Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Kryeministër me Kuvendin në xhep

Kryeministër me Kuvendin në xhep

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Sali Berisha

Me ndryshimet e fundit të Kushtetutës, me “mocionin e besimit”, kryeministri mund ta shpërndajë Kuvendin kur t’i teket, pa e ndaluar dot gjë. Me këtë ka në dorë një megadushk të tipit të ri: të modelojë Kuvendin e ri, sipas dëshirës së tij personalisht, e jo sipas vullnetit të lirë të zgjedhësve. Kryeministri aktual, por edhe shumë megafona të tij, e kanë mbuluar këtë mashtrim, me ulërimat se gjoja posti i kryeministrit qenka më i dobët në kushtetutën tonë, sesa në kushtetutën gjermane. Natyrisht, si shumë të tjera, edhe kjo është një e pavërtetë.
* * *
“Mocioni i besimit” është termi që përdoret për të paraqitur rastin kur normalisht kryeministrit i duhet të provojë sesa besim gëzon në Kuvend. Termi gjerman, nga ku mëton se ka marrë mend kryeministri ynë, është “Vertrauensfrage”. Neni i kushtetutës gjermane, në shumë komentarë të saj, quhet qartë, “Shpërndarja e Parlamentit” (“Auflösung des Bundestages”, neni 68 i Grundgesetz).
Kryeministri ynë mund ta keqpërdorë mocionin e besimit, për të shpërndarë Kuvendin edhe kur ai e ka shumicën në të. Kjo do të ishte një manipulim i politikës dhe më pas, edhe i vullnetit të zgjedhësve. Por le të shohim fillimisht ndryshimin e bërë në Kushtetutën tonë.
Ja si ishte Kushtetuta e 1998-ës:
Neni 104
1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. [...]
Ja si e bëri Kushtetuta e 21 prillit 2008:
“Neni 104
1. Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.
Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.
3. [...].
Pra shihet qartë se tani kryeministri ynë mund ta shpërndajë Kuvendin kur t’i teket: mjafton të provokojë Kuvendin, dhe ndërkohë t’u thotë disave deputetëve të vet, “votoni kundër meje”. Ndërkohë, kundërshtarët e tij do të votojnë kundër tij, edhe sepse nuk e durojnë dot si kryeministër, por edhe sepse mund të mos u shkojë mendja tek komploti që ka organizuar. Rezultati është i menjëhershëm: Kuvendi shpërndahet “brenda 10 ditëve”, pa u lënë kohë deputetëve të përmenden.
Këtë rrezikun e keqpërdorimit të kushtetutës për të shpënë vendin në zgjedhje te parakohshme, për interesa të kryeministrit (unechte Vertrauensfrage), e ka formalisht edhe kushtetuta gjermane. Ka disa raste në Gjermani, ku ka pasur dyshime për keqpërdorim të kushtetutës për të shpërndarë parlamentin, me gjithë se kryeministri përkatës kishte përkrahjen e shumicës (si për Willy Brandt në 1972, për Helmut Kohl në 1983, për Gerhard Schröder në 2005). Por në Gjermani janë marrë një pafundësi masash që kjo të bëhet shumë e vështirë. Kushtetuta gjermane ka një sistem mbrojtje të parlamentit (Bundestag) ku futen në punë disa institucione kushtetuese, si vetë parlamenti, presidenti, senati (Bundesrat) gjykata e kushtetuese etj.
Parlamenti gjerman (Bundestag) mund ta ndalojë shpërndarjen e vet, edhe kur kryeministri (Bundeskanzler) ia ka hedhur, duke e “rregulluar” që të mos kalojë votëbesimi i kërkuar. Ky ndalim bëhet duke zgjedhur një kryeministër, dhe parlamenti nuk shpërndahet, pavarësisht se nuk i dha votëbesimin kryeministrit “të mëparshëm”—pothuaj njësoj siç e kishim ne tek kushtetuta e “vjetër” (shih nenin 104 më lart).
Presidenti gjerman (Bundespräsident) mund të mos e lërë Kuvendin të shpërndahet nga kryeministri, duke kaluar deri në mbajtjen e kryeministrit në post, edhe kur mocioni i besimit është kundërshtuar nga shumica e deputetëve.
Gjykata kushtetuese gjermane (Bundesverfassungsgericht) mbikëqyr që kryeministri të mos keqpërdorë mocionin e besimit.
Nuk po e zgjasim me hollësitë e kushtetutës gjermane, sepse besoj se me kaq sa thamë, mjafton që të kuptohet se nuk është e vërtetë ajo që përsëriti disa herë kryeministri ynë, dhe ca të tijtë, se gjoja kushtetuta jonë lejon një kryeministër më të dobët se ajo gjermania. Jo, ky yni ua kalon të gjithëve, saqë po i afrohet sekretarit të parë të Partisë së Punës, Enverit!
Ka situata kur kryeministrit i leverdisë ta shpërndajë Kuvendin, megjithëse ai ka në atë kuvend shumicën që e përkrah. Sipas moralit, madje edhe sipas qëllimit të ligjit, në raste të tilla Kuvendi nuk do të duhej të shpërndahej. —duhet të shkëputemi nga praktikat tona mashtruese, për të kuptuar këtë koncept moral dhe ligjor.
Sa për ilustrim, po japim një rast të tillë, ku del leverdia e shpërndarjes me mashtrim, të kuvendit. E zëmë se në kampin opozitar, por dhe në aleatët e kryeministrit në Kuvend, ka një periudhë çorientimi të madh—ka luftë për pushtet brenda opozitës, ka ndarje të partisë kryesore në disa parti. Pikërisht ky moment mund të shfrytëzohej me mashtrim, për të provokuar zgjedhje të parakohshme, me shpresë se Kuvendi i ri do të rezultonte më krejtësisht i kryeministrit ekzistues, pra më i leverdishëm për interesat personale të tija.
Tashmë dihet se ç’ mjeshtër për mashtrimet zgjedhore, kanë rezultuar shumë nga kryeministrat tanë (ku kampionët janë Sali Berisha e Fatos Nano). Ata janë dy arkitektët e mashtrimi me megadushkun, e pastaj qenë dhe aq hipokritë sa dhe patën gojë ta kritikojnë rëndë veprën e tyre, megadushkun. Tani është po njëri prej tyre, që polli një megadushk tjetër, mbase dhe më të rrezikshëm.
Kushtetuta jonë “e re”, ka brenda një megadushk tjetër të stërholluar: kryeministri ka në dorë të modelojë si të dojë Kuvendin e ri, përveç kërcënimit “me shpërndarje” që i bën kuvendit ekzistues. Mos e merrni lehtë këtë punë, sepse rreziqet e vendosjes së diktaturave, shpesh janë në hollësitë e ligjit, dhe jo në pamjen trashë të tij.
* * *
Nuk ka mbetur mbrapa kryeministri ynë, dhe për të siguruar veten që mos ta heqë dot njeri, edhe kur shumica e Kuvendit nuk e do, por atij i intereson të vazhdojë të rrijë kryeministër—por për këtë do të flasim me hollësi në shkrimin e radhës, ku do të trajtojmë “mocionin e mosbesimit”.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0