Kosova me Elektrikun, jo sipas Shqipërisë
Kosovarët do të gabojnë rëndë, po ndoqën shembullin e Shqipërisë për Elektrikun (për energjinë elektrike, përfshirë prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e saj): nuk duhet ta mbajnë pronë të shtetit, duhet ta privatizojnë sa më shpejt dhe çdo gjë. Fajtorët kryesorë për mbajtjen shtetërore të energjisë elektrike në Shqipërinë e pas vitit 1990, për mosprivatizimin me kohë të saj, janë dy drejtuesit e Shqipërisë: Fatos Nano dhe Sali Berisha.
Patëm dëgjuar kryeministrin Sali Berishën që po e këshillonte kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe dy nënkryetarët, Sabri Hamiti dhe Xhavit Halili, që t’i ndërtonin shtetërore termocentralet elektrike të tyre. Por fill pas asaj, ai bëri hatanë e madhe me Gërdecin, e prandaj po shkruajmë sot, me vonesë. Ja se ç’ u pat thënë kryeministri Berisha miqve kosovarë: “qeveria shqiptare parashikon dhe ka shpallur prej kohësh që të jetë një aksionare jo e parëndësishme në termocentralet që do të ndërtohen në Kosovë”. Nuk ka këshillë më të keqe për kosovarët, sesa t’i futen edhe ata etatizmit (statizmit), që konkretisht do të thotë: shteti të merret me aktivitet ekonomik (furnizimi i energjisë elektrike), në vend që atë t’ua lërë ta bëjnë privatët.
Ne do t’u thoshim kosovarëve: mos bëni gabimin tonë; privatizoni menjëherë çdo gjë që prodhon e furnizon energji elektrike në Kosovë; mos lejoni të ndërtohet asgjë e re nga shteti, as hidrocentrale dhe as termocentrale. Mos privatizoni “vetëm shpërndarjen e elektrikut”, siç deklaron tani ky kryeministri ynë, ndër kohë që duhet të privatizoheshin edhe të gjitha burimet, si hidrocentralet, termocentralet etj. Mos bëni gafa si ne me termocentralin e Vlorës, që po e ndërton shteti, me gjithë ineficiencat e prishjet e ekologjisë, që shoqërojnë ndërtimet e menaxhimet shtetërore kudo në botë, e sidomos në një shoqëri individualiste dhe të korruptuar, siç është shoqëria jonë shqiptare.
Do t’u thoshim më tej kosovarëve, se qeverisjet (qeveri, kuvend, drejtësi), dhe e jona, por dhe e tyrja, kanë mjaft punë të tjera për të bërë, e që privatët nuk i bëjnë dot, apo nuk i bëjnë dot aq mirë. Këto janë: vendosja e rregullave të lojës së Lirisë dhe Demokracisë (zgjedhje të lira, gjykata të drejta, administratë shtetërore eficiente, ambient i mirë biznesi, siguri e funksionimit të mirë të tregut të lirë etj.).
Kryeministri ynë, nëse do të donte të ndihmonte konkretisht Kosovën, mund t’i rekomandonte ndonjë investitor privat të fuqishëm, nga ata miqtë që thotë se paska në Japoni, në Amerikë, në Itali, në Zvicër, etj. Por, ata, investitorët privatë, është mirë të jenë të specializuar në ndërtim të termocentraleve. Natyrisht që investitorët do të fitonin—përse do të investonin xhanëm, nëse nuk do të fitonin?!—por do të fitonte edhe populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë—duket se të vetmit që nuk do të fitonin aq shumë, janë vetëm qeveritarët!
Nëse termocentralet në Kosovë do të mbeten në pronësi të shtetit, e aq më keq nëse do të ndërtohen të rinj, nga shteti, qoftë dhe nga një kompani private e zgjedhur nga shteti e për hesap të shtetit, atëherë nuk do të fitonte kurrkush. Shtetet si yni, por edhe ai i Kosovës, kur merren me aktivitet ekonomik, janë “të specializuara” për të prodhuar vetëm humbje, dhe jo fitim. Prandaj dhe u duhet lënë në duar investitorëve privatë, t’i gëzojnë termocentralet në pronësi të tyre private. Nuk do rënë viktimë e smirës dhe inatit se “do të fitojnë ata”, sepse me ta do të fitojnë të gjithë, pra i gjithë populli, si këtu në Shqipëri, si dhe në Kosovë. Do të fitonim energji elektrike të sigurt dhe me cilësi, por edhe me kosto shumë më të ulët për ekonominë në tërësi, sesa nga Elektriku shtetëror, me gjithë fshehjet e kostos reale që bën.
Ne në Shqipëri, kemi eksperienca tashmë pafund, për eficiencën e lartë të privatit, krahasuar me shtetin. Këto eksperienca shtrihen në të gjitha fushat e ekonomisë, duke filluar që nga telefonia, firmat e ndërtimit dhe të prodhimit, restorantet, hotelet, dyqanet e të tjera.
Shpesh dëgjohet justifikimi: “ta bëjmë fillimisht shtetëror, se e bëjmë me paratë e organizmave ndërkombëtare (Banka Botërore etj.), dhe pastaj, pasi të funksionojë ca kohë si shtetërore, edhe e privatizojmë”. Është thjeshtë një gënjeshtër. E para, paratë e organizmave ndërkombëtare që mund edhe t’i marrësh për termocentralet, zbriten nga paratë për investimet e tjera (nuk janë pa fund fondet që i jepen një vendi, qoftë dhe Shqipërisë apo dhe Kosovës). P.sh. zbriten nga paratë që mund të merreshin për ndërtimin e rrugëve, para që do të duheshin shumë më tepër aty, për rrugët. Kjo sepse është vështirë të gjesh investitorë privatë për rrugët, sepse privatizimi i rrugëve është shumë i vështirë, bile shpesh i pamundur.
E dyta, edhe vetë vendimi për të ndërtuar termocentralin, pastaj ndërtimi i tij, pastaj shfrytëzimi nga shteti (qoftë dhe për një kohë të shkurtër), dhe pastaj privatizimi, është një rrugë krejt joeficiente (pra me humbje të mëdha). Kjo sepse kryhet nga nëpunësit e paaftë dhe të korruptuar të shtetit, dhe jo nga privatët.
Analiza për të gjetur se përse ne kemi gabuar që nuk kemi privatizuar me kohë Elektrikun, përse Nano e Berisha kanë vepruar kështu, si etatistë tipikë, menjëherë do të na shpinte tek mendësitë e tyre komuniste, nga të cilat e kanë zor të shkëputen, sepse ishin komunistë të devotshëm deri në një moshë relativisht të madhe, mbi 40 vjeç. Apo do të na shpinte tek “babëzia e tyre për pushtet, ku Elektriku është vend punësimi militantësh” etj. Apo do të na shpinte tek mendësitë tona etatiste që i kanë rrënjët në ... Nejse, kjo analizë mund të zgjerohet në një shkrim tjetër. Këtu thjeshtë po paralajmërojmë kosovarët, të mos ndjekin shembullin tonë të keq.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj