Faqja e Pare | Analiza | Selim Belortaja | Kjo xhungël Prioritetesh

Kjo xhungël Prioritetesh

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Në ka ndonjë drejtim ku Shqipëria mund të kërkonte me plot gojën një renditje kampioni, ky do të ishte pa dyshim...bujaria e pakufi në shpallje prioritetesh. Shoqëruar për rjedhojë, me një bollëk të paparë e të padëgjuar të këtyre të fundit. Duke krijuar një pyll të dendur e të mpleksur keqaz brenda të cilit lëvizim si të mundim, ne qytetarët  këtej, ndërsa qeverisja andej tutje. Lëvizim të dy palët, krejt për hesap të vet, shpesh pa e parë fare njëri-tjetrin. Ku të lenë pemët e shkurret “prioritare” që harlisen mes nesh, e që shtrihen e zgjaten kush e kush më lart e më gjerë?
***
E di që termat që shtjelloj e që shfaqen qysh në titull, nuk tingëllojnë dhe aq shqip. Xhungël, prioritete, etj. Por kam një arësye pse i lashë ashtu. Fundja ta marrin vesh edhe të huajt, çka duam të themi. Ndoshta herë tjetër, do të hutohen ca më pak nga bombardimi sovjetik që u bëjnë krerët tanë qeverisës me fjalën prekëse “prioritet”. Dhe do të mendohen pak më mirë para se sa në këmbim, të lëshojnë atë reagimin e sjellshëm e kortez: “I’m very impressed!”. Jam impresionuar shumë!. Se këta tanët as që dinë gjë hiç nga kortezia. E marrin megjithëmend. Kujtojnë vërtet se ky është shpërblim për ta. Sidomos për zgjuarësinë dhe vullnetin “e pal’kund” në deklarim prioritetesh. Prandaj oburra. Prioritete këtej e prioritete andej. Sapo i huaji, qoftë ky biznesmen apo sportist, diplomat a këngëtar, politikan apo studiues, sapo ky i huaj pra, lëshon ndonjë pyetje rutinë, shpesh sa për t’u gjendur në muhabet, ne po gati e kemi përgjigjen: këtë që the zotrote, e kemi prioritet. Prioritet absolut, madje!. Dhe po qe se tjetri shfaq ndonjë minimum interesi a lëshon ndonjë pyetje shtesë, ne mund dhe ta gradojmë në vend prioritetin tonë, në.. “prioritet absolut”. Le të mos jetë kjo gjë kurrkund e shkruar shkoqur, e rrahur dhe e diskutuar më parë, e përzgjedhur dallueshëm nga strategjia jonë e zhvillimit (dhe integrimit). Le të mos jetë ajo, as ndonjë hall i madh në rradhën e halleve të mëdha që kanë qytetarët, popullsia dhe shoqëria. Le të jetë pra edhe një çështje e dorës së dytë a të tretë për nga rradha e urgjencës. Për hatër të bashkëbiseduesit dhe sidomos të “impresionimit” të tij, ne mund ta shpallim në moment e pa dridhje qerpiku: prioriteti ynë madhor.
Dhe ja ku kemi arritur sot në një pikë, kur kazani i “prioriteteve” tona është mbushur aq plot sa s’po derdhet. E ku tashmë çështjet e nevojave më të mëdha që vërtet janë të tilla, si lufta kundër varfërisë e mjerimit, shtetit ligjor e institucioneve, apo çështje të aspiratave më të mëdha si integrimi në NATO dhe BE, nuk shquhen aspak nga dhjetra drejtime të tjera të mëdha, të mesme e të vogla, as edhe nga qindra punët e rëndomta të ditës. Ato me të cilat nëpunësit duhet të mbushin ditën e për të cilat marrin rrogën. Në paradën e gjatë të prioriteteve tona parakalojnë po njëlloj krenarë, çështje ndër më të larmishmet, nga turizmi te antikorrupsioni, nga rregullimi i territorit te papunësia, nga furnizimit me ujë të pishëm e energji te arsimi i lartë, nga ndotja e ajrit te investimet e huaja, nga planifikimi urban te evazioni fiskal, bujqësia e blegtoria te forcat komando, nga mjedisi te licenasat, nga minumentet e kulturës tek eksporti, nga shëndetësia te privatizimi, nga siguria rrugore te ujësjellsat, nga kanalizimet te bashkëpunimi rajonal, nga listat veresie te rruga Durres-Morinë, etj., etj. Më e çuditshme është se, pa e përjashtuar aspak njëra-tjetrën, madje servirur përkrah njëra tjetrës, si biçim “prioritetesh me dy faqe”, tek ne mund të gjenden shpinë-më-shpinë shpallje dhe praktika nga më paradoksalet: Kështu liberalizimi tarifor doganor vjen bashkë me rritjen e akcizave dhe çmimeve të referencës, lehtësimi i barrës fiskale vjen bashkë me disafishimin e gjobave, klima favorizuese për biznesin vjen bashkë me sekuestrot e pasurisë personale në rast falimentimi, derregullimi i ekonomisë -bashkë me forcimin e kontroll-ndërhyrjes shtetërore mbi të, privatizimi i shpejtë – bashkë me shtyrjen më kot të privatizimit (INSIG-u është një shembull që mjafton), “shenjtëria” e pronës na vjen bashkë me inkurajimin e zaptuesve të saj, pezullimi i ndërtimeve me leje -bashkë me legalizimin e ndërtimeve pa leje, “përkëdhelja” e sektorit minerar bashkë me (pa)sigurinë në punë, mjedisi e pyllëzimi bashkë me fabrika çimentosh, turizmi i jahteve krah për krah me petroliferën, ndërsa strategjia e “ekselencave” (ajo pra, ku ngrohen shpresat e më të mirëve në shkollat brenda e jashtë vendit), vjen –pa pikë zori shfaqet në sfondin e emërimeve pa asnjë kriter “ekselence”, në krye të zyrave kyçe ku lëviz paraja publike.
Pa folur pastaj për kontradiktat midis prioriteteve të lexuara dhe lëvizjeve praktike të funksionarëve më të lartë të shtetit. Ec e gjej po munde ndonjë lidhje midis hallit tonë për ratifikim të MSA nga vendet e BE dhe dëshirës së kryeparlamentares për të shëtitur Kuvajtin, Bahreinin e gjithë botën arabe, midis interesit tonë rajonal dhe udhëtimit të fundit të saj kot më kot në Letoni, ec e kap ndonjë pikë takimi midis orientimit euroatlantik të vendit dhe vizitës entuziaste të ministrit të jashtëm në Libinë e Kadafit, e kështu me rradhë.
Kështu që sot praktikisht, nuk ka asgjë, asnjë sektor, drejtim, nismë apo aksion i vetëm i qeverisë, që të mos jetë në këtë listë. Ose që të mos shfaqet edhe në të ardhmen nën një kostum të tillë.
****
Epo mirë, mund të na thotë ndonjë koleg i yni, ç’të keqe ka këtu? A nuk janë këto të gjitha mungesat e hallet tona; pse të mos i quajmë prioritete? Fundja ç’humbasim po i quajtëm?
Nuk do shumë mend të kuptohet se ky parashtrim “gjithpërfshirës” në shpallje prioritetesh ka jo një, por një listë të këqiash bashkë.
E para, ai dëshmon një moskuptim të vetë konceptit “prioritet”. I cili përcaktohet jo vetëm nga ekzistenca e problemit por edhe nga burimet e kufizuara për mbulimin e tij. Burime të shprehura në kohë, energji, mjete e buxhet. Probleme ka shumë, por burime ka pak. Pikërisht sepse burimet e kapacitetet e shtetit e shoqërisë janë të kufizuara, problemet duhen vënë në një rradhë trajtimi. Ashtu si pacientët e një aksidenti që që në sallën e operacionit futen sipas gravitetit të gjendjes. Së dyti, kjo zhvleftëson e diskrediton vetë ndërhyrjet prioritare. Renditjen e punëve. Për pasojë ngatërron krejtësisht edhe llogaridhënien. Nuk ka situatë më komode për një qeveri se shpallja e çdo gjëje si prioritare. Brenda kësaj ‘shpallje’ ajo mund të lëvizë lirisht nga të dojë e si të dojë. Sepse ta kesh çdo gjë prioritet është krejt njëlloj sikur të mos kesh asnjë prioritet.
Së treti, kjo justifikon jo vetëm bëmat por edhe “mosbëmat”, domethënë shmangjet nga programi elektoral i qeverisë, dështimet në disa nga drejtimet përcaktuese të zhvillimit e demokracisë në vend.
***
Ndërkohë që prioritetet e vërteta të Shqipërisë e shqiptarëve janë atje. Ndonëse herë të shtyra, e herë të anashkaluara nga qeverisja. Janë të nënvizuara e përsëritura në raportet kyçe ndërkombëtare. Tw BE-së, Departamentit të Shtetit, Bankës Botërore, Transparencës Ndërkombëtare, Forumit Ekonomik Botëror, etj. Renditur pastaj edhe në vetë premtimin elektoral të mazhorancës. Vulosur edhe në programin vit-pas-viti të qeverisë. Përgatitja e plotë dhe e shpejtë për zgjedhje të lira e të ndershme, institucione të mira funksionuese e të paanshme, antikorrupsioni e antikrimi, zgjidhja e pronës, drejtësia njëlloj për të gjithë etj, janë çështje që s’mund t’i ngatërrosh me të tjera. Prej tyre përcaktohet gjithshka tjetër. S’mund të ketë dixhitalizim pa adresa e pa rregjistrim të dhënash. S’mund të ketë treg të shëndoshë energjetik pa sahate, s’ka si të ketë antievazion pa vendosur kasa në çdo banak. Dhe s’ka si të kemi asgjë të ngjashme pa institucione të shëndetshme, që nisin e bitisin deri në fund reformat e duhura. Institucione, të cilat nga ana e tyre, s’janë veçe derivat i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo është pika ku fillon e mbyllet diskutimi. Ky është edhe kriteri themelor i vlerësimit qeverisës.
***
Të gjitha raportet veç e veç dhe të gjithë bashkë, theksojnë se punët kanë rradhë. Po këtë rradhë “prioritarizimi” duhet të ndjekë edhe gjykimi ynë në “ditën e gjykimit”. Domethënë në ditën e votimit. Që duket se po vjen edhe më shpejt edhe se sa rregjistrat civilë dhe kartat e identitetit. Një “proritet” ky i tejkaluar me kohë.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0