Faqja e Pare | Analiza | Kico Blushi | Nga bashkevuajtes ne bashkefajtore

Nga bashkevuajtes ne bashkefajtore

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Përherë i shtirur i sinqertë, i prerë në luftën antikorrupsion, i pamposhtur në ambicie, i palodhur nëpër pusira, nacionalist dhe antikomunist, shtetar i lindur për të drejtuar nga fitorja në fitore (pavarësisht nga kostoja që i shkakton herë pas here vendit), largpamës dhe dyshues, vizionar dhe miop, i pathyeshëm dhe kastastrofik, i pagabueshëm dhe peng i gabimit, strateg i paparë, që dështimin e kthen përherë dhe menjëherë në fitore pa i bërë syri tërr, (a s’e ktheu Gërdecin në sukses?), njeriu që tashmë i përket historisë, udhëheqësi që përmbysi komunizmin, ai që, pas Skënderbeut, i dha Shqipërisë shansin më madhor, futjen tonë triumfale në NATO (a s’na e përsërit përditë këtë?), është pra ai që na ka premtuar se do të jetë në krye të vendit, d.m.th se do të kalaqafet edhe më mbi zverkun tonë, tashmë të rreshkur me metoda gjasme demokratike, edhe nja tridhjetë vjet të tjera (me ymrin e Allahut, si na ka premtuar!), duke kaluar në pushtetmbajtje edhe merhumin Enver…

Në vija të trasha, ky është portreti i ish- Presidentit dhe ish-kardiologut, tash kryetar i pazëvendësueshëm i partisë, Kryeministrit të vetëkarfosur, kryekuvendarit tonë kryekrenar nëpër ekrane, kompetentit për gjithçka e për asgjë...Në këtë pasqyrë televizive e sheh veten udhëheqësi ynë tashmë legjendar, e me sa duket, kështu e gjykojnë edhe ndjekësit e tij, që nga Topalli e tëhu, poshtë, në bazë, teksa e shohin me adhurim Doktorin, para kamerave, teksa zë e dehet me fjalët e veta, teksa shpalos idetë e tij pa ide, po që gjithsesi në këtë terr verbojnë të verbrit!…
Mosha dhe vetëkënaqësia e bën që, krejt papritur e pakujtuar ai të qeshë me shakatë, hokatarllëqet e thumbat e veta, madje edhe kur shqipton të thëna e të pathëna që tani nuk habisin e çudisin kërkënd! O Zot, sa i vetëkënaqur është ky njeri! Në historinë tonë as ka pasur dhe as ka për të pasur ndonjë kryetar partie kaq të kapardisur e të ngopur me veten. E me të drejtë! Atij po i shkon prapa jo vetëm historia e partia, po edhe Kuvendi dhe Drejtësia, mediat dhe analistët, natyrisht, bashkë me popullin tonë liridashës që e ndjek si manar, si hija të zotin! Ne tani jemi transformuar, pas këtij tranzicioni që po zgjatet në pambarim, nga bashkëvuajtës, në bashkëfajtorë të Berishës! Sepse është faji ynë që ai është ai që është! Që ai sillet me ne si me një kope gjallesash pa identitet dhe pa dinjitet! Ne e meritojmë pikërisht një udhëheqës të tillë, që shfaqet i suksesshëm dhe i pamposhtur edhe kur i pëlcet Gërdeci disa kilometra larg zyrës së tij!
***
Natyrisht që për këtë madhështi (delir) të arritur për së gjalli, asesi nuk ka pse bëhet me faj Doktori. Ai nuk ka asnjë arsye që të shfaqet para nesh si gjoja modest, përkundrazi! Vetëdija që ai tashmë i përket historisë, pra jo ne, bashkëkohësve, bashkëvuajtësve dhe bashkëfajtorëve mjeranë të tij, atij i jep edhe më shumë fuqi dhe energji, si dhe të drejta të pakufizuara për të artikuluar nëpër ekrane broçkulla dhe shifra realizimesh e suksesesh që nuk ekzistojnë kurrkund e që nuk do të realizohen kurrë!
Ky njeri tani flet me historinë, nuk kuvendon më me ne, frymorët e gjallë, se ai tashmë na e di kokën, na i ka blerë mendjen, e di që do ta ndjekim dhe adhurojmë deri në fund…Prandaj tani duket sikur ka filluar të kuvendojë me ata që ende nuk janë lindur! Vini re si e përqendron vështrimin në horizont kur flet, si e shtrin dorën, edhe në mbledhjet e qeverisë, edhe kur i flet ndonjë katundari të hutuar buzë një kanali…Mjaft që të ketë një kamera përpara…! Ai, fatmirësisht shikon larg, shumë larg, oh sa larg vështron tani udhëheqësi ynë legjendar! Paçka se ne mbetëm më të fundit e më të diskriminuarit edhe në atë që quhet Ballkan Perëndimor, pikërisht prej “meritave” të këtij prijësi karizmatik deri në grotesk, që na ka bërë të dukemi para Europës si popull pa kulturë, gati primitiv! Sepse logjika e thjeshtë të çon vetiu te ky arsyetim: Derisa shqiptarët duan dhe mbajnë një të tillë udhëheqës, merreni me mend se në ç’nivel janë qytetarët e këtij vendi!
***
Jo, asnjëherë dhe për asgjë të llahtartë a të mënxyrtë që ndodh në këtë vend, që nga viti 1990 e këtej, deri te Gërdeci, nuk ka faj Berisha! Ai ose nuk di gjë, pra ia kanë hedhur, si në rastin e Gërdecit, ose ia punojnë pas krahëve, d.m.th nën rrogoz, si në rastin e vitit 97! Këtë e them dhembshurisht, e natyrisht, edhe sinqerisht, sepse më vjen vërtet keq për veten kur shoh që na përfaqëson nëpër botë një njeri që sillet kaq madhështor këtu, pra me ne, dhe aq puthador me autoritetet e huaja, që sillet aq i vetëngrefur e lavdimadh me popullin e vet, dhe aq i leqendisur me të huajt!
Mbi të nuk ka ligj, nuk ka prokuror e gjykatës, nuk ka as media dhe as opinion publik, apo edhe opozitë që të mund të veprojë e ndikojë sadopak! Berluskoni, edhe kur është në pushtet, mund të thirret i pandehur, po ama Berisha jo se jo! Ky njeri është i prirur për të marshuar drejt madhështisë, si Napoleoni, i cili edhe pse u kthye në pushtet nga internimi, u përmbys pas 299 ditëve! Ky njeri nuk mund të gjykohet sot për sot as nga ambasadori amerikan dhe as nga ai britanik, e as nga ai i BE-së! Kur takohet me ta Berisha me sa duket ua bën mendjen dhallë, i bind, si me magji, sepse të huajt nuk mund të besojnë që një burrë shteti me karrierë politike 20- vjeçare mund të gënjejë aq sinqerisht, duke të parë në bebe të syrit!
Edhe kur ndaj tij janë bërë padi për shpifje publike, nuk gjen dot një gjykatës që mund të guxojë të hapë një proces kundër tij! Deri më tash as edhe një gjyq i bërë publik kundër tij nuk është kryer! Ai nuk shkon as nëpër komisionet parlamentare për të dëshmuar, qoftë edhe për vrasjen e Azem Hajdarit! Ai është njeriu më i imunizuar në rruzull! As edhe një gjykatës a prokuror nuk mund të guxojë të përballet me të pagjykueshmin tonë zulmëmadh! Le ta provojnë! Nuk ka shqiptar të gjallë e të vdekur që mund të besojë se një ditë të bukur kryeprokurorja Ina Rama do të guxojë të kërkojë imunitetin e Berishës për Gërdecin në rast se, - qoftëlarg!, - hetimet do të shkojnë vetë, pa dashjen e saj, mu në zyrën e Kryeministrit tonë syshqiponjë! Sepse në muret e zyrës së kryeprokurores, si fantazma vërtiten portretet e të gjithë kryeprokurorëve të ekzekutuar e poshtëruar politikisht e publikisht nga Berisha! Po edhe sepse nuk mund të gjendet as edhe një prokuror apo gjykatës që do të guxojë të përballet me të papërballshmin Berisha!
Ai jo pa qëllim u ka kallur datën të gjitha institucioneve dhe drejtuesve që quhen të pavarur! Një zile celulari e tij në mes të natës, i fut dridhmat çdo lloj burri që ka çelësat e një zyre! E drejta anon përherë nga ai, pavarësisht se herë pas here paguhet me krime, me shpifje, me pasurim të familjarëve të tij, sepse ai nuk gabon kurrë. Kështu, po të kishte faj për rropamën e paparë që na ndodhi në 1997-ën, po edhe në 1998-ën, ai, në mos do të ishte në burg, si ndodh në çdo vend normal e demokratik, sot me siguri do të gjendej në arrati në ndonjë vend islamik, si kanë ikur të gjithë udhëheqësit e ngjashëm me të, edhe për faje më të rëndomta, si p.sh Kraksi që u akuzua për korrupsion dhe u arratis nga Italia, apo si shumica e diktatorëve të përmbysur afrikanë…
Kurse ai u rikthye në pushtet dhe tani ka plotësisht të drejtë të thotë se me votë të “lirë” populli i dha të drejtë atij, se ai nuk kishte as edhe një faj për rropamën tonë kombëtare! A nuk e organizuan rebelët komunistë dhe sigurimsat vitin e mbrapshtë 1997? A nuk na bindën analistët e varur e të pavarur para zgjedhjeve të 2005-ës se Berisha nuk është ai që kishim pas njohur, pra të mos e paragjykonim, se para nesh po shfaqej një tjetër Berishë, një babaxhan i përkorë që “ka nxjerrë mësim nga pësimet”, një burrë shteti “që e urren me mish e me shpirt korrupsionin bashkë me monopolet e bash për këto arsye ai kurrsesi nuk ka për të bërë gabimet që pati bërë kur ishte President?!” Ku janë këta analistë sot? A keni dëgjuar ndonjë syresh t’i kërkojë falje popullit?
E pse të ndjehet Berisha fajtor që erdhi në pushtet me vota “të lira”, duke thyer çdo parashikim, sidomos te ndërkombëtarët, kur opinionbërësit e palodhur të këtij vendi të vetëquajtur të lirë e demokratik në Ballkan e më gjerë, na garantuan e na bindën se ai është “një tjetër”, jo ai që kishim pas njohur!? Andaj Berisha nuk ka asnjë faj, derisa jo vetëm analistët e pavarur, as vetëm deputetët e tij të varur, madje edhe nga ata që quhen opozitarë, tani psherëtijnë nën zë, si me dëshpërim: “Doktori nuk e ka shokun, kije mëri, po ama jepi hakun! Është burrë i zoti, sepse tani askush nuk i del dot përpara! Më mirë ta kesh mirë, të rrish urtë, se po të futi Doktori në rreth, u dogje! “
“Rasti Sefgjini” është dëshmia më e mrekullueshme dhe më e sinqertë për të kuptuar se si dhe pse Berisha rri kaq gjatë në pushtet. Sepse ai nuk i lë kurrë në mes të rrugës “qëndresëtarët”, skifterët, “mamurrsit” e famshëm me të cilët, si ka pas thënë, mund të rrëzojë çdo qeveri! Mund të jesh i inkriminuar, i korruptuar, një lapërdhar, po ama, po qe “qëndresëtar”, besnik i tij, nuk ka polici e gjykatë që të prek! A mund të gjendet ndonjë skifter qëndresëtar që ka mbetur pa post e pa ofiqe të larta në këto vite?Pra, konkluzioni është fare i thjeshtë: fajtorë janë pikërisht këta analistë e opinionbërës dhe pas tyre ne, ne silazhngrënësit që besuam dhe e votuam, por jo Berisha! Me këtë sy duhen parë e gjykuar edhe deputetët që votuan Topin President, e pas një viti, votuan kundër dekreteve të tij! Me këtë sy duhet parë edhe vetë Presidenti Topi. A nuk pranoi ai të zgjidhej President me vota të blera, pra me “ekzekutim” të votës e të demokracisë? Si guxoi ai, pasi u bë President, t’i tregonte pikërisht atij, Doktorit, shefit të tij të përjetshëm, se me demek është “i pavarur, një përfaqësues me integritet i unitetit, një President që rri mbi palët, që mbron pavarësinë e institucioneve, si na mëson Kushtetuta”…e të tjera broçkulla të ambalazhuara me citate demokratike?!…
Kush nuk e kupton “rastin Sefgjini”, keq ka për ta pësuar!
Kështu mbahet pushteti në Shqipërinë e më gjerë, jo me dokrra “demokratike”!

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
4.50