24 ore lajme: Anti-komunizmi përballë grabitësve Anti-komunizmi përballë grabitësve ================================================================================ Bashkim Kopliku on 20 June, 2008 12:25:00 Kuvendi aktual i grabitësve, refuzoi anti-komunizmin dhe Perëndimin, me votimin e tij të 16 qershorit, kur nuk aprovoi asnjë nga 5 kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të paraqitura nga Presidenti. Mbase më mirë që ngjau kështu, sepse në histerinë e babëzinë për pushtet të z. Berisha, në nevojën e tij jetësore për karshillëk e kapje të çdo pushteti “të pavarur”. Kuvendi i grabitësve nxori fytyrën e tij të vërtetë: është kundër anti-komunizmit dhe kundër Perëndimit. E quajtëm “kuvendi i grabitësve”, sepse ky kuvend, në shumicën e tij, është produkt i grabitësve të tokave, informalëve. Mbi 20% të votave të vitit 2005, nga 42% që mori gjithsej berishizmi, janë votat që bleu z. Berisha nga grabitësit e tokave. Blerja formalisht ishte e thjeshtë: votoni për mua, dhe unë do t’ju fal tokat, sapo të marr shumicën në kuvend. Natyrisht që maxhoranca e këtij kuvendi është përcaktuar nga ky “mbi 20%-shi” i votave të grabitësve, prandaj dhe me plot të drejtë e meriton nofkën “kuvendi i grabitësve”. Anti-komunizmi përfaqësohet në atë “ekzekutim politik të 16 qershorit”, nga fakti se aty bënte pjesë një gjykatës (Medi Bici) i propozuar nga antikomunistët klasikë, nga ish-të përndjekurit politikë. Ai përfaqësues nuk mori as 31% të votave të kuvendit të grabitësve (mori veçse 40 nga 130 vota). Perëndimi përfaqësohet nga një gjykatës i Evropës (Kristaq Kraja, që sapo është kthyer nga një karrierë 9-vjeçare në Bashkimin Evropian). Edhe Perëndimi mori veç rreth 43% të votave (mori veçse 56 në 130 vota). Kuvendi i grabitësve u detyrua të votojë qartë, nuk përdori dot hipokrizinë e radhës, sepse berishizmi gjykoi se duhet të tregonte dhëmbët: nuk jeton dot gjatë, pa siguruar pasuesit e tij se ai është arrogant. Kjo konsiderohet nga militantët e tij, si “forcë”, si “meritë”, si “zotësi”, siç konsiderohet harbutllëku për çdo grabitës—pa të, berishizmi shpërbëhet. Përplasja në mes grabitësve nga njëra anë, dhe anti-komunizmit dhe Perëndimit nga ana tjetër, u bë në strofkën e grabitësve, e prandaj rezultati nuk kishte si të ishte ndryshe, deri sa z. Berisha kishte vendosur të mos përdorte hipokrizinë. Po si do të dalë kjo përpjekje, jashtë strofkës së grabitësve?! Sot, Shqipëria duhet të vendosë një vijë të qartë ndarjeje, në mes grabitësve dhe jograbitësve, siç patëm vënë në fillim të viteve ’90, në mes komunizmit dhe jokomunizmit. Bëhet fjalë jo vetëm për grabitësit e tokave, por për gjithfarë grabitësish; të votave, të lirive, të pasurisë së shtetit etj. Këta grabitës i mbledhin bashkë mendësitë dhe doktrinat e grabitjes. Sesa do të jetë në gjendje Shqipëria të bëjë ndarjen me grabitjen, kjo do të dalë e qartë nga rezultati i zgjedhjeve që vijnë. Jograbitësit e kanë të thjeshtë: asnjë votë për grabitësit e tokës, si përfaqësues të dukshëm të çdo lloj grabitjeje tjetër. Nuk duhet bërë asnjë pakt me grabitësit: duhet të ndahet njëherë e mirë Shqipëria nga e keqja. Duhet të bojkotohet krejtësisht në të keqen e vet ai “20%-shi” i grabitësve, apo dhe më pak se kaq, sepse shumë nga informalët do ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është vetëm e vetëm pagesa e tokës me çmimin e tregut. Pastaj, qeverisja e re (kuvend, qeveri, etj.) duhet, si punë të parë, të anulojë ligjin e legalizimit të grabitësve të tokave. Ata, grabitësit që shesin votën e tyre, janë të përcaktuar qartë: nuk janë grabitës ata që e kanë blerë tokën, tek përfituesit ligjor sipas ligjeve demokratike të tokës (ligji 7501 etj.). Punë e dytë e qeverisjes së re të Shqipërisë, duhet të jetë anulimi i ndryshimeve kushtetuese të 21 prill 2008, të aleancës Berisha-Rama. Besojmë, tani edhe amerikanët e evropianët e panë, shpresojmë ta ketë parë edhe z. Edi Rama, se ku shpie zbatimi i “ligjeve anglo-saksone”, në një ambient shqiptar, akoma të paçliruar krejtësisht nga mendësitë komuniste. Nuk do të guxonte z. Berisha, t’ia punonte kështu presidentit të para 21 prillit 2008. Shqipëria po pranohet në NATO, me qëllim që shqiptarët të ndihmohen që të ndahen më shpejt nga e kaluara e tyre komuniste, anti-Perëndimore, e për rrjedhojë, grabitqare. Por dhe ne duhet t’i japim forca t’i drejtohemi Perëndimit pa hile. Këtë do elita e shqiptarëve, këtë do rinia. Do të na pranojnë pastaj edhe në Evropë, por me kusht që të japim shenja të qarta të kthesës drejt Perëndimit.