24 ore lajme: Rama si Obama Rama si Obama ================================================================================ Ilva tare on 11 February, 2008 04:33:00 Hillary Clinton është arsyeja dhe Barack Obama është zemra. Kështu e kategorizonte çiftin demokrat presidencial një analiste e njohur medias amerikane, që nuk e fsheh dashamirësinë për karizmatikun Obama.Kush do ta mendonte në fillimet e viteve ‘80 kur lëvizja feministe mori hov, se dy dekada më vonë një grua do të kandidonte për President në shtetin më të fuqishëm të globit dhe madje mund të etiketohej si mishërim i arsyes. Shumëkush mund të gjendet sot përpara një tejkalimi të pritshmërisë për një barazi të vërtetë mes gjinive. Megjithatë kërkimet dhe studimet e akademikëve në të ardhmen premtojnë të merren gjerësisht me shkaqet dhe pasojat që do të sjellë femërizimi i arenës ndërkombëtare politike. Për momentin reflektorët janë drejtuar në SHBA dhe plotësisht mbi Hillary Clinton, duke filluar që nga përlotja e saj, që u sulmua ashpër nga media, e deri tek deklarata se në Shtëpinë e Bardhë ajo do të veshë pantallonat, dukë nënkuptuar kontrollin autoritar ndaj Baill-it, ish-Presidentit amerikan. Për hir të së vërtetës, mjafton të dëgjosh fjalimet pas fitoreve të radhës të të dy kandidatëve për President dhe e kupton pse Hillary është arsyeja dhe Obama zemra. Ajo është e kontrolluar, e logjikshme dhe zotëruese e mirë e euforisë. Ai është njeriu që flet me dorën në zemër, me fjalorin e zemrës, duke hyrë fort në zemrat e të gjithë atyre që shohin tek i biri i ish-bariut nga Kenia, realizimin e ëndrrës amerikane.Më ka munduar së fundmi gjetja e karaktereve të ngjashme në politikën shqiptare gjatë nëpërcjelljes së vëmendshme të zgjedhjeve për kandidatët presidencialë në SHBA. Sigurisht që nuk ka gjasa të hiqen paralele identifikuese, megjithatë arsyen nuk e kam gjetur tek asgjë politikan apo politikane e Tiranës. Kush më shumë e kush më pak, pothuaj të gjithë ata që sot kanë zaptuar skenën politike, kanë dështuar në misionin për të vendosur arsyen madhore mbi interesat personale. Andaj, nuk gjej ndonjë Hillary në Shqipëri. Porse Obama i ka shanset të ketë një imitues të stilit të tij në Tiranë, dhe ai është Edi Rama. Nëse nuk janë shprehjet e vetë kryetarit socialist, duhet të jenë patjetër të fjalimshkruesve të tij të frymëzuar nga modeli Obama. Ka vetëm një ndryshim. Barack Obama vjen nga shteti i Illinois për të drejtuar amerikanët nga Washington DC. Ndërsa Rama ka pak muaj që ka lënë Tiranën, për të realizuar për herë të parë një tur turistiko-informues nëpër fshatrat të largëta të Shqipërisë, për të denoncuar atë që ai e quan varfëri të shkaktuar nga Berisha. Në vende të tilla, ku eskorta e gazetarëve dhe kameramanëve, është më e madhe se numri i banorëve të fshatit, është e lehtë të luash zemërthyerin përpara listave të varfërisë. Sikur e gjitha kjo të mos ishte strategji fushate dhe ndërtimi imazhi i huazuar po nga amerikanët, Rama do të mund të arrinte të ngrinte peshë zemrat e shqiptarëve, sikundër Obama ia del për mrekulli në vendin e tij. E megjithatë, mesazhet e dala prej zemrës janë shumë më autentike se pozimet përpara kamerave të një realiteti që ka dekada i shtrirë këmbëkryq cep më cep të Shqipërisë. Madje edhe kur në pushtet nuk ishin “të vjetrit” që Rama sot sulmon, por edhe “të rinjtë”, që dje ishin me Nanon dhe sot e pasndjekin. Përtej oqeanit një 47-vjeçar po u jep zemër të gjithë amerikanëve. Ndërsa shqiptarët po i lë dita-ditës shpresa se njerëz që kuptojnë e flasin me zemër do mund të merren ndonjë ditë me politikë.