Sprova e kraterit
Ja më në fund, ajo që deri dje dukej si fabrikë, si punësim e si investim që zhvillon vendin, mori formën e saj të vërtetë materiale. Ose më mirë të themi antiformën. U shndrrua në inversin e vet, në antimaterie. Sepse krateri i thellë e i zi që la pas kodrina e zhdukur, në një farë kuptimi s’është veçse një boshllëk, një vrimë e zezë, që përpiu pa kthim gjera aq të shtrenjta brenda saj... Pikërisht kjo natyrë imateriale, ky mister e pezullim që ndjehet mbi krater e bën edhe tejet të vështirë kapërcimin e tij. Kapërcim që është bërë tashmë një kusht i detyrueshëm. Pas ngjarjes transformuese, askush s’mund të vazhdojë punën i qetë si më parë, pa kaluar njëherë nga kjo sprovë: pa kapërcyer mes kraterit të hapur tre ditë më parë. Krateri i Gërdecit është bërë kështu ...kriteri i Gërdecit. Një kriter që kësaj rradhe s’mund t’i shpëtojë askush nga ata që gatuan këtë gjendje. Jo vetëm kontraktuesit e qeveria. Por edhe të tjerë, nga institucionet e pavarura e deri tek tek shoqëria civile. Atje do të kalojnë në njëfarë mënyre edhe ca segmente të medias, që “kontraktojnë” rregullisht me pushtetin. Ato që bëjnë sikur sikur ndriçojnë fakte, në një llomotitje çoroditëse e përsëritëse. Duke gjuajtur, gërmuar e përzier bashkë ashkla “artificash” të lajmit. Një marifet që të çon kudo përveçse tek ..fajtori. Në përpjekje kjo, për t’u shlyer për ndonjë nder të vjetër. Por edhe për tu gjendur gjithmonë pranë aferash ku lëviz para e madhe. Asnjëherë s’u ka dalë keq një punë e tillë. ***Krateri pra, qëndron atje gojëhapur e sfidues, jo thjesht si një “ftesë” për t’u eksploruar e për të kërkuar të humburit. As edhe si një detyrim për të mbyllur inventaret e procedurat. Shtetërore apo hetimore. Para së gjithash, ai është atje si një simbol raportesh të krijuara e bëmash të praktikuara në kurriz të shoqërisë shqiptare në këta vite tranzicioni. Nga një grusht qerratenjsh të këtij vendi. E para, na vjen a s’na vjen mirë, ai shfaqet si një krater, pra si një zgavër boshe, në ndërgjegjen publike shqiptare, e cila është topitur dhe përgjumur deri në atë pikë, sa që vetëm shpërthime apokaliptike mund ta zgjojnë. Nga ato që hedhin në erë fshatra dhe hapin kratere. E dyta, e ndoshta më e qarta, ai shfaqet si një humnerë e thellë dhe e gjerë mes shtetasve të këtij vendi nga njëra anë dhe “përfaqsuesve” të vet në politikë e vendimmarrje –nga ana tjetër. Kanë shkuar larg këta të fundit. Aq larg, sa që edhe mbrojtja e njerëzve po ju duket një punë e dorës së dytë. Pa le “përfaqsimi” i shtetasve. Shndrruar në një marrdhënie që mbaron ditën e zgjedhjeve. Koha tjetër: sfidë pasurimi. Prandaj dhe hera-herës ata ndrrojnë vendet me eksponentë të caktuar të biznesit. Kështu shtetarët bëjnë pak biznes ndërsa bizneset ...politikë. Shpesh mpleksur bashkë e përqafuar. Mes fjalësh të ëmbla mbi pasurimin prrallor që të mundësoka “tregu i lirë”. Ndërsa në manjetofonin “për publikun”, vjen rrotull e s’pushon ai disku i njohur, mbi “vullnetin tonë të palëkundur” ...integrues . Po krateri i Gërdecit është atje edhe si një dëshmi e devijimit të pa-asnjë moral nga parimet dhe pozicionimet. Parimet nga njëra anë ndërsa politika –nga ana tjetër. Shiko sa interesante. Para “kraterit”, personazhet e rinj –premtues të së mirës, i gjen bashkuar e puthur me të vjetrit e të akuzuarit –bartës të së keqes. Ju kujtohen akuzat e kërcnimet që vinin rrotull mbi kokën e krye- a thjesht ca ministrave dikur? Edhe ata atëhere shisnin “skrape” e municione të “demontuar”. Mbyllnin afera të shtrenjta e fitonin pa asnjë mundim. Asnjë gjëmë s’ndodhi, madje asnjë gjest sa për të trembur të keqen. Sapo të rinjtë panë se “malli” s’qe mbaruar, dhe se kishte ende plot për të shitur, e mbyllën perden e skenës. Ku deri atëhere luhej teatri opozitar me antikorrupsion të zjarrtë. I shohim tashmë bashkë para kraterit. Ose para mediash që rreken ta “sheshojnë” atë. ***Por mbi të gjitha, krateri i Gërdecit është sot një aparat gjigand testimi. Zgavra e tij ngjan me atë të një skaneri mjekësor. Ku duhet të kalojnë me rradhë të gjitha segmentet e e shtetit e të shoqërisë, që duan të legjitimojnë statusin e mëtejshëm. Përgjegjësit dhe makutët, po e po. Por jo vetëm ata. Atje do të kalojnë pashmangësisht edhe institucionet më të besueshme. Ose së paku ato që ne duhet t’u besojmë patjetër. Pra edhe Parlamenti e Presidenti i Republikës, partitë politike e liderat e tyre, agjensitë mbikqyrëse dhe shoqëria civile, media e varur dhe ajo e pavarur, madje edhe vetë prokuroria, nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të kalojnë nga ky test pastrimi e shkundje. Pikërisht në kraterin simbolik të Gërdecit. Detyra jonë qytetare është vetëm një: të mos ja ndajmë asnjë çast sytë monitorit. Që askush të mos i shpëtojë këtij skanimi të detyrueshëm që na imponoi koha. Ardhur nga toka a nga qielli, nga babëzia private a zyrat e shtetit, krateri i Gërdecit është bërë një aset në dorë të shoqërisë. Nga simbol i gjëmës ai mund të kthehet në simbol të pastrimit.
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj