Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Ftesë për NATO, pastaj bashkëqeverisje

Ftesë për NATO, pastaj bashkëqeverisje

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Delegacioni shqiptar në mbledhjen e NATO-s (North Atlantic Treaty Organisation) në Bukuresht, është i përbërë nga dy partitë kryesore të Shqipërisë: PD e PS (mungon LSI e PBDNj), opozita dhe mazhoranca bashkë. Na e dhanë ftesë shyqyr, sepse edhe ata e dinë mirë se vetëm, pa NATO-n, nuk bëhemi dot. Por një nga rrjedhimet logjike të kësaj ftese, duhet të jetë heqja e qeverisjes aktuale, me kryeministrin Berisha në krye: vendi duhet të drejtohet menjëherë, nga një qeveri teknike, e përbërë nga të katër partitë kryesore, e kjo deri në zgjedhjet elektorale të radhës. Kryeministri aktual duhet ta ketë të qartë, se po të ishte vetëm për atë, nuk do të na pranonte njeri në NATO.
Duhet të lutemi të na pranojnë në NATO sa më parë, sepse hyrja në NATO do të kontribuojë që të bëjmë me detyrim, gjëra që mbase nuk do t’i bënim kurrë vetë. E para, nuk mund të fusim vetë mendësinë dhe praktikën e zbatimit të ligjeve dhe procedurave në ushtri, pa ndihmën dhe dajakun e NATO-s. Kujtoni traditën tonë të ushtrisë me “shkollat e lira”, ku kishte një kope ushtarakësh që jo vetëm nuk bënin gjë gjithë ditën, jo vetëm që nuk bënin as stërvitje ushtarake, por helmonin shoqërinë tonë me shembullin e tyre të parazitizmit dhe të vjedhjeve të vogla në fabrikat e kooperativat bujqësore ku punonin—si gjithë shqiptarët e tjerë, xhanëm.
Dakord, pas 1991-shit, ndërroi situata, por jo aq sa duhet të ndërronte për “17 vjet”. Ne nuk na duhen vetëm dy-tre reparte elitë, që jemi në gjendje të dërgojmë në Afganistan, Irak e gjetkë: ne na duhen 14 500 ushtarakë elitë, që nuk lejojnë të ndodhin gërdecët, dhe jo ushtarakë të zot për të pastruar kufomat pasojë edhe e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së tyre.
Hyrja në NATO afron ditën e hyrjes në BE (Bashkimin Evropian). Hyrja në NATO do të na detyrojë të ecim më shpejt drejt demokracisë dhe lirisë. E kjo sjell me vete zhvillim politik, kulturor dhe ekonomik. E duke u zhvilluar nga të gjitha anët, i afrohemi më shpejt përmbushjes së parametrave të domosdoshëm për të hyrë në BE. Bile dhe në BE, do të luteshim të na pranonin pa pritur t’i përmbushim të gjitha kërkesat, sepse me siguri do të ngecim diku. E atë  ngecje do ta kalonim shumë më shpejt duke qenë brenda në BE, sesa duke u përpjekur ne vetë jashtë saj. Po nejse, do të flasim prapë kur të vijë koha për BE-në.
Por ne nuk e meritojmë me këtë kryeministër që kemi, të hyjmë në NATO, gjë që e vërteton jo vetëm “Gërdeci”, por dhe “një qind gjëra të tjera”. Mos u impresiononi se kryeministrin që kemi, e kanë takuar gjithë ata burra shteti. Kemi sa e sa të “vjetër” të takuar: kryeministri i Italisë ka takuar edhe Zani Çaushin e Vlorës, në 1997; apo Enver Hoxha kë nuk ka takuar etj.. Na kanë bërë ftesën për në NATO, me shpresë se ne do të dimë të reagojmë si duhet: së paku mos të kemi më në krye këta të “vjetrit”. Nëse pas Bukureshtit, prapë do të mbetemi me këtë kryeministër që kemi, natyrisht që kemi bërë një vërë (birë) në ujë. Jo, tani që morëm ftesën, duhet të krijohet një qeveri teknike, apo një “qeveri koalicioni”, quajeni po të doni. Kjo qeveri duhet të çojë vendin drejt zgjedhjeve, duke përmbushur minimumin e kërkesave demokratike: mos të vidhet e mashtrohet gjatë votimit
e numërimit të votave. Kjo teknikisht do të thotë që qeveria teknike duhet të bëjë kartat e identitetit, që kjo qeverisja aktuale, nuk duket se do t’i bënte as për “100 vjet”.
Është në përputhje me dëshirën e votuesve të vitit 2005, që vendi ynë të qeveriset për disa muaj, nga partitë kryesore të spektrit politik, kryesisht nga PD, PS, LSI dhe PBDNJ. Kjo sepse në zgjedhjet e korrikut të 2005, këto parti kanë marrë vota të afërta: PD etj., 45.3% të votave të Kuvendit, PS etj. 41.3%. LSI 9.0%, PBDNj 4.4% (bile PS+LSI arrin shumicën absolute!). Pra, asnjëra prej këtyre partive nuk mund të kishte shumicën në Kuvend, pa u bërë hiletë me megadushkun e blerjet brenda Kuvendit. Kaq ndryshonin rezultatet zgjedhore në Gjermani, që detyruan qeverisjen e sotme në koalicion të partive kryesore të këtij vendi të madh e të përparuar: e përse mos të bëhet kjo gjë edhe tek ne?!
Një qeveri teknike, si kjo që po diskutojmë, është krijuar në vitin 1991, edhe nga ne, shqiptarët, pa Gërdec fare, vetëm me grevën e minierës së Valiasit, dhe me grevën e të përndjekurve politikë: kaq i pati mjaftuar partisë së punës (komuniste), për të pranuar lënien e pushtetit pa gjak, dhe duke ndërruar emrin në socialiste, të fillonte pas pak ditësh, rrugën e saj të mundimshme, nga ekstremi i majtë (komunizmi) drejt një partie të qendrës së majtë. Partia e berishizmit duhet të bëjë së paku atë që bëri para saj, edhe një parti komuniste.
Le të urojmë që ftesa për në NATO, do të sjellë në vete njerëzit e ndershëm që janë akoma në strofkën e kryeministrit Berisha, që të kuptojnë dhe të marrin guximin e të thonë: boll më me të.
PD-ja duhet të kthehet aty ku ishte në vitin 1992 (kur “pat pasë pasë pasë fituar” zgjedhjet pa hile dhe pa mashtrime), duhet të kthehet tek qendra e djathtë, duke e lënë rendjen berishiste pas ekstremeve të majta.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0