24 ore lajme: Raca e pavdekshme e zyrtarëve të keqpërdorur Raca e pavdekshme e zyrtarëve të keqpërdorur ================================================================================ Kico Blushi on 25 July, 2008 06:44:00 Administrata jonë, që tash quhet “civile”, është një administratë e destinuar të jetë mercenare në kuptimin më të qartë e më vulgar të kësaj fjale. “Qeveria e shërbesës dhe e shërbimeve”, tanimë nuk ka më nevojë për komente të mëtutejme analistësh për kaosin dhe zullumet, dëmet materiale dhe morale që i ka shkaktuar shoqërisë, demokracisë shqiptare. Administrata shqiptare, më së shumti është rrëmbushur me nëpunës të përdorur, madje të keqpërdorur, nëpunës që me një tjetër fjalë, disi më dinjitoze, sot quhen militantë, besnikë të partisë, (më saktë duhet thënë: të familjes, më troç: të shefit të madh). Përndryshe zyrtarët, ose përjashtohen, ose i zë “reforma”, ose quhen “të paaftë”, “xhaketa të vjetra”, “të pareformuar” etj. Nuk besoj që të gjendet ndonjë zyrtar në Shqipëri, në çfarëdo niveli, që të ketë qëndruar në të njëjtën zyrë më shumë se katër vjet! Po u gjend ndonjë i tillë, duhet dekoruar! Për këto arsye, pra të mënyrës së përzgjedhjes me kritere që nuk burojnë nga aftësitë profesionale, këta zyrtarë të lartë e të ulët, që drejtojnë punët e fondet publike, janë në të vërtetë të tredhur moralisht. Ata janë më se të bindur që në ditën e parë të emërimit, se funksioni i tyre nuk është t’i shërbejnë sa më mirë e sa më ndershmërisht publikut, por shefit, gjë që, tek e fundit do të thotë, interesit vetjak, d.m.th, xhepit. Ndaj, nëse në Ministrinë e Mbrojtjes do të kishte qoftë edhe një zyrtar apo ushtarak me dinjitet e integritet moral të mjaftueshëm, Gërdeci, në mos do të ishte shmangur, do të ishte paralajmëruar. Por kjo ministri (si të tjerat) ishte mbushur me besnikë “me kokë” të ministrit, me të emëruar direkt prej tij, me anëtarë e kryetarë të Partisë Republikane të sjellë nga provinca, me ca hiça anonimë të transformuar me firmën e ministrit në zyrtarë të lartë, zyrtarë të cilët, sikundër po del tani, ndonjë syresh edhe diplomën e shkollës së lartë e paskësh falsifikuar! Ç’do të ndodhë me drejtorët e arsimit nëpër qytete, me ata që ishin emëruar nga Pollo e që shumica e tyre ishin krerë të PDR-së, tash që “na iku ministri”? Ç’do të ndodhë me demokristianët e Ndokës, që kanë pllakosur e taposur të gjitha rubinetet e parave të shëndetësisë, aq sa edhe ilaçe nuk ka nëpër spitale? Në hall të madh do të jenë gjendur të gjorët këto ditë, teksa presin me gjak të ngrirë “kthimin e tyre në identitet”! Kjo pra është fytyra e vërtetë e administratës sonë, të quajtur me demek “civile” e të mbrojtur, me demek, me një ligj të posaçëm nga Kuvendi! Ndaj nuk ka gjë më të shkërbërë, më të keqpërdorur e më të keqndërtuar në Shqipëri se administrata civile, se nëpunësia shtetërore, e ngjyrosur dhe e ngjizur kësisoj si dobiçe nëpër skuta më shumë se profesionalisht apo politikisht, farefisërisht, klanërisht, qenërisht, përdhunisht, mercenarisht, allishverishtërisht, lepeqepërisht, padijenisht nëpër gjirizet e politikës sonë arnaute! Prandaj punët publike nëpër bashki e komuna, nëpër zyra, nëpër dogana, nëpër dikastere, në qeveri, në komisariate policie, në tendera e në spitale, në partira e në grupet parlamentare, në tatimet e në strukturat ushtarake, pra në kudo ku ka dhe fonde publike…neve na venë keq e mos më keq edhe për faj të kësaj nëpunësie të nëpërkëmbur, pa dinjitet, lëtyrë e pa fytyrë që pranon të përdoret e prostituohet moralisht nga shefat, më keq se një zagar gjahu që lipset vetëm për të ndjellë e për të çuar “prenë e radhës” mu te gryka e “çiftes” të shefit të madh! Shembull i kësaj shkërbërjeje të ndyrë morale nëpër institucione janë edhe të dhënat e INSTAT-it, së fundi! Ndaj, që në ditët e para të qeverisjes berishiste, fill pas zaptimit të RTSH-së, u bë edhe ndërrimi i ekipit në INSTAT, më pas iu ndërrua brava kryetarit të Qendrës për Mbrojtjen e Nëpunësit civil, që të jepen rezultate të larta për mirëqenien e popullit e për rritjen tonë të paparë ekonomike, (“me dy shifra”) si dhe të mos guxojë kush të ankohet që e ka zënë me të padrejtë “reforma”! *** Por shembulli më i shëmtuar i keqpërdorimit të zyrtarëve sejmenë u dha para ca ditësh mu në sallën e Kuvendit, pas mesnate! Mjafton të dëgjosh reagimin aq vulgar e tejet banal të kryetares së Kuvendit, reagim që nuk i ka hije as një pastrueseje të turnit të natës të plehrave të Shkodrës, për t’u bindur se sa të keqpërdorur e të deformuar moralisht janë jo vetëm nëpunësit e vegjël, po edhe zyrtarët e nivelit më të lartë! Nuk mjaftoi kjo, po të nesërmen, Berisha urdhëroi një deputet të bindur të lexojë në publik një deklaratë “në emër të grupit parlamentar të PD”-së, ku paturpësisht fajësohej ai që u sha nga nëna e nga motra me fjalë rrugaçësh, ai që iu bë “motra prostitutë motelesh”! E të mendosh që ky deputet “zëdhënës” i paturpësisë publike ka qenë, para ca muajsh, Ministër i Drejtësisë! A ka vend në botë ku mund të bëjnë vaki të tilla mysybete?! A ka nëpunës të vogël që, pas këtyre shembujve, pas këtij modeli që vjen nga Kuvendi e nga sferat tona më të larta, të guxojë të mos pranojë të vetëleqendiset publikisht para shefit?! Duke e ditur që janë të përkohshëm, nëpunësit tanë, të nivelit të ulët por edhe të lartë, janë edhe kollaj të përdorshëm: emri i tyre i saktë në të vërtetë është zoti/zonja Lepepeqe. Tash që po afrohen zgjedhjet parlamentare e që me ndryshimet e ligjit zgjedhor, kompetencat e kryetarëve të partive u forcuan, këtë dukuri (të vetëleqendisjes publike) do ta shohim edhe më shumë te krerët e lartë, te ata “të zgjedhur” që do të duan të mbeten, apo të bëhen nesër deputetë! Krijimi i një grupi parlamentar të Qendrës ishte prologu i farsës parlamentare që përfundoi me sherrin e radhës të Berishës me deputetin e opozitës Balla. Në fillim të seancës, deputetët e majtë që e bënë Topin president, u bashkuan me ca demokristianë dhe ca demokratë të falur dhe shpallën formimin e grupit parlamentar të Qendrës, për “t’i hapur krahun” Berishës për ndryshimet në qeveri. Ky veprim, krejt i hapur, pra pa pikë turpi e përgjegjësie morale për zgjedhësit, ka lidhje me “listat” e ardhshme për deputetë, si dhe me ndonjë tender të mundshëm në vitin e fundit të qeverisë… Ne pra, “na shërbejnë” ca vegla qorre që nuk e njohin turpin publik, që nuk çajnë kokën se ç’mendon populli për ta, se mungesa e turpit publik atyre u jep kredenciale më të sigurta e më afatgjata te kryetarët, se kredencialet që mund të japë vota e popullit. Ndaj ata janë të kollajpërdorshëm jo vetëm nga Doktori, po edhe nga kushdo tjetër që u ofron mjaltin e “hidhur” të korruptimit në buzën e etur për pushtet, në një pushtet okult që prodhon pasurim të shpejtë! Punët e shtetit, interesat e publikut, mbarëvajtja e shoqërisë, përparimi i vendit, begatia, mjerimi apo mëkëmbja ose nëpërkëmbja e popullsisë, opinionbërja brenda dhe sidomos jashtë vendit (imazhi), ligji dhe respekti për të, korrupsioni dhe degradimi moral, pra fytyra reale e shtetit dhe e kombit janë më tepër në duar të këtyre lapërdharëve e zuzarëve pa din e pa iman, se sa të shefave të tyre fodullë e të vetëngopur që na bëjnë moral natë e ditë! Këta zyrtarë, aq më pak janë në dorë të qytetarëve të pafuqishëm që kanë votuar për ta! Është hordhia e këtyre nëpunësve faqezinj që e detyroi BE-në, para ca ditësh, të marrë masa ndëshkuese, të rënda e të papara për Bullgarinë e më pas, si duket, edhe për Rumaninë, vende që u pranuan si anëtare me të drejta të plota në BE...Administrata civile në këto shoqëri qenkësh jo vetëm e korruptuar, po edhe bashkëpunëtore me krimin e organizuar që ka gllabëruar miliarda euro nga BE-ja, dhe pse në këto shoqëri është bërë e vështirë për t’u vendosur Drejtësia, për shkak të martesës së krimit me pushtetin! Ky kërcënim, për shoqëritë e integruara konsiderohet një rrezik i madh jo vetëm për këto vende, po edhe për të gjithë anëtarët e BE-së, pasi e keqja, pra krimi dhe korrupsioni janë si një epidemi ngjitëse që nuk njeh kufij! Në këtë kuptim, paralajmërimi për Bullgarinë është një paralajmërim tepër serioz edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor që vuajnë të njëjtat probleme me administratën civile e sidomos për ne që, me sa duket, këto sëmundje i kemi më të rënda e më keqsjellëse se Maqedonia, po edhe se Bosnja, ku nuk përfytyrohet të ndodhë që kryeministri të harbutërojë në parlament, para kamerave, publikisht, aq paturpësisht si Berisha! Sjellja e tij dëshmon se si mund të sillet ai me vartësit e tij, me administratën civile, me aleatët dhe me anëtarësinë e partisë të tij, derisa guxon e shkërdhatëron mbarë e prapë Kuvendin, pra jo vetëm deputetin e opozitës, në mënyrë aq të përsëritur! Prandaj është e kotë të investigosh e të pyesësh se ku jemi ne me administratën civile, krahasuar me këto vende që i kapërcyen më lehtë se ne shkallët dhe provimet e vështira të Asociimit, pasi një përgjigje të saktë e merr sapo shikon kronikën në fjalë, apo sa kalon kufirin në Rinas e ndeshesh me një zyrtar a polic dogane, le më pastaj të kesh të bësh me administratën e lartë për ndonjë investim apo tender të rëndësishëm… Vetë fakti që Brukseli dhe jo pak kancelari të rëndësishme të BE-së po japin kohët e fundit përshtypjen se janë nxituar për pranimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë, janë një ndëshkim i paralajmëruar dhe shumë domethënës sidomos për ne që duket sikur po i afrohemi dyerve të BE-së, po në fakt i largohemi, si në një iluzion optik. Këtë gjë e tha fare qartë, para ca ditësh Franca, nëpërmjet gojës së një sekretari të Ministrisë së saj të Jashtme, fill pas kthimit “triumfal” të Berishës nga Parisi e nga takimi për Bashkimin e Mesdheut. E për këtë, natyrisht që e ka fajin administrata jonë e ashtuquajtur “civile” e sidomos ata që e kanë ngritur, përdhosur, ngjizur e më pas edhe përdhunuar atë dita-ditës! Makiaveli, shekuj më parë shkruante se kombet që drejtohen nga udhëheqës të paaftë e që zgjedhin edhe këshilltarë po aq të paaftë, janë të destinuar të shkatërrohen! Mos qoftë e thënë kjo!