24 ore lajme: Morali i Ikjes Morali i Ikjes ================================================================================ Selim Belortaja on 27 October, 2008 01:18:00 (Koment i z. Belortaja, në përgjigje të pyetjes së Gazetës “Standard”, mbi tragjedinë e 19 tetorit në Butrint, ku humbën jetën disa persona) Të falenderoj që po më heq sikletin e pjesës së parë të pyetjes, atë të përshkrimit të ngjarjes (dhe përgjithësisht ngjarjeve të tilla), e cila është vërtet një gjë e rëndë, jo vetëm sepse gazetarinë e kronikës nuk e kemi për zanat, por edhe sepse ky përshkrim i plotë, i pandarë në detaje i kësaj ngjarje me shumë viktima, tashmë është bërë pa kursim nga disa media. Drejt më thënë unë ngelem gjithnjë dyfish i shokuar në raste të tilla. Sepse po aq sa më shokon ngjarja vetë, gjithëpo aq më trondit e më le pa mend zelli i jashtëzakonshëm, disproporcional e padyshim i ekzagjeruar deri në kufijtë e një entuziazmi, që shfaqin nganjëherë disa televizione, për t’ju qepur natë e ditë e për ditë të tëra, pa u lodhur një ngjarje kaq të kobshme për t’u parë e ndjekur. Çuditem si nuk u shkon mendja që telespektatorë të ekraneve tyre janë edhe fëmijë të vegjël, që s’na e kanë për borxh t’i torturojmë kështu me pamje e përshkrime rrënqethëse. Po pastaj nuk çuditem më. Më qetëson pamja e vetë gazetarit a gazetares, që transmeton pa u lodhur, në lidhje “live” nga vendi i ngjarjes. Ajo bën punën e vet sigurisht, atë për të cilën paguhet dhe për këtë s’kemi si e shajmë. Gjithsesi mua më habit shumë. Edhe më trondit njëkohësisht. Se do zemër kjo punë. Ja, ti sheh në pult një vajzë të re, simpatike, krejt të qetë, pa asnjë hall a shqetësim në fytyrë, që na sheh në sy nga ekrani dhe pyet edhe më qetësisht atë të “Butrintit”: sa trupa u gjetën? Vetëm një? Ç’moshë kishte? Si dukej kufoma, a mbahej mirë? A kishte shenja dekompozimi? Epo mirë, faleminderit shumë. Rilidhemi prapë mbas dreke. Drekën e mirë.... Njëlloj sikur të pyesnin se sa shkoi çmimi i domates a i shalqinit në tregun e Sarandës. Pra, me që jemi tek ajo pjesa “ka ardhur koha”, që përmend pyetja juaj, unë them se koha ka ardhur së pari që kronika për ngjarje të tilla të bëhet pak me karar. Nevojiten disa kufij në këtë punë, sepse të lemerisësh njerëzit me pamje të mbyturish apo me gjak aksidentesh rrugore nuk është as ndonjë punë e dobishme e as profesionale. Se ne ja ku shohim edhe botën. Kemi këtu pranë italianet, po tani shofim edhe stacionet më të mëdha amerikane, e europiane. Pse nuk ndodhin aksidente atje? Nuk ndodhin përmbysje varkash shoqëruar me njerëz të humbur? Nuk ka kërkime që zgjasin me ditë e javë të tëra? Ama s’kemi parë që ndonjë stacion syresh të rrijë i bllokuar gjithë ditën e perëndisë e të ngrerë gjithë programin e vet mbi këtë ngjarje. Duke shoqëruar herë policët që zhyten, herë dëshmitarët, e herë familjarët që qajnë e shkulin flokët. Sidomos kohëzgjatja është krejt e pajustifikuar. Se ja mësuam një çast ndodhinë dhe faktin që ka viktima. Ja dhe momentin që u gjet njëri dhe po kërkohet për të tjerë. Po na lini rehat disa orë, së paku deri në momentin sa të gjendet ai tjetri. Pastaj në doni vërtet të bëni ndonjë shërbim njerëzor, po mbani në telefon ju lutem vetëm familjet e interesuara (në qoftëse edhe ato kjo nuk i lemeris më keq e nuk ju përplasin telefonin kokës për këtë “shërbim”). Po nuk ka pse të fusni e të nxirrni teleshikuesit në ujrat e Butrintit sa herë që zhyten e dalin palombarët. Kjo është jo vetëm e tepërt, por edhe e dënueshmë etikisht, mendoj unë. Tani, ju me të drejtë, na ftoni që t’i hedhim një sy rrënjëve të tragjedive të tilla, shkaqeve që shpjegojnë këtë instikt të fortë të shqiptarëve (sigurisht jo vetëm të shqiptarëve) për “t’i hyrë detit në këmbë” –si i thonë një fjale. Kjo në fakt është një çështje ku mpleksen dy anë: motivi për t’u larguar nga vendi e vendbanimi yt këtu në atdhe dhe përfytyrimi apo bindja që ke se kapërcimi i kufirit i zgjidh ato probleme, në atë masë sa t’ja vlejë të rrezikosh gjithshka.Ç’është pra kjo shtysë e fuqishme për kuturisje të tilla, ku luhet me kokën? Me jetën tënde dhe të fëmijës. Kjo e dyta madje është përgjegjësi edhe më e rëndë, sepse ndëshkon arbitrarisht njerëz që s’janë në gjendje të marrin vendime vetë. Dhe në fund, për ç’farë e në emër të ç’synimi madhor bëhet tërë kjo sakrificë sublime? Ç’ështja është e gjerë, dhe ajo mpleks në vetvehte shumë përbërës, që nga ato historikë, kulturorë (këta për mua janë në bazë fare), e deri tek ato administrativë (merr dot vizë-s’merrr dot vizë) dhe social-ekonomikë, -që paraqiten gjithnjë si të planit të parë, gjë që ha shumë diskutim. Të njëjtin mendim kam pasur afërsisht gjithnjë lidhur me eksodet dhe rreziqet, edhe atëhere kur njerëzit ju kacavirën masivisht vaporeve për të ikur nga sytë këmbët me ç’do kusht dhe sidomos “me ç’do çmim”. Përfshi jetën foshnjeve. Sigurisht në periudha të ndryshme, faktorë të ndryshëm marrin rol më të madh apo më të vogël. Faktori historik p.sh., nuk ka dyshim që ishte përcaktues në eksodet e 1991-shit. Për herë të parë breza të tërë ndjenë që bota për ta nuk ishte më e ndaluar dhe se ata mund ta preknin atë. “Me pak përpjekje” sigurisht. Dhe me rrezik jete gjithashtu. Ama bëhej fjalë për një jetë të gjymtuar e të boshatisur nga izolimi. Sot natyrisht që ky motiv historik, ky reaksion natyror ndaj izolimit të gjatë ka humbur jo vetëm rolin parësor por edhe sensin në njëfarë mase. Them në njëfarë mase, sepse presioni i tij ndjehet ende. E para ndjehet si remineshencë, në psiqikën e njerëzve të cilët perceptojnë më ngadalë dhe reagojnë ngadalë ndaj ndryshimeve. E dyta, ndjehet si një realitet tek fakti që “udhëtimi normal” jashtë vendit ende nuk është i lirë. Kërkohet një varg letrash, deklarimesh, procedurash e sidomos verifikimesh para se të marrësh një vizë udhëtimi. Ti shkon për të marrë pjesë në dasmën e kushuriut dhe sheh se në fund ke marrë një vizë vetëm ..dy-ditore. I bie që të kthehesh në Rinas pa të dalë ende pija e dasmës. Sidomos për dikë që banon në një zonë të largët, të humbur e të varfër, kjo pamje merr trajtën e një barriere të pakapërcyeshme, e një ferri të vërtetë. Sot kryesor për mua është faktori kulturor. Që përkthehet edhe si padije ndaj rreziqeve por edhe si mungesë të respektit ndaj vetë jetës. E çmoj shumë lart guximin, si një virtyt të lartë të njeriut. Guximin që shfaqet në emër të gjërave të mëdha e sublime, siç është p.sh. shpëtimi i një jete tjetër, mbrojta e familjes dhe e vendit tënd. Por nga ana tjetër s’kam pikë respekti për njerëzit që rrezikojnë jetën pa një kundërarësye po aq të rëndësishme sa jeta. Hallin ekonomik e kuptoj shumë mirë; e dij mirë besoj edhe se ç’do të thotë mjerim dhe se deri ku të çon ai. Por nuk më bind kurrkush se kjo arrati natën në errësirë është e vetmja alternativë që zoti i ka lënë të mjerëve të këtij vendi. Le që, nuk më bind dot kurrkush se ata që marrin këto rrugë nate, që lëshojnë kështu lisho jetën e tyre, të grave e të fëmijve në duar skafistësh a trafikantësh kriminelë gjakftohtë, janë patjetër më hallexhinjtë e Shqipërisë. As ata të vaporëve nuk ishin që të gjithë më hallexhinjtë e këtij vendi. Hallexhinj edhe më të mëdhenj mund të jenë pikërisht ata që vendosin të rrijnë. Duke sfiduar realitetin e vështirë këtu në vendin e tyre. Apo qoftë edhe duke pritur një rrugë më normale të realizimit të ëndrrës të tyre perëndimore. Sepse kanë rradhë në vlerësimin e gjërave. Dhe jetën që ju ka dhënë Zoti, nuk mund ta rendisin kurrsesi të dytën, mbas ..emigracionit të paligjshëm. Elementi kulturor na del pastaj edhe në gjysmën tjetër të çështjes, asaj që lidhet me pritshmërinë e përfytyrimin që njerëzit kanë për jetën pas kalimit “matanë”. Ç’mendojnë ata në fakt se i pret andej? A mos nuk janë të informuar mirë në pritshmëritë e tyre? Sepse njeriu mund edhe të rrezikojë fort për diçka që ja vlen. Më duket se shpesh, me cektësinë e tyre apo me atë të disa prej emigrantëve në vendin fqinj që kur kthehen në fshat thurrin tregime fantastike për jetën e tyre plot ngjyra, “plot standard e lumturi”, njerëzit mendojnë krejt gabim se matanë i pret shpëtimi dhe parajsa. Se mjafton të bëjnë ato 7-8 kilometrat natën, në ujin e ftohtë e në rreziqet e varkës, dhe pastaj çdo hall merr fund. Një ëndër kjo që avullon në çast, qysh të nesërmen kur duhet t’i fshihesh patrullave që gjuajnë “të paligjshmit”, e qysh të pasnesërmen kur duhet të grindesh me afendikoin që s’të paguan hakun –sepse e di që ti as që ke ku të ankohesh. Por dimensioni kulturor i ikjes lidhet edhe me diçka tjetër, që mendoj se për ne shqiptarët është një problem dhe një tipar shumë i spikatur: me pafuqinë e njerëzve për të ndryshuar realitetin. Me apatinë e tyre të pashpjegueshme. Me mungesën e mobilizimit për t’i hyrë e për t’i qëndruar fort kësaj pune. Sidomos me mungesën e frymës së komunitetit e solidaritetit. Duket çudi, por ndërsa bota shqyrton përditë alternativa të reja për të ndryshuar gjërat, ne i biem shkurt: preferojmë ikjen. Kush rri e merret me këtë punë, kush rri e merret me këta! –është argumenti ynë tipik, apo jo. Kjo më bën të mendoj nganjëherë, se as politika e as lidershipet tek ne nuk ka pse e mbajnë vetë të gjithë barrën e dobësisë dhe cilësisë së tyre. I gjej goxha të justifikuar. Sepse fajtorë për këtë jemi të gjithë. Por ama sidomos ata ...që ikin. Ikin të varfërit, ikin shkencëtarët, ikin studentët, ik kush të mundë. Me këtë frymë kaq të zhvilluar ikje, me këtë valvol të gjerë të shfryrjes së çdo presioni social, është e kuptueshme pse jeta e politikës sonë është kaq e lehtë dhe kaq e lumtur. Ata në fakt janë jashtë çdo presioni real social. Presionin e vërtetë këtu e ha valvola. Valvola e ikjes jashtë shtetit. Përgjegjësia e kësaj sjellje natyrisht është shumë më e thellë. Një dëm tjetër që vjen prej saj, edhe më i madh se sa komoditeti për pushtetet abuzive e për politikën e keqe, është mungesa e investimit për të ardhmen. Njerëzit e ikjes, përgjithësisht nuk mendojnë për mure të forta, as për vlera të forta e struktura të forta në vendin që lenë pas. Po pesha e hallit ekonomik cila është në këtë mes? A mos nuk e njohim dhe nuk e kemi idenë sa e si duhet mbi këtë aspekt. Mos kemi rënë rehat për vete dhe as që e kuptojmë varfërinë? As që e dijmë që në shumë zona, madje pak kilometra larg Bllokut e larg Tiranës, “ligjin” e bën mjerimi? Më besoni, edhe njëherë e theksoj se unë që po ju flas e mollois këto fjalë, nuk është se nuk i njoh hallet e hallexhinjtë. I njoh e i ndjej që ç’ke me të. E kuptoj më së miri çdo të thotë papunësi, mungesë burimesh elementare dhe sidomos ..mungesë shprese. Edhe më mirë e di se çdo të thotë padrejtësi e paudhësi drejtimi e qeverisje. Hapësirë që ato krijojnë për “të fortin e rrugës” . Pabarazi e thellë pasurore por sidomos pabarazi e shanseve. I di këto gjëra dhe i prek përditë natyrisht. Por tek shoh rretherrotull mundësitë natyrore që na ka dhënë Zoti, tek shoh se jemi një botë krejt tjetër nga Afrika e shkretëtirës apo Azia e përmbytjeve, nuk ka se si të mos më vijë një shtysë për t’i ftuar edhe njëherë miqësisht bashkombasit e mij: shikoni edhe njëherë në sy jetën, vlerësoni edhe njëherë mundësitë që na ka dhënë natyra, përpara se të vini këmbën në ato varka vdekjeje. Ka shumë të ngjarë ta shani ashpër veten tuaj.