Faqja e Pare | Analiza | Ilva Tare | Kur korruptohen te medhenjte

Kur korruptohen te medhenjte

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image NYTimes rreth trafikut te Armeve

Në shtator të vitit 2003 falë një programi të Departamentit Amerikan të Shtetit u përzgjodha për realizimin e një dokumentari televiziv në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kishte kaluar plot një vit nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit dhe bota kishte ndryshuar rrënjësisht, për pasojë edhe media.
Zgjodha si temë të dokumentarit median amerikane dhe ndikimin që patën sulmet terroriste në atë që në gjuhën gazetareske kishte filluar të quhej periudha para dhe pas 11 Shtatorit të zi.Midis më shumë se tridhjetë të intervistuarve për “Media, mision apo biznes” të transmetuar në “Vizion Plus” ishte dhe një nga drejtuesit e lartë të prestigjiozes “New York Times”. E kujtoj ende emocionin e asaj interviste dhe kuriozitetin për të vizituar selinë qendrore në zemër të Manhatanit.Një York Times është pa më të voglin dyshim një nga ikonat e shtypit të shkruar, dhe pavarësisht skandaleve të herë pas hershme që e kanë prekur, ka mundur të ruajë dinjitetin e një gazete serioze. Asokohe ishte ende i freskët skandali i gazetarit me ngjyrë, Jayson Blair, që shkruante nga kompjuteri i shtëpisë duke pretenduar se rrëfente nga terreni.

Të tjerë skandale kanë pasuar, porse “New York Times” ia ka dalë të mbetet autoritare, aq sa shumëkush mendon se po të të përmendet emri, je i dënuar nëse shahesh dhe i nderuar në lëvdohesh. Gjatë bisedës me drejtorin e Lajmeve në “New York Times”, Thomas Carley ndërmend se gazetaria cilësore dhe ruajtja e standardeve ishte brumi me të cilin gatuheshin 1 milion kopjet e shitura për çdo ditë.

E gjithë kjo hyrje e gjatë besoj të më ketë ndihmuar për të shpjeguar simbolikën e të qenit vend i përmendur në kryeartikullin e “New York Timës”. Megjithatë s’mund të lë pa përmendur një detaj që duket se shumicës i ka shpëtuar nga vëmendja në Tiranë. Dhe kjo është arsyeja, shtysa e hetimit të gazetarëve amerikanë.
Në shënjestër të investigimit, sikundër duket qartë edhe nga shkrimi, nuk ka qenë Mediu, Berisha apo Delijorgjët e Tiranës. Nën hetimin gazetës së krijuar që në 1851-shin, është vënë qeveria amerikane dhe Pentagoni, me kontraktimin e qindra milionë dollarëve me pronarin 22-vjeçar të kompanisë që do të furnizonte me armë Afganistanin.

Emri i Shqipërisë dhe të korruptuarve të saj të mundshëm ka dalë pothuaj rastësisht rrugës përgjatë hetimit të Efraim Diverolit. Dhe siç ndodh në raste të tilla, gazetarët iu drejtohen kontakteve që kanë nga ky vend i panjohur për ta, sikundër Shqipëria është.

Nga ky moment duket se është aktivizuar mina mediatike që shpërtheu pak ditë pas Gërdecit. Kontakti i “New York Times”-it thuhet që ka qenë fillimisht një shqiptaro-amerikan i cilësuar nga shtypi si një individ i tërbuar kundër Nanos dhe Berishës. Ky njeri i njohur në Tiranë për lidhjet me disa të rinj, të cilët së bashku me Ramën pritet t’i thonë “mjaft” politikës së vjetër, u ka besuar këtyre miqve “kujdesin” për gazetarin amerikan në investigimin e tij për trafikun e armëve.
Në respekt të parimit profesional gazetari i New York Times pohon në një intervistë të një dite më parë në shtypin shqiptar se burimet e tij në Tiranë i kanë kërkuar të mbeten sekret. Anipse, për ata që janë në dijeni se kush e shoqëroi dhe i ndërmjetësoi takimet e investiguesit amerikan muaj më parë, duket se prapavija a ndoshta edhe hakmarrja politike ka qenë e pamundur të shmanget.

Është absolutisht e papranueshme çdo përfshirje e zyrtarëve shqiptarë në aferat korruptive të tregtisë së armëve dhe aq më shumë të ministrave të Berishës që morën pushtetin në 2005 duke u çjerrë për tolerancë zero ndaj korrupsionit. Nuk kam asnjë dilemë për gjetjen dhe ndëshkimin e fajtorëve vetëm nga drejtësia dhe asesi nga procese të manipuluara për interesa politike.

Megjithatë e kam një dilemë dhe ajo lidhet me alarmin që po japin në media disa të prekur, madje edhe të turpëruar nga ky skandal ku përmendet Shqipëria. Sikur nuk ka shumë vend të ndjehemi më shumë të turpëruar dhe më pak krenarë se vetë qytetarët amerikanë, të cilët duket se janë mashtruar nga Ministria e tyre e Mbrojtjes. Dhe flasim për Pentagonin, jo për muret e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë që u kanë shitur gjithçka, për të mos thënë falur, partnerëve të mëdhenj, siç është SHBA-ja.

Andaj, uroj që ne shqiptarët të mos ndjehemi më të turpëruar se amerikanët nga ku ka nisur zanafilla e trafikimit të trukuar të armëve dhe pavarësisht se nuk kemi ndonjë arsye për të vajtur me kokën lart në Bukuresht, duhet të ndërgjegjësohemi për pasaportën ndërkombëtare që mbart korrupsioni. Të majtë e të djathtë në Shqipëri e dinë mjaft mirë këtë, porse u pëlqen të marrin sadopak kapital politik sa herë kundërshtarit i bie këmba në grackë.

E marr me mend si ndjehet nëna e një ushtari amerikan të vrarë në Afganistan pas botimit të artikullit në “New York Times” dhe aferave me armët që Pentagoni vrapoi t’i hetonte pas një denoncimi mediatik. Ashtu sikundër marr me mend pse njerëz të përfshirë në këtë skandal në Tiranë kanë jetuar të qetë, me idenë se në fund të fundit vetë amerikanët, ata që politikanët shqiptarë i shohin si zotër, duken të përlyer kokë e këmbë.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2009 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0