Eksplozioni, tek ne, jo në Amerikë
Vërtetë që mundet që ajo firma amerikane, ajo e atij 22-vjeçarit që shitka armë për llogari të ushtrisë amerikane, mund të ketë gjithë ato shkelje ligjore dhe gjithë ato veprime mafioze. Por ajo ka punë me qeverinë amerikane, dhe jo me ne: le t’ia lëmë Amerikës të merret me të, se ajo i rregullon punët e veta, pa nevojën tonë. Ne të rregullojmë punët e pista tonat, për të cilat kemi faj ne, dhe mos të fshihemi pas halleve të të tjerëve.
Zhvendosja e diskutimeve rreth problemeve në vende të tjera, kontribuon për të zvogëluar fajin e qeverisë sonë shqiptare. Na kujtohet dikur në komunizëm, që sa herë kishte një ngjarje në Shqipëri, të gjithë gazetarët e qeverisë së kohës, shpejtoheshin të sillnin nga bota, lajme për ngjarje të ngjashme, e mundësisht dhe më të rënda se jona. Kështu, kur tek ne mungonin ushqimet, edhe ato të talonit famëkeq ushqimor komunist, nxitonin të nxirrnin pamje nga Bangladeshi e vende të tjera, ku njerëzit po vdisnin nga uria. Edhe ky përqendrimi, edhe në Kuvend, rreth komentit të “New York Times” (NYT) (një nga gazetat më prestigjioze të Botës), po bën efektin e kundërt: po na rrenë mendjen se paska edhe më keq, bile dhe në shtetin më të përparuar të botës, në SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)”.
Më keq se Gërdeci ynë, ka pasur, por po tek ne, në 1997-n, 1998-n etj.: nuk kemi nevojë të krahasohemi me jashtë, sepse kemi mjaft të brendshmet tona. Le që fajësia politike e qeverisjes, për eksplozionin e Gërdecit, është aq evidente, saqë nuk ka nevojë për krahasime, as për t’u rënduar, dhe as për t’u lehtësuar. Kanë filluar të hedhin edhe ide konspirative, të gjithë berishistët në terren—nuk ua mban t’i hedhin në masmedia, se i dëgjojnë amerikanët, dhe të gjithë ata të Natos. Kanë filluar të thonë se “Gërdeci është një sabotim grek”, apo se është një “serb”, apo se mund të jetë dhe një sabotim i “qarqeve anti-republikane në SHBA”. Ç’ nuk dëgjon nga ata. Është po ajo taktikë e vitit 1997, kur PD-ja e kohës u transformua në 180 gradë kundra: nga një parti pro-amerikane, në një si parti komuniste, në ekstrem anti-amerikane. Atëherë, për të nxjerrë të pastër presidentin Berisha, kalohej në çdo lloj ekstremi, deri dhe që “Klintoni (presidenti i SHBA) është komunist, se po lë të vinë në pushtet socialistët”.
Po edhe sot, doktrina bazë berishiste mbetet po ajo e hershmja, po ajo e Enver Hoxhës, me “Imperializmi amerikan dhe socialimperlializmi sovjetik”: na e paskan fajin të huajt, se ne vetë qenkemi fare në rregull. Shumë gazetarë po bëjnë këtë herë një punë investiguese (hetimore, kërkuese etj.) që po ua kalon edhe prokurorëve të botës (prokurorët tanë nuk janë pikë krahasimi, sepse e kanë mendjen tek ryshfetet e përfitimet e pamerituara dhe në shkelje të ligjit). Pra gazetarët shqiptarë, sidomos ata të Gazetës Shqiptare, po japin aq material akuzues penale, kundër kryeministrin dhe skotës së tij (por edhe për kryeministrat para tij), saqë do ta kenë të vështirë ta groposin këtë çështje, varësit e zonjës Rama, prokurores së republikës.
Po, po, ta groposin të vërtetën, sepse këtë gjë ka bërë prokuroria shqiptare, që kur është krijuar. Materiali investigues i gazetarëve, ai që hedh dritë mbi mafien shqiptare, politike dhe ekonomike, mbi berishët, meditë, delijorgjët, pinarët etj., kësaj here ka shanse të mos groposet dot aq lehtë nga drejtësia në (prokuroria dhe gjykata), nga që po ngrihet vetëdija popullore për fajin politik. Por mos u bëni naivë të mendoni, se prezenca në hetime e prokurorisë, e specialistëve amerikanë (thanë se FBI etj., paska nisur disa specialistë për “Gërdecin”), do ta rregulluaka këtë punë; pra ne shqiptarët prapë shpëtuakemi, sepse do të na e bëkan punën të huajt, amerikanët.
Jo, ata specialistët amerikanë do të kontribuojnë teknikisht, por nuk mund t’u kundërvihen urdhrave politikë të shtetit ku veprojnë, sepse kështu janë principet e mosndërhyrjes në punët e brendshme, sidomos në vendet mike, si yni: amerikanët e kanë klasifikuar si vend mik, Shqipërinë. Problemin politik shqiptar, duhet ta zgjidhim ne vetë: mos të kemi shpresë t’i biem qylit. Faji politik i z. Berisha ishte i qartë që ditën që eksplodoi “Gërdeci”, tani duhet të punohet vetëm për dokumentimin dhe vërtetimin edhe të fajit penal, që ka gjasa se është aty, direkt tek kryeministri, apo fare afër tij. Por mos e hani diversionin: mos u merrni as me Bushin, as me Obamën etj., se fajtorët i kemi brenda, mes nesh, shqiptarëve.
Një sqarim në fund. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: sa shkruhet në NYT, ka ngarkesa të mëdha të fushatës për president në SHBA, në një farë mënyre, është një kritikë kundër qeverisjes republikane të vendit, nga një gazetë që shpesh shihet ta bëjë këtë gjë, opozitën demokrate: është e drejtë e saj. Por ne shqipot, nuk kemi sepse të marrim anësi në fushatën elektorale amerikane. Për ne, si të fitojë një president republikan, si një demokrat, njësoj është: miku ynë më i madh aktual, do të mbetet prapë se prapë Amerika.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj