet e ligjit. Nuk kanë dashur t’i gjejnë shkeljet, kryeministrat e gjithë kohëve, sidomos ata të 1998-tës e mbrapa; nuk kanë dashur t’i gjejnë shkeljet as kryetarët e bashkive, as drejtorët e policive të ndërtimit, as prokurorët etj. Kryeministri aktual, në vend që të merrej me parandalimin e Gjirokastrave, me marrjen e masave urgjente për t’i vënë fre krimit në ndërtim (jo vetëm shkeljeve urbanistike, por edhe sa e sa të vrarëve në “aksidente pune në ndërtim”), u mor me prishjen e nënkalimit të Zogut të Zi.
Tani të gjithë e kujtojnë prishjen e tij, sepse sa herë që kalojnë nëpër rethrrotullimin tip shatërvani, atë që zëvendësoi nënkalimin, humbasin minuta të tëra në trafik, megjithëse ka disa policë që komandojnë qarkullimin: sa mirë do të kishim qenë me nënkalimin: futu poshtë e dil matanë. Por pikërisht prishja e nënkalimit ishte “rrahja e maces”. Kryeministri donte t’u tregonte shqiptarëve se ai derisa të prishë kot një gjë të mirë, duke shkakëtur dëme me miliona dollarë, merre me mend se ç’mund të bëjë për të tjerat. Kryeministri gjithnjë i ka parë shkeljet skandaloze të urbanistikës dhe rregullave të ndërtimit, e nuk ka bërë zë: përse ta prishte me ata darovitësit e ndërtimit? Për të shpëtuar jetën e “tre gjirokastritëve të gjorë”?! Po sa ngrenë peshë ata në votimet? Hiç gjë. Ai merret vetëm me ato gjëra që mund t’i sigurojnë pushtetin, dhe jo me jetën e disa dhjetave, apo qindrave që vriten nga Gjirokastrat.
Fajtorët e Gjirokastrave nuk janë vetëm “pushteti lokal”, siç deklaroi këto ditë publikisht, për habinë e të gjithëve, një ministër simpatik që është dhe inxhinier ndërtimi. Jo, fajtorët e Gjirokastrave janë jo vetëm pushteti lokal, por edhe pushteti qendror, por edhe prokuroria etj. Sepse vërtetë që lejet e ndërtimit ka vite që jepen nga pushteti lokal, por ama policia e ndërtimit varej “deri dje” nga pushteti qendror. E ajo polici kishte detyrat dhe të drejtat që të bllokonte çdo shkelje të ligjit të urbanistikës. Vërtetë që lejet e ndërtimit jepen nga pushteti lokal, por ato
për vite me radhë kundërfirmoseshin nga prefekti, që është pjesë e pushtetit qendror. Por dhe prokuroria e shihte katrahurën e Gjirokastrave, e bënte qorrin, pa nisur asnjë procedim kryesisht, bile duke i pezulluar edhe kallëzimet që i bëheshin—kemi shkruar për eksperiencën tonë personale të hidhur, me mbrojtjet e prokurorisë për krimin urbanistik. Shkeljet e urbanistikës i shihte kushdo, edhe populli votues. Ishte populli p.sh., që i dha votën, para nja 4 vjetësh, një personi që kur kandidoi për kryetar bashkie, po bënte ndërtim gjigant fare pa leje, mu para syve të gjithë qytetit, mu para shëtitores bregdetare, mu në det—në asnjë qytet normal të botës, nuk do të dilte dot kryetar bashkie një njeri i tillë. Shembuj si ky ka me dhjetëra.
Për Gjirokastrat janë fajtorë të gjithë shqiptarët. Duhet të ndryshojnë mendësitë tona, që të mos ketë Gjirokastra. Nuk është faji se “nuk qenkan aprovuar planet rregulluese”, siç bisedojnë në tv, ca etatistë naivë. Nxirret si pretekst “plani urbanistik”, apo “licencat”, sikur nuk dihet se dhe me plane dhe me licenca, Gjirokastrat kanë vazhduar njësoj. Nxjerrja si shkak kryesor i planeve, nuk është vetëm një mani e ndonjë analisti etatist, por është dhe një shejtanllëk që një tufë burokratësh të kenë të drejtën të bllokojnë fare ndërtimin, që pastaj të rritet kosto e korrupsionit që do të vilnin këta burokratë. Gjirikastrat nuk e kanë shkakun kryesor, as tek planet e as tek licensat—shumë mirë që po thjeshtohet marrja e këtyre të fundit. Gjirokastrat
mund të shmangeshin thjesht duke zbatuar ligjin e urbanistikës.
* * *
Për Gërdecët është shumë më thjeshtë për të identifikuar fajtorët: ata janë shumë më pak. Prokuroria nuk duhet të hutohet pas Gjirokastrave, sepse nuk justifikohet dot kurrë për mos dënimin e Gërdecit dhe Gërdecëve. Kemi shkruar shpesh për të, dhe nuk po e zgjasim këtu. Por dhe shqiptarët votues nuk duhet të lajnë duart si Pilati. Kontributi më i thjeshtë që duhet të japë secili, është që mos t’u japin më votën këtij kryeministri e këtyre qeveritarëve, në zgjedhjet e vitit 2009. Duke nxjerrë njëherë e mirë në pension këtë lukuni të babëzitur për pushtet, është e vetmja mënyrë për të hapur rrugën për përmirësim.
Nuk duhet reshtur së kërkuari një klasë politike që do të luaj rolin e elitës, që t’i vejë fren babëzisë kolektive për të grabitur pronën publike: urbanistikën, hapësirat publike, sigurinë e ndërtimit etj. Votuesit mos të bëjnë prapë hipokritin e “zgjedhjes në mes dy të këqijave”— duhet të heqin së pari të keqin që kemi në krye, “pa menduar gjatë” se kush e zëvendëson. Pastaj, herën tjetër të heqin edhe zëvendësuesin, nëse dhe ai do të dalë i keq: por kurrë më riciklime politikanësh fajtorë, për dhjetëra vjet me radhë.
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj