Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Tatimet: Mbytje të vegjëlve, çoroditje të mëdhenjve

Tatimet: Mbytje të vegjëlve, çoroditje të mëdhenjve

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Tashmë qeverisja ka vendosur një biçim sistemi tatimor regresiv, që taton relativisht më shumë të vegjlit sesa të mëdhenjtë, dhe nga ana tjetër, jep mesazhe çoroditëse në vendimet e biznesit të të mëdhenjve. Të gjitha tatimet (tatimet dhe taksat) janë kthyer praktikisht në tatime në një vlerë absolute në para, që është një madhësi fi kse, pavarësisht sa është fi timi, çmimi apo treguesit e tjerë të biznesit. Qeveria po i bie shkurt: të mbushë buxhetin, pavarësisht se po vdes ekonominë. Rezultatet po ndjehen: rritje e çmimeve, rritje e papunësisë, por edhe rritje e sofizmave e mashtrimeve të qeveritarëve. Duhet ndaluar kjo papërgjegjësi, sa nuk është vonë fare.
Premtimi
Kjo qeverisje, kur desh të merrte pushtetin, në vitin 2005, premtoi të vetmen reformë të djathtë të saj, bile dhe shumë joshëse: “uljen e normës së tatimeve, dhe rritjen e bazës së tatimit”. Ja se ç’do të thotë kjo. Nga njëra anë, do të uleshin normat e tatimeve (shpesh në të folur i bien shkurt, duke thënë “tatimet”, dhe jo “normat e tatimeve”). Ja disa shembuj të normave të tatimeve: norma e tatimit mbi të ardhurat personale, e tatimit mbi fitimin e bizneseve, e tatimit mbi të ardhurat nga shitja e pasurisë së paluajtshme, e tatimit të vlerës së shtuar.
Nga ana tjetër, ulja e normës do të shoqërohesh me detyrimin e pagesës së tatimit, të shumë më shumë njerëzve dhe bizneseve. Pra do të ulesh evazioni fiskal (mospagimi i tatimeve).
Tatimet mbeteshin proporcionale: kush fitonte më shumë, paguante proporcionalisht më shumë, por duke iu mbajtur një vlere relative, një përqindjeje të njëjtë.
Premtohej se të ardhurat nga tatimet, jo vetëm të mos uleshin, por bile të rriteshin pak. Të ardhurat nga tatimet janë shuma gjithsej e parave që mbledh shteti në buxhet. Për një sistem proporcional, kjo shumë përbëhet nga shuma e produkteve të normave të tatimeve, me madhësitë për të cilat zbatohen normat, për të gjithë personat dhe bizneset që tatohen. Shpresohej se duke ulur normën, do të rritej shumë më tepër numri i madhësisë se treguar nga bizneset, mbi të cilën zbatohej norma, pra do të rritej numri i bizneseve që paguanin mbi bazë reale (kjo është ajo “rritja e bazës së tatimit”, që përmendëm më lart).
Ja një shembull i thjeshtuar, për të konkretizuar sa premtohej. Nëse fitimi real i një biznesi ishte 1 milion lekë, por biznesmeni raporton vetëm 100 mijë lekë fitim, atëherë me një normë tatim fitimi prej 25%, ai paguante 25 mijë lekë tatim fitimi (25% të 100 mijë lekë fitimi të deklaruar). Duke ulur normën e tatim fitimit në 10%, shpresohej se qeveria do të arrinte të detyronte biznesin që të raportonte së paku nja 500 mijë lekë fitim, që do të thotë se do të paguante së paku 50 mijë lekë tatim, pra më shumë se para kësaj ulje norme.
Realizimi i këtij premtimi, kërkonte nga qeveria që të bënte një punë intensive kundër evazionit fiskal, edhe kur atë e bënin militantët e saj. Evazioni duhej zbuluar, duhej goditur, duke synuar pagesën reale të tatimeve, proporcionalisht me normat, nga të gjithë njësoj. Realizimi i këtij premtimi, vërtetë që do t’i kishte dhënë një hov të paparë ekonomisë shqiptare.
Realitetit
Këto 2 vjet e gjysmë, qeverisja nuk qe në gjendje të mbajë premtimin. Kuvendi uli disa nga normat e tatimit, por qeveria nuk arriti të bëjë punën e duhur për rritjen e numrit të personave që paguanin tatimin real, pra nuk qe e aftë të ulë evazionin fiskal. Për të realizuar një gjë të tillë, do të duhej një qeveri që e ka mendjen tek përparimi i vendit, dhe jo tek kolltukët e pushtetit.
Buxheti po i mbetej bosh, dhe qeveria nxitoi të bënte “zgjidhjen” më të gabuar: praktikisht ndryshoi sistemin e tatimeve, nga proporcional në regresiv. I ktheu tatimet nga vlera proporcionale, në vlera absolute fiks, në sasi të caktuara lekësh, për grupe të tëra biznesesh, mallrash, shërbimesh etj. Si rezultat, të vegjlit paguajnë tatime që në përqindje janë më të mëdha sesa ato që paguajnë të mëdhenjtë. Por edhe të mëdhenjtë, paguajnë tatime relativisht më të larta, për mallra me çmime më të ulëta. Gjendja u bë edhe më keq se ç’ishte përpara. Mbeti vetëm mburrja qeveritare “për mbushjen e buxhetit me para” që janë thjeshtë shenjë i asfiksimit të ekonomisë.
Po ilustrojmë me një shembull. Norma e tatimit mbi fitimin e bizneseve, u ul në 10% (nga 25% që ishte). Por pastaj u caktuan fitimet, jo sipas realitetit, por sipas rregullave burokratike të qeverisë. U shpikën “fitimet e caktuara nga qeveria, me VKM (vendime të këshillit të ministrave) dhe me udhëzime”. Nuk do të dijë njeri nga ata të tatimeve, se biznesi paraqet prova të plota se fitimi i tij ka qenë shumë më i vogël sesa u del taksidarëve, mbi bazën e “formulave” që u ka dhënë qeveria. Kështu, për një grup të “ngjashëm” biznesesh, p.sh. u caktua një fitim 1 miliardë lekë (sepse “e fshehin fitimin ata të poshtrit, biznesmenët”, justifikohet qeveria). Si rezultat, llogaritet fitimi 100 milionë për të gjithë bizneset e atij grupi. I bie që tatimi i fitimit t’u kërkohet njësoj 100 mijë lekë, si bizneseve që realisht fitojnë vetëm 100 milionë lekë apo dhe më pak (pra u kërkohet 100% e fitimit e sipër, saqë falimentojnë fare); si atyre me fitim 500 milionë (pra këtyre 20% e fitimit); si atyre me fitim 1 miliard lekë (pra këtyre 10% e fitimit); si atyre me fitim 5 miliardë lekë (pra këtyre 2%); si atyre me 10 miliardë lekë (pra këtyre me 1%); e kështu me radhë.
Dhamë shembullin me tatimin e fitimit, por e njëjta gjë është bërë me të gjithë tatimet e tjera. Kështu, si rezultat i caktimit të çmimeve të importit (çmimet e referencës), TVSH-ja është kthyer në një tatim në vlerë fikse (norma 20% e TVSH-së, shumëzuar për çmimin e përcaktuar nga qeveria); përcaktimi i pagave fiks për një pozicion të caktuar punësimi në biznesin privat, bën që tatimi mbi pagat (të ardhurat personale) të jetë një vlerë fiks, e pavarur nga paga reale (kjo po falimenton shumë biznese që faktikisht nuk paguajnë pagat që thotë qeveria); tatimi mbi shitjen e shtëpive, trojeve etj. (pasuritë e paluajtshme), si rezultat i caktimit të çmimeve të shitjes dhe të vlerës së tyre që po sajohet këto ditë, po përgatit që tatimi mbi fitimin nga shitja të jetë një vlerë fiks, pavarësisht sesa është realisht.
Futja e këtij sistemi tatimor regresiv, ka shkaktuar tek ne, jo vetëm të kundërtën e asaj që bën e gjithë bota për bizneset e vogla (përkrahje dhe bile dhe me subvencionime), por ka çoroditur edhe bizneset e mëdha. Edhe të mëdhenjtë po i çmendin ato “çmimet e referencës”: një mall i caktuar “bën kaq lek”, sa ç’i thotë mendja qeverisë, pavarësisht se biznesi e blen shumë më lirë (apo dhe shumë më shtrenjtë, xhanëm!). Si rezultat i çmimit të referencës, bëhet një ekonomi shumë e përçudnuar.
E natyrisht, i gjithë ky absurd mbjell dhe korrupsionin: nuk u mbetet rrugë tjetër bizneseve për të mbijetuar, veçse ryshfeti e mashtrimi.
Kur dalin në masmedia, sidomos tek Zëri i Amerikës apo në forumet ndërkombëtare, përfaqësuesit e qeverisë kanë hipokrizinë të thonë se këto tatimet fiks “janë vetëm sa për të vënë në pozita pune organet e administratës”, dhe se gjoja tatimet paguhen proporcionalisht me vëllimin ekonomik të kryer etj. Por, çdo njeri që paguan tatime e di se e vërteta është krejt ndryshe: është ajo që shpjeguam më sipër.
Kuvendi, mazhoranca dhe opozita, duhet të kontrollojnë zbatimin e ligjeve, sepse vendi po shkon drejt katastrofës ekonomike, e cila sjell me vete edhe katastrofa komplete, përfshirë edhe jetën e njerëzve.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0