24 ore lajme: Anti-enciklikë: Çifti i ri i politikës së vjetër Anti-enciklikë: Çifti i ri i politikës së vjetër ================================================================================ Bashkim Kopliku on 03 May, 2008 11:44:00 Po mundoheshim të përqendroheshim në anët e mira të zotit Rama. Kujtonim anti-enverizmin e tij në vitet 1990-91, kur ai kritikonte edhe më ashpër se ne të PD-së (Partisë Demokratike). Me pjesëmarrjen në atentatin antikushtetues të 21 prillit 2008, PS-ja (Partia Socialiste) kërceu sipas dajres së z. Berisha. Tani z. Rama thjesht po i zë vendin z. Fatos Nano, duke krijuar çiftin e ri “të politikës së vjetër”: çiftin Rama- Berisha. Kishim filluar t’i ndiqnim me shpresë, enciklikat e “Papës” së PS-së, z. Edi Rama, për nevojën për bashkim, “përtej së majtës e së djathtës”, në një front kundër “të keqes kryesore të vendit, berishizmit” etj. Por tani na duhet të shkruajmë këtë anti-enciklikë, sepse z. Rama shkoi e u fut në strofën berishiste, kundër të gjithë atyre që i kundërvihen asaj të keqeje kryesore. Në gjuhën e kishës katolike, enciklika përkufizohet si “një letër qarkulluese apostolike (e organeve të papatit-sh.y.), që Papa i drejton në formë solemne, autoriteteve të larta të të gjithë Kishës (arqipeshkëve etj.-sh.y.), për çështje që kanë të bëjnë me doktrinën, me moralin apo me liturgjinë (diskutimin publik mbi fenë e krishterë-sh.y.), ose për tema të veçanta fetare, shoqërore ose filozofike, që u interesojnë të krishterëve ose të gjithë popujve.” Në gjuhën e PS-së, enciklika është komunikimi i kryetarit të PS-së (jo papës, sepse bëmë alegori më lart), me partinë e tij si dhe me shqiptarët. Kemi mospërputhje doktrinare me z. Rama, por po mundoheshim të gjenim pika takimi. E gjitha kjo në kuadrin e domosdoshmërisë së një fronti të gjerë kundër berishizmit, një front i tipit të koalicionit anti-hitlerian të Luftës së Dytë Botërore, ku u mblodhën kundër së keqes kryesore, kundër hitlerianëve, njerëz që normalisht do të ishin kundërshtarë politikë të vendosur. Një koalicion të tillë kishim bërë dhe në 1991-92, për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Po mundoheshim të përqendroheshim në anët e mira të zotit Rama. Kujtonim anti-enverizmin e tij në vitet 1990-91, kur ai kritikonte edhe më ashpër se ne të PD-së (Partisë Demokratike). Mendonim se ai nuk ishte në një parti me ne, në PD, thjesht si rezultat i mosmarrëveshjeve personale me persona të veçantë të komisionit nismëtar të PD-së. Pas 1998-ës, përqendronim vëmendjen tek punët e mira që kishte bërë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por kryesorja ishte se me z. Rama, po bëhej një dekomunistizim i thellë i PS-së, saqë po hiqeshin pothuaj të gjithë ata që kishin qenë anëtarë të Partisë së Punës (Komuniste), duke arritur saqë edhe në pozita udhëheqëse të PS-së në rrethe, të kishte edhe ndonjë që vinte ose nga të persekutuarit politikë të regjimit komunist, ose dhe nga partitë anti-komuniste, si Balli Kombëtar etj, ndërkohë që në PD-në e z. Berisha po ndodhte procesi i kundërt: komunistizimi i partisë. Por papritur z. Rama ndryshoi me 180 gradë. Goditi partitë “e vogla”, ekzistueset dhe ato të së ardhmes. Të voglat janë një potencial demokratizues i jetës politike të një vendi në hapat e para të demokracisë. Këto parti në total mund të përmbledhin mbi gjysmën e votuesve shqiptarë. E të heqësh nga jeta politike këta, apo t’u transformosh votën duke ua drejtuar me dhunë, drejt dy partive të mëdha, kjo do të thotë t’i shtosh berishizmit me disa fish shanset e mbijetesës. E gjithë kjo nuk shkon me “bashkimin kundër berishizmit”, që z. Rama promovonte jo pa elokuencë. Partive “të vogla” ekzistuese (opozitë e maxhorancë), po u hiqet me dhunë mundësia të provohen në një zgjedhje pa megadushk. E kemi fjalën si për ato të opozitës, të drejtuara nga Gjinushi, Milo, Ceka e pse jo dhe Xhuveli; si dhe për ato të maxhorancës, të drejtuara nga Ndoka, Pollo, pse jo dhe Mediu. Pas zgjedhjeve pa megadushk, ato parti që nuk do të merrnin dot votat minimale, pra nuk do ta kalonin dot pragun elektoral, do t’i kishte hequr nga Kuvendi vota e popullit, dhe jo vota për “ndryshimin e Kushtetutës”, e megadushkarëve të Kuvendit aktual. Goditi edhe partitë e reja që mund të lindnin (G-99 e z. Erjon Veliaj, PLD e z. Spartak Ngjela etj.), të cilave duhet t’u jepej mundësia të garojnë, e jo të mbyten me dhunë, që në “fëmijërinë e tyre”, me sistemin rajonal që synon t’i ulë me përdhuni në prehrin e të mëdhenjve: PS-së apo PD-së. Në një shtet që ka dalë nga një diktaturë, është shumë e rëndësishme që politikës t’i garantohet mundësia të provojë në rrugë të reja. Goditi LSI-në, tashmë një parti jo e vogël. Kryetari i LSI-së , Ilir Meta, por edhe të tjerët rreth tij, ngrenë një gjë të drejtë: po kundërshtojnë sistemin zgjedhor rajonal si dhe përdhosjen e Kushtetutës. Me to po synohet të zhduket nga Kuvendi partia e tyre. E kush nuk do të protestonte, po t’ia punonin kështu, aq më tepër një parti si LSI-ja, që në zgjedhjet e vitit 2005, megjithëse e vodhën megadushkarët, doli se doli me 8,4% të votave të vlefshme të zgjedhësve. Votimi nga Asambleja e PS-së, me “99,99%” pro sistemit zgjedhor rajonal (vetëm një votë kundra!), është një dëshmi indirekte e mungesës së lirisë brenda vetë PS-së: votuan sipas kryetarit. Duke bashkuar këtë fakt, me mungesën proverbiale të lirisë së brendshme në PD-në berishiste, merret vesh se cilët do të jenë kandidatët për deputet që do të nxjerrin në vitin 2009, këto dy parti. Nëse doni të shihni kopjet e deputetëve të ardhshëm të “rajonalit”, shihni kush është vendosur “në pozicionet kyç të pushtetit qendror apo lokal” nga këto dy parti-si këta do të jenë edhe ata të listave të mbyllura, ata që do të caktohen pa pyetur se ç’thotë baza (populli) për ta. Mbase ka edhe një motiv tjetër për atë votimin “99,99%”: flitet se në Asamble janë grumbulluar njerëz që nuk i do baza e PS-së, ose që nuk i njeh fare. Të gjithë këta mund t’i mbajë në politikë vetëm partitokracia, që e sjell ky sistemi rajonal. Deri ditën e fundit, më 21 prill 2008 (ditën e atentatit antikushtetues), patëm akoma shpresa se ishte një lajthitje politike, dhe se z. Rama do të reflektonte. Paskemi shpresuar kot! Z. Rama dhe z. Berisha po ia bëjnë si ata komshinjtë, që megjithëse shkojnë keq me njëri-tjetrin e shahen reciprokisht gjithë ditën, në heshtje edhe bien dakord që bashkërisht të shkelin ligjin apo moralin. Kështu, kur vjen puna për të shtyrë avllinë (murin e oborreve të tyre) që është në të njëjtën linjë, në buzë të rrugës, merren vesh pa folur, bile dhe duke vazhduar të shahen në publik. Vjedhin së bashku pronën publike, duke futur brenda oborreve të tyre, disa metra nga rruga apo trotuari “i popullit”. Z. Rama e z. Berisha, sapo kanë vjedhur nga Liria jonë. E kjo në kohën kur pritej që z. Rama t’i bënte mocion mosbesimi z. Berisha, për Gërdecin e për “një mijë të zeza të tjera, që i ka bërë këtij vendi”. Në Kuvendin ekzistues, gjëja e vetme që ka mbetur për të bërë, është mbledhja e firmave të 28 deputetëve, që atentati antikushtetues i 21 prillit të kalohet në referendum, me shpresë se populli do të rivendosë Lirinë dhe Demokracinë-a thua do të ketë së paku 28 burra (apo gra) në atë Kuvend?! Gjithsesi, të gjitha forcat anti-diktaturë, të djathta apo të majta, duhet të intensifikojnë përpjekjen e tyre për Liri dhe Demokraci, edhe pa PS-në, edhe jashtë Kuvendit, edhe duke e bojkotuar atë institucion për sa kohë do të jetë i barrikaduar me “zgjedhje rajonale”, me “kryeministër të paheqshëm”, me një “president rreshtor të kryeministrit”, me “komision zgjedhor të politizuar”.