24 ore lajme: Imuniteti i shqiptarëve, si anti-plumbi i amerikanëve Imuniteti i shqiptarëve, si anti-plumbi i amerikanëve ================================================================================ Bashkim Kopliku on 10 May, 2008 12:29:00 Me pikëllim dëgjuam propozimin për heqjen e imunitetit, të bërë publikisht nga ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers II. Ai këshilloi popullin shqiptar, që t’u heqë imunitetin deputetëve të vet (si dhe zyrtarëve të tjerë në përgjithësi), gjë që i le ata më pak të mbrojtur ndaj sulmeve të gjykatës dhe administratës shqiptare. Për absurd, këtë këshillë Ambasadori na e dha pikërisht kur po i quante, me plot të drejtë, si shumë të korruptuar gjykatësit dhe administratën tonë! Kjo është njësoj sikur ne t’i rekomandonim amerikanëve që marinsat (si dhe ushtarakët e tjerë) të tyre në Irak etj., të mos përdorin jelekë e veshje të tjera anti-plumb, që të jenë kështu “njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë të Irakut”, në ambientin e sulmeve terroriste. Naiviteti i këtij ambasadori na dëshpëron më shumë, sepse është ambasadori i Amerikës, që është shteti që ne e duam më shumë se të gjithë shtetet e tjera perëndimore: Amerika na ka mësuar lirinë dhe demokracinë, na ka ndihmuar të zbatojmë në praktikë këto ligje. Një nga mësimet Amerikane, është që një ambasador nuk duhet të ndërhyjë direkt në jetën politike të vendit, siç e bëri ky ambasador, që kërkoi nga shqiptarët të ndryshojnë Kushtetutën (neni 73 i saj), e kjo kur në Shqipëri ka plasur debati politik për ndryshimin e padrejtë te Kushtetutës, nga ana e një kuvendi të pamoralshëm: shumë deputetë të tij janë aty, vetëm si rezultat i mashtrimit të madh zgjedhor të vitit 2005, megadushkut. Ambasadori amerikan me të drejte po kritikonte korrupsionin, e pikërisht edhe në gjykatat dhe organet e tjera shtetërore, dhe si të tilla janë krejt të pabesueshme nga populli shqiptar—por edhe nga Ambasadori! E pikërisht këtyre gjykatave, e kësaj administrate, Ambasadori do t’ua lerë në dorë deputetët tanë, duke u hequr imunitetin?! Shqip kësaj i thonë: “t’i varësh qenit mëlçitë në qafë”. Po si mor zoti Ambasador, t’u lihen në dorë politikanët tanë të lartë, këtyre gjykatësve të korruptuar: nuk janë gjykatësit tanë, as nëpunësit tanë, si ata amerikanë: nuk është demokracia jonë, as tek një e “milionta” e asaj amerikane. Ambasadori duhet ta dinte këtë fakt, dhe nëse nuk e di, është faj i tij personalisht. Kjo heqja e imunitetit e këshilluar nga Ambasadori, tingëllon dhe si e sajuar. Në Shqipëri nuk ka tashmë ndonjë problem me heqjen e imuniteteve të deputetëve. Mjafton që prokuroria ta kërkojë, dhe Kuvendi është i gatshëm t’ua heqë imunitetin të gjithë të dyshuarve për korrupsion. Pra, problemi që ngre ambasadori, praktikisht nuk ekziston. Diagnoza e Ambasadorit është gabim edhe logjikisht: vërtetë ka deputetë të korruptuar tek ne, por ata nuk janë të korruptuar sepse “kanë imunitet”, por sepse politika shqiptare nuk e ka lënë vrapin të zhdukë korrupsionin, por të mbajë pushtetin në mënyrë të korruptuar. Politikës shqiptare aktuale u duhen pikërisht deputetë të korruptuar, që si rregull janë edhe pa personalitet. Heqja e imunitetit do t’i siguronte politikës sonë më me bollëk se sot, pikërisht deputetë të korruptuar, pra të kundërtën e asaj që mëton Ambasadori. Heqja e imunitetit në Shqipëri, kërkohet vetëm nga ata që duan t’i komandojnë deputetët si të duan, kërkohet vetëm nga ata që i duan deputetët të jenë të gjithë “yes-men” (njerëz që thonë vetëm po, që binden verbërisht). Kryesori i atyre që duan heqjen e imunitetit është kryeministri aktual, Sali Berisha. Deputetëve pa imunitet, ua mbyll gojën më lehtë Ai—ashtu si një terrorist vret më lehtë një marins amerikan pa veshje anti-plumb. Mendoni se ç’do t’u punonin deputetëve guximtarë e të lirë, si Spartak Ngjela, apo Gilman Bakalli! Sapo të ishin dukur shenjat e para të disidencës së tyre, kryeministri do t’i kishte marrë masat e “duhura”. Pra kryeministri do të thërriste “organet përkatëse”, edhe ato “të pavarurat”, ato që aktualisht dridhen prej tij, dhe do t’u “rekomandonte” (urdhëronte): gjeni një pretekst çfarëdo e mbylluani gojën atyre deputetëve. Dhe këto organe “të pavarura” janë të specializuara për poshtërsi, sepse janë të korruptuara, siç tha vetë dhe Ambasadori. Ata prokurorë dhe gjykatës, do t’u gjenin ndonjë shkak kot, Spartakut apo Gilmanit, sa për t’i sorollatur me muaj të tëra me hetime e pyetje kot, e në rastin më të mirë, do t’i nxirrnin “të pafajshëm për mungesë provash”. P.sh., “organet e pavarura” të shtetit tonë, do të kishin mundësinë të akuzonin, bile dhe ta arrestonin deputetin Bakalli, sepse ai paska “prishur pronën publike”, kur sharroi drynin e administratës së z. Berisha në majë të malit Tarabosh, atë dry që kishte mbyllur një stacion televiziv që kritikonte qeverinë. Natyrisht që deputeti Bakalli nuk do të kishte më mundësi as të diskutonte në Kuvend, as të jepte intervista për autoritarizmin e z. Berisha, sepse do t’i duhej të merresh me drejtësinë shqiptare të korruptuar ashtu siç tha Ambasadori. E ky shembull që dhamë, është më i thjeshti, se mos e thëntë zoti mor zoti Ambasador, mund t’i ndodhte zotit Bakalli, apo Ngjela, apo ndonjë guximtari tjetër, ndonjë gjë e ngjashme me atë që i ndodhi para ca vjetësh atij biznesmenit që thuhet se u vdiq në dorë organeve tona shqiptare “të pavarura”, në kohën që presidenti i tyre ishte po ky që sot është kryeministri, z. Berisha. Ne shqiptarët, tash 12 vjet i njohim mirë metodat e kryeministrit aktual, e po ashtu i dinë mire edhe miqtë tanë të ngushtë amerikanë, prandaj nuk po e marrim vesh këtë amnezinë (harresën) e Ambasadorit. I themi Ambasadorit, se deputetëve tanë, vërtetë që imuniteti nuk u siguron mbrojtje “100%” nga terrori politik, por ama ju shton mbrojtjen, i bën më pak të cenueshëm nga terrorizmi shtetëror shqiptar. Që ta kuptojë mirë Ambasadori, por edhe shumë shqiptarë, edhe veshja anti-plumb, nuk u siguron me 100% jetën ushtarëve të lavdishëm amerikanë, nga sulmet e terroristëve, por ama ua ul vdekshmërinë, prandaj e kanë me rregullore ta veshin në zonën e rrezikut të lartë. E pra, Shqipëria e sotme është një zonë e rrezikshme për deputetët e ndershëm dhe guximtarë, prandaj u duhet “jeleku i imunitetit”, për të mirën tonë, të popullit që mbrojnë—siç u duhet ushtarëve amerikanë që mbrojnë popullin amerikan dhe të të gjithë botës. Kur Shqipëria të ketë arritur standarde lirie dhe demokracie, diku afër Amerikës, natyrisht dhe deputetëve tanë do të vijë koha t’u hiqet imuniteti, por në asnjë mënyrë sot.