24 ore lajme: Nga Shqiperia 1 Euro tek Shqiperia - Ullishte Nga Shqiperia 1 Euro tek Shqiperia - Ullishte ================================================================================ Selim Belortaja on 17 December, 2008 06:54:00 Mund të thuhet me plot gojën se krerët dhe ekipet qeverisëse ish-lindore sot shfaqen ku e ku më të zgjuara e më pehlivane se të gjitha agjensitë ndihmëse e qeveritë donatore. Të paktën shumë më të suksesshme sa i përket interpretimit të atij rolit aq të pëlqyer e të duartrokitur në teatrin e sotëm global: Reformatorit. Reformatorit mendjehapur –është një term akoma më i pëlqyer në këtë rast. Dhe vizionar! -kanë qejf të shtojnë ata më ambiciozët. Energjik dhe i papërkulur! – këtë shtesë e lypin me patjetër ata më autoritaristët fare. Që “persiston”! –do të thoshte kryeministri ynë, duke pasur parasysh sigurisht vetëm një model: vehten e vet. Politikani perëndimor nuk ka pikë shansi që ta qajë kështu këtë rol të vështirë të reformatorit “persistent”, sa udhëheqja jonë lindore, me kaq prirje teatrore. Aktrimi i saj në fusha të tilla është mahnitës. Virtuoz e diabolik njëherësh. *** Epërsi e padikutueshme e qerratallëkut lindor –mund të konkludojnë studiuesit. E në se kjo si tezë ha diskutim, sa i përket gjithë “Bllokut Lindor” në tërësi, është krejt e sigurt se qëndron e shkëlqen qartë në rastin që njohim më mirë: të Shqipërisë sonë të dashur e të përditshme. Si në shumë fusha të tjera të artit e shkencës edhe këtu talenti “reformator” shqiptar merr një nuancë të veçantë e të përndezur. Produkt i një të shkuare plot frustrime dhe i një shkollimi sa sfilitës aq edhe abstrakt, si dhe i një formimi sa dogmatik aq edhe interpretativ, spekulativ, rrëshkitës e bizantin, jesmen e hipokrit, ky “talent” u kalit më pas, në kudhrën e një procesi të dyfishtë: korrupsionit dhe klientelizmit politik. Proces ky, që për fatin e keq tonin (por jo dhe aq të keq për ata vetë) i dominoi krejtësisht dimensionet ripërtëritëse e begatuese, që normalisht prisnim prej tranzicionit. Dhe që sot është pjekur deri në një fazë fare finale: atë të përdorimi tërësisht personal të pushtetit politik. Gjithshka nën kujdesin maksimal, që në sfond, të mos rreshtë asnjë çast valvitja prekëse e flamurit madhështor..të reformave. *** Përgjithësimi i mësipërm nuk është aspak një pamflet letraro-politik. S’është veçse një sistemim faktesh me referencë historinë tonë më të re të reformave. Të 3-4 viteve të fundit. Marrim më të fundit pjesë nga kjo histori e “reformizmit teatral”jo vetëm sepse atë mbajmë mend më mirë, jo vetëm se efektet dhe kumbimi i saj na çan veshin përditë, nga megafonët e kamera të ushqyera mirë, por edhe për një arësye tjetër. Sepse këta 3-4 vjet përbëjnë edhe një kulm të vërtetë në shtrimin patetik e lojën teatrore me këtë temë: reformat. Të cilat, lihet të kuptohet se burojnë vetëm nga shpirti i pashembullt reformues i vetëm një personi të vetëm. Jo vetëm burojnë prej tij, por edhe shpallen vetëm prej tij. Madje edhe argumentohen e mbrohen po prej tij me rast debatesh apo pa debat fare. Në një proces argumentimi, natyrisht pa argumenta. Duke ju përgjigjur vetë pyetjeve të ngritura po vetë në emër të një kundërshtari inekzistent. “Shqipëria 1 Euro” dhe “vendi më tërheqës për investimet e huaja”, “Strategjia e Kafshatës” dhe “duart e pastra”, “anti-vaska të florinjta” dhe ajri i pastër në qytetet tona, lehtësi speciale investorëve-emigrantë e stop “kapjes së shtetit”, viza për jashtë shtetit apo moshë e internetit, zonat industriale apo pasaportat biometrike, ujë e rrugë rurale apo centralet atomike, “brain drain” apo “e-government”, etj. etj. Sigurisht këtu mbi të gjitha fare, ajo që godet direkt e në shenjë, që trondit mendjen e mbush me frymëzim çdo zemër bashkë-kombasi e ndërkombëtari, që qëndron mbi të gjitha reformat, që përshkon tej e mbanë thuajse sejcilën prej tyre, është sllogani solemn: “Zero Tolerancë”. Zero tolerancë andej e zero këndej. Se mos do të lexojë kush me lupë raportet ndërkombatare. *** Ç’bëhet me gjithë këtë bollëk reformash të shpallura në trajtë citatesh kineze? Kësaj here po mjaftohemi thjesht me renditjen e tyre. Vetë renditja e sjellja në vemendje e tyre mjafton e tepron për të parë të vërtetën. Pastaj gjithkush e ka të lehtë të bëjë ballafaqimin. Kështu për të parë se ç’fat na pati “Strategjia e Kafshatës” mjafton të shkojmë te të njëjtat dyqane ku shkonte zoti Berisha në fushatën e vet të 2005-ës. Të kërkojmë po ato fletore asokohe mbushur dënga me lista blerësash borxhlinj. Që nuk paguanin dot as vajin dhe kripën. A ka më të tilla? Sidomos në dyqanet e fshatrave të periferisë së këtij vendi. Do të gjejmë përgjigje të forta në çdo rast. Në rastin “Shqipëria 1 Euro” apo “parajsë investimesh” gjetjet mund të jenë edhe më impresive. Do të shohim se vetë slloganet janë gatuar duke pasur ndermënd jo biznesin shqiptar e të huaj në përgjithësi, por biznese të caktuara, jo territorin shqiptar e asetet e tij po territore e asete të caktuara, të veçanta, të leverdisëshme, që dikush ja pati vënë syrin. E kështu me rradhë.Sa për “Zero Tolerancën” raportet ndërkombëtare nxjerrin sërisht korrupsionin si problem të parë të këtij vendi (Raporti i Konkurrueshmërisë Globale 2008-2009). Nxjerrrin sërisht se biznesi paguan një kosto të madhe për sigurinë e firmës ndaj vjedhjeve e krimit (sipas “enterprise survey 2007” të Bankës Botërore, kostot për sigurinë të firmës sonë –janë 3.42% kundrejt 1.47% që e ka rajoni. Humbjet nga vjedhjet 3.31 kundrejt 1,75 që është mesatarja rajonale, etj). Ndërsa nga ekrani ushton orë e çast, i palodhur sllogani: “zero tolerancë!”. Sllogan që në përkthim të drejtpërdrejtë mund të lexohet ..zero efektivitet! *** Një fakt i dytë që flet për falsitet e shpërdorim të retorikës “reformatore” është edhe shkujdesja për t’i hedhur ato pa asnjë kujdes për kontradiktat e brendsëshme deri në përjashtim të njëra tjetrës. Se “gërryerja e pyllit për çimento” fjala vjen nuk mund të shkojë në një linjë me aspiratën për “mjedis e ajër të pastër”. Ambicja atomike s’ka asnjë piktakimi me turizmin ambjental e kulturor. Zgjidhja e pronës nuk shkon fare me ofertën “1 Euro”, madje as me këtë legalizim masiv e të pakriter, e kështu me rradhë.Madje ka edhe një fakt tjetër që i ve kapak kësaj prirje të falsitetit reformues. Të lojës aktoriale me prioritetet reformuese. Fjala është për kërcimin e shpejtë e të paqeder nga njëri model tek tjetri, nga njëri prioritet tek tjetri. Zvëndësimi i lehtë e patetik i tyre. Sipas ëndrrës më të fundit që sheh lideri. Aty pak më parë sheh Shqipërinë – supërfuqi energjetike bërthamore. Javët e fundit s’i ndahet një ëndër tjetër: Ajo e Shqipërisë –ullishte.