24 ore lajme: Të huajt, centralet bërthamore dhe dhalli Të huajt, centralet bërthamore dhe dhalli ================================================================================ Bashkim Kopliku on 02 June, 2008 02:30:00 Normalisht, përfaqësitë e huaja në Shqipëri, duhet të informojnë qendrat e tyre, edhe për qyfyret tona: janë pjesë e realitetit tonë, i cili duhet njohur edhe nga të huajt, kur duan të na ndihmojnë, apo dhe të investojnë tek ne. E thënë preras e që në fillim: një shtet që nuk është në gjendje të disiplinojë gjërat fare të thjeshta, siç është që dhalli të ketë të shkruar datën e skadencës, do të ishte kriminel t'i futesh aventurës së lejimit të ndërtimit të centraleve bërthamore në vendin që qeveris. Të huajt bëhen bashkëfajtorë në futjen e centraleve bërthamore në Shqipëri, edhe për faktin se ata e dinë se shoqëria jonë akoma nuk ka arritur të ketë forma të vetëmbrojtjes ndaj politikanëve diktatorë të papërgjegjshëm, prandaj nuk u duhet t'ua lënë atyre "ta vendosin", as me "mënyrë demokratike": me shumica në Kuvend. Të huajt e dinë mirë se nuk është se vetëm një kryeministër është tek ne i papërgjegjshëm: jemi shumë nga ne të papërgjegjshëm. Prandaj edhe vota e shumicës, tek ne, është e papërgjegjshme. Të huajve nuk duhet t'u marrë mendjen fitimi afatshkurtër që sjell një bërthamor në Shqipëri, por ta mendojnë më gjatë këtë punë. * * * Kemi disa vjet (që në vitin 2005) që i kujtojmë, në disa shkrime, qeverisë sonë, se dhalli vazhdon të tregtohet pa datën e skadencës (apo të prodhimit). Kjo puna e dhallit, vërtetë që mund të duket gjë shumë e vogël, para shumë moskokëçarjeve vdekjeprurëse të kësaj qeverie, si puna e Gërdecit etj. Por edhe dhalli, në kontekstin e këtij shkrimi, ka rëndësi shumë të madhe, sepse është një dëshmi e dukshme lehtë, e paaftësisë dhe e papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, madje edhe e kësaj shoqërie. E pastaj paaftësia e papërgjegjshmëria, lidhen me më të mëdha edhe se Gërdeci: një shpërthim i një centrali bërthamor, nuk vret më vetëm "26 vetë, dhe plagos nja 300 vetë", si Gërdeci, por me mijëra, e edhe më shumë. Kjo qeveri nuk disiplinon dot as tregtimin e dhallit, ku "10 inspektorë" me "një klasë arsimi fillor", do ta bënin zap. Natyrisht që nuk e bëjnë dot zap, sepse janë të korruptuar me ryshfete nga tregtarët e dhallit, por edhe sepse janë njerëz të degjeneruar moralisht e nuk çajnë kokën të kryejnë detyrën e tyre. E përsërisim: shteti aktual shqiptar nuk funksionon as edhe kur kryeministri e kërkon të kryhet një punë e caktuar. Dhalli është një provë e thjeshtë e këtij mosfunksionimi. Me gjithë urdhrin direkt të kryeministrit, që të mos shitet dhalli pa datë skadence (kështu kemi dëgjuar), prapë ai, dhalli, vazhdon të tregtohet, edhe pa datën skadencës. Nuk ka nevojë të lexoni raporte të koklavitura mbi mosveprimin e shtetit tonë: mjaftojnë edhe të dhënat më të thjeshta. E ju lexues, përveç dhallit, me siguri keni me qindra raste të tjera ku shihni paaftësinë për të funksionuar, të shtetit të kryeministrit tonë, por edhe të kryeministrave të kaluar-ky aktuali dallon për keq, edhe sepse po deliron (flet përçart) duke shitur mend më shumë se çdo paraardhës i tij. * * * Tani mendoni një central bërthamor të ndërtuar këtu. Lejimi i ndërtimit të centraleve bërthamore në një vend me qeverisje të papërgjegjshme, është krim ndaj popullsisë së atij vendi, konkretisht është krim ndaj shqiptarëve. Kjo sepse siç thamë, është vërtetuar se ky shtet, nuk ka pasur akoma aftësi të vendosë disiplinë në gjërat më të thjeshta, dhe jo më në centralet bërthamore, ku edhe kontrolli i funksionimit të tyre, kërkon njerëz me arsimim shumë të lartë (universitarë e më lart), si dhe një sistem kompleks kontrollesh-mos i hani gënjeshtrat se do të vijnë të huajt të bëjnë punën e shtetit tonë. Kjo, pra vështirësia e sigurimit të funksionimit pa rreziqe, të centraleve bërthamore, është shkaku që shumë vende të botës, e kanë ndaluar, apo vështirësuar shumë ndërtimin e tyre, në vendet e tyre. Ndërtimi i centraleve bërthamore në Shqipëri, është edhe gabim i atyre vendeve që "i besojnë" fjalës së një të babëzituri për pushtet, si kryeministri ynë. Ai është i gatshëm çdo kohë t'i bëjë edhe një gjëmë të tillë, vendit të tij. Ky, kryeministri aktual, e ka treguar me fakte se deri ku shkon për të mbajtur pushtetin. Ky arriti t'u falë tokën e vjedhur dhe të grabitur, atyre që e pushtuan (informalëve grabitës të tokave), vetëm e vetëm që t'u blinte votën për t'u ricikluar në pushtet. Dhe e arriti një gjë të tillë: u ribë kryetar i shtetit, pas asaj që i bëri Shqipërisë në 1997, '98 etj. Këto ditë po na bën të dyshojmë, se ky dhe prefektët e tij, edhe Jugun ("Vorioepirin") mund t'ua japë atyre shovinistëve grekë, mjafton që ata të kontribuojnë që të mbajë kolltukun e vet "të kryetarit", në pjesën që mbetet të Shqipërisë. Të huajt nuk duhet të bazohen formalisht tek "përgjigjja e qeverisë dhe Kuvendit shqiptar", pa bëre paraprakisht kontrollin e arritjes së standardeve të kërkuara që në këtë shtet të mund të ndërtohet një central bërthamor.